ﮕ
surah.translation
.
Që ky është akti i ndërprerjes së marrëveshjes paqësore nga ana e Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij me idhujtarët, që keni pasë bërë lidhje me ta:
“Udhëtoni nëpër botë ju (idhujtarë) edhe katër muaj, por ta dini se nuk do të mund t’i shpëtoni Perëndisë (nga dënimi), dhe Perëndia do t’i poshtërojë mohuesit”;
dhe ja shpallja e Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij – njerëzve, - në ditën e haxhxhit të madh: “Perëndia dhe Pejgamberi i tij shkëpusin çdo obligim ndaj idhujtarëve”. E, nëse pendoheni (nga mashtrimi dhe mohimi), për ju është më mirë; por, nëse largoheni (nga pendimi), ta dini se nuk do të mund t’i shpëtoni Perëndisë! Sihariqoji mohuesit me dënim të dhëmbshëm,
përpos ata idhujtarë, me të cilët keni lidhur marrëveshje, e që nuk ju kanë prishur asgjë nga marrëveshja, dhe që nuk kanë ndihmuar askë kundër jush. Dhe, plotësojeni marrëveshjen e tyre deri në fund. Me të vërtetë, Perëndia, i do ata që ruhen prej mëkateve.
Kur të kalojnë mujat e mëdhenj, atëherë mbytni idhujtarët kudo që t’i takoni, zëni robër, rrethoni dhe bënju pusi kudo! E, nëse pendohen e bëjnë namaz dhe japin zeqatin, atëherë lini të qetë. Se, Perëndia, me të vërtetë, është falës dhe mëshirues.
Nëse, ndonjë nga idhujtarët kërkon mbrojtje nga ti, mbroje, derisa t’i dëgjojë fjalët e Perëndisë, e pastaj shpëne në vend të sigurt të tij. Kjo është për atë (shkak), meqë janë popull që nuk dijnë.
Si mund të kenë idhujtarët marrëveshje me Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij?! – Mirëpo, me ata që keni lidhur ju marrëveshje te Mesxhidil-harami, derisa t’i përmbahen ata marrëveshjes – përmbajuni edhe ju, sepse Perëndia, i don ata që ruhen prej mëkateve.
Si, (me pasë marrëveshje), nëse ju mundin ata, nuk e respektojnë as farefisninë as marrëveshjen? Ata ju kënaqin me fjalë, ndërsa zemrat e tyre ju kundërshtojnë; shumica e tyre janë mëkatarë.
Ata i kanë ndërruar argumentet e Perëndisë me ndonjë vlerë të vogël, dhe i pengojnë njerëzit nga rruga e Tij. Me të vërtetë, janë të shëmtuara ato që punojnë ata.
Ata nuk iu respektojnë besimtarëve – as farefisninë as marrëveshjen, këta janë tejkaluesit e kufirit (në të këqia).
E, nëse ata pendohen, dhe falin namazin e japin zeqatin, (atëherë) për nga besimi janë vëllezër me ju. E, Na ua shpjegojmë argumentet njerëzve që dinë.
E, nëse ata e prishin betimin, pasi që e kanë lidhur marrëveshjen, dhe e sulmojnë fenë tuaj, luftoni kundër udhëheqësit të mohuesve, sepse, ata nuk kanë as betim (as lidhje); këtë e bëni që të frenohen ata (nga të këqiat).
Vallë, a nuk do të luftoni kundër popullit që e ka shkelur betimin dhe lidhjen dhe i cili është përpjekur ta dëbojë Pejgamberin, e ata së pari kanë filluar (t’ju sulmojnë)? Vallë, a ju frikoheni atyre? Të druajturit Perëndisë është me vend, nëse jeni besimtarë.
Luftoni kundër tyre! Perëndia i dënon ata me duart tuaja, dhe i poshtëron, u ndihmon juve kundër tyre, dhe i shëron zemrat e populli besimtar.
dhe e largon hidhërimin nga zemrat e tyre. Perëndia e pranon pendimin e atij që do. Perëndia është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.
Vallë, a mendoni ju se do të braktiseni, e që Perëndia të mos i tregojë ata që kanë luftuar dhe të cilët nuk e kanë bërë asnjë mik intim, përpos Perëndisë, Pejgamberit të Tij dhe besimtarëve? – E, Perëndia e di atë që bëni.
Idhujtarët nuk janë të denjë për mirëmbajtjen e tempujve të Perëndisë, meqë ata vetë pranojnë se janë mohues. Këta janë ata, veprat e të cilëve janë të humbura. Dhe, ata përherë, do të mbeten në skëterrë.
