سورة البقرة

الترجمة الألبانية - مركز رواد الترجمة - جار العمل عليها

Përkthimi i Sures البقرة në الألبانية nga الترجمة الألبانية - مركز رواد الترجمة - جار العمل عليها

الترجمة الألبانية - مركز رواد الترجمة - جار العمل عليها

Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë ata mashtrojnë vetëm vetveten, ndonëse nuk e hetojnë.
Ata këmbyen udhëzimin me humbjen, rrjedhimisht tregtia e tyre nuk u solli kurrfarë dobie e as që ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë.
Mirëpo, në qoftë se nuk mund ta bëni këtë, - gjë që kurrsesi nuk do të mund ta bëni, - atëherë ruajuni Zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit e gurët dhe i cili është përgatitur për jobesimtarët.
Ndërkaq, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, jepua lajmin e mirë, se për ta do të jenë kopshtet e Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që u shërbehet aty ndonjë frutë për të ngrënë, ata thonë: "Këto i kemi ngrënë edhe më parë." Atyre do t'u jepen fruta të ngjashme (në pamje), për ta do të ketë bashkëshorte të dëlira dhe aty do të qëndrojnë përgjithmonë.
Sigurisht që Allahu nuk ngurron të sjellë çfarëdo shembulli, qoftë dhe një mushkonjë ose diçka më të madhe a më të vogël se ajo. Ata që besojnë e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre, kurse jobesimtarët thonë: "Çfarë deshi të thotë Allahu me këtë shembull?" Përmes tij, Allahu çon në humbje shumë njerëz dhe udhëzon shumë të tjerë. Në fakt, Ai i çon në humbje vetëm të pabindurit,
Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që ju nuk ishit në jetë e Ai jua dha jetën, pastaj do t'ju bëjë të vdisni, më pas do t'ju ringjallë dhe, në fund, do të ktheheni tek Ai?!
Gjithashtu, kujto kur Ne u thamë melekëve: "Përuluni në sexhde* para Ademit." Të gjithë ata u përulën, përveç Iblisit, i cili kundërshtoi, u tregua mendjemadh dhe u bë jobesimtar.
____________________
*Në shenjë respekti.
Ademi mori nga Zoti i tij disa fjalë (si të kërkonte falje), kështu që Ai ia pranoi pendimin, sepse vërtet Ai është Pranuesi i pendimit, Mëshiruesi.
Ndërkaq, ata që i mohojnë dhe i përgënjeshtrojnë shpalljet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë."
O bijtë e Israilit*, kujtoni dhuntinë Time me të cilën ju kam begatuar dhe përmbushni premtimin që ma keni dhënë, që edhe Unë të përmbush premtimin që jua kam dhënë, si dhe vetëm nga Unë frikësohuni!
____________________
*Israili është Jakubi, paqja e Allahut qoftë mbi të, kurse bij të Israilit quhen pasardhësit e tij.
Kujtoni kur ia dhamë Musait Librin dhe Dalluesin*, që të përudheni.
____________________
*Përmes të cilit dallohet e vërteta nga e pavërteta.
Dhe kujtoni kur thatë: "O Musa, ne nuk do të të besojmë derisa ta shohim Allahun haptazi!", e në atë çast ju goditi rrufeja, ndërkohë që ju po shihnit (njëri-tjetrin).
Ju bëmë hije përmes reve dhe ju zbritëm menën* dhe thëllëza, duke thënë: "Hani nga të mirat që jua kemi dhënë!" Ata nuk na bënë keq Neve, por i bënë keq vetvetes (duke qenë mosmirënjohës).
____________________
*Mena: një pije e ëmbël si mjalti.
Kujtoni kur thatë: "O Musa, ne nuk po mund të durojmë vetëm një lloj ushqimi, prandaj lute Zotin tënd që të na japë nga gjërat që mbijnë në tokë: perime, tranguj, drithëra, thjerrëza dhe qepë." Ai tha: "Vallë, a doni ta ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët?! E po, zbritni në cilindo qytet, aty do të gjeni atë që po kërkoni." Kështu, mbi ta ra poshtërimi e mjerimi dhe tërhoqën mbi vete zemërimin e Allahut, për shkak se i mohonin shpalljet e Allahut dhe i vrisnin pejgamberët pa kurrfarë të drejte; kjo ndodhi ngaqë kundërshtonin dhe i tejkalonin kufijtë.
Sigurisht, ata që kanë besuar (muslimanët), hebrenjtë, të krishterët dhe sabianët - të gjithë ata që besuan Allahun e Ditën e Gjykimit dhe bënë vepra të mira - e kanë shpërblimin te Zoti i tyre dhe për ta nuk do të ketë frikë e as që do të brengosen.*
____________________
*Këtu bëhet fjalë për ata hebrenj, të krishterë dhe sabianë të cilët u kishin besuar në mënyrë të denjë pejgamberëve të tyre, para ardhjes së të dërguarit Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të. Ndërkaq, pas ardhjes së pejgamberit të fundit, Muhamedit, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, të gjithë duhet ta ndjekin atë.
