ترجمة معاني سورة الفرقان باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


I lartësuar është Ai, që i ka shpallur Kur’anin (i cili ndanë të vërtetën prej të pavërtetës) robit të Vet (Muhammedit), që të jetë paralajmërues për botërat (njerëzit),

Atij që i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës, i cili nuk ka fëmijë dhe i cili nuk ka shok në pushtet dhe i cili ka krijuar çdo gjë, e i ka rregulluar si duhet ato!

E, ata, kanë marrë – pos Tij, zotëra, të cilët nuk krijojnë asgjë, por të cilët vetë janë të krijuar, të cilët nuk janë në gjendje të shmangin as dëmin prej vetes, as t’i sjellin dobi (vetes), as nuk janë në gjendje që të bien vdekjen as jetën, as që të ringjallin.

E, mohuesit, thonë: “Ky (Kur’ani) është vetëm gënjeshtër, të cilën e ka trilluar ai (Muhammedi), e i kanë ndihmuar në këtë (edhe) njerëz tjerë”. Ata, (me këtë) kanë bërë zullum dhe akuzë,

dhe thanë: “Këto janë përrallat e popujve të lashtë; të cilat i ka kopjuar, e i lexohen atij në mëngjes e mbrëmje.

Thuaj: “E ka shpallur (Kur’anin) Ai, i cili di fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës; Ai falë shumë dhe është mëshirues”.

Dhe ata thonë: “Çka ka ky pejgamber? Ahan ushqimin dhe shëtitë nëpër tregje; sikur t’ju kishte dërguar atij një engjëll, e të bëhet me të paralajmërues,

ose t’ju kishte zbritur një thesar, ose të kishte një kopsht, nga i cili të hante ai?” Dhe, mohuesit thanë: “Ju ndiqni vetëm një njeri të magjepsur!”

Shiko çfarë shembujsh të sjellin ty (o Muhammed), e ata (me këtë), kanë humbur e nuk mund të gjejnë rrugën e vërtetë.

I lartësuar është Ai, i cili nëse don, do të japë më mirë nga ajo (që thanë), kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë dhe do të bëjë për ty pallate.

Jo, (nuk të përgënjeshtrojnë vetëm ty), por, ata e konsiderojnë gënjeshtër edhe ardhjen e Ditës së Kijametit, e Na – për ata që e mohojnë Ditën e Kijametit, kemi përgatitur zjarrin e flakëruar.

Kur t’i vërejë ai (xhehennemi) prej një largësie (ata ia ndiejnë) gurgullimën dhe gërhamën,

e kur të hudhen në një vend të ngushtë të tij, të lidhur duarsh, e thirrin aty – shkatërrimin (e vet).

“Mos thërritni sot një shkatërrim, (por) thërritni shumë shkatërrime!”

Thuaj: “A është më i mirë ky (shkatërrim) apo xhenneti i përhershëm, i cili u është premtuar besimtarëve? Për ta, (xhenneti) është shpërblim dhe vend kthimi.

Për ta ka në të, ç’të duan, duke qëndruar në të përherë. Ky është premtimi i Zotit tuaj, i kërkuar (prej jush)”.

Dhe, atë Ditë kur (Perëndia) i tubon ata (idhujtarët) dhe ata që i adhuronin ata, pos Perëndisë, e u thotë atyre: “A jeni ju ata që i keni shmangur këta robër të Mi, apo ata vetë kanë humbur rrugën e drejtë?” –

ata thanë: “Lavdi qoftë për Ty! Nuk është e mundshme që ne të marrim mbrojtës tjetër, përpos Teje, por Ti u ke dhënë këtyre dhe të parëve të tyre – jetë të begatshme, e ata kanë harruar këshillimin. Dhe, ata kanë qenë popull i shkatërruar!”

Ata, e konsiderojnë për gënjeshtër atë që flitni ju, e nuk do të mundeni të shmangëni (prej vetes dënimin), as t’i ndihmoni vetes. E, kush prej jush bën zullum, Na, atij do t’i japim të shijojë dënimin e madh.

E, Na – edhe para teje kemi dërguar vetëm pejgamberë, të cilët hanin ushqimin dhe shetisnin nëpër tregje, dhe Ne – kemi bërë, që disa prej jush, të jenë sprovë për të tjerët. A do të jeni të durueshëm ju e duroni! E, Zoti yt i sheh të gjitha.

Ata që nuk i druajnë takimit me Ne (ringjalljes), thonë: “Pse nuk na dërgohen neve engjëjt? Ose të shohim Zotin tonë!” Ata, me të vërtetë, janë kryelartësuar në vetvete, e kanë kaluar në zullum të madh.

Atë ditë kur t’i shohin engjëjt, për mohuesin nuk ka sihariq dhe thonë: “Ruana o Zot, neve!” (prej engjëjve)

Dhe, Ne – do t’i qasemi veprës që kanë punuar ata dhe do ta shndërrojmë atë në pluhur të shpërndarë.