Tempujt e Perëndisë i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Perëndinë. Ditën e Fundit, falin namazin, japin zeqatin dhe që nuk i frikohen askujt, përveç Perëndisë. Këta janë ata, që janë në rrugën e drejtë.
Vallë, a mendoni ju se furnizimi i haxhinjve dhe mirëmbajtja e Mesxhidi-haramit është e njëjtë me ata që besojnë në Perëndinë, në Ditën e Kijametit dhe që luftojnë në rrugën e Perëndisë? Nuk janë të brabartë ata – te Perëndia. E, Perëndia nuk i udhëzon në rrugë të drejtë zullumqarët.
Ata që besojnë, e që shpërngulen dhe luftojnë në rrugën e Perëndisë – me pasurinë e tyre dhe jetën e tyre, janë më lartë për nga pozita – te Perëndia, dhe këta janë ata, që kanë fituar.
Ata do t’i sihariqojë Zoti i tyre me mëshirën e Tij dhe kënaqësinë, si dhe me kopshtie, në të cilat ka dhunti të përhershme për ta;
në to do të qëndrojnë përherë e përgjithmonë. Me të vërtetë, vetëm te Perëndia është shpërblimi i madh.
O besimtarë! Mos e bëni mik baban tuaj dhe vëllezërit tuaj, nëse ata më tepër e duan mohimin se sa besimin. Kushdo prej jush që i bënë ata miq, është zullumqarë.
Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria jua, që e kini fituar, tregtia – për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë – në të cilat e ndieni veten rehat, u janë më të dashura se sa Perëndia, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni deri sa ta sjellë vendimin Perëndia. E, Perëndia, nuk don ta udhëzojë në rrugën e drejtë popullin e korruptuar.
Me të vërtetë, Perëndia ju ka ndihmuar në shumë vende, si dhe në ditën e (luftës) së Huneinit kur ju entuziazmoi numri i madh i juaj, por ai numër nuk ju solli dobi, asgjë, toka iu dukë e ngushtë, edhe pse është e gjërë, prandaj u zmbrapsët duke vrapuar.
Pastaj, Perëndia ia dërgoi qetësinë e Tij Pejgamberit të vet dhe besimtarëve dhe e dërgoi ushtrinë, të cilën ju nuk e keni parë, e i dënoi ata që kanë mohuar. Ky është ndëshkimi i mohuesve.
E, pas kësaj, Perëndia e pranon pendimin për kë të dojë. Perëndia është falës dhe mëshirues.
O besimtarë! Me të vërtetë, idhujtarët janë të ndytë, dhe mos t’i afrohen Mesxhidil-haramit pas haxhxhit të këtij viti. E, nëse i frikoheni varfërisë, në dasht Perëndia, ju bënë të pasur dhe dhuntitë e Veta. Se, Perëndia, me të vërtetë, është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.
Luftoni kundër atyre që nuk besojnë në Perëndinë, as Ditën e Kijametit, që nuk e marrin për të ndaluar atë që e ka ndaluar Perëndia dhe Pejgamberi i Tij, dhe që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, - atyre që u është dhënë Libri, derisa të mos japin xhizje (tatim) me dorën e vet, të përulur.
Hebrenjt thonin: “Uzejri është i biri i Perëndisë, të krishterët thonin: “Isai është i biri i Perëndisë. Këto janë fjalët e tyre, nga goja e tyre, i imitojnë fjalët e mohuesve të mëparshëm. I vraftë Perëndia! Si po shmangën (nga e vërteta)!
Ata, përpos Perëndisë kanë konsideruar për zot dijetarët e tyre dhe murgët e tyre dhe Isain – të birin e Merjemit, kurse u është urdhëruar që të adhurojnë vetëm një Zot, - s’ka zot tjetër përveç Tij. Ai është shumë lartë nga ata të cilët i barazojnë me Te.
Ata dëshirojnë ta fikin dritën e Perëndisë me gojën e tyre, kurse Perëndia don vetëm ta plotësojë dritën e vet, e madje, edhe sikur ta urrejnë mohuesit.
Ai është që ka dërguar Pejgamberin e Tij me udhërrëfim (Kur’an) dhe fenë e vërtetë, për ta lartësuar mbi të gjitha fetë, e madje, edhe sikur ta urrejnë idhujtarët.