Kujtoni kur e morëm besën tuaj dhe e ngritëm mbi ju malin Tur, duke thënë: "Mbajeni fort atë që jua dhamë (Teuratin) dhe kujtoni atë që përmban ai, në mënyrë që të bëheni të devotshëm."
Këtë ndëshkim e bëmë paralajmërim për bashkëkohësit e tyre dhe për ata që do të vijnë më pas si dhe këshillë për të devotshmit.
Ne ju thamë: "Prekeni atë me një pjesë të saj (lopës)." Kështu Allahu i rikthen të vdekurit në jetë dhe jua tregon shenjat e Tij, në mënyrë që të kuptoni.
Megjithatë, jeni ju ata që vrisni njëri-tjetrin dhe dëboni një grup prej jush nga vendbanimi i tyre, duke bashkëpunuar kundër tyre padrejtësisht e armiqësisht. Ndërkaq, kur ju vijnë të robëruar, ju i lironi ata (duke paguar shpërblesë), ndonëse dëbimi i tyre është i ndaluar për ju. Pra, a besoni në një pjesë të Librit (Teuratit), ndërsa e mohoni pjesën tjetër?! E çfarë mund të presin tjetër ata që veprojnë kështu, përveç poshtërimit në jetën e kësaj bote, kurse në Ditën e Kiametit do të dërgohen në dënimin më të rëndë! Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që veproni.
Kur u thuhet atyre (hebrenjve): "Besoni në atë që ka shpallur Allahu", ata thonë: "Ne besojmë në atë që na është shpallur neve", ndërkohë që mohojnë atë që erdhi më pas (Kuranin), ndonëse ajo është e vërteta që pohon atë që gjendet tek ata. Thuaju atyre (o Muhamed): "Atëherë, përse i vrisnit më parë të dërguarit e Allahut, nëse njëmend jeni besimtarë?!"
Kujtoni kur e morëm besën tuaj dhe e ngritëm mbi ju malin Tur, duke thënë: "Mbajeni fort atë që jua dhamë (Teuratin) dhe dëgjoni." Ata thanë: "Ne dëgjuam, por kundërshtojmë", ndërkohë që në zemrat e tyre ishte rrënjosur përnderimi i viçit, për shkak të mosbesimit. Thuaju: "Sa keq që ju urdhëruaka besimi juaj, nëse jeni besimtarë!"
Por, ata nuk do ta dëshirojnë vdekjen asnjëherë, për shkak të të këqijave që i kanë bërë. Allahu i njeh mirë keqbërësit.
Thuaj: "Kushdo që e armiqëson Xhibrilin, le ta dijë se ai e ka zbritur atë (Kuranin) në zemrën tënde me lejen e Allahut, si vërtetues të shpalljeve të mëhershme dhe si udhërrëfyes e lajm të mirë për besimtarët."
Ata ndoqën shpifjet e djajve lidhur me mbretërinë e Sulejmanit. Në të vërtetë, Sulejmani nuk kishte rënë në mosbesim, por djajtë kishin rënë në mosbesim, duke ua mësuar njerëzve magjinë dhe atë që u zbriti dy melekëve në Babiloni - Harutit dhe Marutit. Ata nuk ia mësonin atë (magjinë) askujt pa i thënë: "Në të vërtetë, ne jemi sprovë, kështu që mos u bëj jobesimtar (duke mësuar magjinë)!" Ata mësonin nga ata të dy si të ndajnë burrin nga gruaja, por ata nuk mund t'i bëjnë dëm përmes saj askujt pa lejen e Allahut. Kështu, ata mësuan atë që u sjell vetëm dëm dhe nuk u bën dobi, ndonëse e dinin mirë se, kushdo që e zgjedh atë (magjinë), nuk do të ketë kurrfarë hiseje në botën tjetër. Ah, sa e shëmtuar që është ajo për të cilën shitën veten e tyre! Veç sikur ta dinin!
O besimtarë! Mos thoni: "Raina"*, por thoni: "Undhurna" - "Na shiko!" dhe dëgjoni! E jobesimtarët i pret një dënim i dhembshëm.
____________________
*Fjala "raina" ka kuptim të ngjashëm me fjalën "undhurna", mirëpo, meqë kjo fjalë ka disa kuptime, hebrenjtë e përdornin atë duke pasur për qëllim një kuptim përbuzës, kur i drejtoheshin pejgamberit Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!
Pa dyshim, Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) me të Vërtetën si kumtues të lajmit të mirë dhe paralajmërues; ti nuk do të pyetesh për banorët e Zjarrit flakërues.
Po ashtu, kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vatër kthimi dhe sigurie për njerëzit dhe (ju thamë): "Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje." Gjithashtu, i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: "Pastrojeni Shtëpinë Time për ata që bëjnë tavaf (sillen rreth saj), që qëndrojnë në të dhe që falen duke rënë në ruku e sexhde!"
Zoti ynë! Na bëj ne të dy të përulur ndaj Teje dhe bëj edhe nga pasardhësit tanë një shoqëri të përulur ndaj Teje! Tregona ritet (e haxhillëkut) dhe pranoje pendimin tonë, se, me të vërtetë, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshiruesi!
