ﯖ
surah.translation
.
من تأليف:
حسن ناهي
.
ﰡ
ﭑ
ﰀ
Hâ, Mîm.
Kjo është Shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë shtjelluar qartë, një Kuran në gjuhën arabe, për njerëzit me dije.
Ai sjell lajme të mira dhe paralajmërime, por shumica e njerëzve ia kthejnë shpinën dhe largohen pa e dëgjuar.
Ata thonë: “Ajo për të cilën ti na thërret, nuk i arrin zemrat tona, sepse ato janë të mbrojtura mirë. Veshët tanë janë të shurdhër e midis nesh e teje ka perde. Prandaj ti vepro si të duash, se edhe ne kështu do të veprojmë”.
Thuaj (o Muhamed!): “Në të vërtetë, unë jam vetëm një njeri si ju. Mua më është shpallur që Zoti juaj është një Zot i Vetëm, andaj ecni në rrugën e drejtë që të çon tek Ai dhe kërkoni falje prej Tij! Mjerë ata të cilët i shoqërojnë Atij zota të tjerë,
e të cilët nuk japin zekatin dhe nuk besojnë në jetën tjetër!
Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, sigurisht që do të kenë shpërblim të pandërprerë.”
Thuaj: “Vallë, a me të vërtetë ju e mohoni Atë, i cili e ka krijuar Tokën në dy ditë dhe sajoni zota të barabartë me Atë?!” Ai është Zoti i botëve!
Ai krijoi në Tokë male të palëvizshme që ngrihen lart, e bekoi atë dhe përcaktoi në të furnizimin (për banorët) e saj me masë për katër ditë; ky është shpjegimi për të gjithë ata që pyesin.
Pastaj Ai iu kthye qiellit, që ishte në gjendje mjegullie e i tha atij dhe Tokës: “Ejani të dy me hir a me pahir!”. Ata u përgjigjën: “Erdhëm me gjithë dëshirë e të bindur!”
Ai krijoi shtatë qiej në dy ditë dhe çdo qielli i caktoi detyrat e tij. Qiellin më të afërm Ne e zbukuruam me yje të shkëlqyer dhe i vumë roja. Ky është urdhri i të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit.
Nëse ata shmangen, ti thuaju: “Ju paralajmëroj me rrufenë që goditi fiset Ad dhe Themud.
Kur atyre[286] u erdhën të dërguarit nga çdo anë, duke u thënë: “Mos adhuroni tjetër përveç Zotit!”, ata thanë: “Sikur të kishte dashur Zoti ynë, Ai do të kishte dërguar engjëj. Ne nuk besojmë në mesazhin tuaj.”
____________________
[286] D.m.th. fiseve Ad dhe Themud.
____________________
[286] D.m.th. fiseve Ad dhe Themud.
Sa i përket fisit Ad, ata u treguan arrogantë në Tokë dhe, pa kurrfarë të drejte, thoshin: “Kush është më i fortë se ne?” Vallë, a nuk e dinin ata se Allahu që i kishte krijuar, është më i fuqishëm se ata?! Kështu, ata i mohuan shpalljet Tona.
Dhe, Ne u dërguam atyre në ditët e fatkeqësisë erë të acartë, për ta shijuar dënimin poshtërues që në këtë jetë; ndërsa dënimi në jetën tjetër do të jetë edhe më poshtërues dhe askush nuk do t’i ndihmojë.
Fisit Themud, Ne ia treguam rrugën e drejtë, por ai parapëlqeu verbërimin e jo rrugën e drejtë, andaj e goditi rrufeja e dënimit poshtërues, për atë që kishte bërë.
E Ne i shpëtuam ata që besuan dhe që u ruajtën (prej të këqijave).
Paralajmëroji ata për Ditën, kur do të tubohen armiqtë e Allahut për në zjarr e do të shtyhen me radhë.
Kur të vijnë afër zjarrit, kundër tyre do të dëshmojnë veshët, sytë dhe lëkurët e tyre për atë që kanë bërë.
Ata do t’u thonë lëkurëve të veta: “Pse dëshmuat kundër nesh?” e ato do të përgjigjen: “Allahu, i Cili ia jep aftësinë e të folurit gjithçkaje, na ka bërë që të flasim. Ai ju ka krijuar për herë të parë dhe tek Ai do të ktheheni”.
Ju nuk u fshehët, që kundër jush të mos dëshmonin veshët, sytë e lëkura juaj, por ngaqë besonit se Allahu nuk i dinte shumë nga ato që bënit.
Ky mendim që keni pasur për Zotin tuaj, ju shkatërroi e ju u bëtë humbës.
Edhe nëse ata durojnë, sërish zjarri është vendstrehim për ta; edhe nëse kërkojnë falje, lutja nuk do t’u merret parasysh.
Ne u kishim caktuar atyre shokë të këqij, të cilët ua zbukuronin të tashmen dhe të shkuarën e tyre e për ta u përmbush Fjala, ashtu si për popujt që kanë qenë para tyre prej xhindesh dhe njerëzish. Ata kanë qenë vërtet të humbur.
Jobesimtarët thonë: “Mos e dëgjoni këtë Kuran! Flisni e qeshni me zë të lartë, që të ndërprisni leximin e tij!”
Por, Ne do të bëjmë që mohuesit të shijojnë një dënim të ashpër dhe do t’i ndëshkojmë ata sipas veprave më të këqija që kanë bërë.