Banorët e xhennetit, atëherë, do të kenë vendbanim më të mirë dhe pushimore më të bukur.

(Kujtoju atyre) Ditën kur qielli çahet me ré e engjëjt do të lëshohen (prej qiellit) në grupe-grupe,

atë ditë, pushteti i vërtetë, do të jetë vetëm për Zotin Mëshirues, e kjo do të jetë ditë e mundimshme për mohuesit.

Dhe, atë Ditë zullumqari do t’i hajë gishtat e duarve të veta, e thotë: “Ah! Ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me Pejgamberin!

Ah! Sikur të mos e kisha bërë atë apo këtë mik!

Ai, më ka zmbrapsur nga Kur’ani që më ka ardhur mua!” – e djalli (po ashtu edhe njeriu i keq), e lë gjithmonë njeriun në poshtërim.

Dhe, Pejgamberi (Muhammed) tha: “O Zoti im! Me të vërtetë, populli im (po) e merr këtë Kur’an, si (diçka) të urrejtur”.

Dhe, kështu Na, çdo pejgamberi i kemi kundërvënë armiqët mohues. E, ty të mjafton Zoti yt – udhërrëfyes dhe ndihmës!

E, mohuesit thonë: “Përse Kur’ani nuk është shpallur në tërësi – përnjëherë!” Kështu, (ta kemi shpallur pjesë-pjesë), për ta forcuar ty – me te, zemrën tënde dhe ta kemi lexuar qartazi.

Dhe ata – nuk do të sjellin ty kurrfarë shembulli (për të kundërshtuar ty), e që Ne mos ta sjellim të Vërtetën dhe komentimin më të mirë.

Këta (mohues), të cilët do të zhvarriten me fytyrat e tyre kah skëterra, këta janë ata më të këqinjtë për nga pozita (e tyre) dhe më së largu prej rrugës së vërtetë.

Dhe Ne, me të vërtetë, ia dhamë Musait Librin dhe ia bëmë ndihmës vëllain e tij – Harunin.

E Ne, u thamë atyre: “Shkoni (ju dy) te populli, i cili i ka përgënjeshtruar argumentet Tona, e pastaj, e kemi shkatërruar atë popull krejtësisht.

(Dhe kujtoje) popullin e Nuhut – kur i quajti gësnjeshtarë pejgamberët, i fundosëm dhe njerëzve ua bëmë këshillë (mësim), e zullumqarëve u kemi përgatitur dënim të dhembshëm.

(Dhe, i kemi shkatërruar) Adin dhe Themudin, dhe popullin e Re’ssit, si dhe shumë gjenerata në mes tyre.

E, të gjithëve, u kemi sjellë shembuj dhe të gjithë – i kemi shkatërruar krejtësisht.

Dhe, ata në të vërtetë, kanë kaluar pranë vendbanimit, që është shkatërruar me shi të tmerrshëm, e vallë, a nuk e panë atë? Jo, ata nuk i frikohen ringjalljes.

E, kur të shohin ty, të marrin vetëm për (objekt) talljeje: “Vallë, a këtë e ka dërguar Perëndia pejgamber?

Për pak, qe duke na shmangur (larguar) nga hyjnitë tona, por ne u qëndruam besnikë atyre!” Ata do ta dinë – kur të shohin dënimin – se kush është shmangur më larg rrugës së drejtë.

A e ke parë ti atë, që epshin e vet e ka marrë për hyjni? A don t’i bëhesh mbrojtës atij?

A, emdpm to se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata janë vetëm si shtazë. Jo, ata janë (edhe më të këqinj, meqë janë) të humbur edhe më shumë.

A nuk e ke parë ti (pushtetin) e Zotit tënd, si e ka zgjatur hijen, e sikur të kishte dashur, do ta lënte të pandryshueshme, dhe – e kemi bërë Diellin tregues të saj,

pastaj, e kemi tërhequr atë, dalëngadalë – pranë Vetes.

Dhe, Ai është, që ua ka bërë natën mbulesë dhe gjumin pushim, e ditën – të lëvizni.

Dhe ai, është, që dërgon erërat si sihariq para mëshirës së tij (sjelljen e shiut). Dhe, kemi lëshur prej qiellit ujë të pastër,

që me atë ta ngjallim visin e vdekur, dhe t’u japim ujë kafshëve dhe shumë njerëzve, që i kemi krijuar.

Dhe, Ne, e kemi lëshuar (shiun) në mesin e tyre, për të medituar (dhuntinë e Perëndisë), por shumica e njerëzve i refuzojnë (të gjitha), përveç mohimit.

Dhe, sikur të donim Ne, do të dërgonim në çdo qytet paralajmërues.

E, mos i dëgjo mohuesit dhe luftoi ata me Kur’an, në një luftë të madhe.