Këtë porosi ua la bijve të vet Ibrahimi, e edhe Jakubi: "O bijtë e mi! Me të vërtetë, Allahu ka zgjedhur për ju këtë fe (Islamin), kështu që vdisni vetëm duke qenë muslimanë* (të përulur ndaj Allahut)!"
____________________
*Kuptimi i fjalës "Islam" është përulje (ndaj Allahut). Islami është feja e përcaktuar nga Allahu për të gjithë pejgamberët, nga Ademi deri te Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Ndërkaq, musliman (arabisht: muslim) do të thotë i përulur ndaj Allahut.
Thoni: "Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që u është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit dhe esbatëve (pejgamberëve nga bijtë e Jakubit), në atë që u është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi."
Thuaju: "A mos doni të grindeni me ne për Allahun, ndërkohë që Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj?! Madje, ne jemi përgjegjës për veprat tona e ju për veprat tuaja dhe ne Atij i jemi përkushtuar."
Kështu, Ne ju bëmë bashkësi mesatare (të drejtë), që të jeni dëshmitarë mbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar mbi ju. Ndërkaq, kiblën nga e cila drejtoheshe e kemi bërë vetëm për të dalluar atë që e ndjek të Dërguarin nga ai që shmanget (duke dalë nga feja). Kjo (sprovë) ishte njëmend e rëndë, përveçse për ata që i udhëzoi Allahu. Allahu nuk jua humb asnjëherë besimin (e as namazin që e keni falur në drejtimin e mëparshëm). Në të vërtetë, Allahu është Përdëllimtar e i Mëshirshëm ndaj njerëzve.
Ne kemi parë kthimin e fytyrës sate drejt qiellit, kështu që Ne do të të drejtojmë nga një kibël që të pëlqen, prandaj ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë (Qabesë), madje kudo që gjendeni ktheni fytyrat tuaja në atë drejtim (gjatë namazit). Ata që u është dhënë Libri e dinë mirë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre. Ndërkohë, Allahu nuk është i shkujdesur ndaj asaj që veprojnë.
Ngado që të shkosh, ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë, madje kudo që gjendeni ktheni fytyrat tuaja në atë drejtim, në mënyrë që njerëzit të mos kenë dëshmi kundër jush, përveç keqbërësve nga radhët e tyre, ama ju mos kini frikë prej tyre, por frikësohuni prej Meje, si dhe (këtë e bëra) që të plotësoj dhuntinë Time ndaj jush dhe që të përudheni në rrugën e drejtë.
Prandaj, më kujtoni Mua, që Unë t'ju kujtoj ju, si dhe më falënderoni e mos më mohoni!
Sigurisht, Ne do t'ju sprovojmë me frikë, uri dhe me ndonjë humbje të pasurisë, të jetëve dhe të frutave e të të lashtave. Prandaj, jepua lajmin e mirë të durueshmëve,
Përveç atyre që pendohen, përmirësohen dhe e bëjnë të qartë (atë që kishin fshehur). Të këtillëve ua pranoj pendimin, ngaqë Unë jam Pranuesi i pendimit, Mëshiruesi.
Në krijimin e qiejve e të Tokës, në ndërrimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë në det me gjëra që u sjellin dobi njerëzve, në ujin që Allahu e zbret nga qielli, me të cilin gjallëron tokën pasi të jetë tharë dhe përhap në të gjithfarë gjallesash, si dhe në lëvizjen e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e Tokës, vërtet ka shenja për njerëzit që mendojnë.
Mirësia nuk është në kthimin e fytyrave tuaja në drejtim të lindjes e të perëndimit, por mirësia (e vërtetë) është në atë që beson Allahun, Ditën e Fundit, melekët, Librat dhe pejgamberët; që jep pasurinë e tij, - edhe përkundër dashurisë që ka për të, - për të afërmit, jetimët, të varfrit, për udhëtarin e mbetur rrugës, për lypsarët dhe për lirimin e robërve; si dhe që e fal namazin dhe e jep zekatin; dhe (mirësia qëndron edhe) në ata që përmbushin premtimet e dhëna dhe në ata që bëjnë durim në skamje, sëmundje dhe kur ashpërsohet lufta. Këta janë të vërtetët dhe pikërisht këta janë të devotshmit.
O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi* për vrasje: i liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën. Nëse i afërmi i të vrarit e fal vrasësin (duke pranuar dëmshpërblimin), atëherë dëmshpërblimi duhet të kërkohet njerëzishëm dhe të zbatohet (nga vrasësi) në mënyrë të mirë. Kjo është lehtësim dhe mëshirë nga Zoti juaj. E, kushdo që pas kësaj i kalon kufijtë, do të ketë dënim të dhembshëm.
____________________
*Kisas quhet ligji i barazisë në ndëshkim.
Ju është caktuar që, kur ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe lë pas pasuri, të lërë porosi (testament) për prindërit dhe të afërmit në mënyrë të drejtë. Kjo është detyrë për të devotshmit.