O besimtarë! Me të vërtetë, shumë priftërinj dhe murgë hanë pasurinë e popullit – pa të drejtë dhe zmbrapin njerëzit nga rruga e Perëndisë. E, ata që e grumbullojnë arin dhe argjendin dhe nuk e shpenzojnë në rrugën e Perëndisë (si janë urdhëruar), sihariqoji me dënim të dhëmbshëm,
(që do t’i goditë), në Ditën kur do të digjen në zjarrin e xhehennemit, e me të do të damkoset balli i tyre, anët (ijet) e tyre dhe shpina e tyre. (U thuhet atyre): “Këtë e keni mbledhur për vete; andaj, shijoni atë që e grumbulluat!”
Me të vërtetë, numri i muajve te Perëndia është dymbëdhjetë, sipas Librit të Perëndisë, prej ditës që i ka krijuar qiejtë dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë; ky është besim i drejtë. E, në këta, mos i bëni vetes zullum! Por luftoni të gjithë kundër idhujtarëve, ashtu si luftojnë ata të gjithë kundër jush. Të dini, se Perëndia është me ata që ruhen nga mëkatet.
Me të vërtetë ndërrimi i vendeve (të muajve të shenjtë) vetëm e rritë mohimin, me të cilin, mohuesit arrijnë në humbje: një vit e proklamojnë ate të lejueshëm e vitin tjetër, të ndaluar (luftimin), për ta plotësuar numrin e muajve që i ka ndaluar Perëndia, dhe e lejojnë atë që e ka ndaluar Perëndia. Atyre, iu janë dukur të bukura veprat e shëmtuara të tyre. Por Perëndia, nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që nuk besojnë.
O besimtarë! Çka kini që ngurroni, - thuajse jeni ngjitur për tokë – kur ju thuhet: “Dilni në luftë, në rrugën e Perëndisë! A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të përhershmes (amshueshmës). E, kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër – është shumë e vogël.
Nëse nuk shkoni në luftë, Ai (Perëndia) do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm dhe do t’ju ndërrojë me një popull tjetër, Atij ju nuk do të mund t’i bëni dëm asgjë. Se Perëndia është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.
Nëse ju nuk i ndihmoni atij (Pejgamberit), Perëndia i ka ndihmuar, kur e dëbuan mohuesit atë vetë të dytin, kur këta të dy ishin në shpellë, e kur i tha shokut të vet: “Mos u mërzit! Se, Perëndia, me të vërtetë është me ne!” E, Perëndia, e zbriti qetësinë mbi shokun e tij, kurse ate e ndihmoi me ushtrinë, të cilën ju nuk e keni parë. Dhe, bëri që fjala e mohuesve të jetë e poshtër, kurse fjala e Perëndisë të mbetet lartë. Me të vërtetë, Perëndia, është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
Dilni në luftë të lehtë e të rëndë (të gjithë pa dallim); dhe luftoni me pasurinë tuaj dhe trupin tuaj në rrugën e Perëndisë! Kjo është më mirë për ju, nëse dini!
Sikur ajo të ishte një gjë e afërt dhe udhëtimi mesatar, ata do të pasonin ty. Por atyre iu dukë rrugë e largët. Dhe ata do të betohen në Perëndinë: “Sikur të kishim mundur, me siguri do të dilnim bashkë me ju”; dhe kështu ata e shkatërrojnë vetveten, e Perëndia e di se ata janë gënjeshtarë.
Të faltë Perëndia ty: që u lejove atyre (të mungojnë nga lufta); derisa të kuptosh, se kush të flet të vërtetën dhe derisa t’i njohësh gënjeshtarët.
Nga ti nuk do të kërkojnë leje (të mungojnë), për të luftuar me pasurinë dhe trupin e tyre, ata që besojnë në Perëndinë dhe Ditën e Kijametit. E, Perëndia i di mirë ata që ruhen nga mëkatet.
Nga ti do të kërkojnë leje, vetëm ata që nuk besojnë në Perëndinë dhe Ditën e Kijametit dhe zemrat e atyre që dyshojnë. Ata, luhaten në dyshimin e vet.
E, sikur ata të donin të shkonin (në luftë), do ta përgatisnin pajisjen për të; por Perëndia nuk e pëlqeu shkuarjen e tyre në luftë, e prandaj, i pengoi ata me dembeli. Dhe atyre u është thënë: “Rrini me ata që janë ulur (si pleq e të sëmurë)!”
Sikur të kishin dalë me ju, ata do t’u shtonin juve vetëm të keqe dhe, në mesin tuaj do të shtinin ngatërresa, duke ju dëshiruar të keqen. E, në mesin tuaj ka edhe përgjues të tyre. E Perëndia i di zullumqarët.
Ata edhe më parë përpiqeshin të të bëjnë ngatërresa dhe t’i pshtjellojnë punët e tua, derisa erdhi e Vërteta dhe u tregua e qartë feja e Perëndisë, e ata e urrenin këtë.
