ترجمة سورة الأحقاف

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة الأحقاف باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Hâ, Mîm.

(Kjo është) Shpallja e Librit prej Perëndisë, të Plotëfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm!

Ne, kemi krijuar qiejt dhe Tokën dhe çka gjendet në mes tyre – me qëllim të plotë dhe me afat të caktuar, por mohuesit shmagen nga ajo që u është paralajmëruar.

Thuaju (atyre): “Më tregoni ju për ata që i adhuroni, pos Perëndisë? Më dëftoni ju se çka kanë krijuar ata në Tokë, apo a kanë ndonjë pjesëmarrje ata në (krijimin) e qiejve? Ma sillni Librin e shpallur para këtij (Kur’anit) apo vetëm ndonjë gjurmë nga dijenia, nëse jeni të vërtetë”.

Kush është më i humbur se ata, të cilët, pos Perëndisë, u luten atyre të cilët nuk mund t’u përgjigjen deri në Ditën e Kijametit, e ata janë të pakujdesshëm ndaj lutjes së tyre.

E, kur të ringjallen njerëzit, ata (të adhuruarit, pos Perëndisë), do të jenë armiq të tyre (adhuruesve) dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre.

E, kur t’u lexohen ajetet Tona të qarta, mohuesit thonë për të Vërtetën – posa të dëgjojnë: “Kjo është magji e qartë!”

Ose ata thonë: “Ai (Muhammedi) e trilloi atë (Kur’anin)”. Thuaju (atyre): “Por, nëse unë e trilloj atë, ju nuk do të mund të më ndihmoni asgjë nga dënimi i Perëndisë. Ai di më së miri përse zhyteni në trillime për të (Kur’anin). Mjafton Ai dëshmitar mes meje dhe jush. Ai është Falës dhe Mëshirues”.

Thuaju (atyre): “Unë nuk jam i pari profet (i ardhur në këtë Botë) dhe unë nuk di çka do të ndodhë me mua ose me ju. Unë ndjek vetëm atë që më është shpallë dhe unë jam vetëm paralajmërues i qartë”.

Thuaju (atyre): “Më thuani ju mua se çka do të bëhet me ju nëse Kur’ani është prej Perëndisë, e ju e mohoni, e ka dëshmuar (për të) dikush prej bijve të Israelit në shembullin e tij e besoi, kurse ju u bëtë mendjemëdhenj (nuk besuat)!” Me të vërtetë, Perëndia, nuk e udhëzon (në rrugë të drejtë) popullin zullumqarë.

Dhe, mohuesit thonë për besimtarët: “Sikur të ishte ndonjë e mirë (besimi në Kur’an), ata nuk do të na kishin tejkaluar në këtë”. E, ngase ata nuk u udhëzuan me te në rrugën e drejtë, me siguri do të thonë: “Ky është trillim i lashtë”.

E, para Kur’anit ka ekzistuar Libri i Musait – udhërrëfyes dhe mëshirë. E, ky (Kur’ani), Libër vërtetues (i librave të shpallur) në gjuhën arabe për t’i paralajmëruar ata që bëjnë zullum dhe për t’i sihariquar bamirësit.

Me siguri, ata që thonë: “Zoti ynë është Perëndia! – dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, për ta nuk ka kurrfarë droje dhe as që do të pikëllohen.

Ata janë banorë të xhennetit, në të do të qëndrojnë përherë, dhe ky do të t’u jetë shpërblim për atë që kanë punuar.

Njeriut i kemi rekomanduar mirësi (sjellje të mira) ndaj prindërve të vet. Nëna e ka mbajtur me mund dhe lindur me mund atë, e mbajtja dhe të dhënit gji është tridhjetë muaj, e kur të arrijë në moshën e pjekurisë dhe t’i mbushë dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im, më nxit që të falenderohem me dhuntinë Tënd me të cilën më ke dhuruar mua dhe prindërit e mi, dhe, që të bëj vepra të mira, me të cilët Ti do të jesh i kënaqur, dhe bëni të mirë pasardhësit e mi; unë me të vërtetë, pendohem (kthehem) te Ti dhe unë jam musliman”.

Ata janë të atillë, prej të cilëve Ne i pranojmë veprat e mira të tyre, e i kapërcejmë veprat e tyre të këqia (nuk i dënojmë për to); ata do të jenë banorë të xhennetit; ky është premtimi i vërtetë, që u është premtuar.

E, ai që u ka thënë prindërve të vet: “Uf ju! A po më premtoni se do të ringjallem kur para meje kanë kaluar shumë gjenerata (e nuk janë ringjallë)!” – e ata (prindërit) i drejtohen Perëndisë, për ndihmë (duke i thënë pasardhësit): “Kuku për ty (nëse nuk pendohesh)! Beso, me të vërtetë, premtimi i Perëndisë është i sigurt! Ai (pasardhësi) përgjigjet: “Këto janë vetëm përralla të lashta!”

Ata janë prej atyre, ndaj të cilëve është plotësuar Fjala (e dënimit) mbi popujt: xhindët dhe njerëzit që kanë qenë para tyre, sepse ata, me të vërtetë, janë shkatërruar.