Mirëpo, ai që druan se trashëgimlënësi, gabimisht a qëllimisht, i është shmangur drejtësisë dhe bën marrëveshje mes tyre (trashëgimtarëve), nuk ka asnjë mëkat. Me të vërtetë, Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirues.
Një numër i caktuar ditësh. Por, nëse ndokush nga ju është i sëmurë a në udhëtim, atëherë le t'i shlyejë ato (duke agjëruar) në ditë të tjera. Ata që kanë mundësi të agjërojnë, duhet të shpaguajnë (për mosagjërim) duke ushqyer një të varfër. Kush bën mirë vullnetarisht, e ka për të mirën e vet, por të agjëroni është më mirë për ju, veç sikur ta dinit.
Muaji Ramazan është ai në të cilin zbriti Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit dhe sqarues i udhëzimit e dallues (i së vërtetës nga e kota). Ai që e arrin këtë muaj, le ta agjërojë, kurse ai që është i sëmurë a në udhëtim, le ta shlyejë me po aq ditë të tjera. Allahu dëshiron t'jua lehtësojë e jo t'jua vështirësojë. Po ashtu, (dëshiron) ta plotësoni numrin (e ditëve të agjërimit), ta madhëroni Allahun që ju ka udhëzuar dhe ta falënderoni.
Tashmë ju është lejuar që, gjatë netëve të agjërimit, të keni marrëdhënie intime me bashkëshortet tuaja. Ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për to. Allahu e ka ditur se ju po e mashtronit vetveten, andaj jua pranoi pendimin dhe jua fali gabimin. Tash e tutje bëni marrëdhënie me to dhe kërkoni atë që jua ka caktuar Allahu. Hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje. Por, mos iu afroni atyre (për marrëdhënie intime) gjatë kohës së itikafit (kur mbylleni për adhurim) në xhami. Këta janë kufijtë e Allahut, ndaj mos iu afroni. Kështu pra Allahu ua sqaron njerëzve ajetet (shpalljet dhe normat) e Tij, në mënyrë që të ruhen.
Mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit padrejtësisht e as mos u paraqitni me të te gjykatësit për të përvetësuar një pjesë të pasurisë së njerëzve në mënyrë të ndaluar, përderisa e dini (se po bëni mëkat).
Vritini ata kudo që t'i ndeshni dhe dëbojini nga vendi që ju dëbuan. Fitneja* është më e rëndë se vrasja. Mirëpo, mos i luftoni ata pranë Xhamisë së Shenjtë derisa ata t'ju luftojnë aty. E, po qe se ju luftojnë, atëherë vritini. I këtillë është ndëshkimi i jobesimtarëve.
____________________
*Me fjalën "fitne" këtu është për qëllim tundimi për të zmbrapsur besimtarët nga feja islame, mohimi i fesë dhe adhurimi i dikujt tjetër pos Allahut.
Mirëpo, në qoftë se ata heqin dorë, atëherë Allahu është Falës i Madh e Mëshirues.
Luftojini ata derisa të mos ketë më fitne (adhurim të dikujt a diçkaje tjetër pos Allahut) dhe të mbretërojë vetëm feja e Allahut. E, nëse ata heqin dorë, atëherë s'ka armiqësi, përveçse ndaj mizorëve.
Muaji i shenjtë do të shpaguhet me muaj të shenjtë dhe për shkeljen e gjërave të pacenueshme ka kisas (ndëshkim në të njëjtën mënyrë). Nëse ndokush ju sulmon, duke tejkaluar kufirin, atëherë sulmojini edhe ju në po atë masë. Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu është me të devotshmit.
Kryejeni plotësisht haxhillëkun dhe umrën për hir të Allahut. E, në qoftë se ju del ndonjë pengesë, atëherë therni çka t'ju vijë më lehtë prej kurbaneve dhe mos i rruani kokat derisa të arrijë kurbani në vendin e caktuar. Por, nëse ndokush nga ju është i sëmurë ose ka ndonjë lëndim në kokë (që e detyron ta rruajë kokën), le ta shpaguajë atë me agjërim, lëmoshë ose kurban. E, kur të ndiheni të sigurt, kushdo që bën umrën deri në haxhillëk (në muajt e haxhillëkut), le të therë një kurban që i vjen më lehtë. Ndërkaq, ai që s'ka mundësi, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhillëkut dhe shtatë kur të ktheheni. Këto janë dhjetë (ditë) të plota. Kjo vlen për ata, familjarët e të cilëve nuk jetojnë pranë Xhamisë së Shenjtë (nuk janë banorë të Mekës). Mirëpo, frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është i rreptë në ndëshkim.
Haxhillëku është në muaj të caktuar.* Ai që vendos ta kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), mëkatimi dhe grindjet gjatë tij. Çfarëdo të mire që veproni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat e nevojshme për rrugë, por dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë nga Unë, o mendarë!
____________________
*Muajt e haxhillëkut janë: shevali, dhul kade dhe dhjetë ditët e para të muajit dhul hixhe.