Disa prej tyre thonë: “Më lejo (të mungoj në luftë) dhe mos më ço në sprovë!” Qe, ata, ranë pikërisht në sprovë. Me të vërtetë, skëterra i përfshinë mohuesit.
Nëse të gjen ty ndonjë e mirë, ata hidhërohen, e nëse të godet ndonjë e keqe, ata thonë: “Na, edhe më parë kemi qenë të matur, dhe kthehen te të vetët me gëzim.
Thuaj: “Do të na godas vetëm ajo që na ka caktuar Perëndia, Ai është Zoti ynë dhe vetëm te Perëndia le të mbështeten besimtarët!”
Thuaj: “A po pritni ju për ne – hiç tjetër – përveç njërën prej dy të mirave? E, na po presim që Perëndia t’ju godet me dënim nga ana e Tij ose me duart tona. Pra, pritni ju se edhe na me ju do të presim”.
Thuaj: “Shpenzoni me ëndje apo dhunë! Nga ju nuk do të pranohet kurrsesi. Ju, me të vërtetë jeni popull i korruptuar”.
E, lëmoshat e tyre nuk do të pranohen, ngase ata, nuk besojnë në Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij dhe namazit i janë qasur vetëm në mënyrë të ngathët, dhe nuk shpenzojnë (nga pasuria), veç se në mënyrë përbuzëse.
Le të mos ngazëllejë ty (o Muhammed!) pasuria e tyre, e as fëmijët e tyre! Se, Perëndia dëshiron t’i ndëshkojë me to në këtë jetë dhe t’ju dalë shpirti atyre duke qenë mohues.
Ata u betohen në Perëndinë se janë në fenë tuaj, por ata nuk janë me ju (prej muslimanëve), por janë popull frigacak.
Sikur ata të gjenin ndonjë strehim, shpellë apo vend mbrojtjeje, do të niseshin atje me nxitim.
Ke edhe të tillë që të qortojnë për shkak të ndarjes së lëmoshës. Nëse u jepet ajo – janë të kënaqur, e nëse nuk u jepet, përnjëherësh zemërohen.
Sikur të kënaqeshin ata, me atë që u ka dhënë Perëndia dhe Pejgamberi i Tij (do t’ishte më mirë për ta), dhe të thonin: “Na mjafton neve Perëndia; Perëndia do të na japë nga mirësitë e Veta, dhe Pejgamberi i Tij. Na, me të vërtetë, vetëm Perëndinë e dëshirojmë”.
Lëmosha u takon vetëm të varfërve, të gjorëve dhe atyre që e mbledhin atë (rrogë e nëpunësit që punon në atë lëmë), dhe atyre që duhet përfituar zemrat (në islamizëm); dhe për lirim nga skllavëria, dhe të ngarkuarve në borxhe, dhe për rrugën e Perëndisë, dhe udhëtarit të rastit. Këto janë dispozitat, e Perëndisë. Se, me të vërtetë, Perëndia është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.
Ka asosh që e shqetësojnë Pejgamberin dhe thonë: “Ai është vesh (dëgjon çdo gjë që i thuhet)”. Thuaj (o Muhammed): “Ai dëgjon atë që është e mirë për ju, beson në Perëndinë dhe u beson besimtarëve. Dhe ai është mëshirë për ata që besojnë”. E, ata që e shqetësojnë Profetin e Perëndisë, i pret ndëshkim i dhembshëm.
Ata ju betohen në Perëndinë për t’ju kënaqur juve, por Perëndia dh Pejgamberi i Tij, është më e drejtë me i kënaq, nëse janë besimtarë.
Vallë, a nuk dijnë ata, se ai që i kundërshton Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij, i është përgatitur zjarri i xhehennemit, në të cilin do të qëndrojnë përherë? Ky është poshtërim i madh!
Hipokritët druajnë se do të shpallet ndonjë sure, e cila do të larjmërojë se ç’ka në zemrat e tyre. Thuaj: “Talluni ju! Se, Perëndia, me të vërtetë do ta nxjerrë atë, cilës i druani ju”.
E, nëse i pyet ata (për këtë tallje), do të përgjigjen: “Na vetëm biseduam dhe u argëtuam”. Thuaj: “A mos vallë me Perëndinë, e versetet e Tij dhe Pejgamberin e Tij po talleni?”
Mos u arsyetohuni! Se, ju, mohuat fenë, pasi që patët besuar. Nëse Ne e falim një grup tuajin, do ta ndëshkojmë grupin tjetër, ngase ishin mëkatarë.
