ترجمة سورة التحريم

الترجمة الألبانية
ترجمة معاني سورة التحريم باللغة الألبانية من كتاب الترجمة الألبانية .
من تأليف: حسن ناهي .

O Profet! Përse po ia ndalon vetes atë që ta ka lejuar Allahu, duke kërkuar t’u bësh qejfin grave të tua?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
Allahu ka përcaktuar një mënyrë për t’u liruar nga betimet tuaja. Allahu është Mbrojtësi juaj; Ai është i Gjithëdijshmi, i Urti.
Kur i Dërguari i tregoi një sekret njërës prej grave të tij, ajo e hapi këtë fjalë. Allahu ia zbuloi këtë të Dërguarit, i cili një pjesë të këtij zbulimi ia tha (gruas që ia përhapi sekretin), kurse pjesën tjetër jo. Kur i Dërguari ia tregoi asaj të fshehtën, ajo e pyeti: “E kush të ka treguar ty?” Ai i tha: “Ma tregoi i Gjithëdijshmi, i Mirinformuari”.
Nëse ju të dyja[372] ktheheni të penduara tek Allahu, sepse vërtet që zemrat tuaja patën devijuar, Allahu do t’ju falë. Nëse ju të dyja bashkoheni kundër tij, (dijeni se) Allahu është Mbrojtësi i tij, Xhebraili dhe besimtarët e mirë. Veç kësaj, edhe engjëjt e mbështesin atë.
____________________
[372] Vargu bën fjalë për dy nga gratë e Profetit Muhamed (a.s.), Hafsanë dhe Aishen, të përfshira në ngjarjen e përhapjes së sekretit të Profetit (a.s.).
Në qoftë se ai ju ndan, Zoti i tij mund t’ju zëvendësojë me gra më të mira se ju: myslimane, besimtare, të bindura, të kthyera tek Allahu me pendim, adhuruese (të Allahut), agjëruese, të martuara më parë ose të virgjëra.
O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.
O ju, që nuk keni besuar! Mos u shfajësoni sot (në Ditën e Gjykimit), sepse, me të vërtetë, dënoheni vetëm për veprat që keni bërë.
O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”.
O Profet! Luftoji të pafetë dhe hipokritët dhe bëhu i ashpër ndaj tyre! Vendbanimi i tyre do të jetë Xhehenemi. Eh, sa i shëmtuar është ai vendbanim!
Allahu ka dhënë si shembull për ata që nuk besojnë, gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato ishin të martuara me dy nga robtë Tanë të ndershëm dhe i tradhtuan ata. Prandaj, ata nuk mund t’i mbrojnë aspak nga Allahu (Ditën e Gjykimit) e atyre të dyjave do t’u thuhet: “Hyni në zjarr, me ata që po hyjnë!”
Allahu ka dhënë si shembull për besimtarët gruan e Faraonit, kur ajo tha: “O Zoti im! Ndërtomë një banesë tek Ti, në Xhenet; më shpëto nga Faraoni dhe veprat e tij dhe më shpëto nga populli keqbërës!”
Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila ruajti virgjërinë e saj; Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë[373] (shpirtin e Isait a.s.). Ajo u besoi fjalëve të Zotit të saj dhe librave të Tij e ishte nga të devotshmit!
____________________
[373] “nga shpirti Ynë”: pra, nga shpirti që është krijesa Jonë (e Allahut).
Icon