ترجمة سورة الغاشية

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة الغاشية باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


A të ka arritur ty lajmi për fatkeqësinë e kaplueshme (të Kijametit)?

Atë Ditë, fytyrat (e të këqinjve) janë të dëshpëruara,

me punë të vështira e të rraskapitura,

në zjarr të fortë do të digjen,

e do të pinë nga burimet e vluara,

kur tjetër ushqim për ta nuk do të ketë, përpos therrave,

e ky (ushqim), as nuk do t’i trashë as nuk do t’i ngop (nga uria).

Atë Ditë, fytyrat e disave (besimtarëve) do të jenë të gëzuara,

të kënaqura për punët e bëra, -

të vendosura në kopshtin madhështor,

në të cilin nuk do të dëgjojnë fjalë boshe.

Në të ka burime uji – rrjedhëse,

në të ka divane të çmueshme,

dhe kupa të përgatitura,

dhe jastëk të renditur

e shumë qilima të shtruar.

Vallë, a nuk shohin ata se si është krijuar devja

e si është ngritur qielli,

dhe si janë vendosur malet,

dhe si është shtrirë Toka?!

Ti këshillo (njerëzit) – se ti je vetëm këshillues,

ti nuk je mbi ta imponues (sundues)!

E, përveç atyre që shmangën dhe nuk besojnë, -

ata, Perëndia do t’i dënojë me mundimet më të mëdha.

Ata, me të vërtetë, do të kthehen te Ne,

dhe, me të vërtetë, do të japin llogari para Nesh!
Icon