ترجمة سورة الجن

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة الجن باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Thuaj (o Muhammed!): “Mua m’u ka shpallur se disa prej xhindëve (krijesa të padukshme), kanë dëgjuar dhe kanë thënë: “Me të vërtetë, kemi dëgjuar (një) Kur’an të mrekullueshëm,

i cili udhëzon në rrugën e drejtë – e ne kemi besuar në të, dhe kurrsesi më nuk do t’i bëjmë shok askë Perëndisë sonë,

e, me të vërtetë, qoftë, lartë madhëria e Tij – Zotit tonë! Ai, nuk ka marrë për Vete as bashkëshorte as fëmijë;

(Disa) të marrët nga ne, flisnin gënjeshtra për Perëndinë,

kurse ne, kemi menduar se as njerëzit as xhindët nuk flasin gënjeshtra për Perëndinë;

e disa njerëz kanë kërkuar strehim te disa xhindë, e kjo vetëm që ua shtoi atyre tërbimin,

dhe, ata mendojnë siç mendoni edhe ju: se, Perëndia nuk do të ringjallë askë;

ne jemi ata që kemi arritur në qiell, por kemi hasur në plotë roje të forta (engjëj) dhe shigjeta të zjarrta (meteorë);

dhe uleshim rreth tij, nëpër vende të përshtatshme për të dëgjuar diçka, por ai që përgjon tani, do të hasë në shigjeta të zjarrta (meteorë) që janë në pritje (pusi),

dhe ne nuk dimë, se e keqja i qëllimohet atyre që janë në Tokë, apo Zoti i tyre don t’i udhëzojë në rrugë të mirë,

e midis nesh ka të mirë dhe ka që nuk janë të mirë, ka prej nesh kategori të ndryshme, (grupe të përçara);

dhe ne e kemi ditur se nuk do të mund t’i shpëtojmë Perëndisë në Tokë dhe nuk mund ta lodhim Atë duke ikur (në qiell);

dhe ne, posa dëgjuam udhëzimin (Kur’anin), besuam në të; e kush beson në Zotin e vet, nuk ka përse të druajë nga dëmi as nga zullumi (tërbimi);

dhe ka prej nesh muslimanë, e ka prej nesh edhe mëkatarë, e kush e ka përqafuar islamizmin, e ka zgjedhur rrugën e drejtë,

kurse, jobesimtarët, do të jenë lëndë djegëse të skëterrës”.

Sikur të qëndronin në rrugën e vërtetë, Ne do t’i furnizonim me ujë të bollshëm,

për t’i vënë me këtë në sprovë ata; e kushdo që largohet nga të përkujtuarit Zotin e tij, Zoti atë ia nënshtron dënimit të ashpër.

Xhamiat i janë kushtuar Perëndisë, dhe mos iu lutni askujt, përveç Perëndisë!

E, kur adhuruesi i Perëndisë (Muhammedi), u ngrit t’i lutet Atij, ata (xhindët) u tubuan rreth tij si të ishin shtëllungë leshi.

Thuaj (o Muhammed!): “Unë i lutem vetëm Zotit tim dhe askë s’ia bëjë shok Atij”.

Thuaj (o Muhammed!): “Unë nuk mundem t’jua largojë ndonjë dëm juve e as t’ua sjell ndonjë dobi (vetëm Perëndia ka pushtet për këtë)”.

Thuaj (o Muhammed!): “Me të vërtetë, mua askush nuk mund të më mbrojë nga dënimi i Perëndisë; as që mund të gjejë strehim tjetër kund, përveç te Ai, -

(Unë s’kam tjetër funksion) përveç që t’ua predikojë atë që vjen nga Perëndia dhe të dërguarit e Tij”. E, ai që s’dëgjon Perëndinë dhe të Dërguarin e Tij, atë e pret zjarri i skëterrës, në të cilin do të mbetet përgjithmonë. –

E, kur ata të shohin atë për çka u është tërhequr vërejtja, do ta dinë ata se kush është më i dobët (në ndihmë) dhe në numër më i vogël.

Thuaj (o Muhammed!): “Unë nuk e di, a është afër ajo që u është premtuar juve, apo Zoti im ka caktuar për të afat (më të gjatë),

vetëm Ai i di sekretet dhe Ai nuk ia zbulon sekretet e Veta askujt;

përveç atij të cilin Ai e ka zgjedhur për të dërguar (pejgamber); andaj, Ai para tij dhe pas tij, i vë ata që e ruajnë (engjëjt)

në mënyrë që t’i dijë (qartë) se a i kanë zbatuar misionet e Zotit të tyre. Ai di në hollësi çdo gjë që është te të dërguarit; Ai di numrin e çdo gjëje që ekziston.
Icon