ﰡ
Shpallja e këtij Libri është prej Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit,
Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të të mirave. Nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.
Askush nuk i vë në dyshim shpalljet e Allahut, përveç atyre që nuk besojnë, prandaj mos të mashtrojë ty bredhja e tyre nëpër botë.
Në të vërtetë, edhe para tyre[284] i mohoi (shpalljet dhe mrekullitë e Allahut) populli i Nuhut. E po ashtu edhe grupet e tjera pas tij. Secili popull u përpoq ta mundonte të dërguarin e vet dhe ta mohonte të vërtetën me kundërshtime të rreme, andaj Unë i dënova ata. Eh, si ka qenë dënimi Im!
____________________
[284] D.m.th. paganëve të Mekës.
Dhe kështu, Fjala e Zotit tënd do të përmbushet për jobesimtarët: ata do të jenë vërtet banorë të Zjarrit.
Ata (engjëj), që e mbajnë Fronin dhe ata që janë rreth tij, e madhërojnë Zotin e tyre me falënderim dhe i besojnë Atij. Ata lypin falje për besimtarët, duke thënë: “O Zoti ynë, Ti përfshin çdo gjë me mëshirën dhe dijeninë Tënde, prandaj fali ata që janë penduar e që ndjekin rrugën Tënde dhe ruaji ata prej dënimit të Zjarrit flakërues!
O Zoti ynë, shpjeri ata në kopshtet e Adnit, të cilat ua ke premtuar, së bashku me të devotshmit prej prindërve të tyre, bashkëshorteve të tyre dhe pasardhësve të tyre! Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.
Dhe shpëtoji ata nga e keqja! Atë që Ti e shpëton nga e keqja atë Ditë, Ti e ke mëshiruar; e ky, me të vërtetë, është shpëtimi i madh!”
Atyre që kanë mohuar, do t’u thuhet: “Urrejtja e Allahut ndaj jush është më e madhe se urrejtja juaj ndaj vetvetes, kur jeni thirrur në besim, por keni mohuar.”
Ata do të përgjigjen: “O Zoti ynë, na ke bërë të vdesim dy herë dhe na ke ngjallur dy herë. Tani i pranojmë gjynahet tona. Prandaj, a ka ndonjë rrugëdalje (nga Xhehenemi)?”
Atyre do t’u thuhet: “Ju keni pësuar këtë fat, sepse, kur thirrej Allahu i Vetëm, ju mohonit, por, kur i shoqërohej Atij diçka tjetër (në adhurim), ju besonit. Sot gjykimi i përket vetëm Allahut, të Lartit e të Madhërishmit.
Është Ai që ju tregon shenjat e Tij dhe ju zbret riskun prej qiellit. Por askush nuk e kujton këtë, përveç atyre që kthehen tek Ai të penduar.
Andaj, lutjuni Allahut me adhurim të sinqertë për Të, edhe nëse këtë e urrejnë jobesimtarët!
Ai është zotërues i cilësive më të larta dhe Zoti i Fronit. Ai e dërgon Shpalljen me urdhrin e Tij tek ata, që ka zgjedhur prej robërve të Vet, për t’i paralajmëruar për Ditën e Takimit me Atë;
për Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!
Atë ditë, çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka punuar; atë ditë nuk ka padrejtësi! Allahu, me të vërtetë, është i shpejtë në llogari.
Paralajmëroji ata për Ditën e afërt të Gjykimit, kur zemrat do t’u vijnë deri në fyt prej pikëllimit. Për njerëzit e këqij nuk ka asnjë mik të afërt dhe as ndërmjetësues të pranueshëm.
Allahu e di shikimin e përvjedhur të syrit dhe atë që fsheh zemra.
Ai gjykon me drejtësi, ndërsa idhujt të cilëve u luten, përveç Tij, nuk gjykojnë asgjë. Vërtet, Allahu dëgjon dhe sheh çdo gjë.
