ترجمة سورة المنافقون

الترجمة الألبانية
ترجمة معاني سورة المنافقون باللغة الألبانية من كتاب الترجمة الألبانية .
من تأليف: حسن ناهي .

Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: “Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut!” Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë!
Ata i përdorin betimet e tyre si maskë dhe i largojnë (njerëzit) prej rrugës së Allahut. Vërtet, shumë të mbrapshta janë punët e tyre!
Kjo, sepse ata fillimisht besuan, pastaj mohuan, kështu që zemrat e tyre u vulosën dhe si pasojë ata nuk kuptojnë më.
Kur i shihni ata, pamja e tyre e bukur ju mahnit e, nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë, ata janë si trungje të mbështetura[368]. Ata kujtojnë se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre! Allahu i vraftë! Sa shumë që janë larguar (nga e vërteta)?!
____________________
[368] “trungje të mbështetura”: në kuptimin që ata janë të fortë vetëm në dukje dhe që në fjalimet e tyre nuk ka aspak zgjuarsi.
Kur u thuhet atyre: “Ejani, se i Dërguari i Allahut do të kërkojë falje për ju”, ata tundin kokat e tyre dhe i sheh ata të kthehen me mendjemadhësi.
Njësoj është, u lute për faljen e tyre apo nuk u lute, Allahu kurrsesi nuk do t’i falë. Në të vërtetë, Allahu nuk e udhëzon popullin e pabindur.
Ata thonë: “Mos u jepni kurrgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, me qëllim që të largohen prej tij!” Por Allahut i takojnë thesaret e qiejve dhe të Tokës, ndonëse hipokritët nuk kuptojnë.
Ata thonë: “Nëse kthehemi në Medinë, pa dyshim që të fuqishmit do t’i dëbojnë të dobëtit nga ajo!”[369] Në të vërtetë, fuqia është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.
____________________
[369] Sipas komentuesve të Kuranit, vargu i referohet fjalëve të kreut të hipokritëve në Medinë, Abdullah Ibn Ubejit, gjatë një ekspedite të myslimanëve, ku ai kishte marrë pjesë sa për sy e faqe. Ibn Ubeji nuk e kishte kuptuar ende se lidhjet fisnore ishin zëvendësuar nga vëllazëria e re midis besimtarëve dhe se tashmë pushteti i tij ishte venitur, prandaj e mbante veten si “më i fuqishmi” dhe e tallte Muhamedin (a.s.), duke e konsideruar si “më të dobëtin”.
O besimtarë, mos lejoni që pasuria dhe fëmijët tuaj t’ju largojnë nga të përmendurit e Allahut. Ata që e bëjnë këtë, do të humbin.
Prandaj jepni prej atyre mirësive që ju kam dhënë Unë, para se t’i vijë vdekja ndonjërit, e ai të thotë: “O Zoti im, sikur të më kishe lënë edhe një kohë të shkurtër në jetë, do të kisha dhënë lëmoshë dhe do të bëhesha ndër të mirët!”
Por Allahu nuk ia shtyn afatin asnjë shpirti, që i vjen koha (e vdekjes); Allahu e di mirë gjithçka që bëni ju.
Icon