Përmendeni Allahun gjatë ditëve të caktuara (të teshrikut)*. Kush ngutet të dalë (nga Mina) pas dy ditësh, nuk ka mëkat, por as ai që rri (një ditë) më shumë nuk ka mëkat. Kjo vlen për atë që ka frikë nga Allahu. Prandaj, frikësojuni Allahut dhe dijeni se tek Ai do të tuboheni.
____________________
*Këtu bëhet fjalë për tri ditët e teshrikut, gjatë qëndrimit në Mina, gjegjësisht për ditën e njëmbëdhjetë, të dymbëdhjetën dhe të trembëdhjetën nga muaji dhul hixhe.
Ndër njerëz ka edhe të atillë, fjalët e të cilit të mahnitin në këtë botë, madje ai betohet në Allahun për atë që mban në zemër, ndonëse ai, në të vërtetë, është kundërshtari më i përbetuar.
Njerëzit qenë një bashkësi e vetme (në besimin e vërtetë). Më pas, Allahu dërgoi pejgamberët me lajme të mira e paralajmërime, e bashkë me ta zbriti edhe Librin (Shkrimet e Shenjta) me të vërtetën, për të gjykuar mes njerëzve lidhur me çështjet për të cilat nuk pajtoheshin. Në kundërshti ranë vetëm ata të cilëve iu dha ai (Teurati), pasi u erdhën dëshmitë e qarta, duke i kaluar kështu kufijtë mes tyre. Atëherë, Allahu, me vullnetin e Tij, i udhëzoi drejt së vërtetës ata që besuan lidhur me çështjet për të cilat kundërshtoheshin. Allahu udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.
Të pyesin për luftën në muajin e shenjtë. Thuaju: "Lufta në të është gjë e rëndë, por pengimi nga rruga e Allahut, mohimi i Tij, pengimi (i njerëzve) nga Xhamia e Shenjtë dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo është mëkat edhe më i rëndë tek Allahu. Fitneja (shirku - adhurimi i dikujt a diçkaje tjetër pos Allahut) është më e rëndë se vrasja. Ata do t'ju luftojnë vazhdimisht derisa t'ju zmbrapsin nga feja juaj, po patën mundësi. Atyre që zmbrapsen nga feja dhe vdesin duke qenë jobesimtarë, do t'u asgjësohen veprat (e mira) në këtë botë dhe në tjetrën. Të tillët janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
për këtë botë dhe për botën tjetër. Të pyesin edhe për jetimët. Thuaju: "T'ua përmirësoni kushtet atyre është më mirë. E, në qoftë se bashkoheni me ta (duke përzier pasurinë tuaj me të tyren), ata janë vëllezërit tuaj. Allahu di të dallojë qëllimkeqin nga qëllimmiri. Po të donte Allahu, do t'jua vështirësonte (çështjen). Vërtet Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë."
Mos u martoni me idhujtare derisa të bëhen besimtare. Sigurisht, një skllave besimtare është më e mirë se një idhujtare, edhe po qe se ajo ju mahnit; as mos i martoni muslimanet me idhujtarë derisa të bëhen besimtarë. S'ka dyshim se një skllav besimtar është më i mirë se një idhujtar, edhe po qe se ai ju mahnit. Ata ju thërrasin për në Zjarr, kurse Allahu, me vullnetin e Tij, ju thërret për në Xhenet e për falje mëkatesh dhe ua shpjegon njerëzve shpalljet e Veta, që të marrin mësim.
Gratë tuaja janë vend mbjelljeje për ju, kështu që qasjuni këtij vendi ngado që dëshironi. Mirëpo, përgatitni vepra të mira për veten tuaj. Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do ta takoni Atë, si dhe jepu sihariq besimtarëve.
Për ata që betohen se nuk do t'u afrohen grave të veta (për marrëdhënie intime), afati i pritjes është katër muaj. Në qoftë se kthehen (duke hequr dorë nga betimi), atëherë Allahu është Falës i Madh e Mëshirues.
Mirëpo, nëse vendosin të ndahen, atëherë vërtet Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëdijshëm.
Gratë e ndara duhet të presin tri cikle mujore dhe atyre nuk u lejohet të fshehin atë që ka krijuar Allahu në mitrat e tyre, nëse e besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit. Burrat e tyre kanë të drejtë t'i kthejnë ato gjatë kësaj kohe, në qoftë se duan pajtim. Ato kanë po aq të drejta sa dhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë sipër tyre. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
Ndarja (pas së cilës burri mund ta rikthejë gruan) mund të bëhet dy herë. Pastaj, ose ta mbajë gruan në mënyrë të hijshme, ose ta lëshojë me mirësi. Burrave nuk u lejohet të marrin asgjë nga ajo që u kanë dhënë grave të veta (për martesë), përveç nëse ata të dy kanë frikë se nuk do të mund t'u përmbahen kufijve të Allahut. Pra, po qe se frikoheni se ata të dy nuk do të mund t'i përfillin kufijtë e Allahut, atëherë nuk është gjynah për asnjërin nëse gruaja i jep diçka burrit (për t'u ndarë nga ai). Këta janë kufijtë e Allahut, andaj mos i shkelni. Ata që i shkelin kufijtë e Allahut, mu ata janë keqbërësit.
