0:00
0:00

Ky Libër është shpallur nga Allahu i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm!
Njëmend, Ne ta kemi zbritur ty Librin me të vërtetën. Andaj adhuro vetëm Allahun me përkushtim të çiltër për Të!
Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë. Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij, duke thënë: “Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu”, Allahu me siguri që do t’i gjykojë për mospajtimet që kanë pasur. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues.
Sikur të donte Allahu të merrte një bir, Ai do të zgjidhte kë të pëlqente prej krijesave të Veta. Qoftë i lartësuar Ai nga kjo gjë! Ai është Allahu, i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!
Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën për të shpallur të Vërtetën. Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën në natë, Ai e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën. Të gjitha lëvizin për një kohë të caktuar. Vërtet, Ai është i Plotfuqishëm dhe Falës i Madh!
Ai ju krijoi prej një njeriu të vetëm; pastaj, prej tij krijoi shoqen e tij. Ai ka krijuar për ju tetë çifte bagëtish[281]. Ai ju krijon në barqet e nënave tuaja, fazë pas faze në një errësirë të trefishtë. Ky është Allahu - Zoti juaj; Atij i përket i tërë pushteti; nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si është e mundur që largoheni prej Tij?!
____________________
[281] Dy prej deveve, dy prej lopëve, dy prej dhenve dhe dy prej dhive.
Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është vërtet i pavarur prej jush. Megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju, nëse e falënderoni. Asnjë gjynahqar nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit. Pastaj, do të ktheheni te Zoti juaj e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë, sepse Ai e di vërtet se ç’keni në zemrat tuaja.
Kur njeriun e godet një e keqe, ai i lutet Zotit të vet, duke iu drejtuar me pendesë. E kur atij i vjen një e mirë prej Zotit, ai harron se për çfarë ishte duke u lutur më parë dhe sajon zota të tjerë të barabartë me Allahun, për t’i larguar të tjerët nga rruga e Tij. Thuaj (o Muhamed)[282]: “Kënaqu pak me mosbesimin tënd! Ti, me siguri, do të jesh nga banorët e zjarrit!”
____________________
[282] Pra, thuaji këtij lloj njeriu.
A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!”
Thuaj: “O robër besimtarë (të Allahut), frikësojuni Zotit tuaj! Ata që bëjnë mirë në këtë jetë, do të kenë të mira. Toka e Allahut është e gjerë. Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë”.
Thuaj: “Unë jam urdhëruar që ta adhuroj Allahun me përkushtim të sinqertë.
Unë jam urdhëruar të jem i pari nga ata që i nënshtrohen Atij.”
Thuaj: “Unë i trembem vërtet dënimit të Ditës së madhe, nëse nuk i bindem Zotit tim”.
Thuaj: “Vetëm Allahun e adhuroj me besimin tim të plotë e të sinqertë,
kurse ju adhuroni kë të doni në vend të Tij!” Thuaj: “Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit. Ja, kjo është humbja e qartë”!
Ata do të mbulohen me shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë, Allahu i tremb robërit e Vet. “O robërit e Mi, më kini frikë Mua!”
Le të gëzohen ata që shmangen nga adhurimi i idhujve e kthehen nga Allahu! Pra, jepu lajme të gëzueshme robërve të Mi,
të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre. Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë mendarët.
Vallë, a mund ta udhëzosh ti (o Muhamed) atë që meriton të dënohet dhe a mund ta shpëtosh atë që gjendet në Zjarr?!
Ndërkaq, ata që i frikësohen Zotit, do të kenë dhoma të ngritura mbi njëra-tjetrën, pranë të cilave rrjedhin lumenj. Ky është premtimi i Allahut; Allahu nuk e shkel premtimin e Vet.
A nuk e sheh se si Allahu e zbret ujin nga qielli dhe e bën atë të burojë nga toka? Nëpërmjet tij Ai nxjerr bimë të llojllojshme, ngjyrash të ndryshme, të cilat, më pas thahen e zverdhen dhe pastaj Ai i thërrmon. Me të vërtetë, në të gjitha këto ka këshilla për ata që janë të mençur.
A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit?!) Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të tillë janë në humbje të qartë!
Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kuranin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.
A është njësoj si ai që do ta vuajë me fytyrën e vet dënimin e rëndë në Ditën e Kiametit, (ashtu edhe ai që është i shpëtuar)?! Keqbërësve do t’u thuhet: “Shijoni atë që keni fituar!”
