surah.translation .
من تأليف: حسن ناهي .

Hâ, Mîm.
Betohem në Librin e qartë!
Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar[306]. Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues.
____________________
[306] Në Natën e Kadrit.
Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë,
me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë kemi nisur të dërguar,
si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha.
Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje.
S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij. Ai e jep jetën dhe e shkakton vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj të lashtë!
Por ata argëtohen duke dyshuar.
Andaj ti prite atë (ditë), kur qielli do të lëshojë tym të qartë,
që do t’i mbulojë njerëzit, (e do t’u thuhet): “Ky është dënim i dhembshëm!”
(Mohuesit do të thonë): “O Zoti ynë, lirona prej dënimit! Ne tashmë besojmë!”
E si mund të përfitojnë ata nga këshilla, ndërkohë që më parë atyre u pat ardhur një i Dërguar me shpjegime të qarta
e ata i kthyen shpinën, duke thënë: “Ai është një i çmendur i mësuar nga të tjerët”?!
Edhe sikur t’ju lirojmë nga dënimi pak (kohë), ju me siguri që do të ktheheni (në mosbesim).
Ditën, kur do t’i mbërthejmë ata me forcën më të madhe, Ne do të hakmerremi.
Përpara tyre Ne vumë në sprovë popullin e Faraonit, kur u pat ardhur i Dërguari fisnik,
(i cili u tha): “Më sillni robërit e Allahut,[307] sepse Unë jam për ju një i dërguar i besuar!
____________________
[307] Hebrenjtë që jetonin të skllavëruar në Egjipt.
Dhe mos u madhëroni mbi Allahun, sepse unë po ju sjell provë të qartë!
Unë kërkoj mbështetje në Zotin tim dhe Zotin tuaj, që të mos më vrisni me gurë!
Nëse nuk më besoni, atëherë largohuni prej meje!”
Dhe ai iu lut Zotit të vet: “Ky është vërtet një popull keqbërës!”
(Allahu i tha): “Ec bashkë me robërit e Mi natën, sepse ata[308] do t’ju ndjekin!
____________________
[308] Faraoni me ushtrinë e tij.
Lëreni pas detin e hapur, se ata, me siguri, do të fundosen si ushtri”!
Eh, sa e sa kopshte dhe burime i lanë ata,
sa ara të mbjella dhe ndërtesa fisnike,
dhe sa begati, në të cilat kënaqeshin!
Kështu, Ne ua lamë trashëgim ato një populli tjetër.
Nuk i vajtoi ata as qielli, as Toka, as nuk iu dha afat atyre.
Ne i shpëtuam bijtë e Israilit nga dënimi poshtërues
prej Faraonit, që ishte tiran, njeri që kalonte çdo kufi të së keqes.
Ne i zgjodhëm ata, me qëllim mbi popujt e tjerë (të asaj kohe)
dhe u dhamë shenja, në të cilat ka sprova të qarta.
E megjithatë, jobesimtarët thonë:
“Ekziston vetëm vdekja jonë e parë, ne nuk do të ringjallemi!
Na i risillni, pra, të parët tanë, nëse thoni të vërtetën!”
A janë këta më të mirë se populli i Tubbas apo ata para tyre? Ne i shkatërruam ata, sepse ishin vërtet punëmbrapshtë.
Ne nuk i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre, për t’u zbavitur!
Ne i kemi krijuar ato me qëllim të plotë, por shumica e tyre nuk e dinë.
Me të vërtetë, Dita e Gjykimit, është e caktuar për të gjithë ata.
Atë Ditë, i afërmi nuk mund ta ndihmojë aspak të afërmin e as ata vetë nuk do t’i ndihmojë kush,
me përjashtim të atyre që i ka mëshiruar Allahu. Ai është vërtet i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë.
Pema e zekumit
do të jetë ushqim i gjynahqarit.
Si tunxh i shkrirë ajo do të vlojë në barkun e tij,
ashtu si vlon uji i nxehtë.
(Engjëjve do t’u thuhet): “Rrëmbejeni atë dhe çojeni në mes të zjarrit flakërues!
Pastaj, për dënim, hidhni mbi kokën e tij ujë të valuar (duke i thënë):
“Shijoje këtë, o njeri “i fuqishëm” dhe “fisnik”!
Ja, ky është dënimi për të cilin ju dyshonit!”
Punëdrejtët, me të vërtetë, do të jenë në vend të sigurt,
midis kopshteve dhe burimeve,
të veshur në petka mëndafshi të hollë dhe armaç, të ulur përballë njëri-tjetrit.
Po, kështu do të jetë, dhe Ne do t’i martojmë ata me hyri sybukura.
Aty do të kërkojnë çfarëdo frutash që të dëshirojnë e do të jenë të sigurt.
Atje nuk do ta provojnë më vdekjen, përveç vdekjes së parë dhe Ai do t’i shpëtojë prej dënimit të zjarrit flakërues.
Kjo do të jetë dhunti prej Zotit tënd. Kjo është fitorja madhështore!
Ne e kemi bërë të lehtë Kuranin në gjuhën tënde, që ata të mund të marrin këshilla.
Andaj ti prit, se edhe ata vetë po presin!