Hipokritët dhe hipokritet janë të ngjashëm me njëri-tjetrin: kërkojnë që të bëhen vepra të këqia e pengojnë të mirat dhe janë duarshtrënguar (koprracë). Ata kanë harruar Perëndinë, por edhe Ai, i harron ata (i la pa dhuratë, si të ishin të harruar). Me të vërtetë, hipokritët janë mëkatarë.
Perëndia u ka premtuar hipokritëve, hipokriteve dhe mohuesve – zjarrin e xhehennemit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë. Ai ju mjafton! Dhe Perëndia i ka mallkuar ata. Për ta ka dënim të vazhdueshëm.
(Ju jini) si ata para jush! Ata kanë qenë më të fortë se ju, kanë pasur më shumë pasuri dhe fëmijë. Ata janë kënaqurme veprat e veta (të kësaj bote), andaj edhe ju jeni kënaqur me veprën tuaj, ashtu siç janë kënaqur me veprën e vet ata para jush; edhe ju jeni dhënë pas të këqiave, ashtu siç ishin dhënë edhe ata. Ata janë, veprat e të cilëve do t’u zhduken në këtë botë dhe në tjetrën; ata janë të shkatërruar.
A nuk u erdh lajmi për ata që ishin para tyre: për popullin e Nuhit, për popullin e Adit dhe Themudit, për popullin e Ibrahimit, për banorët e Medjenit dhe për ata që janë dënuar me shkatërrim. Pejgamberët e tyre – u sollën dokumente të qarta. Perëndia nuk iu bëri zullum, por ata vetvetes i bënë zullum.
Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin: urdhërojnë që të bëhen vepra të mira, e pengojnë të këqiat, falin namazin, japin zeqatin, dhe i përulen Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Perëndia. Se, Perëndia me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
Perëndia u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve – kopshte të xhennetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, në të cilat do të banojnë përherë. Dhe (u ka premtuar) pallate të mrekullueshme në xhennetin e Edenit. E, kënaqësia prej Perëndisë është shpërblim më i madh. Kjo është lumturi e madhe.
O Pejgamber! Lufto kundër mohuesve dhe hipokritëve, dhe bëhu i ashpër ndaj tyre! Strehimi i tyre është skëterra, e ky është vendbanim i shëmtuar.
Hipokritët betohen në Perëndinë se nuk kanë folur. Por, ata, me të vërtetë, kanë thënë fjalën e mohimit dhe u zbuluan se janë mohues, pasi e patën pranuar haptazi islamizmin dhe synuan gjëra të paarritshme. Ata i urrenin (muslimanët), vetëm për shkak se Perëndia dhe Pejgamberi i Tij i kishin bërë të pavarur me të mirat e Tij. E, nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta. E, nëse e kthejnë shpinën, Perëndia do t’i ndëshkojë me dënim të rëndë në këtë jetë dhe në tjetrën, dhe ata nuk do të kenë në Tokë kurrfarë mbrojtësi as ndihmësi.
Ka nga ta që janë obliguar te Perëndia duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, me të vërtetë do të japim lëmoshë dhe me të vërtetë, do të bëhemi njerëz të mirë!”
E, kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e Veta, ata – me to u bënë koprracë dhe u kthyen – e ata edhe ashtu ishin të larguar (nga përulja Perëndisë).
Prandaj, Ai, ua përcolli (këtë sjellje) hipokrite në zemrat e tyre deri në ditën kur do të dalin para Tij, sepse, e shkelën premtimin dhenë Perëndisë. Ata e kishin zakon gënjeshtrën.
Vallë, a nuk e dinë ata, se Perëndia i di sekretet e tyre dhe bisedat e fshehta. Me të vërtetë, Perëndia është Ai, që i di të gjitha fshehtësitë.
Ata që i qortojën besimtarët të cilët japin lëmoshë me vullnet, edhe ata që nuk janë në gjendje, por megjithatë japin, (qoftë nga kafshata e vet), (hipokritët) tallen me ta. Por Perëndia tallet me hipokritët, dhe për ta ka dënim të dhëmbshëm.
U lute ti për ta ose nuk u lute, (njësoj është). Nëe ti do të kërkosh falje për ta edhe shtatëdhjetë herë, Perëndia nuk do t’i falë. Kjo është për shkak se ata e mohuan Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij. E, Perëndia, nuk e udhëzon në rrugë të mbarë popullin ngatërrestarë.
U gësuan ata që mbetën në shtëpitë e tyre, kundër Profetit të Perëndisë – ishte e neveritshme për ta lufta në rrugën e Perëndisë, - me pasurinë dhe trupin e tyre, dhe ata thanë: “Mos shkoni në luftë, nëpër vapë!” Thuaju: “Zjarri i xhehennemit është edhe më i nxehtë!” (Sikur ta dinin ata!)