Edhe ata që ishin para tyre i quajtën gënjeshtarë (të dërguarit), prandaj atyre u erdhi dënimi prej nga nuk e prisnin.
Allahu i poshtëroi ata që në këtë jetë, por dënimi i jetës tjetër do të jetë më i madh! Veç sikur ta dinin!
Vërtet, Ne u kemi sjellë njerëzve shembuj në këtë Kuran për çdo gjë, për t’ua vënë veshin.
Ne e kemi shpallur Kuranin në gjuhën arabe dhe pa asnjë kundërthënie, me qëllim që ata ta ruajnë veten nga e keqja.
Dëgjojeni këtë shembull që ka sjellë Allahu! Janë dy njerëz: njëri ka shumë bashkëpronarë që e kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa tjetri ka vetëm një pronar, të cilit i përkushtohet. A janë të njëjtë ata në krahasim?! Lavdëruar qoftë Allahu, por shumica e tyre nuk e dinë këtë!
Sigurisht që ti (o Muhamed) do të vdesësh një ditë e, sigurisht që edhe ata do të vdesin.
Pastaj, në Ditën e Gjykimit, ju do të grindeni para Zotit tuaj!
Kush është më i keq se ai që trillon gënjeshtra për Allahun dhe hedh poshtë të Vërtetën (Kuranin), kur ajo i vjen atij?! A nuk është Xhehenemi strehë për mohuesit?!
Ata, që e shpallin të Vërtetën dhe që i besojnë asaj, pikërisht ata janë të përkushtuarit që i frikësohen Zotit.
Ata do të kenë çfarë të duan te Zoti i tyre. Ky është shpërblimi për punëmirët.
Allahu do t’ua falë atyre veprat më të këqija që kanë bërë dhe do t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë.
A nuk i mjafton Allahu robit të Vet?! Ata të frikësojnë ty (o Muhamed) me zota të tjerë, përveç Tij. Atë që Allahu e shpie në humbje, nuk mund ta udhëzojë kush.
Ndërsa atë që e udhëzon Allahu, askush nuk mund ta shpjerë në humbje. A nuk është Allahu i Plotfuqishëm dhe i Zoti për t’u hakmarrë?!
Nëse ti (o Muhamed) i pyet ata (mekasit paganë) se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me siguri që do të të thonë: “Allahu”. Thuaju: “Si mendoni, nëse Allahu dëshiron të më shkaktojë ndonjë dëm, a mund ta largojnë atë idhujt që ju i adhuroni krahas Tij?! Po nëse Ai dëshiron të më mëshirojë, a mund ta pengojnë ata mëshirën e Tij?!” Thuaju: “Mua më mjafton Allahu. Tek Ai le të mbështeten ata që kërkojnë mbështetje”.
Thuaj: “O populli im! Veproni sipas mënyrës suaj, edhe unë do të veproj sipas simes! Shumë shpejt do ta merrni vesh,
se kush do të marrë një dënim poshtërues dhe ndëshkim të përhershëm!”
Ne ta kemi zbritur ty Librin me të vërtetën për të udhëzuar njerëzit. Kush shkon në rrugë të drejtë, ai e ka për të mirën e vet, ndërsa kush e humb këtë rrugë, ai humb në dëm të vet. Ti (o Muhamed) nuk je përgjegjës për ata.
Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë.
A zgjedhin ata, përveç Allahut, ndërmjetësues të tjerë (që gjoja do t’i afrojnë pranë Allahut)?! Thuaj: “Vallë, a i merrni edhe pse nuk kanë asgjë në dorë dhe nuk kuptojnë?!”
Thuaju: “Ndërmjetësimi është i gjithi në duart e Allahut; Atij i takon pushteti i qiejve dhe i Tokës e pastaj tek Ai do të ktheheni”.
Kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë në jetën tjetër neveriten, ndërsa, kur përmenden të tjerët, përveç Allahut, ata menjëherë gëzohen.
Thuaj: “O Zoti im, Krijues i qiejve dhe i Tokës, Njohës i së dukshmes e i të padukshmes, Ti do të gjykosh mes robërve të Tu për kundërshtitë që kanë pasur”!
Sikur keqbërësit të kishin çdo gjë që gjendet në Tokë, dhe po kaq më tepër, të gjitha këto do t’i flijonin (për të shpëtuar) prej dënimit të ashpër në Ditën e Kiametit. Atëherë, do të përballen me atë që nuk e kanë llogaritur,
do t’u shfaqen atyre të këqijat që kanë bërë dhe do t’i kaplojë ajo të cilën e përqeshnin.
