surah.translation .


Perëndinë e falenderon çka gjendet në qiej dhe çka gjendet në Tokë. Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

O besimtarë, përse flisni atë që nuk e punoni?

Është neveri e madhe te Perëndia të thoni atë që nuk e punoni!

Me të vërtetë, Perëndia i don ata që luftojnë në rrugën e Tij, të radhitur si një godinë e lidhur fortë.

Kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im, përse po më mundoni, kur mirë e dini se unë jam profeti i Perëndisë te ju!” E, pasi ata u shmangën – Perëndia u shmangu zemrat e tyre; - e Perëndia, nuk e shpie në rrugë të drejtë atë popull që është zhytur në mëkate.

E kur Isai, i biri i Merjemës, ka thënë: “O bijtë e Israelit, unë u jam profet i Perëndisë te ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për profetin, emrin e të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje; dhe kur ai u solli atyre argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e qartë!”

E, kush është më zullumqarë se ai që shpif gënjeshtra kundër Zotit, duke u thirrur në fé të vërtetë? – E Perëndia nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin zullumqarë (që bën padrejtësi).

Ata dëshirojnë të fikin dritën e Perëndisë, me gojën e tyre, e Perëndia – e përsos dritën e Vet, edhe, nëse e urrejnë mohuesit.

Perëndia është Ai, që ka dërguar Profetin e Vet me udhëzim për rrugën e drejtë dhe fenë e vërtetë, për ta ngritur më lartë se të gjitha fetë, edhe nëse e urrejnë paganët.

O besimtarë, a doni t’ju orientojë në një tregti, e cila ju shpëton nga vuajtja e dhembshme:

Besoni në Perëndinë dhe në Profetin e Tij, dhe luftoni në rrugën e Perëndisë me pasurinë dhe trupin tuaj. – Kjo është më mirë për ju, - nëse e dini.

Ai do t’ju falë gabimet tuaja dhe do t’ju shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenjt, dhe në pallate – të mrekullueshme – në xhennetin e Adnit, - e ky është sukses i madh, -

E tjetrën (dhunti) që e doni ju: Ndihma e Perëndisë dhe fitorja e afërt! Andaj, sihariqoji besimtarët!

O besimtarë, bëhuni ndihmësit e besimit të Perëndisë, ashtu siç u ka thënë Isai, i biri i Merjemës, nxënësve (apostujve të tij): “Kush janë ndihmësit e mi te Perëndia? Apostujt, u përgjegjën: “Ne jemi ndihmësit e Perëndisë!” – Dhe, kanë besuar një grup nga bijtë e Israelit, e një grup tjetër kanë mohuar; - andaj Ne i kemi forcuar (ndihmuar) besimtarët kundër armikut të tyre dhe ata u bënë fitues.