surah.translation .


Perëndia i ka dëgjuar fjalët e asaj që u ankua në burrin e vet dhe i rrënkohej Perëndisë. Perëndia dëgjon bisedat tuaja. Se, Perëndia, me të vërtetë, i dëgjon dhe i sheh të gjitha.

Ka të tillë midis jush që i lëshojnë gratë e veta duke ju thënë se i konsiderojnë si nënat e veta; ato nuk janë nënat e tyre, nënat e tyre janë vetëm ato që i kanë lindur ata. Kurse ata, me të vërtetë, kanë shqiptuar fjalë neveritëse dhe të pavërteta. E, me të vërtetë, Perëndia është falës dhe shlyes i gabimeve.

Ata, të cilët, gratë e tyre i lëshojnë në atë mënyrë, e pastaj donë t’i kthejnë në gjendjen e mëparshme, duhet ta lirojnë një skllav apo skllave, para se bashkëshortët të takohen përsëri (si burrë e grua). Kështu ju urdhërohet. E, Perëndia i di të gjitha ato që bëni ju.

Ai që nuk ka, (prandaj) nuk mund ta lirojë, është i obliguar që të agjërojë dy muaj rresht para takimit të tyre bashkëshortorë. E, ai që nuk mund të përballojë agjërimin, duhet t’i ushqejë gjashtëdhjetë të varfër. Kjo (është për atë) që të zbatoni besimin në Perëndinë dhe Profetin e Tij. Këta janë kufijtë e Perëndisë. Ndërsa, për jobesimtarët ka vuajtje të mundimshme.

Me të vërtetë, ata që sillen në mënyrë kundërshtuese ndaj Perëndisë dhe të dërguarit të Tij, do të shkatërrohen, sikundër që janë shkatërruar ata para tyre. Me të vërtetë, kemi shpallur argumente të qarta, kurse për jobesimtarët do të ketë vuajtje poshtëruese,

në Ditën kur Perëndia i ngjallë të gjithë e i lajmëron Ai për veprat që kanë punuar. Perëndia të gjitha ato i numëron, kurse ata i kanë harruar ato – Perëndia është dëshmitar i çdo gjëje.

A nuk e di ti se Perëndia di çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë? Nuk ka bisedë sekrete midis treve (personave), e që Ai (Perëndia), të mos jetë i katërti, as midis të pestëve, e që Ai të mos jetë i gjashti, as kur janë më pak as kur janë më shumë, e që Ai të mos jetë me ata (i dëgjon), kudo që të jenë; Ai në Ditën e gjykimit do t’i informojë ata se çka kanë punuar, se, me të vërtetë, Perëndia di çdo gjë!

A nuk i sheh ata të cilëve u është ndaluar biseda e fshehtë, e megjithatë, kthehen në atë çka u është ndaluar dhe bisedojnë mes tyre mbi mëkatet, armiqësinë dhe padëgjueshmërinë ndaj Profetit. E kur vijnë te ti, të përshëndesin ashtu si nuk të ka përshëndetur kurrë Perëndia dhe flasin në mes tyre: “Pse nuk na dënon Perëndia neve për këtë që po flasim?” – Do t’u mjaftojë atyre skëterra. Në të do të digjen. E, sa vendbanim i tmerrshëm që është ai! –

O besimtarë! Kur bisedoni mes jush, mos bisedoni për mëkate, armiqësi dhe padëgjueshmëri ndaj Profetit; por bisedoni për mirësi dhe ndershmëri. Druajuni Perëndisë, Atij para të cilit do të tuboheni.

Bisedat e fshehta vijnë nga djalli, për t’i dëshpëruar besimtarët; por ai nuk mund t’ju shkaktojë kurrfarë të keqe, përveç nëse Perëndia e lejon atë (dëm). Por, besimtarët, le të mbështeten (vetëm) te Perëndia!

O besimtarë! Kur ju thuhet: “Bëni vend të tjerëve në ndejat tuaja!” – ju bëni vend, e madje Perëndia ju zgjëron juve. E kur ju thuhet: “Ngrituni ju”, - ju ngituni, e Perëndia do t’i lartësojë besimtarët që janë prej jush, e veçanërisht dijetarët do t’i ngrisë në shkallë të lartë. E, Perëndia di çdo gjë që punoni.

O besimtarë, kur të doni të këshilloheni me Profetin, para këshillimit jepni lëmoshë, ajo është më mire dhe më pastër për ju. Po, nëse nuk keni – Perëndia me të vërtetë, është falës dhe mëshirues.

A mos po frikoheni që para këshillimit tuaj të jepni lëmoshë?! E nëse nuk jepni, e Perëndia ju ka falur, atëherë kryeni namazin dhe jepini zeqatin dhe dëgjoni Perëndinë e Profetin e Tij. Perëndia di çdo gjë që punoni.

A nuk i sheh ata, të cilët shoqërohen me njerëzit, ndaj të cilëve Perëndia është i zemruar? Ata nuk janë as nga ju as nga ata, e madje, betohen rrejshëm duke qenë të vetëdijshëm (për të)

Perëndia atyre u ka përgatitur denim të rëndë, sepse, me të vërtetë, janë të shëmtuara ato që punojnë:

betimet e tyre i kanë bërë perde, andaj i pengojnë nga rruga e Perëndisë; ata i prêt dënimi i poshtëruar.

As pasuria, as fëmijët e tyre, nuk do t’u ndihmojnë aspak te Perëndia, ata do të jenë banorë të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

Në Ditën kur Perëndia do t’i ngjallë të gjithë, ata do t’i betohen Atij, sikundër që ju kanë betuar juve, duke menduar se do të kenë fare dobie prej saj. Po, me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë të mëdhenj!

Ata i ka mbizotëruar djalli dhe i ka bërë që ta harrojnë Perëndinë. Ata janë në grupin e djallit, e ata që janë në këtë grup, me siguri, do të pësojnë (shkatërrohen).

Ata që kundërshtojnë Perëndinë dhe Profetin e Tij, do të jenë në shkallën më të poshtëruar.

Perëndia ka shkruar (në Librin e shenjtë “Levhi Mahfudh”): “Unë dhe profetët e Mi do të fitojmë me siguri!” – Perëndia, me të vërtetë, është i fortë dhe i Plotëfuqishëm.

Nuk gjen njerëz që besojnë në Perëndinë dhe në Ditën e Kijametit, e të ushqejnë dashuri ndaj atyre të cilët kundërshtojnë Perëndinë dhe Profetin e Tij, madje qofshin ata edhe etërit e tyre, ose bijtë e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Ai, në zemrat e tyre ka mbjellë besimin dhe me shpalljen e Vet i ka fuqizuar ata, dhe Ai do t’i shpie ata në kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Perëndia është i kënaqur me ta, por edhe ata do të jenë të kënaqur ndaj Tij. Ata janë ithtarë të (rrugës së) Perëndisë, e ata, ithtarët e Perëndisë, me siguri, janë fitues.