surah.translation .
من تأليف: حسن ناهي .

Elif Lâm Mîm Râ’. Këto janë vargjet e Librit (Kuranit)! Ajo që të është shpallur ty (Muhamed) prej Zotit tënd është e Vërteta, por shumica e njerëzve nuk e besojnë.
Allahu është Ai që qiejt i ka ngritur me shtylla, të cilat nuk mund t’i shihni e më pas është ngritur mbi Fron. Ai ka nënshtruar Diellin dhe Hënën; të gjitha këto rrotullohen për një kohë të caktuar. Ai i drejton të gjitha çështjet dhe i shpjegon në hollësi shpalljet, me qëllim që ju të bindeni se do të takoheni me Zotin tuaj.
Është Ai që e ka shtrirë tokën, duke krijuar në të male dhe lumenj. Dhe për çdo lloj frute, Ai ka krijuar nga një çift. Ai ka bërë që nata ta mbulojë ditën. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë.
Në Tokë ka vise që janë të lidhura njëri me tjetrin, ka kopshte të mbjella me hardhi, ka ara dhe palma me një pip ose shumë pipa, të cilat ujiten me të njëjtin ujë, por disa nga frutat i bëjmë më të shijshme nga të tjerat. Pa dyshim, në këto ka shenja për njerëzit që kanë mend.
Nëse ti (Muhamed) çuditesh nga idhujtarët, janë vërtet të çuditshme fjalët e tyre: “Vallë, pasi të bëhemi dhé, do të krijohemi vërtet përsëri?!” Këta janë ata që nuk besojnë në Zotin e tyre dhe në qafat e të cilëve do të ketë vargonj; këta janë banorët e Xhehenemit, në të cilin do të qëndrojnë përherë.
Ata të kërkojnë ty me ngut t’u sjellësh të keqen para së mirës, ndonëse para tyre ka pasur shumë dënime shembullore. Zoti yt është Falës për njerëzit, pavarësisht gjynaheve të tyre, por, në të vërtetë, Zoti yt është edhe i ashpër në dënim.
Jobesimtarët thonë: “Sikur t’i ishte dërguar atij[154] një mrekulli nga Zoti i tij?” Në të vërtetë, ti je vetëm paralajmërues. E, për çdo popull ka udhërrëfyes.
____________________
[154] Profetit Muhamed (a.s.).
Allahu e di se ç’mbart çdo femër dhe e di sa shkurtohet e sa zgjatet (koha e lindjes). Çdo gjë tek Ai është me masë.
Ai i di gjërat e dukshme dhe të padukshme. Ai është i Madhi, i Larti.
(Për Atë) njëlloj është: si ai prej jush që flet me vete edhe ai që flet me zë të lartë, si ai që fshihet natën edhe ai që ecën ditën.
Njeriu ka përcjellës (engjëj), para tij dhe pas tij, që e mbikëqyrin atë me urdhrin e Allahut. Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. Kur Ai dëshiron ta ndëshkojë një popull, askush nuk mund ta pengojë Atë; dhe ata, përveç Tij, s’kanë asnjë ndihmës.
Ai jua tregon juve vetëtimën, duke ju bërë të frikësoheni e të shpresoni; është Ai që krijon re të rënda (me shi).
Bubullima e madhëron Atë me falënderim, por edhe engjëjt, nga frika ndaj Tij; Ai i dërgon rrufetë dhe godet me to kë të dojë; - dhe ata përsëri diskutojnë për Allahun, ndërkohë që Ai është i ashpër në ndëshkime.
Vetëm për Atë është lutja e vërtetë! Kurse idhujt, të cilëve jobesimtarët u luten në vend të Allahut, nuk u përgjigjen lutjeve të tyre aspak. Rasti i tyre është si rasti i atij që i zgjat duart tek uji, për t’i ardhur te goja, por ai kurrsesi nuk i vjen. Lutja e jobesimtarëve është e kotë.
Allahut i përulet në sexhde gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir, si dhe hijet e tyre i përulen në mëngjes dhe në mbrëmje.