Kur njeriut i bie ndonjë e keqe, ai na lutet Neve; por, kur pas kësaj, i ofrojmë një të mirë prej Nesh, ai thotë: “Kjo më është dhënë vetëm pse kam ditur”. Nuk është kështu! Kjo është vetëm një sprovë, por shumica e tyre nuk e dinë.
Kështu thoshin edhe ata që ishin para tyre, prandaj nuk patën dobi nga ajo që patën fituar.
Prandaj ata i goditi dënimi i të këqijave që kishin punuar. Por, edhe keqbërësve prej këtyre[283] do t’u bjerë dënimi për të këqijat, që kanë bërë e nuk do të mund t’i ikin atij.
____________________
[283] D. m. th. idhujtarëve të Mekës.
A nuk e dinë ata se Allahu ia shton apo ia pakëson riskun kujt të dojë?! Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që besojnë.
Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.
Kthehuni tek Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij, para se t’ju vijë dënimi, sepse atëherë nuk do të mund t’ju ndihmojë kush.
Ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi papritmas, pa e ndier atë,
që të mos thotë njeriu: “Mjerë për mua që nuk i kam kryer detyrimet ndaj Allahut, madje, edhe jam tallur!”
Ose të thotë: “Sikur Allahu të më kishte udhëzuar, do të isha bërë njeri i devotshëm”.
Ose të thotë, kur ta shohë dënimin: “Ah, sikur të ishte e mundur për t’u kthyer edhe një herë e të bëhesha njeri i mirë”!
(Allahu do t’u thotë): “Me të vërtetë, juve ju erdhi shpallja Ime (Kurani), por nuk besuat dhe u bëtë mendjemëdhenj e jobesimtarë”.
Në Ditën e Kiametit do t’i shihni ata që kanë trilluar gënjeshtra për Allahun, me fytyra të nxira. Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për ata që janë mendjemëdhenj?!
Por Allahu do t’i shpëtojë ata që janë ruajtur me të mirat e bëra, prandaj ata nuk do t’i prekë e keqja e as nuk do të pikëllohen.
Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.
Të Tij janë çelësat e qiejve e të Tokës! Sa për ata që i mohojnë shpalljet e Allahut, ata janë të humbur!
Thuaju atyre: “Vallë, ju po më urdhëroni që të adhuroj dikë tjetër, përveç Allahut, o të paditur?!”
Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: “Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.
Prandaj, adhuro vetëm Allahun dhe bëhu falënderues!”
Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!
Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.
Dhe Toka do të shndrisë me dritën e Zotit të vet dhe do të vendoset Libri (i veprave). Pastaj do të sillen profetët dhe dëshmitarët e ata do të gjykohen me drejtësi, e nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi.
Secilit do t’i jepet shpërblimi për atë që ka bërë, sepse Ai e di më së miri se çfarë kanë punuar.
Jobesimtarët do të shtyhen grupe-grupe në Xhehenem dhe, kur të arrijnë atje, do të hapen dyert e tij dhe rojtarët do t’u thonë atyre: “A nuk ju kanë ardhur të dërguar midis jush, të cilët ju lexonin shpalljen e Zotit tuaj e ju tërhiqnin vërejtjen për takimin e kësaj dite?!” Mohuesit do të thonë: “Po, është e vërtetë!” E kështu përmbushet fjala e Allahut për dënimin e mohuesve.
Atyre u thuhet: “Hyni në portat e Xhehenemit, ku do të qëndroni gjithmonë!” Sa vend i shëmtuar që është ai për mendjemëdhenjtë!
Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhenet. Kur t’i afrohen atij, dyert e tij do të hapen e rojtarët e tij do t’u thonë atyre: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju keni qenë njerëz të mirë, andaj hyni në të dhe qëndroni përgjithmonë!”
Ata do të thonë: “Lavdi Allahut, që përmbushi premtimin e Vet e na dha në trashëgim Xhenetin, ku të vendosemi si të duam!” Sa i mrekullueshëm është shpërblimi i atyre që kanë punuar drejt!
Do t’i shohësh engjëjt të tubuar rreth Fronit, duke lavdëruar me falënderim Zotin e tyre. Njerëzimi do të gjykohet me drejtësi dhe të gjithë do të thonë: “Falënderimi qoftë për Allahun, Zotin e botëve!”
السورة التالية
Icon