Nëse ai e lëshon gruan (për të tretën herë), atëherë ajo nuk i lejohet më atij derisa të jetë martuar me ndonjë burrë tjetër dhe ai ta ketë ndarë; atëherë ata nuk kanë mëkat nëse martohen sërish*, po qe se mendojnë se do t'u përmbahen kufijve të Allahut. Këta janë urdhrat e Allahut, të cilët ua shpjegon njerëzve që dinë.
____________________
*Atyre u lejohet të martohen sërish me kusht që edhe burri tjetër të ketë pasur marrëdhënie intime me atë grua dhe që të mos jetë bërë martesa me qëllim kthimi te burri i mëparshëm.
Kur t'i ndani gratë dhe atyre t'u afrohet fundi i kohës së pritjes, ose mbajini si duhet, ose lëshojini në mënyrë të hijshme, e mos i mbani me qëllim lëndimi, sepse ai që vepron ashtu, i bën padrejtësi vetvetes. Mos luani me shpalljet e Allahut dhe kujtojini dhuntitë që jua ka dhënë Allahu dhe atë që jua zbriti nga Libri (Kurani) dhe Urtësia (Suneti), me të cilin ju këshillon. Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.
Kur burrat t'i kenë ndarë gratë dhe kur këto ta kenë plotësuar kohën e pritjes, mos i pengoni ato që të martohen sërish me burrat e tyre, në qoftë se të dyja palët pajtohen në mënyrë të arsyeshme. Kjo këshillë vlen për çdonjërin nga ju që e beson Allahun dhe Ditën e Fundit. Kjo është më e dobishme dhe më e pastër për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.
Nënat le t'u japin gji fëmijëve të tyre plot dy vjet, për ata që duan ta plotësojnë kohën e gjidhënies. Babai e ka për detyrë të sigurojë për to ushqimin dhe veshmbathjen, në mënyrë të arsyeshme. Askush nuk ngarkohet përtej mundësive që ka. Le të mos dëmtohet nëna nëpërmjet fëmijës së saj e as babai përmes fëmijës së tij. Për trashëgimtarin vlejnë të njëjtat detyrime (në rast se nuk është gjallë babai i fëmijës). Nëse prindërit, pas marrëveshjes dhe këshillimit të ndërsjellë, vendosin ta ndajnë fëmijën nga gjiri (para se t'i mbushë dy vjet), nuk bëjnë gjynah. Mirëpo, nëse doni t'i gjeni ndonjë mëndeshë, nuk keni mëkat, nëse ia jepni pagën në mënyrë të duhur. Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu sheh mirë gjithçka që bëni.
Nuk është gjynah për ju nëse grave të tilla ua shfaqni tërthorazi dëshirën për martesë ose e mbani atë në vetvete. Allahu e di se ju do t'i kujtoni ato, mirëpo mos u premtoni atyre fshehurazi (martesë), porse mund t'u thoni vetëm fjalë të arsyeshme. As mos lidhni martesë pa mbaruar koha e pritjes. Dijeni se Allahu di ç'keni në zemra, andaj frikësojuni Atij dhe dijeni se me të vërtetë Allahu është Falës i Madh dhe i Butë.
Nuk është gjynah për ju nëse i lëshoni gratë para se të keni marrëdhënie me to ose para se t'ua caktoni mehrin*. Mirëpo, jepuni atyre diçka nga pasuria: i pasuri sipas mundësisë së tij dhe i varfri sipas mundësisë së vet; një dhuratë të arsyeshme. Kjo është detyrë për bamirësit.
____________________
*Mehër quhet pasuria që burri duhet t'ia japë gruas për martesë.
E, nëse i lëshoni para se të keni marrëdhënie me to, por pasi t'ua keni caktuar mehrin, atëherë juve ju takon gjysma e mehrit të caktuar, përveç nëse ato heqin dorë ose heq dorë ai që në dorë ka lidhjen e martesës, porse të falni është më afër devotshmërisë. Mirëpo, mos e harroni bujarinë mes jush. Pa dyshim, Allahu sheh mirë gjithçka që bëni.
Kushtojuni kujdes namazeve, veçanërisht namazit të mesëm dhe faluni duke qenë të përulur ndaj Allahut.
Në qoftë se keni frikë (nga armiku), faluni duke ecur ose duke qenë hipur (mbi kalë a mbi deve). Kur të siguroheni, atëherë përmendeni Allahun (duke e falur namazin të plotë), ashtu si ju ka mësuar Ai atë që nuk e keni ditur.
Ata prej jush që janë në prag të vdekjes dhe lënë gra pas vetes, duhet të lënë porosi për gratë e tyre që të kenë mjetet e jetesës për një vit të plotë pa u dëbuar nga shtëpia. Mirëpo, nëse ato dalin vetë, atëherë ju nuk keni përgjegjësi për atë që bëjnë ato me vetveten në mënyrë të ligjshme. Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.
Edhe grave të ndara u takon një pjesë e arsyeshme e pasurisë. Kjo është detyrë për të devotshmit.