Do të qeshin pak ata, e do të qajnë shumë; ky do të jetë dënimi për atë që e kanë merituar.
Dhe nëse të kthen Perëndia (nga lufta në Medine) te një grup i hipokritëve, e, ata kërkojnë leje nga ti, që të shkojnë me ty në luftë, thuaju (o Muhammed): “Kurrë nuk do të shkoni me mua në luftë dhe kurrë me mua nuk do tëluftoni kundër armikut! Ju, ishit të kënaqur kur nuk erdhët herën e parë, prandaj rrini me ata që ngelin pas (me gratë dhe fëmijët).
Askujt prej hipokritëve kur të vdesin, mos ia fal xhenazën, as mos rri afër varrit të tij, sepse ata e kanë mohuar Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij dhe kanë vdekur si ngatërrestarë.
Le të mos joshë (o Muhammed) pasuria e tyre dhe fëmijët e tyre! Se, Perëndia, don vetëm t’i ndëshkojë me to ata në këtë jetë, e të vdesin duke qenë mohues.
E, kur t’ju shpallet një sure (e t’ju thuhet atyre): “Besoni Perëndinë dhe luftoni së bashku me Pejgamberin e Tij!” pasanikët e tyre kërkuan leje dhe thanë: “Na lini të rrimë me ata që nuk shkojnë në luftë!”
Kënaqen të jenë me ata që nuk shkojnë në luftë, zemrat e tyre janë të vulosura e ata nuk kuptojnë!
Por, Pejgamberi dhe ata që besojnë në të, luftuan me pasurinë e tyre dhe trupin e tyre. Për ta ka çdo të mirë dhe ata janë të shpëtuar.
Perëndia u ka përgatitur këtyre kopshtet e xhennetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenjtë, e në të cilët do të banojnë përgjithmonë. Kjo është fitore e madhe!
Erdhën disa beduinë duke u arsyetuar për të kërkuar leje që të mos shkojnë (në luftë). Dhe munguan ata që e gënjyen Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij. E, prej atyre që mohuan, me të vërtetë, do t’i godet dënim i dhëmbshëm.
Nuk është mëkat mos të shkojnë në ushtri – të dobëtit (fizikisht), as të sëmurët, as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet, nëse janë të sinqertë ndaj Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij. S’ka arsye t’u bëhet asnjë vërejtje bamirësve. Se, Perëndia është falës dhe mëshirues,
(e nuk ka mëkat) as për ata, të cilët vijnë te ti për të kërkuar kafshë shalimi, e ti u thua: “Unë nuk mund t’ju sigurojë kafshë shalimi”; andaj ngase nuk mundën të gjejnë shpenzime (për luftë), ata kthehen e sytë e tyre rrjedhin lotë nga dëshpërimi që nuk mundën të gjejnë mjete shpenzimi,
e ka arsye t’u bëhet vërejtje vetëm atyre, të cilët kërkojnë leje nga ti, duke qenë të pasur. Ata, kënaqen të shoqërohen me ata që nuk shkojnë në luftë. Perëndia, ua ka vulosur zemrat e tyre, por ata nuk dijnë.
Kur të ktheheni në mesin e tyre, ata do të arsyetohen te ju. Thuaju: “Mos u arsyetoni, sepse, na nuk ju besojmë, meqë Perëndia na ka lajmëruar për qëllimet e juaja. Me siguri, Perëndia dhe Pejgamberi i tij do t’i shohin veprat tuaja; pastaj ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme, e do t’u lajmëroj për atë që keni punuar.
Ata betohen në Perëndinë, kur të ktheheni ju te ata, që të shmangeni prej tyre; pra, shmanguni prej tyre! Ata janë të ndytë dhe strehimi i tyre është skëterra. Ky është dënimi për veprat e tyre.
Ata u betohen juve, që të jeni të kënaqur me ta. Nëse ju do të jeni të kënaqur me ta, Perëndia, me siguri, nuk është i kënaqur me popullin ngatërrestar.
Beduinët janë mohuesit dhe hipokritët më të mëdhenj (se tjerët) dhe është e kuptueshme, që nuk i njohin dispozitat që ia ka shpallur Perëndia – Pejgamberit të Tij. E, Perëndia, është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.
Ndër beduinët ka të atillë, që shpenzimin në rrugë të Perëndisë e konsiderojnë si humbje, e presin që t’u godet juve fatkeqësia. Le t’i godet ata vallja e fatkeqësisë! E, Perëndia, i dëgjon dhe i di të gjitha.