Dhe Ai është, që u ka dhënë rrjedhje të lirë dy sipërfaqeve ujore (det e lum i madh). Njëri është i pijshëm, i ëmbël; e tjetri është i njelmët, i idhët. Dhe, ka ngritur pengesa ndërmjet tyre (rryp toke).

Dhe, Ai është që ka krijuar prej ujit njeriun, e ka bërë (në mes njerëzish) farefisni (përkah gjaku), dhe miqëi (përkah martesa). Dhe, Zoti yt, është i Plotëfuqishëm.

Dhe, ata adhurojnë, pos Perëndisë atë që nuk mund t’u sjellë as dobi as dëm, e mohuesi është ndihmës (i djallit) kundër Zotit të tij,

e Ne, të kemi dërguar ty, vetëm sihariques (për vepra të mira) dhe paralajmërues.

Thuaj: “Unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, por vetëm ai që don, le të shkojë rrugës që shpie te Zoti i tij”.

Mbështetu ti – në të Gjallin (Perëndinë), i cili nuk vdes, dhe lavdëroje (Atë) – duke i bërë falenderime Atij! Ai i di mjaftë mirë mëkatet e robërve të Vet.

Ai, i cili krijoi qiejt dhe Tokën dhe çdo gjë që gjendet në mes tyre – për gjashtë ditë (periudha kohore – gjeologjike), e pastaj mbisundoi Arshin (Gjithësinë). Ai është Mëshiruesi dhe pyete për Ate – atë që di.

E, kur t’u thuhet atyre: “Bëni sexhde Bamirësit të Gjithëmbarshëm!” Ata i thonë: “E, çka është Ai Bamirësi i Përgjithshëm. Vallë, t’i bëjmë sexhde atij që na urdhëron ti?” E, (kjo) ua shton atyre largimin (prej fesë).

I lartësuar është Ai, i cili ka krijuar hyllësitë në qiell, dhe në të ka krijuar Kandilin (Diellin) e ndritshëm dhe Hënën që shkëlqen.

Dhe Ai, krijoi natën dhe ditën që të vijnë njëra pas tjetrës, këshillë për ta që duan ta kujtojnë (Perëndinë), ose ata që duan ta falenderojnë (Ate).

E, robërit e Bamirësit të Gjithëmbarshëm janë ata, të cilët ecin thjeshtë nëpër Tokë. E, kur xhahilat i sulmojnë këta, me fjalë – përgjigjen: “Qetësia qoftë!”

Dhe ata që e kalojnë natën, duke i bërë sexhde Zotit të tyre, dhe duke ndenjur në këmbë,

dhe ata që thonë: “O Zoti ynë, largoje prej nesh mundimin e xhehennemit! Sepse, me të vërtetë, dënimi i tij (zjarrit), është shkatërrim i paevitueshëm,

me të vërtetë, ai (xhehennemi), është vendbanim dhe vendstrehim i shëmtuar

edhe ata që, kur ndajnë (nga pasuria e tyre) – as nuk shkapërderdhin, as nuk koprracojnë, por që i përmbahen mesatares;

edhe ata që pos Perëndisë, nuk adhurojnë zot tjetër, dhe të cilët, nuk vrasin njeri që e ka ndaluar Perëndia, përveç sipas ligjit (që ka merituar dënimin), dhe që nuk bëjnë kurvëri, - e kush i bën këto do t’i takojë dënimi i mëkatit,

i cili (dënim), do t’i dyfishohet në Ditën e Kijametit dhe ai do të qëndrojë përherë në të (dënim), i poshtëruar,

përveç atij që pendohet, dhe beson e punon vepra të mira. Këtyre, Perëndia, ua ndërron veprat e këqia në të mira. E, Perëndia është falës e mëshirues.

E, ai që pendohet dhe punon vepër të mirë, është i kthyer krejtësisht kah Perëndia;

edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm, e kur kalojnë pranë kotësive, kalojnë me dinjitet;

dhe ata, të cilët, kur të përkujtohen me argumentet e Zotit të tyre, nuk binë para tyre, as të shurdhër as të verbër (por dëgjojnë e meditojnë);

dhe ata që thonë: “O Zoti ynë dhurona neve në gratë tona dhe trashëgimtarët tanë burim gëzimi, dhe bëna neve shembull për të mirë!” –

të tillët (që u përmendën), do të shpërblehen me xhennet, meqë duruan, dhe do të takohen në të – me përshëndetje (në mes njëri-tjetrit) dhe me selam (prej Perëndisë dhe engjëjve),

ku, do të qëndrojnë përherë, e sa vendbanim dhe vendstrehim i mrekullueshëm që është ai!

Thuaj: “Zoti im nuk do t’ju përfillte, sikur të mos ishte lutja juaj; e ju keni përgënjeshtruar, andaj dënimi për ju do të jetë i paevitueshëm”.