Kush është ai që do t'i japë Allahut ndonjë hua të mirë (duke shpenzuar pasurinë në rrugën e Allahut), që Ai t'ia shtojë atë shumëfish? Allahu ia pakon dhe ia shton rizkun kujt të dojë dhe tek Ai do të ktheheni.
A nuk ke dëgjuar për parinë e bijve të Israilit, pas Musait, të cilët i thanë një pejgamberi të tyre: "Na cakto një mbret, që të luftojmë në rrugën e Allahut." Ai tha: "Po sikur të mos luftoni pasi t'ju caktohet lufta?" Ata thanë: "E si të mos luftojmë në rrugën e Allahut ne që jemi dëbuar nga vendbanimet tona dhe jemi ndarë nga djemtë tanë?" Mirëpo, kur u urdhëruan të luftojnë, ata u zmbrapsën, me përjashtim të një pakice. Allahu i njeh mirë keqbërësit.
Pejgamberi i tyre u tha: "Allahu jua ka dërguar Talutin për mbret." Ata thanë: "Si mund të jetë ai mbret yni, kur neve na takon më shumë sundimi?! Madje, ai as që ka ndonjë pasuri të madhe." Ai tha: "Allahu e zgjodhi atë kundrejt jush dhe e pajisi me dituri të gjerë e me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin kujt të dojë. Allahu është Bujar i Madh dhe i Gjithëdijshëm.
Kur doli Taluti me ushtrinë e tij (nga qyteti), u tha atyre: "Allahu do t'ju provojë me një lumë. Ai që pi prej tij, nuk është me mua*, kurse ai që nuk pi, përpos një grusht, është me mua. Të gjithë pinë, përveç një pakice. Kur ai me besimtarët e kaluan atë, disa thanë: "Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij." Mirëpo, ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: "Sa e sa grupe të vogla kanë mposhtur grupe të mëdha me lejen e Allahut! Allahu është me durimtarët."
____________________
*Nuk është në rrugën time e as do të vijë të luftojë me mua.
Atëherë, me ndihmën e Allahut i mposhtën ata (jobesimtarët). Kështu, Davudi e vrau Xhalutin dhe Allahu ia dha atij pushtetin e urtësinë (pejgamberllëkun) dhe e mësoi nga ajo që deshi Ai. Po të mos ishte përkrahja e Allahut për disa njerëz kundër të tjerëve*, do të prishej Toka, por Allahu është shumë Bujar ndaj krijesave.
____________________
*Përkrahja e besimtarëve kundër jobesimtarëve.
Këta janë të dërguarit, disa prej të cilëve i kemi dalluar kundrejt disa të tjerëve. Prej tyre ka që Allahu u ka folur drejtpërdrejt, e disa i ka ngritur në shkallë të larta. Isait, të birit të Merjemes, ia dhamë mrekullitë e qarta dhe e përforcuam me Shpirtin e Dëlirë (Xhibrilin). Sikur të donte Allahu, ata që erdhën pas tyre nuk do të vriteshin ndërmjet vete pas ardhjes së provave të qarta, por u përçanë; disa prej tyre besuan, kurse të tjerët mohuan. Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vrisnin njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vetë.
Allahu! Nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje. Atë nuk e kap dremitja e as gjumi. Atij i takon gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. E kush mund të ndërmjetësojë tek Ai pa lejen e Tij?! Ai e di ç'do të ndodhë në të ardhmen dhe ç'ka ndodhur në të kaluarën, ndërsa ata nuk mund të mësojnë asgjë nga dituria e Tij, përveç aq sa dëshiron Ai. Kursia* e Tij përfshin qiejt e Tokën dhe Atij nuk i vjen rëndë ruajtja e tyre. Ai është i Larti, Madhështori.
____________________
*Termi "Kursi" fjalëpërfjalshëm përkthehet "Stol". Kursia, megjithëse është shumë më e madhe se qiejt dhe Toka, nuk duhet ngatërruar me Arshin e Allahut, i cili është pafundësisht më i madh se ajo.
A ke dëgjuar për atë që u fjalëtua me Ibrahimin për Zotin e tij, thjesht ngaqë Allahu i kishte dhënë atij pushtet?! Kur Ibrahimi tha: "Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje", ai tha: "Edhe unë jap jetë dhe shkaktoj vdekje." Ibrahimi i tha: "Allahu e sjell Diellin nga lindja, e sille ti nga perëndimi!" Atëherë, jobesimtari mbeti pa fjalë. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë zullumqarët.
Ose, (ke dëgjuar) për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të shkretuar e të bërë rrafsh me tokë, tha: "Vallë, si mund ta kthejë Allahu këtë qytet në jetë pasi ka vdekur?!" Atëherë Allahu e bëri të vdesë atë për njëqind vjet, pastaj e ringjalli dhe e pyeti: "Sa kohë ke qëndruar (i vdekur)?" Ai tha: "Kam qëndruar një ditë ose një pjesë dite." Ai tha: "Jo, por ke qëndruar plot njëqind vjet. Shikoje ushqimin e pijen tënde: ende nuk janë prishur! Gjithashtu, shiko gomarin tënd! Kështu Ne po të bëjmë ty dëshmi të qartë për njerëzit (se Allahu ka fuqi t'i ringjallë ata). Vështroji eshtrat (e gomarit) sesi i bashkojmë dhe më pas i veshim me mish!" Kur iu bë e qartë, tha: "Tashmë e di se Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë."