A nuk kanë udhëtuar ata[285] nëpër botë, që të shohin se si ka qenë fundi i atyre që kanë jetuar më parë, kombe shumë herë më të fuqishëm dhe me më shumë gjurmë (përmendore, ndërtime) se këta? Allahu i dënoi për shkak të gjynaheve të tyre dhe ata nuk patën askënd që t’i mbronte prej dënimit të Allahut.
____________________
[285] Paganët e Mekës.
Kjo ndodhi, sepse atyre u vinin të dërguarit me prova të qarta, por ata nuk u besonin, prandaj Allahu i dënoi. Vërtet që Ai është i Fuqishëm dhe ndëshkon ashpër.
Më parë Ne e dërguam Musain me mrekullitë Tona dhe me një autoritet të qartë
te Faraoni, Hamani dhe Karuni, por ata thanë: “Ky është magjistar dhe gënjeshtar!”
Dhe, kur ai u solli atyre të Vërtetën prej Nesh, ata thanë: “Vritini djemtë e atyre që i kanë besuar atij dhe lërini të gjalla vajzat e tyre!” Por kurthet e mohuesve janë të dënuara të dështojnë.
Faraoni tha: “Më lini ta vras Musain e ai le ta thërrasë në ndihmë Zotin e vet. Unë vërtet druhem mos ai do t’jua ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë trazira në Tokë”.
Musai tha: “Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë”!
Por një njeri besimtar, nga të afërmit e Faraonit, i cili fshihte besimin e vet, tha: “Vallë, do të vrisni një njeri vetëm se thotë Allahu është Zoti im”, ndërkohë që ai ju ka sjellë shenja të qarta prej Zotit tuaj?! Nëse është gënjeshtar, atij i përket dënimi i gënjeshtrës së vet e, nëse është i drejtë, atëherë ju do t’ju godasë diçka prej asaj me të cilën ju kërcënohet ai. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar.
O populli im, sot juve ju përket pushteti i tokës, por kush do të na mbrojë nga dënimi i Allahut, kur ai të na bjerë neve?” Faraoni tha: “Unë ju tregoj vetëm atë që shoh dhe ju udhëzoj vetëm në rrugën e drejtë”.
Atëherë, ai që ishte besimtar tha: “O populli im, unë druaj që do t’ju arrijë dënimi si popujve të mëparshëm,
ashtu siç ka qenë për popullin e Nuhut, për fiset Ad e Themud dhe për breznitë pas tyre. Allahu nuk synon padrejtësi për robërit e Vet.
O populli im, unë i druhem vërtet Ditës, kur do të thërrisni njëri-tjetrin,
Ditës kur, nga frika do të ikni prapa, pa pasur askënd që t’ju mbrojë nga dënimi i Allahut. Atë që Allahu e shpie në humbje, nuk mund ta udhëzojë kush.
Shumë kohë më parë, juve ju pati ardhur Jusufi me prova të qarta, por ju vazhdimisht dyshonit në atë që ju kishte sjellë ai. E, kur ai vdiq, ju thatë: “Allahu nuk do të nisë më të dërguar pas tij!” Ja, kështu Allahu e shpie në humbje çdokënd që e kalon kufirin në të këqija dhe dyshon.
Ata që i kundërshtojnë shpalljet e Allahut, pa pasur asnjë provë, janë të urryer në sytë e Allahut dhe në sytë e atyre që besojnë. Kështu, Allahu ia vulos zemrën çdo mendjemadhi e dhunuesi”.
Dhe Faraoni tha: “O Haman, ndërtoma një kullë që t’i arrij rrugët,
rrugët e qiellit e të shoh Zotin e Musait, sepse jam i bindur se ai (Musai) gënjen”. Kështu, Faraonit iu dukën të bukura veprat e tij të shëmtuara dhe u shmang nga rruga e drejtë, por dredhia e tij e çoi vetëm në rrënim.
Ai që ishte besimtar tha: “O populli im, më pasoni, që unë t’ju udhëzoj në rrugën e drejtë!
O populli im, në të vërtetë, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi e përkohshme, ndërsa jeta tjetër është Shtëpi e përhershme.
