ترجمة سورة الزمر

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة الزمر باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


(Kjo është) Shpallja e Librit nga Allahu i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm!

Njëmend, Ne ta kemi zbritur ty Librin me të vërtetën e qartë. Andaj adhuroje Perëndinë sinqerisht në besim!

Ah, vetëm për Perëndinë është adhurimi i sinqertë. E, ata që marrin përveç Perëndisë, mbrojtës, (thonë): “Ne i lutemi atyre vetëm që të na afrojnë te Perëndia” – Perëndia, me të vërtetë, gjykon ndërmjet tyre për atë që nuk janë pajtuar. Me siguri, Perëndia nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues.

Sikur të donte Perëndia të marrë një fëmijë, Ai do të zgjidhte nga ata që i ka krijuar – çka të dojë. Qoftë lavdëruar Ai; Ai është Perëndi i Vetëm dhe Ngadhnjimtar!

Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me qëllim të plotë; Ai e mbështjellë natën në ditë dhe ditën në natë, Ai e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën. Të gjitha lëvizin deri në kohë (shkallë) të caktuar. Ah, Ai është i Fuqishëm dhe Falës.

Ai ju ka krijur prej një njeriu (Ademit); pastaj, prej tij ka krijuar shoqen e tij dhe Ai u ka krijuar tetë lloj kafshësh; Ai ju krijon në barqet e nënave tuaja, duke iu dhanë formë pas forme në tri errësira. Ky është, Perëndia – Zoti juaj, i Tij është i tërë pushteti, nuk ka zot tjetër pos Tij, e pra, nga po ia mbani ju?

Nëse ju e mohoni (Atë), me të vërtetë, Perëndia është i pavarur prej jush, por Ai nuk është i kënaqur me mohimin e robërve të Tij; e është i kënaqur me ju, nëse e falenderoni. Asnjëri (mëkatar), nuk do t’i bartë mëkatet e tjetrit! Pastaj, do të ktheheni te Zoti juaj, e Ai pastaj do t’u informojë për atë që keni punuar sepse, me të vërtetë, Ai di se ç’keni në zemrat tuaja.

Kur njeriun e godet një e keqe, ai i lutet Zotit të vet, duke iu drejtuar krejtësisht, e kur atij t’i kthehet një e mirë prej Tij, ai harron atë për të cilën më parë iu lut Perëndisë dhe i bënë shok Perëndisë, andaj largohet nga rruga e Tij (Perëndisë). Ti thuaj (atij mohuesit): “Kënaqu pak me mosbesimin tënd! Ti, me siguri, do të jeshë nga banorët e zjarrit!

(A më i mirë është ky) apo ai që bën lutje natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet (nga dënimi) i jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij...? Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë? Vetëm mentarët i pranojnë këshillat!

Thuaj: “O robërit e mi, që keni besuar, ruajuni prej (dënimit) të Zotit tuaj! Ata që bëjnë mirë në këtë jetë do të kenë të mira, e toka e Perëndisë është e gjerë. Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë”.

Thuaj: “Mua më është urdhëruar që ta adhuroj Perëndinë dhe ndaj Tij të jem i sinqertë në besim,

dhe më është urdhëruar që të bëhem musliman i parë.

Thuaj: “Unë, me të vërtetë, druajn – nëse kundërshtojë Zotin tim, dënimit të Ditës së madhe”.

Thuaj: “Vetëm Perëndinë e adhuroj sinqerisht me besimin tim të plotë,

e ju adhuroni, përveç Perëndisë, kë të doni!” Thuaj: “Me të vërtetë, do të jenë në humbje ata që kanë humbur veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kijametit. Ka, kjo është humbje e madhe!”

Mbi ta dhe nën ta do të ketë shtresa të zjarrit. Me këtë, Perëndia i frikon robërit e Vet. “O robërit e Mi, ruajuni (dënimit Tim)!”

Ata që shmangen nga adhurimi i idhujve e kthehen kah Perëndia, për ta ka gëzim. Gëzoi pra (o Muhammed) robërit e Mi,

të cilët dëgjojnë fjalën (Kur’anin) e pasojnë atë që është më mirë. Këta janë ata që Perëndia i ka orientuar në rrugë të drejtë dhe ata janë të mençur.