Thuaj: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës?” dhe përgjigju: “Allahu!” Thuaj: “A mos vallë, ju zgjidhni për mbrojtës në vend të Tij, ata që nuk mund t’i sjellin vetes as dobi, as dëm?” Thuaj: “A janë të njëjtë i verbri dhe ai që sheh? Ose a janë njësoj terri dhe drita? Apo ata (idhujtarët) i veshin Allahut ortakë, të cilët krijojnë siç krijon Ai, kështu që krijimi u ngjan i njëjtë atyre (idhujtarëve)?!” Thuaj: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi, Ngadhënjimtari”.
Ai e zbret shiun nga qielli, prandaj rrjedhin lumenjtë me masë dhe rrjedha bart mbeturinat mbi sipërfaqen e ujit. Edhe zgjyra, kur e shkrijnë njerëzit në zjarr që të bëjnë stoli ose vegla, është mbeturinë, si ajo. Kështu, Allahu jep shembullin e së vërtetës dhe të së pavërtetës: Mbeturinat hidhen, ndërsa ajo që u shërben njerëzve mbetet në tokë. Kështu, Allahu i shpjegon shembujt.
Për ata që i përgjigjen Zotit të tyre, është përgatitur e mira e madhe. Ndërsa ata që nuk i përgjigjen Atij - sikur të ishte e tyre gjithçka që gjendet në Tokë, madje edhe një herë aq, ata do ta sakrifikonin atë (për të shpëtuar). Njerëzve të tillë u është përgatitur llogari e rëndë dhe strehimi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa shtrat i shëmtuar që është ai!
Vallë, ai që di se ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt është e vërteta, a është njësoj me atë që është i verbër (ndaj këtij fakti)? Vetëm njerëzit që kuptojnë ia vënë veshin kësaj.
Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin;
dhe ata që mbajnë lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të mbahen, që kanë frikë Zotin e tyre e i frikësohen llogarisë së rëndë;
dhe ata që durojnë për të fituar dashurinë e Zotit të tyre, që falin namazin, që ndajnë fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne dhe, që të keqen, e kthejnë me të mirë. Këtyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit:
Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit)
(e do t’u thonë): “Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar (në jetën e kësaj bote)! Sa vendbanim i bukur që është ky!”
Sa për ata që shkelin besëlidhjen me Allahun, pasi janë zotuar për atë e, që këpusin lidhjet (familjare) që ka urdhëruar Allahu të ruhen dhe bëjnë çrregullime në Tokë - mbi ta rëndon mallkimi dhe përfundimi i keq!
Allahu ia shton furnizimin kujt të dojë dhe ia pakëson kujt të dojë. Jobesimtarët i gëzohen jetës së kësaj bote, por jeta e kësaj bote në krahasim me botën tjetër është vetëm kënaqësi kalimtare.
Jobesimtarët thonë: “Pse nuk i dërgohet atij (Muhamedit a.s.) një mrekulli nga Zoti i tij?” Thuaj: “Me të vërtetë, Allahu shpie në humbje ata që Ai do, ndërsa udhëzon në rrugë të drejtë ata që kthehen tek Ai,
ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!”
Për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira ka çdo mirësi dhe vendbanim të mrekullueshëm!
Dhe, kështu Ne të dërguam ty tek një popull, para të cilit kanë kaluar shumë popuj, që ti t’u lexosh atyre shpalljen që të kemi dhënë, sepse ata nuk e besojnë të Gjithëmëshirshmin. Thuaj: “Ai është Zoti im, s’ka zot tjetër përveç Tij; tek Ai mbështetem dhe tek Ai kthehem”!
(Idhujtarët e Mekës thonë:) Sikur të kishte një Kuran me të cilin të lëviznin malet ose të copëtohej toka, ose të flisnin të vdekurit (që të besojmë Muhamedin)? Jo, e gjithë çështja[155] i takon (vetëm) Allahut. Vallë, a nuk e dinë ata që besojnë se sikur të donte Allahu, do t’i kishte udhëzuar të gjithë njerëzit (në besim)?! Kurse, jobesimtarët (e Mekës), për atë që kanë bërë, vazhdon t’i godasë shkatërrimi apo të bjerë pranë shtëpive të tyre, derisa të kryhet premtimi i Allahut[156]. Nuk ka dyshim se Allahu e kryen premtimin e Tij.