Ky është “shpërblimi” për armiqtë e Allahut. Xhehenemi është vendbanimi i përhershëm i tyre. Ky dënim është për ata, ngaqë mohonin shpalljet Tona.
Dhe jobesimtarët do të thonë: “O Zoti ynë, na i trego ata xhinde dhe njerëz, që na kanë shpënë në humbje, që t’i shkelim me këmbët tona e t’i poshtërojmë!”
Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.
Ne jemi mbrojtësit tuaj në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër. Atje do të keni çfarë t’ju dëshirojë zemra dhe çfarë të kërkoni,
dhuratë e pasur prej një Zoti Falës dhe Mëshirëplotë.”
E kush flet më bukur se ai që i fton njerëzit drejt Allahut, bën vepra të mira dhe thotë: “Unë, me të vërtetë jam mysliman.”
Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.
Ky virtyt u dhurohet vetëm atyre që durojnë dhe vetëm atyre që kanë një fat të madh.[287]
____________________
[287] D.m.th. atyre që janë pajisur me moralin e mirë në jetën e kësaj bote dhe që do të fitojnë lumturinë e Xhenetit në botën tjetër.
____________________
[287] D.m.th. atyre që janë pajisur me moralin e mirë në jetën e kësaj bote dhe që do të fitojnë lumturinë e Xhenetit në botën tjetër.
Nëse djalli fillon të të joshë, kërko mbështetje te Allahu. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
Ndër shenjat e Tij janë nata dhe dita, si dhe Dielli dhe Hëna. Mos bëni sexhde as për Diellin, as për Hënën, por, nëse jeni adhurues të Atij, bëni sexhde për Allahun i Cili i ka krijuar ato!
E, nëse idhujtarët tregohen kryeneçë, le ta dinë se ata[288] që janë te Zoti yt, e lavdërojnë Atë natën dhe ditën e kurrë nuk ndihen të lodhur.
____________________
[288] Engjëjt.
____________________
[288] Engjëjt.
Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë.
Ata që i shtrembërojnë shpalljet Tona, nuk mund të Na fshihen. Si mendoni, a është më i mirë ai që do të hidhet në zjarr apo ai që në Ditën e Kiametit do të vijë i sigurt? Bëni ç’të doni, se Ai i sheh të gjitha çfarë punoni ju.
Ata që e mohojnë Fjalën Tonë përkujtuese[289], kur u vjen, do të dënohen rëndë. Ai është vërtet një Libër i madhërishëm.
____________________
[289] Kuranin.
____________________
[289] Kuranin.
Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.
Nuk të thuhet ty (o Muhamed) asgjë, përpos asaj që u është thënë të dërguarve para teje. Në të vërtetë, Zoti yt fal shumë, por edhe dënon ashpër.
Sikur ta kishim shpallur Kuranin në një gjuhë tjetër, ata do të thoshin: “Ah, sikur vargjet e tij të ishin të kuptueshme! Vallë, pse të jetë në një gjuhë të huaj, ndërkohë që ai[290] është arab?!” Thuaj: “Ai është udhërrëfyes dhe shërim për besimtarët”. Por ata që nuk besojnë, janë të shurdhër dhe të verbër, njësoj si të thirreshin prej vendeve të largëta.
____________________
[290] Profeti Muhamed (a.s.).
____________________
[290] Profeti Muhamed (a.s.).
Vërtet, Ne ia dhamë Musait Librin, por rreth tij pati shumë mospajtime. Dhe, sikur të mos ishte Vendimi i Zotit tënd i dhënë më parë (për shtyrjen e gjykimit deri në Ditën e Kiametit), ata (që u përçanë) do të gjykoheshin menjëherë. Me të vërtetë, ata dyshojnë thellë në këtë.
Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij.
Vetëm Allahu e di se kur do të vijë Ora. Kurrfarë frute nuk mund të dalë prej kupës së lules dhe asnjë femër nuk mund të mbetet shtatzënë apo të lindë pa dijeninë e Tij. Ditën kur Ai t’i thërrasë njerëzit e t’u thotë: “Ku janë ata zota që i quanit si ortakët e Mi?”, ata do të përgjigjen: “Askush prej nesh nuk dëshmon sot se ata janë ortakët e Tu.”
Idhujt, që ata i adhuronin më parë, do t’i zhgënjejnë dhe ata do ta dinë se nuk ka më shpëtim.
Njeriu nuk lodhet kurrë duke kërkuar të mirën, por, nëse e godet e keqja, ai menjëherë bie në dëshpërim dhe humb shpresën.
Nëse pas fatkeqësisë, Ne i japim atij që të shijojë nga mirësitë Tona, ai me siguri, do të thotë: “Këtë e meritoj! Unë nuk besoj se do të vijë Ora (e Kiametit), por, edhe nëse kthehem te Zoti im, sigurisht që Ai do të më japë shpërblimin më të mirë.” Në të vërtetë, Ne do t’i njoftojmë mohuesit për atë që kanë bërë dhe do t’i bëjmë të shijojnë një dënim të ashpër.
Kur njeriut i dhurojmë dhuntitë Tona, ai shmanget dhe na kthen kurrizin, mirëpo, kur atë e godet e keqja, ai lutet gjerë e gjatë.
Thuaju, (o Muhamed): “Më thoni! Nëse ky Kuran është vërtet prej Allahut dhe ju e mohoni atë, atëherë kush është në humbje më të madhe se ai që është në kundërshtim të hapur me Të?!”
Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!
Vërtet, ata dyshojnë në takimin me Zotin e tyre, por le ta dinë se Ai ka nën kontroll çdo gjë.