Mos vallë, a ti do ta shpëtosh atë që e ka merituar dënimin, ta nxjerrësh atë që është në zjarr?

Ndërkaq, ata që i frikohen Zotit, do të kenë dhoma kat-kat – pranë të cilave rrjedhin lumenjtë. (Ky është) premtim i Perëndisë, (e) Perëndia nuk e shkelë premtimin (e Vet).

A nuk po sheh që Perëndia ka zbritur ujin (shiun) prej qiellit, e shpie (shpërndanë) atë nëpër burime në tokë, mandej me të nxjerrë të lashta të llojllojshme, ngjyrash të ndryshme, pastj thahen dhe i sheh të zverdhura, e mandej i shkatërron ato. Me të vërtetë, në të gjitha këto, ka këshilla për ata që janë të mençur.

A thua a është i (njëjtë) ai të cilit Perëndia ia ka hapur zemrën për islamizëm, e ai është në dritën e Zotit të vet...? Mjerë për ata që e kanë zemrën të pandishme kur përmendet Allahu; të tillët janë në humbje të qartë!

Perëndia e ka shpallur fjalën më të bukur – Librin (Kur’anin), pjesët e të cilit i gjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrënqethet lëkura atyre që frikohen prej Zotit të tyre, e mandej qetësohen dhe kënaqen lëkurat dhe zemrat e tyre, kur përmendet Perëndia (dhe premtimi i Tij). Ky Libër është udhëzim i Perëndisë, me të Perëndia e udhëzon kë të dojë, e kë Perëndia e shpie në humbje, s’ka kush që mund ta udhëzojë.

A është (i barabartë) ai që e ruan veten prej dënimit të rëndë në Ditën e Kijametit (dhe ai që nuk e ruan)? (Atëhrë) zullumqarëve, u thuhet: “Shijoni atë që keni punuar!”

Kanë përgënjeshtruar ata që kanë qenë para tyre (Mekkasve), e u erdhi atyre dënimi prej nga nuk e pritnin.

Dhe, Perëndia u ka dhëna tyre ta shijojnë poshtërimin në këtë jetë, e dënimi i jetës tjetër është më i madh, sikur ta dinin ata (këtë)!

Dhe, me të vërtetë, u kemi sjellë njerëzve shembuj në këtë Kur’an për çdo gjë, për t’u këshilluar,

në Kur’anin në gjuhën arabe, në të cilin nuk ka kurrfarë kundërthëniesh, e që t’i druajnë Zotit të tyre.

Perëndia ka sjelël si shembull (krahasimi) njeriun (robin), i cili ka shumë bashkëpronarë të padurueshëm që e kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe njeriun (robin), i cili (i takon) vetëm një pronari (dhe e dëgjon vetëm atë). A është pozita e këtyre dyve e barabartë? Lavdi Perëndië, nuk është (e barabartë), por shumica e tyre nuk e dinë këtë!

Me të vërtetë, do të vdesësh ti, e me të vërtetë, do të vdesin edhe ata,

e pastaj, në Ditën e gjykimit, te Zoti juaj do të polemizoni.

Kush është më i keq se ai që gënjen (trillon) për Perëndinë dhe konsideron gënjeshtër të Vërtetën (Kur’anin), kur i erdhi ajo? A nuk është skëterra vendstrehim për mohuesit?

E, ai që ka sjellë të Vërtetën (Muhammedi) dhe (ata) që i kanë besuar asaj janë të ruajtur (nga të këqiat),

ata do të kenë, çka të duan te Zoti i tyre; e ky është shpërblim për bamirësit,

që Zoti t’ua mbulojë atyre veprimet më të këqia që i kanë bërë dhe t’i shpërblejë për veprat më të mira që i kanë bërë.

A nuk i mjafton Zoti robit të Vet? E ata të frikojnë ty me zotëra, pos Tij (Perëndisë). Kë e shpie Perëndia në humbje për të ska kurrfarë udhëzuesi.

E kë e udhëzon Perëndia, (atë) s’ka kush e shpie në humbje. A nuk është i fuqishëm Perëndia që dënon (mëkatarët).

