ﯦ
surah.translation
.
من تأليف:
حسن ناهي
.
ﰡ
Allahun e lartëson çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi, i Urti.
Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Ai jep jetë e vdekje dhe është i fuqishëm për çdo gjë.
Ai është i Pari dhe i Mbrami, i Dukshmi (me argumente) dhe i Padukshmi (me sy). Ai është i Dijshëm për çdo gjë!
Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.
Atij i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës; tek Allahu do të kthehet gjithçka!
Ai e ndërfut natën tek dita dhe ditën tek nata. Ai e di çfarë ka çdokush në kraharor.
Besoni Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe shpenzoni nga ato që Ai jua ka lënë trashëgim, se për ata midis jush që besojnë dhe shpenzojnë (për bamirësi), do të ketë shpërblim të madh!
Çfarë keni që nuk besoni në Allahun, ndërkohë që i Dërguari i Tij ju fton që të besoni në Zotin tuaj, i Cili, tashmë, ka marrë besën prej jush?! Atëherë besoni, nëse jeni besimtarë të vërtetë!
Është Ai që i ka zbritur robit të Vet shpallje të qarta për t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Allahu është vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë me ju.
Atëherë, çfarë keni që nuk shpenzoni në rrugën e Allahut, ndërkohë që vetëm Atij i përket trashëgimia e qiejve dhe e Tokës? Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar para fitores me ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar më pas. Ata kanë shkallë më të lartë, mirëpo Allahu u premton të gjithëve më të mirën (Xhenetin). Allahu e di mirë atë që bëni ju.
Kush është ai, që do t’i japë vullnetarisht Allahut një hua të mirë, që Ai pastaj t’ia kthejë shumëfish?! (Veç kësaj), për atë do të ketë shpërblim fisnik,
ditën që do të shohësh besimtarët dhe besimtaret, me dritën e tyre që shkëlqen para dhe në të djathtë të tyre (e do t’u thuhet): “Lajm i mirë sot për ju: kopshtet e Xhenetit nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të banoni përgjithmonë. Kjo është fitorja më e madhe!”
Atë Ditë, hipokritët dhe hipokritet do t’u thonë besimtarëve: “Na prisni edhe ne që të marrim nga drita juaj”! Por atyre do t’u thuhet: “Kthehuni prapa e kërkoni tjetër dritë!” Dhe, ndërmjet tyre, do të vendoset një mur me portë: brenda saj ka mëshirë, kurse jashtë saj ka dënim.
“A nuk kemi qenë me ju?” - do të thërrasin ata. - “Po, - do t’u përgjigjen, - por ju e çuat veten në tundim, pritët, dyshuat dhe u mashtruat nga vetë dëshirat tuaja të kota, derisa arriti urdhri i Allahut, e djalli ju mashtroi për Allahun!
Sot nuk pranohet prej jush kurrfarë shpërblese e as prej atyre që nuk kanë besuar: zjarri është vendbanimi juaj, ai është për ju; eh, sa vendbanim i tmerrshëm që është ai!”
A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.
Dijeni, se Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj! Ne ju sqarojmë shpalljet, në mënyrë që ju të kuptoni!
Ata që japin lëmoshë e që i japin Allahut një hua të mirë, qofshin burra ose gra, do t’u shumëfishohet përfitimi dhe do të kenë një shpërblim fisnik.
Ata që besojnë Allahun dhe të dërguarit e Tij, pikërisht ata janë njerëzit e sinqertë. Dëshmorët do të kenë te Zoti i vet shpërblimin dhe dritën e tyre. Kurse ata që nuk janë besimtarë dhe i mohojnë shpalljet Tona, do të jenë banorë të zjarrit!
Ta dini, se jeta në këtë botë, nuk është tjetër veçse lojë, dëfrim e zbukurim, si dhe mburrje ndërmjet jush e rivalitet për më shumë pasuri dhe fëmijë! Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i gëzon bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë. Në botën tjetër ju presin vuajtje të mëdha ose falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij; jeta në këtë botë është vetëm kënaqësi e rreme.
Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund.
S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!
(Këtë paracaktim e kemi bërë) që ju të mos dëshpëroheni për atë që ju ka kaluar, por edhe për të mos u gëzuar së tepërmi për atë që Ai ju ka dhënë. Allahu nuk i do kryelartët mburravecë
e as ata që, përveçse janë vetë koprracë, i nxisin edhe të tjerët në koprraci. Kushdo që nuk ia vë veshin kësaj, le ta dijë se Allahu është i Vetëmjaftueshmi dhe i Denji për çdo lavd.
Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt. Ne e zbritëm hekurin, në të cilin ka (material për) luftë të fuqishme dhe dobi (të tjera) për njerëzit, me qëllim që Allahu të njohë ata që e ndihmojnë Atë dhe të dërguarit e Tij, pa e parë Atë. Me të vërtetë, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.
Sigurisht, Ne dërguam Nuhun dhe Ibrahimin e u dhuruam trashëgimtarëve të tyre Profecinë dhe Librin. Disa syresh ishin në rrugë të drejtë, kurse shumica prej tyre ishin gjynahqarë të pabindur.
Pas tyre Ne çuam të dërguar të tjerë, mandej dërguam Isain, të birin e Merjemes. Ne i dhamë atij Ungjillin, kurse në zemrat e pasuesve të tij mbollëm butësi dhe mëshirë. Sa për murgërinë, Ne nuk ua urdhëruam atë, por ata e shpikën vetë për të arritur kënaqësinë e Allahut. E megjithatë, ata nuk u kujdesën si duhet për të. Kështu, Ne u dhamë besimtarëve të vërtetë prej tyre shpërblimin e merituar, sado që shumë prej tyre janë të pabindur.
O ju (ithtarë të Librit) që besuat (në Musain dhe Isain), ruajuni Allahut dhe besoni në të Dërguarin e Tij (Muhamedin), se Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë; Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
Dhe le ta dinë ithtarët e Librit, se ata nuk kanë aspak fuqi mbi çfarëdo mirësie të Allahut dhe se mirësia është vetëm në dorën e Allahut. Ai ia jep kujt të dojë. Allahu zotëron mirësi të pakufishme.