0:00
0:00

I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin[231] robit të Vet, [232] që të jetë paralajmërues për botët;
____________________
[231] Pra, Kuranin, që dallon të vërtetën nga e pavërteta.
[232] Pra, Profetit Muhamed (a. s.).
Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!
E megjithatë ata[233] adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekjen, as jetën e as që të ringjallin.
____________________
[233] Idhujtarët.
Jobesimtarët thonë: “Ky (Kuran) është vetëm gënjeshtër, të cilën e ka trilluar ai[234] me ndihmën e njerëzve të tjerë.” Kjo që thonë ata është e padrejtë dhe shpifje.
____________________
[234] Muhamedi (a. s.).
Dhe ata thonë: “Këto janë përralla të popujve të lashtë; të cilat i ka vënë t’i shkruhen e t’i lexohen atij në mëngjes e mbrëmje.”
Thuaj: “Atë e ka shpallur Ai që di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Ai fal shumë dhe është Mëshirues”.
Gjithashtu ata thonë: “Ç’është ky i dërguar që ha ushqim dhe shëtit nëpër tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një engjëll e të bëhet me të paralajmërues?!
Ose, përse nuk i është zbritur një thesar apo të kishte një kopsht, nga i cili të hante?!” Të padrejtët thonë: “Ju ndiqni vetëm një njeri të magjepsur”!
Shiko çfarë shembujsh të sjellin e ata (me këtë) kanë humbur e nuk mund të gjejnë rrugën e vërtetë.
Qoftë i lartësuar Ai, i Cili, nëse do, mund të të japë gjëra më të mira se këto, kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe të bëjë për ty pallate.
Jo, ata e quajnë gënjeshtër edhe ardhjen e Orës (së Kiametit), ndërsa Ne kemi përgatitur për ata që e mohojnë Orën zjarr flakërues.
Kur ai t’i vërë re prej së largu, ata do t’ia dëgjojnë vlimin dhe rënkimin.
E kur të hidhen në një vend të ngushtë të tij, të lidhur duarsh, do të luten për shkatërrimin (e vet).
“Mos e kërkoni sot shkatërrimin vetëm një herë, por kërkojeni shumë herë!”
Thuaj: “A është më i mirë ky apo Xheneti i amshuar, i cili u është premtuar të devotshmëve? Ai do të jetë për ta shpërblim dhe vend kthimi.
Për ata ka aty çfarë të dëshirojnë e do të rrinë në të përherë. Ky është premtimi i Zotit tënd, i kërkuar (prej jush)”.
Ditën, kur Ai t’i tubojë idhujtarët bashkë me ata që i adhuronin[235] në vend të Allahut, do t’u thotë (të adhuruarve): “A jeni ju që i keni shmangur këta robër të Mi apo ata vetë kanë humbur rrugën e drejtë?”
____________________
[235] “ata që i adhuronin”: Sipas Taberiut, nuk bëhet fjalë për idhujt në përgjithësi, por për krijesa që janë adhuruar si zota, pa dëshirën e tyre, si p. sh. engjëjt, që arabët paganë i quanin si “bijat e Allahut”, Uzejri, që u quajt si “bir i Zotit” nga hebrenjtë, Isai (a. s.), që u quajt si “bir i Zotit” nga të krishterët etj.
Ata do të përgjigjen: “Lavdia qoftë për Ty! Nuk ishte nevoja që ne të marrim mbrojtës tjetër, përveç Teje, por Ti u dhe këtyre dhe etërve të tyre jetë të begatshme, ndërsa ata i harruan paralajmërimet e Tua dhe u bënë popull i shkatërruar”!
“Këta e përgënjeshtruan atë që thatë ju e nuk do të munden, as të shmangin dënimin, as të ndihmojnë veten. Kush prej jush ka bërë të këqija, Ne atij do t’i japim të shijojë dënim të madh.”
Ne edhe para teje kemi nisur vetëm të dërguar, të cilët hanin ushqim dhe shëtisnin nëpër tregje. Ne i kemi bërë disa prej jush të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju? Zoti yt i sheh të gjitha.
Ata, që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, thonë: “Pse nuk na dërgohen neve engjëjt ose të shohim Zotin tonë?” Ata, me të vërtetë, janë treguar kryeneçë dhe kanë kaluar çdo kufi në arrogancë dhe padrejtësi.
Ditën, kur të shohin engjëjt, për keqbërësit nuk do të ketë lajm të mirë dhe do t’u thuhet: “Nuk do të kaloni dot për matanë!”
Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.
Ndërsa banorët e Xhenetit atë ditë do të kenë vendbanim më të mirë dhe vendpushim më të bukur.
Ditën, kur qielli me ré do të hapet e engjëjt do të lëshohen në zbritjen e madhe,
atë ditë pushteti i vërtetë do t’i përkasë vetëm të Gjithëmëshirshmit. Kjo do të jetë ditë e vështirë për jobesimtarët.
Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin!
Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik!
Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.
Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer”.
Dhe, kështu Ne, çdo profeti i kemi kundërvënë një armik nga keqbërësit. Por ty të mjafton Zoti yt si udhërrëfyes dhe ndihmës!
Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu.
Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.
Ata, që do të tubohen me fytyrat përmbys në Xhehenem, do të jenë në vendin më të keq dhe më të larguarit prej rrugës së vërtetë.
Ne i dhamë Musait Librin dhe i bëmë ndihmës vëllanë e tij, Harunin.
Pastaj (u) thamë (atyre): “Shkoni të dy te populli, i cili i quan të rreme shenjat Tona!” Pastaj e shkatërruam atë popull krejtësisht.