Ata që bëjnë vepra të këqija, do të dënohen vetëm sipas veprave të bëra; ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, qofshin meshkuj apo femra, do të hyjnë në Xhenet. Aty do të begatohen pa kufizim.
O populli im, ç’është kjo, unë ju thërras në shpëtim, ndërsa ju më thërrisni në zjarr?!
Ju më thërrisni që të mohoj Allahun dhe t’i shoqëroj Atij (në adhurim) zota të tjerë, për të cilët nuk di asgjë, ndërsa unë ju bëj thirrje të adhuroni të Plotfuqishmin, Falësin e Madh.
Pa dyshim, zotave drejt të cilëve më ftoni ju, nuk mund t’u lutesh, as në këtë botë, as në tjetrën; kthimi ynë është tek Allahu. Ata që e teprojnë me të këqija, do të jenë banorë të Zjarrit.
Ju së shpejti do ta kujtoni atë që po ju them! Unë çështjen time ia lë Allahut, sepse Ai i sheh vërtet robërit e Vet”.
Dhe Allahu e ruajti atë prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë.
Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: “Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!”
Dhe, kur të grinden në Zjarr, të dobëtit do t’u thonë eprorëve që madhështoheshin: “Ne ishim ithtarët tuaj, ndaj, a mund të shmangni prej nesh një pjesë të dënimit tonë?”
Ata që madhështoheshin, do të thonë: “Të gjithë ne jemi në zjarr. Allahu tashmë i ka gjykuar robërit e Tij”.
Dhe ata që gjenden në zjarr, do t’u thonë rojtarëve të Xhehenemit: “Lutjuni Zotit tuaj që të na lehtësojë dënimin, qoftë vetëm një ditë”!
Ata do të përgjigjen: “Vallë, a nuk ju kanë sjellë të dërguarit tuaj prova të qarta?” Ata do të thonë: “Po, është vërtetë”. Do t’u thuhet: “Atëherë thërrisni për ndihmë!” Por thirrjet e tyre do të jenë të kota.
Sigurisht, Ne do t’i ndihmojmë të dërguarit Tanë dhe besimtarët, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Ditën, kur do të sillen dëshmitarët.
Atë Ditë, keqbërësve nuk do t’u bëjë dobi shfajësimi i tyre. Ata i pret mallkimi dhe një vendbanim i shëmtuar.
Ne i kemi dhënë Musait udhëzimin Tonë dhe u kemi dhënë në trashëgim bijve të Israilit Librin,
si udhërrëfyes dhe këshillë për mendarët.
Andaj, bëhu i durueshëm ti (o Muhamed!), sepse, pa dyshim, premtimi i Allahut është i vërtetë. Lutju Zotit për faljen e gjynaheve të tua dhe lartësoje Zotin tënd me falënderim, në mbrëmje dhe mëngjes!
Ata që polemizojnë për shpalljet e Allahut, pa pasur kurrfarë prove, kanë në zemrat e tyre vetëm mendjemadhësi, e cila nuk do t’i shpjerë në qëllimin e tyre. Prandaj kërko mbrojtje prej Allahut! Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.
Krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e di.
Nuk janë njësoj i verbri dhe ai që sheh; as ai që beson e bën vepra të mira nuk është i barabartë me atë që bën keq. Sa pak që mendoni!
Sigurisht që Ora (e Kiametit) do të vijë! Për këtë s’ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk besojnë.
Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”!
Allahu e ka bërë natën që ju të pushoni, ndërsa ditën e ka bërë të ndritshme për të parë. Vërtet, Allahu është Dhurues i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk janë mirënjohës.
Ja, ky është Allahu, Zoti juaj, Krijues i gjithçkaje. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si largoheni prej Tij?!
Kështu largohen ata që i mohojnë shenjat e Allahut.
Allahu është Ai që jua ka bërë Tokën vendbanim e qiellin kulm, ju ka dhënë formë e jua ka përsosur atë dhe ju ka furnizuar me ushqime të mira. Ja, ky është Allahu, Zoti juaj. Qoftë i lartësuar Allahu, Zoti i botëve!