Për të gjithë do të ketë shkallë të caktuara, për atë që kanë punuar, për t’i shpërblyer (dhe dënuar) sipas veprave të tyre, - e nuk do t’ju bëhet atyre padrejtësi.

(Kujtoju) Ditën, kur ata që kanë mohuar i ekspozohen zjarrit (e u thuhet atyre): “Ju keni shfrytëzuar kënaqësitë tuaja në jetën tuaj në tokë dhe jeni kënaqur me to, e sot do të ndëshkoheni me dënim të poshtëruar, ngase jeni madhështuar në Tokë pa kurrfarë të drejte dhe ngase keni bërë ngatërresa”.

Kujtoje vëllain e Adit (Hudin), kur e paralajmëroi popullin e vet në Ahkaf, e ka pasur paralajmërues edhe para tij edhe pas tij (kur u tha atyre): “Adhuronie vetëm Perëndinë! Unë, me të vërtetë, druaj se do t’ju godet dënimi i Ditës së Madhe! –

ata u përgjegjën: “Vallë, a ke ardhur të na shmangësh neve prej hyjnive tona. Sillna atë (dënim) që po na premton, nëse thua të vërtetën!” -

Ai u tha (atyre): “Vetëm te Perëndia është dijenia e (dënimit), e unë vetëm u lajmëroj juve me atë që jam dërguar, por unë po shoh se jeni popull i zhytur në injorancë”.

E, kur e panë atë (rénë – dënimin) që u duk dhe që vinte në drejtim të luginave të tyre, thanë: “Kjo ré na sjell shiun neve!” – (E, Hudi tha): “Jo, kjo është ajo që ju e keni shpejtuar: frymë në të cilën ka dënim të dhembshëm,

e cila, me urdhërin e Perëndisë, shkatërron çdo gjë”. E, në mëngjes u panë vetëm shtëpiat e tyre të zbrazëta; kështu Ne e ndëshkojmë popullin mëkatar.

Ne, i kemi vendosur ata në aso gjendje (të volitshme), në çfarë nuk u kemi vendosur juve (o Mekkas) dhe u kemi dhënë atyre të dëgjuarit, të pamurit dhe zemrën (mendjen), por as të dëgjuarit e tyre, as të pamurit e tyre, as mendja e tyre, nuk u kanë sjellë kurrfarë dobie, ngase mohuan argumentet e Perëndisë, e ata i goditi ajo me të cilën talleshin.

Me të vërtetë, Ne i kemi shkatërruar vendbanimet për rreth jush, e madje edhe u kemi shpjeguar atyre, (në mënyra ta ndryshme) argumentet Tona, për t’u kthyer ata (prej mohimit).

E, përse ata (idhujt) nuk u ndihmuan atyre, të cilët i kanë marrë, pos Perëndisë, për afrues (ndërmjetësues) te Perëndia? Por, ata nuk ekzistuan. Këto ishin vetëm gënjeshtrat e tyre dhe ato që shpifnin.

Dhe, (kujtoju atyre kohën) kur t’i dërguam ty disa xhindë për të dëgjuar Kur’anin. Kur morën pjesë (në të dëgjuarit e Kur’anit), ata i thanë (njëri-tjetrit): “Heshtni!” E, kur përfundoi (të lexuarit), u kthyen te populli i tyre si paralajmërues.

Ata thanë: “O populli ynë! Na dëgjuam Librin, të shpallur mas Musait, i cili vërteton se janë të vërteta edhe ato para tij, i cili udhëzon kah e vërteta dhe në rrugën e drejtë.

O populli ynë, përgjigjuni ju grishtarit të Perëndisë dhe besoni Atij! Ai do t’ua falë disa mëkate tuaja dhe do t’ju shpëtojë prej dënimit të dhembshëm.

E, ai që nuk i përgjigjet grishtarit të Perëndisë, të atillë nuk do të mund t’i ikin Atij në Tokë dhe për ta s’ka mbrojtës, pos Perëndisë. Ata janë në humbje të madhe.

A nuk shohin ata që Perëndia – i cili krijoi qiejt dhe Tokën, i cili nuk është lodhur në krijimin e tyre – është i pushtetshëm t’i ngjallë të vdekurit? Po, me të vërtetë, Ai është i pushtetshëm për çdo gjë.

(Kujtoju) Ditën kur ata që kanë mohuar do t’i ekspozohen zjarrit (e u thuhet atyre): “Vallë, a nuk është kjo e vërtetë?” Ata, thonë: “Po, pasha Zotin tonë!” Ai do t’ju thotë (atyre): “E, pra, shijoni dënimin për mohimin që keni bërë!”

E, ti bëhu i durueshëm (o Muhammed) ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje pejgamberët e tjerë dhe mos kërko shpejtimin e dënimit për ta! E, atë Ditë kur të përjetojnë atë që u është premtuar atyre (dënimi), do t’u duket atyre, se (në këtë botë), kanë qëndruar vetëm një çast të ditës. (Kjo është) shpallje! E, kush do të shkatërrohet tjetër, pos popullit ngatërrestar!?
Icon