E ka nga beduinët, që besojnë Perëndinë dhe Ditën e Kijametit dhe atë që e kanë shpenzuar (në rrugën e Perëndisë), e marrin për afrim te Perëndia dhe meritimin e bekimit të Pejgamberit. E, me të vërtetë, ai shpenzim i tyre, është afrim i tyre (te Perëndia). Perëndia ata do t’i shpie në mëshirën e Vet. Se, Perëndia, me të vërtetë, është falës dhe mëshirues.
Perëndia është i kënaqur me muslimanët e parë, muhaxhirët dhe ensarët (ndihmëtarët e Pejgamberit) dhe të gjithë ata që i pasuan në të mira, por edhe ata janë të kënaqur me Te; Perëndia për ta ka përgatitur kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj, ku ata do të jetojnë vazhdimisht dhe përgjithmonë. Kjo është fitore e madhe!
Ka beduin në mjedisin tuaj që janë hipokritë, por ka edhe ndër banorët e Medinës, që janë të shkathët në hipokrizi. Ti nuk i di ata. Na i dimë. Na do t’i dënojmë ata – dy herë e pastaj, do të kthehen në dënimin e madh.
Ndërkaq, disa të tjerë i pranojnë mëkatet e veta, sepse, i kanë përzier veprat e mira me të këqijat. Ka gjasë, që Perëndia, t’u pranojë pendimin e tyre. Me të vërtetë, Perëndia është falës dhe mëshirues.
Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën do t’i pastrojë ata dhe me të cilën do t’u rrisish veprat e mira. Lutu për ta. Me të vërtetë, lutja juaj është qetësim për ta. Dhe, Perëndia, i dëgjon dhe i di të gjitha.
A nuk e dinë ata, se vetëm Perëndia pranon pendimin nga robërit e vet dhe pranon lëmoshë, dhe se vetëm Ai është pranues i pendimeve dhe mëshirues.
Dhe thuaj: “Punoni, Perëndia, Pejgamberi i Tij dhe besimtarët do të shohin punë tuaj. Ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme, e do t’u lajmërojë për atë që keni punuar.
E ka edhe të tjerë, të cilët shpresojnë urdhërin e Perëndisë, - që ose do t’i dënojë ata, ose do t’ua pranojë pendimin – Dhe Perëndia, është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.
(Nga hipokritët janë) edhe ata që ndërtuan një xhami për t’i shkaktuar dëm, për ta forcuar mohimin, dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi, atyre që qysh më parë luftonin kundër Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij. Dhe ata betoheshin: “Na dëshirojmë vetëm vepër të mirë”. E, Perëndia, dëshmon se ata, me të vërtetë, janë gënjeshtarë.
Ti në atë kurrë mos bënë namaz. E, xhamia – themelet e së cilës iu vunë që në ditën e parë, në të mirën e Perëndisë, me të vërtetë, meriton që të bësh namaz në te. Në te, janë njerëzit, të cilët e duan pastërtinë. E, Perëndia, i do ata që pastrohen shumë.
Cili është më i mirë, - ai që themelet e godinës së vet i vënë në rrugën e Perëndisë dhe kënaqësinë e Tij, apo ai, që, themelet e godinës së tij i vënë në bregun e gërryer, e rrokulliset me të në zjarrin e xhehennemit? – E, perëndia, nuk don ta udhëzojë në rrugë të drejtë popullin zullumqarë.
Godinën që ata e ndërtuan është vazhdimisht një dyshim në zemrat e tyre, përderisa të mos u copëtohen zemrat e tyre. Perëndia është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm.
Perëndia, me të vërtetë, ka blerë nga besimtarët e vet trupin dhe pasurinë e tyre, për t’iu dhuruar xhennetin atyre. Ata luftojnë në rrugën e Perëndisë, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i tij i vërtetë në Teurat, Inxhil dhe Kur’an. E kush është më i plotë (më konsekuen) se Perëndia në premtim? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje të juaj, që e keni kontraktuar me Te, dhe kjo është fitore e madhe.
(Këta jën ata) që pendohen (për mëkatet e tyre), që e adhurojnë (Perëndinë), dhe e falenderojnë Atë, dhe agjërojnë, dhe bëjnë ruqu dhe sexhde, (falin namazin), urdhërojnë me vepra të mira, e pengojnë prej të këqiave dhe të cilët ruajnë dispozitat e Perëndisë. E sihariqoj besimtarët!
Nuk është për Pejgamberin dhe besimtarët, që të kërkojnë falje për idhujtarët, madje, qofshin edhe të afërm të tyre, pasi që t’ju bëhet e qartë se ata janë banorë të xhehennemit.
