surah.translation .


Kur të ndodhë Ngjarja (Dita e Kijametit), -

të ndodhurit e saj askush nuk do ta mohojë,

e cila i ulë (të këqinjtë), i lartëson (të mirët),

kur Toka të dridhet fuqishëm,

dhe malet të derdhën copë-copë,

dhe shndërrohen në pluhur të shpërndarë,

kur ju njerëzit, do të ndaheni në tri grupe:

ata të lumturit – kush janë të lumturit?!

dhe ata fatkëqinjtë – kush janë fatkëqinjtë?!

Ata që kanë prirë (në besim), do të prijnë (edhe në xhennet),

ata janë të afërt

në kopshtet e xhennetit e të kënaqësisë,

(e këta janë) shumë prej të parëve,

e pak prej të mëvondshmëve, -

në divanet e stolisura (me gurë të çmueshëm),

të mbështetur në to dhe të kthyer njëri karshi tjetrit;

do t’u sillen rreth tyre (për t’ju shërbyer) djelmoshat përherë të rinj,

me kupa, ibrikë dhe shishe (pijesh) prej burimit rrjedhës,

prej të cilit nuk do t’u dhembë koka dhe nuk do t’u humbë mendja, -

dhe pemë të cilat do t’i zgjedhin vetë,

dhe mish të shpendëve çfarë ju ka ënda.

Në to (xhennete) ka edhe hyrie (të bukura) sy-mëdha,

të ngjashme margaritarit të ruajtur,

shpërblim për atë që kanë punuar.

Në ta nuk do të dëgjojnë biseda të kota as fjalë mëkatësh,

por vetëm fjalët (përshëndetjet): “Selam, selam!” (Paqë, paqë)!

E, ata të lumturit – kush janë të lumturit?!

Do të gjenden në mes lotusve (lloj druri) pa gjemba,

dhe babanave të mbushura me frute

dhe në freskinë e gjerë,

pranë ujit rrjedhës,

dhe mes pemëve të llojllojshme,

të cilat kurrë nuk sosen, as nuk janë të ndaluara (për t’i marrë),

dhe në shtrojet e ngritura (bashkëshorte virtytesh të larta).

Ne i kemi krijuar ato në formë të re,

dhe i kemi bërë ato virxhëresha,

të dashura për bashkëshortët e tyre dhe moshatare me ta –

(këto janë) për ata të lumturit.

(këta – të mirët) janë shumë prej (popujve) të lashtëve

e shumë edhe prej të mëvonshmëve.

E, ata fatkëqinjtë – cilët janë fatkëqinjtë?!

Ata (që) do të jenë në frymën e zjarrit dhe të ujit të vëluar

dhe në hijen e tymit të zi,

në të cilën nuk do të ketë freski as kurrfarë të mire.

Ata, para kësaj (në këtë botë), kanë jetuar në luks,

dhe me këmbëngulje bënin mëkate të rënda,

dhe thonin: “Vallë, pasi të vdesim e të bëhemi tokë e eshtra, a, me të vërtetë, do të ringjallemi,

vallë, edhe të parët tonë të lashtë?!

Thuaju (o Muhammed!): “Me të vërtetë, edhe të parët edhe të mbramët, -

do të tubohen në një kohë (të caktuar), të ditës së njohur,

dhe, atëherë ju, o të humbur, që përgënjeshtroni ringjalljen,

me siguri do të hani nga druri i zekkumit,

dhe me te do të mbushni stomakun,

e pastaj në të, do të pini ujë të vëluar,

dhe do të pini ashtu siç pin devja e etshme,

kjo (që u përmend) do të jetë pozita e tyre në Ditën e Kijametit!

Ne, u krijuam juve – e, sikur të kishit besuar!

A po shihni ju farën (spermën) që e hedhni (injektoni)

a po e krijoni (dhe zhvilloni njeriun ju), apo Ne jemi krijues?

Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë,

që t’ju ndryshojmë figurën tuaj dhe t’ju krijojmë në figurën çfarë ju nuk e dini.

Ju, madje, e dini krijimin e parë, e pse nuk po këshilloheni?!

A shihni atë që po e mbillni?

A mos ju jepni, që prej saj të mbijë (bima), apo Ne japim që të mbijë ajo?

Nëse duam Ne, Ne do ta thërrmojmë atë (bimën) dhe ju do të çuditeni,

(dhe, do të thoni): “Ne, me të vërtetë, jemi të dëmtuar,

madje – na është penguar (furnizimi)!”

A po e shihni (atë) ujë që e pini –

a mos e lëshoni ju prej réve apo Ne e lëshojmë?!

Nëse duam Ne, Ne do ta bëjmë atë të njelmët – e përse nuk falenderoheni?!

A po e shihni atë zjarr, që e ndezni –

a mos e keni bërë ju drurin e saj, apo Ne e kemi bërë?!

Ne, e kemi bërë zjarrin përkujtues (të zjarrit të skëterrës) dhe që t’u sjellë dobi nevojtarëve,

andaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërueshëm!

Dhe, betohu në çastin e perëndimit të yjeve,

e ky është, betim i madh, nëse e dini, -

ky (shpjeguesi i këtyre), është, me të vërtetë, Kur’ani i nderuar,

në Librin e ruajtur –

le ta prekin atë vetëm të pastërtit –

(ai është) Shpallje prej Zotit të Gjithësisë.

E, vallë, ju këtë fjalë (Kur’anin) nuk e përfillni?

dhe, në vend të mirënjohjes për furnizimin e dhuruar, që u është dhënë – ju, në të vërtetë, po e përgënjeshtroni atë.

E, përse kur t’ju vie shpirti në fyt,

dhe kur ju atëherë e shikoni atë,

e ne jemi më afër atij se ju, por ju nuk shihni, -

e sikur të ishit ju të fuqishëm (e nuk sundon tjetërkush)

atëherë do t’ia kthenit (shpirtin atij), nëse thoni të vërtetën?

Dhe, nëse është (ai që është në agoni) nga ata që janë afër te Perëndia –

(për te ka) komoditet, mëshirë dhe furnizim të madh dhe kopshtet e dhuntive!

E, nëse është (ai që është në agoni) nga të lumturit –

e, përshëndetje për ty nga ata që janë të lumtur!

E, nëse është (ai që është në agoni) nga ata që kanë përgënjeshtruar – të humburve –

ata do të gostiten me ujë të vëluar –

dhe përcëllim në zjarr të xhehennemit.

Në të vërtetë, e gjithë kjo, është e vërtetë e saktë.

Andaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërueshëm!