ﰡ
O i Dërguar! Kije frikë Allahun dhe mos i dëgjo jobesimtarët dhe hipokritët! Me të vërtetë, Allahu është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.
Bindju asaj që të është shpallur ty nga Zoti yt, se vërtet, Allahu e di mirë se çfarë bëni!
Mbështetu tek Allahu; Allahu të mjafton si mbrojtës!
Allahu nuk i ka dhënë asnjë njeriu dy zemra në kraharor. Ai nuk i konsideron gratë, që ju i ndani si nënat tuaja[254] e as fëmijët tuaj të birësuar nuk i konsideron si bij të vërtetë. Këto janë vetëm fjalë që dalin prej gojës suaj, kurse Allahu thotë të vërtetën dhe udhëzon në rrugë të drejtë.
____________________
[254] Vargu aludon për shprehjen “Më je bërë si shpina e nënës sime”, të cilën arabët paganë e përdornin si deklaratë divorci.
Thërritini të birësuarit sipas etërve të tyre! Kjo është më e drejtë në sytë e Allahut. Në qoftë se nuk e dini emrin e etërve të tyre, konsiderojini ata si vëllezërit tuaj të besimit dhe si të mitur nën tutelën tuaj. Nuk është gjynah nëse gaboni, por është gjynah, kur zemrat tuaja bëjnë faj me qëllim. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre. Sipas Librit të Allahut, pjesëtarët e farefisit janë më të afërt për njëri-tjetrin[255], sesa besimtarët e tjerë dhe të mërguarit[256], përveç rastit kur doni t’u bëni ndonjë të mirë miqve tuaj të afërt (me anë të testamentit). Kjo është shënuar në Libër.
____________________
[255] Për sa i përket trashëgimisë dhe të drejtave të tjera që rrjedhin nga afërsia e gjakut.
[256] D.m.th. ndjekësit e Profetit (a.s.) nga Meka në Medinë.
Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë solemne,
që Allahu të mund t’i pyesë të sinqertët për besnikërinë e tyre. Ndërsa për mohuesit Ai ka përgatitur dënim të dhembshëm.
O besimtarë! Kujtoni dhuntinë e Allahut kur ju erdhi një ushtri (idhujtarësh),[257] e Ne dërguam mbi ata erë dhe një ushtri (engjëjsh) që ju nuk e shihnit; ndërsa Allahu i sheh të gjitha ato që bëni ju.
____________________
[257] Bëhet fjalë për betejën e Hendekut, të zhvilluar në vitin 5 h / 627 e.s.
Ata ju sulmuan nga lart dhe nga poshtë, kështu që sytë tuaj u errësuan, zemrat ju erdhën në fyt dhe besimi juaj tek Allahu u lëkund.
Aty besimtarët u vunë në provë dhe u tronditën si nga një tronditje e fuqishme.
Por hipokritët dhe ata me zemra të sëmura e të dobëta, thanë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij nuk na kanë premtuar asgjë, pos mashtrimit”!
Dhe një grup prej tyre tha: “O banorët e Jethribit[258], s’ka qëndrim këtu për ju, andaj kthehuni!” Një grup tjetër nga ata kërkoi leje prej të Dërguarit, duke thënë: “Në të vërtetë, shtëpitë tona janë të pambrojtura”! Por ato nuk ishin të pambrojtura. Ata donin vetëm të iknin.
____________________
[258] Emri i Medinës para emigrimit të Profetit Muhamed (a.s.) në të.
Sikur armiku t’i pushtonte ata nga të gjitha anët e t’u kërkonte që të bëheshin idhujtarë, ata do të bëheshin duke ngurruar fare pak.
Ndërsa më parë i qenë betuar Allahut, se nuk do të zmbrapseshin. Për këtë besëlidhje me Allahun do të përgjigjen!
Thuaju: “Nuk do t’ju bëjë dobi të ikurit, nëse ikni prej vdekjes apo vrasjes. Edhe atëherë, ju do të kënaqeni vetëm për pak kohë!”
Thuaju: “Kush është ai, që do t’ju ruajë nga Allahu, nëse Ai dëshiron që t’ju godasë e keqja?! Kush mund ta pengojë Atë, nëse Ai do që t’ju japë mëshirë?!” Ata nuk do të gjejnë as mbrojtës, as ndihmës tjetër përveç Allahut.
Allahu i njeh mirë ata midis jush, që pengojnë (të tjerët nga vajtja në luftë) dhe u thonë vëllezërve të tyre: “Ejani te ne!” Vetëm pak prej tyre vijnë në luftë,
por edhe atëherë ngurrojnë që t’ju ndihmojnë. Kur frikësohen, ata të shikojnë ty (o Muhamed) për ndihmë, duke i rrotulluar sytë sikur të ishin në agoni. Por, sapo t’u kalojë frika, ata ju sulmojnë me gjuhë të mprehtë dhe janë koprracë me ju për çfarëdo të mire. Këta janë ata që nuk kanë besuar, andaj Allahu i ka asgjësuar veprat e tyre. E, kjo për Allahun është lehtë.
Ata mendonin se ende nuk kishte ikur ushtria e aleatëve e, nëse do të vinte ushtria e aleatëve, ata do të dëshironin të ishin në mesin e arabëve të shkretëtirës e të pyesin për ju. Por edhe sikur të mbeteshin me ju, pak do të luftonin.
Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.
Kur besimtarët e vërtetë panë ushtrinë e aleatëve, thanë: “Kjo është ajo që na ka premtuar Allahu dhe i Dërguari i Tij; sigurisht, premtimi i tyre u vërtetua!” Kjo ua forcoi atyre besimin dhe përuljen.
Midis besimtarëve ka të atillë që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.
Nuk ka dyshim se Allahu do t’i shpërblejë të sinqertët për sinqeritetin e tyre e do t’i dënojë hipokritët, nëse do, ose do t’u pranojë pendimin. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
Allahu i zmbrapsi jobesimtarët (e ushtrisë së aleatëve) me hidhërimin e tyre dhe ata dolën duarbosh. Ai i kurseu besimtarët nga lufta. Vërtet, Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm.
Ai i nxori nga kështjellat e tyre ithtarët e Librit që ndihmuan ushtrinë e aleatëve[259] dhe mbolli frikë në zemrat e tyre, kështu që një pjesë të tyre i vratë dhe pjesën tjetër i zutë robër.
____________________
[259] Ata ishin hebrenjtë e fisit Beni Kurejdha.
Ai ju bëri trashëgimtarë të tokës, shtëpive dhe pasurive të tyre, si dhe të një toke që nuk e kishit shkelur më parë[260]; Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
____________________
[260] Bëhet fjalë për oazën e Hajberit.
O i Dërguar! Thuaju grave tuaja: “Nëse dëshironi jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, ejani, unë do t’ju lë të kënaqeni për ca kohë dhe do t’ju lëshoj si është më mirë.
Por, nëse dëshironi Allahun, të Dërguarin e Tij dhe botën tjetër, dijeni se Allahu ka përgatitur shpërblim të madh për ato prej jush që bëjnë vepra të mira.”
O gratë e të Dërguarit! Ato prej jush që bëjnë ndonjë turp të hapur, do të kenë ndëshkim të dyfishtë; kjo për Allahun është e lehtë.[261]
____________________
[261] Zoti i këshillon femrat, duke marrë shembull, së pari, gratë e Profetit a.s., e mandej edhe të gjitha gratë e besimtarëve. Ai i urdhëroi ato që të mos e kundërshtonin Profetin a.s. në asnjë mënyrë. Kështu, ato gra të Profetit që bënin vepra të mira, shpërbleheshin dyfish. Gratë e Profetit, meqë kishin mësuar në shtëpinë e tij, kanë pasur për detyrë që t’i këshillonin gratë e popullit. Nga këto kuptojmë se njerëzit e mëdhenj të fesë, kur bëjnë një punë të mirë, shpërblehen dyfish. Nga ana tjetër, për një punë të keqe - dënohen dyfish. Pra, burrat e gratë që janë shembull në popull, në pikëpamje të fesë, për ata shpërblimi, si dhe dënimi është i dyfishtë. Kurse, të gjithë të tjerët - burra e gra, - janë në pozitë të barabartë (përkthyesi).
Ndërsa atyre prej jush që binden ndaj Allahut e të Dërguarit të Tij dhe bëjnë vepra të mira, Ne do t’u japim shpërblim të dyfishtë e u kemi përgatitur begati të mëdha.
O gratë e të Dërguarit! Ju nuk jeni si gratë e tjera. Nëse i frikësoheni Allahut, mos flisni me përkëdheli, që të mos ju dëshirojë ai që ka zemër epshore, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!
Qëndroni në shtëpitë tuaja e mos i zbuloni stolitë tuaja, ashtu siç zbuloheshin në kohën e padijes[262]! Falni namazin, jepni zekatin dhe bindjuni Allahut e të Dërguarit të Tij! O familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë[263] dhe t’ju pastrojë plotësisht.
____________________
[262] D.m.th në periudhën para-islame. [263] D.m.th. gjynahet.
Mbani në mendje ato që lexohen në shtëpitë tuaja prej Shpalljes së Allahut dhe Urtësisë (profetike)! Me të vërtetë, Allahu është Bamirës i pakufishëm dhe di çdo gjë.
Me të vërtetë që për myslimanët dhe myslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh.
Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.
Ti (o Muhamed) i the atij,[264] që Allahu dhe ti vetë i keni bërë mirësi: “Mbaje gruan tënde dhe frikësoju Allahut!” Në të vërtetë, ti po fsheh në vetvete atë që Allahu do ta nxjerrë në shesh[265] dhe ti po u frikësohesh njerëzve, kur më e drejtë është t’i frikësohesh Allahut. E, pasi Zejdi bashkëjetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë ty për bashkëshorte, në mënyrë që besimtarët të mos ngurrojnë që të martohen me gratë e të birësuarve të tyre, pasi ata ta kenë plotësuar dëshirën e tyre dhe të jenë ndarë. Urdhri i Allahut do të përmbushet detyrimisht.
____________________
[264] D.m.th. Zejd ibn Harithit, djalit të birësuar të Profetit (a.s.).
[265] D.m.th. urdhrin që mori nga Zoti për t’u martuar me gruan e Zejdit, pasi ky ta ndante atë, në mënyrë që myslimanët ta dinë se është e lejuar martesa me gruan e divorcuar të bijve të adoptuar.
S’ka kurrfarë fajësimi për Profetin, kur bën atë që i ka urdhëruar Allahu. Kështu ka qenë ligji i Allahut edhe për ata (profetë) që kanë qenë më parë, - urdhri i Allahut është vendim i detyruar të ndodhë -,
e të cilët kumtuan shpalljet e Allahut dhe i frikësoheshin Atij e askujt tjetër përveç Tij. Allahu mjafton si llogaritës.
Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj[266], por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
____________________
[266] Profeti (a.s.) nuk ka lënë asnjë trashëgimtar mashkull.
O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun
dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!
Është Ai që ju bekon, ndërkohë që engjëjt e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.
Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe”. Ai u ka përgatitur atyre shpërblim bujar.
O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues;
njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.
Jepu lajmin e mirë besimtarëve se Allahu ka (përgatitur) për ata dhunti të madhe!
Mos i dëgjo mohuesit dhe hipokritët! Mos i përfill fyerjet e tyre dhe mbështetu tek Allahu; Allahu mjafton për mbrojtës.
O besimtarë! Kur martoheni me besimtaret dhe i ndani ato para se t’i prekni, ato nuk janë të detyruara t’ju presin në afatin kohor të caktuar, por jepuni një dhuratë të kënaqshme dhe i ndani njerëzishëm.
O Profet! Ne t’i kemi lejuar ty (për martesë), gratë që u ke dhënë dhuratat e martesës, skllavet, që t’i ka dhënë ty Allahu (si pre të luftës), vajzat e xhaxhallarëve, hallave, dajave dhe tezeve të cilat mërguan bashkë me ty, si edhe gruan besimtare, që u vetëdha për Ty, nëse Ti dëshiron të martohesh me atë. Kjo të është lejuar vetëm ty e jo besimtarëve të tjerë. Ne e dimë çfarë u kemi caktuar atyre për gratë e tyre dhe për ato që gjenden nën pushtetin e tyre, që për ty të mos ketë fajësim. Allahu është Falës e Mëshirëplotë.[267]
____________________
[267] Profeti Muhamed a.s., kishte themeluar një institucion teologjik të femrave (një lloj fakulteti i asaj kohe), por atë e kufizoi vetëm për gratë e veta. Atij i erdhi një leje prej Zotit, që, nëse dëshironte të zgjeronte këtë veprimtari, mund të merrte edhe një grua tjetër. Por kjo leje ishte vetëm për të. Kjo kishte rëndësi të madhe për përhapjen e diturisë te femrat (përkthyesi).
Ti mund ta largosh kë të duash prej tyre e të afrosh kë të duash e nuk është gjynah për ty t’i kërkosh (ato) prej të cilave je larguar. Kjo është më e përshtatshme që ato të gëzohen, që të mos pikëllohen dhe që të jenë të kënaqura me atë që u ke dhënë. Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja; Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Butë.
Këtej e tutje nuk të lejohen më gra të tjera, as të marrësh tjetër grua në vend të tyre, edhe sikur të të magjepsë bukuria e tyre, përveç skllaveve. Allahu është mbikëqyrës për çdo gjë.
O besimtarë, mos hyni në shtëpitë e të Dërguarit, përveç rastit kur ju është dhënë leje për të ngrënë, por jo të pritni përgatitjen e tij (ushqimit)! Hyni vetëm kur t’ju thërrasin dhe, pasi të hani, shpërndahuni! Mos qëndroni pas ushqimit për të biseduar me njëri-tjetrin. Kjo, me të vërtetë, e shqetësonte të Dërguarin e ai turpërohej (që t’jua thoshte këtë), ndërsa Allahu nuk turpërohet që t’jua thotë të vërtetën. Kur të kërkoni prej grave të Profetit diçka, kërkojeni prapa perdes! Kjo është më e pastër për zemrat tuaja dhe të atyre. Juve nuk ju lejohet që ta shqetësoni të Dërguarin e Allahut, as që të martoheni me gratë e tij pas (vdekjes së) tij. Kjo është vërtet gjynah i madh para Allahut.
Çfarëdo që të shfaqni apo të fshihni, (dijeni se) Allahu është vërtet i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
Nuk është gjynah për ato,[268] nëse dalin të pambuluara para etërve të tyre, djemve të tyre, vëllezërve dhe djemve të vëllezërve të tyre, djemve të motrave të tyre e grave të tyre, si dhe para skllaveve që janë nën pushtetin e tyre. Frikësojuni Allahut, se, me të vërtetë, Allahu është dëshmitar për çdo gjë.
____________________
[268] D.m.th. gratë e Profetit (a.s.).
Vërtet, Allahu e bekon të Dërguarin dhe engjëjt e Tij luten për atë. O besimtarë, lutuni për atë dhe përshëndeteni me “selam”!
Pa dyshim, ata që fyejnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, i mallkon Allahu në këtë botë dhe në tjetrën. Ai ka përgatitur për ta ndëshkim poshtërues.
Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, i kanë ngarkuar vetes fajin për shpifje dhe një gjynah të qartë.
O Profet, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët. Me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
Nëse nuk heqin dorë (nga veprimet e tyre) hipokritët, ata që kanë sëmundje (dyshimi) në zemrat e tyre dhe ata që përhapin lajme të gënjeshtërta në Medinë, Ne me siguri, ty do të të japim pushtet mbi ta dhe ditët e tyre në Medinë do të jenë të numëruara.
Ata janë të mallkuar kudo që të gjenden dhe do të kapen e do të vriten pa mëshirë.
Kështu ka qenë ligji i Allahut edhe për ata që kanë qenë më parë! Ti kurrsesi nuk do të gjesh ndryshim në ligjet e Allahut.
Njerëzit të pyesin për Orën (Kiametin), thuaju: “Vetëm Allahu ka dijeni mbi atë”. Kush e di?! Ndoshta Kiameti mund të jetë afër?!
Vërtet, Allahu i ka mallkuar jobesimtarët dhe ka përgatitur për ata zjarr të flakëruar,
në të cilin ata do të qëndrojnë përgjithmonë; aty nuk do të gjejnë as mbrojtës, as ndihmës.
Ditën, kur fytyrat e tyre do të rrotullohen në zjarr, ata do të thonë: “Ah, sikur t’i ishim bindur Allahut dhe të Dërguarit!”
Dhe do të thonë: “O Zoti ynë, ne iu bindëm parisë tonë dhe eprorëve tanë, por ata na shmangën prej rrugës së drejtë.
O Zoti ynë, atyre jepu dënim të dyfishtë dhe mallkim të madh!”
O besimtarë, mos u bëni si ata, që e shqetësuan Musain. Allahu e çliroi atë nga përgojimet e tyre; ai është i nderuar në sytë e Allahut.
O besimtarë, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën.
Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.
Ne ua ofruam përgjegjësinë[269] qiejve, Tokës dhe maleve, por ato nuk pranuan ta marrin përsipër dhe u frikësuan ta pranojnë atë, kurse njeriu e pranoi. Me të vërtetë, njeriu u tregua i padrejtë me veten dhe i paditur (për pasojat e kësaj përgjegjësie).
____________________
[269] Pra, përgjegjësinë e lirisë së zgjedhjes midis kryerjes apo moskryerjes së detyrimeve, që ka urdhëruar Allahu, përkundrejt shpërblimit ose ndëshkimit nga Ai.
Si pasojë, Allahu do t’i dënojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, ndërsa do t’ua pranojë pendimin besimtarëve dhe besimtareve. Vërtet Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.