E, kërkesa e Ibrahimit për faljen e babës së tij, ka qenë vetëm për shkak të premtimit që ia kishte dhënë ai (Ibrahimi) atij. Por, kur iu bë e qartë se ai (babai i tij), është armik i Perëndisë, u tërhoq prej tij. Me të vërtetë, Ibrahimi ishte lutës i madh dhe i butë.
Perëndia nuk e humbë një popull pasi ta ketë udhëzuar në rrugë të drejtë, përderisa të mos u tregojë se prej se duhet të ruhen. Me të vërtetë, Perëndia, është i dijshëm për çdo gjë.
Me të vërtetë, Perëndisë i takon pushteti i qiejve dhe i Tokës. Jeta dhe vdekja janë vepra të Tij. Dhe ju, përveç Perëndisë, nuk keni as mik as ndihmës.
Perëndia, me të vërtetë, pranoi pendimin e Pejgamberit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkaun pas atij në çastin e vështirë, pasi që zemrat e disa prej tyre, për një fije qenë afër shmangies, pastaj Perëndia pranoi pendimin e tyre. Se, Ai, me të vërtetë, është i butë dhe i mëshirshëm ndaj tyre.
(Perëndia pranoi pendimin) edhe të atyre treve që patën munguar (në ushtri), dhe kjo, prej atëherë, kur toka – përkundër gjerësisë së saj, atyre iu dukë e ngushtë, dhe ishte shtrëngim për shpirtërat e tyre, dhe qenë të bindur se nuk ka strehim tjetër përveç Perëndisë, e pastaj Perëndia i përgatiti ata për pendim, që të pendohen. Me të vërtetë, Perëndia pranon pendimin dhe është mëshirues.
O besimtarë! Druajuni Perëndisë dhe bëhuni me ata që janë të drejtë!
Banorët e Medinës dhe beduinët që janë rreth saj, nuk është e drejtë të mungojnë (nga ushtria) pas Pejgamberit të Perëndisë, as të kursejnë jetën e tyre prej jetë së tij, sepse ata që janë në rrugën e Perëndisë – nuk do t’i godas as etja, as lodhja, as uria, e as që do të shkelin në ndonjë vend, që do t’i zemrojë mohuesit, as që do t’i gjejë gjë nga ana e armikut, e që ajo të mos iu shkruhet atyre si vepër e mirë. Me të vërtetë, Perëndia, bamirësve nuk do t’ua humbë shpërblimin.
dhe nuk do të japin kontribut as të vogël as të madh, as nuk do të kapërcejnë kurrfarë lugine e që ajo të mos u shënohet atyre. Le t’i shpërblen Perëndia, ata më mirë se që kanë punuar!
Nuk duhet të shkojnë (në ushtri) të gjithë besimtarët. E, pse të mos shkojë prej çdo grupi nga një njësi, që të mësohet në besim dhe kur të kthehet tek ata të këshillojë popullin e vet që t’i druajnë Perëndisë.
O besimtarë! Luftoni kundër mohuesve, që gjenden afër jush dhe le ta ndiejnë ata ashpërsinë tuaj. Dhe, dinie se Perëndia është me ata që ruhen nga mëkatet.
E, kur të shpallet ndonjë sure, disa prej tyre thonë: “Kujt prej jush kjo do t’ia shtojë besimn?” Sa i përket besimtarëve, atyre (kjo sure) ua shton besimin, dhe ata do të gëzohen,
e sa u përket atyre, zemrat e të cilëve janë të sëmura (me hipokrizi), atyre ua shton mohimin në mohimin që kanë dhe ata vdesin si mohues.
Vallë, a nuk shohin ata se çdo vit, një herë ose dy herë vihen në sprovë, e megjithatë, përsëri, as nuk pendohen as nuk këshillohen.
E, kur të shpallet ndonjë sure (që i qorton hipokritët), ata shikojnë njëri-tjetrin (dhe thonë): “A po ju sheh ndokush?” pastaj kthehen. Perëndia i shmangë zemrat e tyre, sepse ata janë popull që nuk kuptojnë!
Nga gjiu juaj u erdhi një pejgamber. Atij i vjen rëndë për mëkatet që bëni ju, por ai përpiqet që ju të shkoni rrugës së drejtë, dhe ndaj besimtarëve është i butë dhe mëshirues.
E, nëse ata zmbrapsen, thuaj: “Më mjafton mua Perëndia, s’ka zot tjetër përveç Tij. Unë mbështetem tek Ai, dhe Ai është Zot i gjithësisë madhështore (Arshit të Madh)!”