Popullin e Nuhut, kur i quajti gënjeshtarë të dërguarit, Ne e fundosëm dhe e bëmë mësim për njerëzit. Për keqbërësit kemi përgatitur një dënim të dhembshëm.
Ne i dënuam fiset Ad dhe Themud, popullin e Ressit, si dhe shumë popujt të tjerë ndërmjet tyre.
Të gjithëve u sollëm shembuj dhe, më pas, të gjithë i shkatërruam krejtësisht.
Ata[236] me kohë kanë kaluar pranë vendbanimit që e shkatërroi shiu i tmerrshëm[237], e vallë, a nuk e kanë parë atë? Jo, ata nuk prisnin të ringjalleshin.
____________________
[236] Karvanët tregtare të idhujtarëve të Mekës.
[237] Vendbanimit të popullit të Lutit që ndodhet rrugës nga Gadishulli Arabik për në Siri, pranë Detit të Vdekur.
Sa herë që të shohin ty, të marrin vetëm për tallje: “Vallë, këtë ka sjellë Allahu si të dërguar?!
Për pak qe duke na shmangur nga hyjnitë tona, po të mos u kishim qëndruar atyre besnikë!” Por, kur të përballen me dënimin, do ta marrin vesh se kush është shmangur më larg rrugës së drejtë.
A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?
A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të shmangur nga rruga e drejtë.
A nuk e ke parë ti se si Zoti yt e ka zgjatur hijen?! Sikur të kishte dashur, do ta bënte të pandryshueshme? Pastaj Ne e kemi bërë Diellin udhëzues të saj,
pastaj e tërheqim atë (hijen), dalëngadalë pranë Vetes.
Dhe është Ai që jua ka bërë natën mbulesë dhe gjumin pushim, kurse ditën jua ka bërë për të lëvizur.
Është Ai që i dërgon erërat si lajmëtarë të gëzueshëm para mëshirës së Tij, duke lëshuar prej qiellit ujë të pastër,
që nëpërmjet atij të ngjallim vendin e vdekur dhe t’u japim ujë kafshëve dhe shumë njerëzve që Ne i kemi krijuar.
Ne e kemi përsëritur (dhuntinë) që të vënë veshin, por shumica e njerëzve kundërshtojnë e janë mosmirënjohës.
Sikur të donim Ne, do të dërgonim në çdo qytet paralajmërues.
Mos i dëgjo mohuesit, por luftoji ata me forcë nëpërmjet këtij (Kurani).
Është Ai që i ka lënë të lirë dy ujëra, - njëri i pijshëm e i ëmbël, kurse tjetri i njelmët e i hidhur, - duke ngritur pengesë e kufi të prerë ndërmjet tyre.
Është Ai që ka krijuar prej ujit njeriun, e ka vënë në lidhje me fis nga gjaku dhe nga martesa. Zoti yt është i Plotfuqishëm.
Megjithatë, ata adhurojnë, në vend të Allahut, gjëra që nuk mund t’u sjellin as dobi, as dëm. Jobesimtari është ndihmës (i djallit) kundër Zotit të tij.
Ne të kemi dërguar ty vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues.
Thuaj: “Unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, por vetëm që, kush të dëshirojë, le të ndjekë rrugën (që e shpie) drejt Zotit të tij”.
Mbështetu në të Gjithëjetshmin, i Cili nuk vdes dhe madhëroje Atë me falënderim! Ai i di mjaft mirë gjynahet e robërve të Vet.
Është Ai, i Cili krijoi qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fron. Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe pyet për Atë ata që dinë.
Kur atyre u thuhet: “Bëjini sexhde të Gjithëmëshirshmit”, ata thonë: “Çfarë është i Gjithëmëshirshmi? Vallë, t’i biem në sexhde atij që na urdhëron ti?” Kjo u shton atyre më shumë largim (prej fesë).
Qoftë i lartësuar Ai, i Cili e ka stolisur qiellin me yjësi dhe ka vënë në të një Kandil të ndritshëm dhe një Hënë që ndriçon.
Ai krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, si këshillë për ata që duan ta kujtojnë ose duan ta falënderojnë.
Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë ata që ecin thjesht nëpër Tokë dhe, kur të paditurit i sulmojnë me fjalë, ata përgjigjen: “Paqe qoftë!”;
dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;
dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh ndëshkimin e Xhehenemit, sepse, me të vërtetë, dënimi i tij është i përjetshëm
e ai është vendbanim dhe vendstrehim i keq”;
dhe ata që, kur shpenzojnë, nuk janë as dorëshpuar, as dorështrënguar, por i përmbahen të mesmes;
dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë[238] dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe.
____________________
[238] “përveçse me të drejtë”: d. m. th. për mbrojtje të ligjshme, gjatë luftës për çështjen e Allahut dhe duke zbatuar dënimet e parashikuara nga legjislacioni islam.
Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar.
Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
Ndërsa, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, është i kthyer krejtësisht nga Allahu.
(Kështu janë) edhe ata që nuk dëshmojnë në mënyrë të gënjeshtërt e, kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet;
edhe ata, që, kur paralajmërohen nga shpalljet e Zotit të tyre, nuk bëhen as të shurdhër, as të verbër;
edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!”.
Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe.
Aty do të qëndrojnë përherë; sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!
Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj. Por ju (i) keni përgënjeshtruar (Shpalljet e Tij), andaj dënimi për ju do të jetë i pashmangshëm”.
السورة التالية
Icon