____________________
[155] D.m.th. besimi apo mosbesimi i idhujtarëve.
[156] Çlirimi i Mekës.
Edhe para teje janë tallur me të dërguar, andaj Unë u kam dhënë afat atyre që kanë mohuar e pastaj i kam ndëshkuar; eh si ka qenë dënimi Im!
Vallë, Ai që është mbikëqyrës për çdokënd se çfarë punon, a është njësoj si idhujt që s’dëgjojnë e s’shohin gjë?! E megjithatë ata i shoqërojnë Allahut zota të rremë (në adhurim)? Thuaj: “Më tregoni emrat e atyre (idhujve që ia bëni shok Allahut)!” Apo ju po e njoftoni Atë për ndonjë gjë që Ai nuk e di në tokë apo thoni vetëm fjalë boshe? Jo, por jobesimtarëve dinakëritë e veta u duken të hijshme; ata janë larguar nga rruga e drejtë. Për atë që Allahu e shpie në humbje, s’ka udhërrëfyes.
Për ata ka dënim në këtë jetë, por dënimi në jetën tjetër, me siguri, është edhe më i ashpër; për ata s’ka mbrojtës nga dënimi i Allahut.
Xheneti që u është premtuar besimtarëve është i tillë që, nëpër të rrjedhin lumenj; frutat dhe freskia e tij janë të përhershme. Ky është fundi i besimtarëve, kurse fundi i jobesimtarëve është zjarri.
Ata, të cilëve ua kemi zbritur Librin, gëzohen për atë që të kemi shpallur ty. Dhe ka disa prej grupeve që mohojnë diçka prej tij. Thuaj: “Mua më është urdhëruar që ta adhuroj vetëm Allahun dhe që të mos i shoqëroj Atij asgjë (në adhurim). Vetëm Atij i lutem dhe vetëm tek Ai kthehem”.
Ja, kështu, Ne e kemi zbritur (Kuranin) në gjuhën arabe (për të qenë) si gjykim (për njerëzit). Por, nëse ti ndjek dëshirat e tyre, pas dijes që të ka ardhur, ti nuk do të kesh as ndihmës, as mbrojtës prej Zotit.
Vërtet, edhe para teje Ne kemi sjellë të dërguar, të cilëve u kemi dhënë gra dhe pasardhës. Asnjë i dërguar nuk ka sjellë me vete asnjë mrekulli, përveçse me lejen e Allahut. Çdo periudhë e kohës ka librin e vet (ku është shënuar caku i saj).
Allahu fshin çfarë të dojë e ngulit çfarë të dojë (në këtë libër); dhe tek Ai është Libri amëz.
Edhe nëse Ne të tregojmë ty nga dënimi që u kemi premtuar atyre apo ta marrim shpirtin më parë, detyra jote është të kumtosh Shpalljen, se llogaria është te Ne.
A nuk e shohin ata se Ne po ua zvogëlojmë tokën[157] nga skajet e saj? Allahu gjykon, dhe askush nuk mund ta thyejë gjykimin e Tij; Ai është i shpejtë në llogari.
____________________
[157] D.m.th. po ua zvogëlojmë idhujtarëve të Mekës territorin ku shtrihet pushteti i tyre.
Dredhi kanë bërë edhe ata që kanë qenë para tyre, por Allahu është zotërues i të gjitha dredhive. Ai e di çfarë fiton çdo njeri dhe mohuesit do ta dinë se për kë do të jetë përfundimi më i mirë.
Jobesimtarët thonë: “Ti nuk je i dërguar!” Thuaju (o Muhamed!): “Mjafton Allahu për dëshmitar midis meje dhe jush dhe ata që kanë dijeni për Librin (besimtarët çifutë dhe të krishterë të asaj kohe).”