Nëse ti i pyet ata se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me siguri do të thonë: “Perëndia” – Thuaju: “A mendoni për ata që i adhuroni ju përveç Perëndisë – që mund ta evitojnë të keqen e Tij, nëse Perëndia don të ma dërgojë, ose a mund ta pengojnë mëshirën e Tij, nëse Ai don të më dërgojë (atë mëshirë)”. Thuaj: “Më mjafton Perëndia. Tek Ai mbështeten ata që kërkojnë mbështetje”.

Thuaj: “O populli im! Ju punoni sipas gjendjes suaj, e unë do të punojë (ashtu siç po punojë), e së shpejti do ta dini,

kë do ta arrijë dënimi poshtërues dhe kë do ta arrijë dënimi i përhershëm”.

Ne, ta kemi zbritur ty Librin (Kur’anin), për dobi të njerëzve, me të vërtetën; e kush shkon në rrugë të drejtë, ai e ka për dobi të vet, e kush e humbë këtë rrugë, ai humb në dëm të vet, e ti (o Muhammed), nuk je përgjegjës për punët e tyre.

Perëndia iu merr shpirtërat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes, por dhe atyre që nuk kanë vdekur e janë në gjumë, e ai ndalë shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, e të tjerëve ua kthen shpirtërat deri në kohën e caktuar... Me të vërtetë, për këtë ka argumente, për ata që mendojnë.

A marrin ata, përveç Perëndisë, ndërmjetësues tjetër? Thuaj: “Vallë, a (i merrni ata ndërmjetësues) edhe pse nuk kanë asgjë në dorë dhe nuk kuptojnë?!”

Thuaju: “Vetëm për Perëndinë është i tërë ndërmjetësimi (mirësia); atij i takon pushteti i qiejve dhe i Tokës, e pastaj – tek Ai do të ktheheni”.

Kur përmendet vetëm Perëndia, neveriten zemrat e atyre që nuk besojnë në jetën tjetër, ndërsa kur të përmenden ata (zotërat), përveç Perëndisë, ata menjëherë gëzohen.

Thuaj: “O Zoti im, Krijues i qiejve dhe i Tokës, njohës i së dukshmes e të padukshmes, Ti do të gjykosh mes robërve Tu, për atë që nuk janë pajtuar!”

Sikur zullumqarët të kishin çdo gjë që gjendet në Tokë, dhe po kaq më tepër, ata të gjitha këto do t’i flijonin (për të shpëtuar), prej dënimit të ashpër në Ditën e Kijametit. Atëherë, Zoti do t’u tregojë atyre atë që nuk e kanë llogaritur,

u shfaqen atyre të këqiat që i kanë bërë dhe do t’i kaplojë dënimi të cilin e përqeshnin.

Kur njeriut i bie ndonjë e keqe, ai na lutet Neve, e kur pas kësaj i afrojmë një të mirë prej Nesh, thotë: “Kjo më është dhënë vetëm pse kam ditur”. Jo, por kjo është vetëm një sprovim, e shumica e tyre nuk e dinë.

Kështu thonin edhe ata që ishin para tyre, prandaj nuk patën dobi nga ajo që patën fituar,

prandaj, i goditi ata dënimi i të këqiave që kanë punuar. Por, dhe ata që kanë bërë zullum prej këtyre (kurejshit), do t’u bie dënimi për të këqiat që kanë bërë, e nuk do të mund t’i ikin (dënimit).

A nuk e dinë ata se Perëndia i afron furnizim të bollshëm kujt të dojë, e ia ngushton (kujt të dojë); me të vërtetë, në këtë ka argumente për popullin që beson.

Thuaj: “O robërit e mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Perëndisë! Perëndia, me siguri, i falë të gjitha mëkatet. Ai, me të vërtetë, është falës dhe përdëllimtar.

Kthehuni kah Zoti juaj dhe përuluni para Tij, para se t’u vijë dënimi, sepse, pastaj nuk do të keni ndihmë.

Dhe, pasoni atë më të bukurën që u është shpallur (Kur’anin) nga Zoti juaj, para se t’ju vie dënimi papritmas, pa e hetuar atë,

e njeriu të thotë: “Mjer për mua që nuk i kam kryer obligimet ndaj Perëndisë, e madje edhe jam tallur (me besimtarët)!”