Kujto edhe Ibrahimin kur tha: "Zoti im, tregomë si i ngjall të vdekurit!" Tha: "A nuk beson?" Tha: "Besoj gjithsesi, por dëshiroj të më qetësohet zemra." Ai tha: "E po, merri katër zogj pranë vetes dhe (pasi t'i therësh) shpërndaj në çdo kodër nga një pjesë prej tyre. Pastaj thirri, do të të vijnë me rrëmbim. Dije se Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë.
O besimtarë! Mos i prishni lëmoshat tuaja me përmendje e fyerje, sikurse ai që e jep pasurinë e tij vetëm për sy të njerëzve, ndërkohë nuk e beson Allahun dhe Ditën e Fundit. Ai i shëmbëllen një guri të lëmuar që sipër ka dhé, mbi të cilin bie një shi i rrëmbyer dhe e lë të zhveshur. Atyre nuk u bëjnë dobi veprat që kanë bërë. Allahu nuk e udhëzon popullin jobesimtar.
A do të dëshironte ndonjëri prej jush të kishte një kopsht përplot hurma e rrush, të përshkuar nga lumenjtë dhe me fruta të gjithëllojshme, ndërkohë që atë ta kishte zënë pleqëria, të kishte fëmijë të dobët dhe të goditej kopshti nga një stuhi zjarri e të shkrumbohej?!* Ja, kështu jua sqaron Allahu shpalljet e Veta, në mënyrë që të mendoni.
____________________
*Ky është shembulli i atij që e jep pasurinë e vet vetëm sa për t'u dukur para njerëzve. Ai nuk do të gjejë asnjë shpërblim kur të dalë para Allahut, atëherë kur do të ketë më së shumti nevojë.
Ata që e hanë kamatën, nuk ringjallen ndryshe pos si ai që është çmendur nga prekja e shejtanit. Kjo, se ata thonë se tregtia është njëlloj si kamata! Mirëpo, Allahu e ka lejuar tregtinë, porse e ka ndaluar kamatën. Atij që i vjen këshilla nga Zoti i vet dhe heq dorë (nga kamata), i takon ajo që ka kaluar, ndërsa çështja e tij është tek Allahu. Ndërkaq, ata që i kthehen (marrjes së kamatës), do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
Allahu zhduk kamatën (dhe përfitimet prej saj), kurse e rrit lëmoshën (duke shtuar bereqetin dhe shpërblimet e saj). Allahu nuk e do asnjë mohues gjynahqar.
Nëse nuk e bëni këtë, atëherë merrni njoftimin për luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. E, nëse pendoheni, atëherë juve ju takon vlera e pasurisë suaj, në mënyrë që të mos bëni padrejtësi dhe të mos ju bëhet e padrejtë.
O besimtarë! Kur të merrni hua nga njëri-tjetri për një afat të caktuar, shkruajeni. Le të shënojë një shkrues i drejtë nga mesi juaj dhe të mos kundërshtojë të shkruajë ashtu siç e ka mësuar Allahu. Ai le të shënojë, ndërsa borxhliu le të diktojë dhe le ta ketë frikë Allahun, Zotin e vet, pa lënë mangët asgjë nga borxhi. Në qoftë se borxhliu është mendjelehtë a i dobët ose nuk mund të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Gjithashtu, merrni dy dëshmitarë burra nga mesi juaj. Mirëpo, nëse nuk gjenden dy burra, atëherë një burrë e dy gra nga ata që i shihni të përshtatshëm për të dëshmuar, në mënyrë që, nëse njëra harron, ia kujton tjetra. Të mos kundërshtojnë dëshmitarët kurdo që të thirren. Mos përtoni ta shkruani borxhin, qoftë i madh, qoftë i vogël, duke shënuar edhe afatin e tij. Kjo është më e drejtë tek Allahu, më e përshtatshme sa i përket dëshmisë dhe më afër mosdyshimit, përveç nëse është shitblerje e çastit, e në atë rast nuk keni gjynah nëse nuk e shënoni. Mirëpo, merrni dëshmitarë kur bëni shitblerje dhe të mos dëmtohet asnjë shkrues e dëshmitar. Nëse e bëni një gjë të tillë (dëmtoni ndonjërin nga ata), atëherë kjo është mëkat nga ana juaj, ndaj kijeni frikë Allahun. Allahu ju mëson; Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
Allahu nuk rëndon askënd përtej mundësive që ka. Në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që vepron. "Zoti ynë, mos na ndëshko nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë, siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko sa nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na fal dhe na mëshiro! Ti je Mbrojtësi ynë, prandaj na ndihmo kundër njerëzve jobesimtarë."
تقدم القراءة