surah.translation .


U afrua Çasti (Dita e Kijametit) dhe u ça Hëna!

E ata, sa herë shohin mrekulli, kthehen dhe thonë: “Magji e përhershme!”

Ata e përgënjeshtrojnë (të vërtetën) dhe pasojnë kënaqësitë e tyre, e çdo gjë, madje, është e caktuar.

Dhe, u patën ardhë atyre, me të vërtetë, lajme të cilat shpiejnë frikë,

(Kur’ani është) dijeni e përsosur – por paralajmërimi nuk u bëri dobi,

andaj, shmangu prej tyre! Në Ditën kur do t’i thërret ta kasneci (ftuesi) në diçka të tmerrshme –

ata, me sy të përulur dalin nga varret, thua se janë karkaleca të shpërndarë,

duke shpejtuar kah kasneci, e atëherë thonë mohuesit: “Kjo është ditë e vështirë!”

Para tyre (mekkasve) ka përgënjeshtruar populli i Nuhut: mohonin robin Tonë (Nuhun) dhe thonin: “I çmendur!” – dhe e pengonin (në tregimin e Shpalljes).

Dhe, iu lut Zotit të vet: “Unë jam i mundur (prej popullit tim), andaj Më ndihmo!”

Dhe, Ne ia kemi hapur dyert e qiellit me ujë (shi) të rrëmbyeshëm,

dhe, i kemi hapur burimet e tokës, e u takuan ujërat për një veprim që ka qenë i caktuar.

E, atë e bartëm (në barkën) prej dërrasave dhe gozhdave

e cila lundronte nën kujdesin Tonë, - ky ishte shpërblim për atë që ishte i përgënjeshtruar.

Dhe, Ne atë e kemi lënë si dokument, e a ka kush që këshillohet (me të)?

dhe, çfarë ka qenë dënimi Im dhe paralajmërimet e Mia?!

Në të vërtetë, Ne Kur’anin e kemi bërë të lehtë për këshillim, – e a ka kush që këshillohet (me të)?

Dhe, Adi ka përgënjeshtruar (të vërtetën), - e çfarë ka qenë dënimi Im dhe paralajmërimet e Mia?!

Ne u dërguam atyre në një ditë fatkeqe frymë të stuhieshme – të pandërprerë –

e cila i nxirrte njerëzit (prej strehimeve të tyre), thuase të ishin rrënjë të shkulura të hurmeve,

e, çfarë ka qenë dënimi Im dhe paralajmërimet e Mia?!

Në të vërtetë, Ne, Kur’anin e kemi bërë të lehtë për këshillim, - e a ka kush që këshillohet (me të)?

Dhe Themudi i përgënjeshtroi paralajmëruesit Tonë –

ata thanë: “Vallë, a ta pasojmë një njeri nga mesi ynë?! Atëherë, ne, me të vërtetë, do të ishim në rrugë të humbur dhe të çmendur.

Vallë, në mesin (e sa) prej nesh, t’i dërgohet Shpallja atij?! Jo, ai është gënjeshtar mendjemadh!”

Nesër (së shpejti), do ta dinë ata se kush është gënjeshtari mendjemadh!

Ne, do ta dërgojmë devën për t’i sprovuar, andaj priti ti ata dhe bëhu i durueshëm.

Dhe, lajmëroi ata se uji do të ndahet në mes tyre e devës, në çdo racion (shujtë) do të jetë prezent (ai që e ka rendin)!

Ata e thirrën shokun e tyre, e ai mori guximin dhe e preu atë (devën) –

e, çfarë ka qenë dënimi Im dhe paralajmërimet e Mia?!

Ne e dërguam te ta një ulurimë e ata u bënë si sana e copëtuar në pleme,

në të vërtetë, Ne Kur’anin e kemi bërë të lehtë (të kuptueshëm) pë këshillim, e a ka kush që këshillohet (me të)?

Edhe populli i Lutit i ka përgënjeshtruar paralajmërimet.

Ne, me të vërtetë, e kemi dërguar një fortunë mbi ta, pos në familjen e Lutit, këtë e shpëtuam në agim,

nga dhuntia Jonë. Ja, kështu Ne i shpërblejmë ata që falenderojnë.

Me të vërtetë, ai (Luti) i paralajmëroi ata me fuqinë e dënimit Tonë, e ata polemizuan duke i mohuar paralajmërimet.

At aprej tij i kërkuan mysafirët e tij, e Ne ua fshimë sytë atyre (i verbuam): “Shijoni dënimin Tim dhe paralajmërimin Tim!”

E, të nesërmen në mëngjes, ata i goditi dënimi i përhershëm.

“Shijoni dënimin Tim dhe paralajmërimin Tim!”

Me të vërtetë, Ne Kur’anin e kemi bërë të lehtë për (ta mësuar përmendësh) këshillim, e a ka kush që këshillohet (me të)?

Edhe njerëzve të Faraonit u patën ardhur paralajmërimet,

por ata i mohuan të gjitha argumentet Tona, andaj Ne i dënuam ata, ashtu siç dënon i Plotëfuqishmi dhe i Plotëpushtetshmi.

A mos vallë mohuesit tuaj (Mekkasit) janë më të mirë se ata (që u përmendën), apo ju keni ndonjë dekret në librat e shpallur?

Apo, ata thonë: “Ne jemi grup i pathyeshëm!”

Së shpejti do të thyhet grupi dhe me të vërtetë, mëkatarët do të jenë të humbur dhe në zjarr (në jetën tjetër) është më i tmerrshëm dhe më i idhët (se dënimi në këtë botë).

,

Me të vërtetë, mëkatarët do të jenë të humbur dhe në zjarr (në jetën tjetër).

Ditën që do të tërhiqen (me forcë) fytyrat e tyre në zjarr (e ju thuhet): “Shijoni zjarrin e xhehennemit!”

Ne, me të vërtetë, të gjitha i kemi krijuar sipas dispozitës,

Urdhëri Ynë është vetëm një fjalë (në kryerjen e punëve – i shpejtë) sa çel e mbyllë sytë.

E, Ne, madje i kemi shkatërruar të ngjashmit me ju, - e a ka kush që këshillohet (me të)?!

E, çkado që punojnë, ato janë në librat (e veprave të njerëzve)

të gjitha, të mëdha dhe të vogla, janë shënuar në rreshta.

Ata që i druajnë Perëndisë me të vërtetë, do të jenë në kopshtet e xhennetit dhe pranë lumenjve

në vendin e kënaqësisë, te Sunduesi i Plotëfuqishëm.