Ose të thotë: “Sikur Perëndia të më kishte udhëzuar, do të isha bërë nga të mirët!”

Ose të thotë, kur ta sheh dënimin: “Sikur të ishte e mundshme për t’u kthyer edhe një herë (në këtë botë), e të bëhem prej të mirëve!”

(Atij i thuhet): “Me të vërtetë, të ka ardhur dokumenti Im (Kur’ani), e ti e konsiderove të rrejshëm atë, u bëre mendjemadh (nuk e ke përfillur dhe ishe jobesimtar)”.

E, në Ditën e Kijametit do t’i shohësh ata që kanë përgënjeshtruar Perëndinë – me fytyra të zeza. E vallë, a nuk është ferri – vend për ata që janë mendjemëdhenj?!

Perëndia do t’i shpëtojë ata që ruhen për të mirat e bëra, prandaj ata nuk do t’i prekë e keqja, e as nuk do të pikëllohen.

Perëndia është Krijues i çdo gjëje dhe Ai është mbikëqyrës i çdo gjëje,

të Tij janë, çelësat e qiejve dhe të Tokës! E, ata që i mohojnë argumentet e Perëndisë, ata janë të humbur!

Thuaju atyre: “Vallë, a ju po më urdhëroni që të adhuroj dike tjetër, përveç Zotit, o injorantë!”

Me të vërtetë, të është shpallur ty edhe atyre (pejgamberëve) që kanë qenë para teje: “Nëse i përshkruan Perëndisë shok, me siguri do të të humbin punët tuaja dhe do të jesh ndër ata që janë shkatërruar”.

(Mos adhuro idhujt), por adhuro vetëm Perëndinë dhe bëhu falenderues!

Ata nuk e kanë madhëruar Perëndinë siç duhet; e tërë Toka në Ditën e gjykimit do të jetë nën pushtetin e Tij, e qiejt do të jenë të përfshirë në fuqinë e Tij. Qoftë lavdëruar Ai dhe larg nga ajo që i bëjnë shok Atij!

Dhe fryhet në Sur (Buri), e vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, do të mbesin vetëm ata që do Perëndia; pastj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin (çka do të ndodhë).

Dhe Toka do të shndëritet me dritën e Zotit të vet dhe do të vendoset libri, do të sillen pejgamberët dhe dëshmitarët dhe do të gjykohen ata me drejtësi, e nuk do t’u bëhet asgjë e pa drejtë;

secilit njeri do t’i jepet shpërblimi për atë që ka bërë, meqë Ai di më së miri se çka kanë punuar.

Dhe jobesimtarët do të shtyhen në ferr, grupe-grupe, dhe kur të arrijnë atje, hapen dyert e tij dhe rojtarët u thonë atyre: “A nuk u kanë ardhur pejgamberët nga mesi juaj, të cilët ju lexonin argumentet e Zotit tuaj e ju tërheqnin vërejtjen për takimin e kësaj dite? Mohuesit do të thonë: “Po, me të vërtetë, (na kanë ardhur), por është e sigurt fjala e Perëndisë për dënimin e mohuesve”.

(Atyre) u thuhet: “Hyni në portat e ferrit, ku do të qëndroni gjithmonë në të! Sa vend i shëmtuar që është ai për mendjemëdhenjtë!

E, ata që janë ruajtur (nga mëkatet), do të shtyhen në xhennet, grupe-grupe dhe dyert e tij hapen e do t’u thonë atyre rojtarët e tij: “Shpëtimi qoftë mbi ju! Ju jeni të kënaqur, andaj hyni në të, ku do të qëndroni përgjithmonë!”

Ata do të thonë: “Falenderimi qoftë për Perëndinë, që na plotësoi premtimin e Vet e na dha në trashëgim tokën (e xhennetit), që të vendosemi si të duam!” Sa i mrekullueshëm është shpërblimi i atyre që kanë punuar (sipas dispozitave të Perëndisë)!

Do ti shohësh engjëjt e tubuar rreth Arshit duke lavdëruar me falenderim Zotin e tyre; dhe do t’u gjykohet mes tyre me të drejtë dhe u thuhet: “Falenderimi qoftë për Perëndinë, Zotit të gjithësisë!”
Icon