ترجمة سورة الجمعة

الترجمة الألبانية
ترجمة معاني سورة الجمعة باللغة الألبانية من كتاب الترجمة الألبانية .
من تأليف: حسن ناهي .

Allahun e përlëvdon gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai është Sunduesi, i Shenjti (i pastër nga çdo e metë), i Plotfuqishmi dhe i Urti.
Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin[366] dhe Urtësinë[367], ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.
____________________
[366] Kuranin.
[367] Sunetin dhe rregullat fetare.
Ai do ta dërgojë atë edhe tek të tjerë (myslimanë) nga ata, të cilët ende nuk u janë bashkuar. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
Kjo është dhuntia e Allahut; Ai ia jep atë kujt të dojë. Allahu zotëron dhunti të madhe.
Shembulli i atyre, që iu besua Teurati, por pastaj nuk e zbatuan atë, i shëmbëllen gomarit, që vetëm sa i mbart librat. Sa i keq është shembulli i atyre që mohojnë shpalljet e Allahut! Allahu nuk i udhëzon (në rrugën e drejtë) keqbërësit.
Thuaju hebrenjve: “Në qoftë se ju pretendoni se jeni të vetmit miq të Allahut nga të gjithë njerëzit, atëherë dëshirojeni vdekjen, po të jeni të sinqertë!”
Por ata kurrë nuk do ta dëshirojnë vdekjen, për shkak të veprave që kanë bërë duart e tyre. Allahu i njeh mirë keqbërësit.
Thuaj: “Vdekja prej së cilës po ikni, do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, i Cili e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai do t’ju njoftojë ju për atë që keni bërë.”
O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe pezulloni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!
Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.
Mirëpo, sa herë që ata shohin ndonjë tregti ose lojë, shkojnë tek ajo e të lënë ty në këmbë. Thuaj: “Ajo që është tek Allahu, është më e mirë nga argëtimi e nga tregtia.” Allahu është Dhuruesi më bujar.
Icon