Ai është i Përjetshmi, s’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Prandaj lutjuni vetëm Atij, duke iu drejtuar me adhurim të sinqertë. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i botëve!
Thuaj (o Muhamed!): “Mua më është ndaluar të adhuroj atë që adhuroni ju, përpos Allahut, pasi më kanë ardhur prova të qarta prej Zotit tim e më është urdhëruar që t’i nënshtrohem Zotit të botëve”.
Është Ai që ju ka krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës e pastaj prej droçkës së gjakut. Ai ju bën që të lindni si foshnje, pastaj të arrini moshën e pjekurisë e pastaj të bëheni pleq (ndonëse disa prej jush vdesin më herët), me qëllim që të plotësoni afatin që ju është caktuar të jetoni dhe që të arrini të kuptoni.
Është Ai që ka në dorë jetën dhe vdekjen. Kur Ai vendos diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” dhe ajo menjëherë bëhet.
A i sheh ata që polemizojnë për shpalljet e Allahut, se si largohen nga rruga e drejtë?
Ata që kanë mohuar Librin dhe mesazhet që i kemi sjellë me të dërguarit Tanë, do ta marrin vesh të vërtetën,
kur t’u vihen vargoj në qafë dhe të sillen me zinxhirë
në ujë të valë e pastaj të digjen në zjarr.
Pastaj atyre do t’u thuhet: “Ku janë ata që i adhuronit,
në vend Allahut?” Ata do të përgjigjen: “Na kanë braktisur. Vërtet, ne nuk paskemi adhuruar asgjë më parë!” Ja, kështu Allahu i shpie mohuesit në humbje.
Ky dënim është për shkak se gëzoheshit në tokë, pa kurrfarë të drejte dhe ngaqë keni qenë të ndërkryer.
Hyni në dyert e Xhehenemit për të qëndruar përherë në të! Sa i shëmtuar që është vendbanimi i mendjemëdhenjve!
Andaj, bëhu i durueshëm, se premtimi i Allahut, me siguri që do të përmbushet. E, nëse të tregojmë ty (o Muhamed) diçka nga dënimi që u kemi premtuar atyre apo nëse të lëmë të vdesësh para kësaj, ata te Ne do të kthehen gjithsesi.
Edhe para teje (o Muhamed) Ne kemi nisur të dërguar, për disa prej të cilëve të kemi treguar ty e për disa të tjerë nuk të kemi treguar. Asnjë i dërguar nuk mund të sjellë ndonjë mrekulli, veçse me lejen e Allahut. Dhe kur të vijë urdhri i Allahut, do të gjykohet me drejtësi e atëherë, jobesimtarët kokëfortë do të shkatërrohen.
Allahu është Ai që ka krijuar për ju kafshët, në mënyrë që disa prej tyre t’i shaloni e disa të tjera t’i përdorni për ushqim.
Ju përfitoni prej tyre në shumë mënyra; ato ju çojnë ku të keni nevojë, duke ju mbartur nëpër tokë, siç ju mbartin anijet nëpër det.
Dhe Ai ju tregon shenjat e Tij (që tregojnë se Ai është Një Zot i Vetëm), prandaj cilat shenja të Allahut i mohoni ju?!
Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, për të parë se si ka qenë fundi i atyre, që kanë jetuar më parë? Ata kanë qenë më të shumtë, më të fortë dhe kanë lënë më shumë gjurmë në Tokë, por nuk u ka bërë aspak dobi ajo që kishin fituar.
Kur të dërguarit e tyre iu sollën prova të qarta, ata u mburrën me diturinë që zotëronin vetë; por shumë shpejt i goditi ajo, me të cilën talleshin.
Dhe, kur panë dënimin Tonë, ata thanë: “Tani ne nuk besojmë në askënd tjetër veç Allahut dhe i mohojmë idhujt që ia shoqëronim Atij (në adhurim)”.
Por besimi i tyre nuk u solli kurrfarë dobie, kur panë dënimin Tonë. I tillë është ligji i Allahut, që ka vepruar gjithmonë midis robërve të Tij. Të humbur kanë qenë jobesimtarët.