ترجمة سورة إبراهيم

الترجمة الألبانية
ترجمة معاني سورة إبراهيم باللغة الألبانية من كتاب الترجمة الألبانية .
من تأليف: حسن ناهي .

Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd,
Allahut, të Cilit i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Mjerë mohuesit për dënimin e tmerrshëm (që i pret)!
Mjerë ata që jetën e kësaj bote e duan më shumë se atë të botës tjetër, që largojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe dëshirojnë ta shtrembërojnë atë! Ata janë në humbje të madhe.
Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit). Allahu e shpie në humbje kë të dojë dhe e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.
Ne e dërguam Musain me shenjat Tona (dhe i thamë): “Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut[158]!” Vërtet, në këtë ka shenja për çdo njeri që është i durueshëm dhe falënderues.
____________________
[158] D.m.th. ditët e begative dhe të vështirësive që u ka dhuruar Allahu.
(Kujto) kur Musai i tha popullit të vet: “Kujtoni dhuntinë që ju dha Allahu, kur ju shpëtoi nga populli i Faraonit, që ju mundonte me torturat më të rënda, duke vrarë djemtë tuaj e duke jua lënë gjallë femrat. Kjo ka qenë një sprovë e madhe për ju nga Zoti juaj.
(Kujtoje) kur Zoti juaj kumtoi: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia; por, nëse ju mohoni mirësitë e Mia, (atëherë dijeni se) dënimi Im është i rëndë”.
Dhe Musai tha: “Nëse mohoni ju dhe të gjithë ata që janë në Tokë, (dijeni se) Allahu është vërtet i Vetëmjaftueshëm dhe plot lavdi.”
A nuk ju ka ardhur lajmi për ata që kanë qenë para jush: për popullin e Nuhut, fiset Ad e Themud dhe për ata pas tyre? Vetëm Allahu i di ata! Të dërguarit e tyre u sollën shenja të qarta, por ata vinin duart në gojë (me tallje) dhe thoshin: “Ne nuk besojmë në mesazhin tuaj. Ne kemi dyshim të madh ndaj asaj që na thërrisni ju”!
Të dërguarit e tyre u thanë: “Vallë, a mund të dyshohet në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës?! Ai ju thërret juve për t’ju falur disa gjynahe tuajat dhe që t’ju lërë deri në afatin e caktuar”. Ata thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne. Ju dëshironi të na shmangni nga ajo që kanë adhuruar të parët tanë. Andaj, na sillni prova të dukshme!”
Të dërguarit e tyre u thanë: “Ne jemi vetëm njerëz si ju, por Allahu ia dhuron hirin e Tij kujt të dojë prej robërve të Vet, ne nuk mund t’ju sjellim prova pa urdhrin e Allahut. Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu.
E përse të mos mbështetemi tek Allahu, kur Ai tashmë na ka treguar rrugën e drejtë, në të cilën po ecim? Ne do t’i durojmë përndjekjet tuaja e ata që besojnë, le të shpresojnë vetëm tek Allahu!”
Mohuesit u thanë të dërguarve të tyre: “Ne do t’ju dëbojmë nga vendi ynë ose do të ktheheni në fenë tonë!” Atëherë, Zoti u shpalli (të dërguarve të Vet): “Ne do t’i zhdukim keqbërësit,
e pas tyre do t’ju vendosim në tokën e tyre. Kjo është për ata që kanë frikë nga qëndrimi para Meje (për gjykim) dhe i tremben premtimit (dënimit) Tim.”
Dhe (të dërguarit) kërkuan ndihmë (nga Allahu), kurse kokëfortët kryelartë u shkatërruan.
Pas tyre është Xhehenemi, ku do të pinë ujë të qelbur,
të cilin do ta gjerbin e nuk do të mund ta gëlltisin. Vdekja do t’u vijë atyre nga të gjitha anët, por nuk do të vdesin. Ata i pret një dënim i rëndë.
Vepra e atyre, që nuk besojnë Zotin e tyre, i shëmbëllen hirit, të cilin e shpërndan era në një ditë të stuhishme. Ata nuk do të kenë asnjë dobi nga veprat që kanë punuar. Kjo është humbja e madhe.
Vallë, a nuk sheh ti se si Allahu ka krijuar me urtësi qiejt dhe Tokën? Nëse dëshiron, Ai mund t’ju zhdukë ju dhe të sjellë një popull të ri;
kjo nuk është punë e rëndë për Allahun Fuqiplotë.
Të gjithë do të dalin para Allahut. (Atëherë), ata që kanë qenë të përulur, do t’u thonë atyre që kanë qenë kryelartë: “Ne kemi qenë ithtarët tuaj. A do të mund të lehtësoni ju prej nesh diçka nga dënimi i Allahut?” Ata do të thonë: “Sikur të na kishte udhëzuar Allahu në rrugën e drejtë, edhe ne do t’ju kishim udhëzuar ju. Rënkojmë apo durojmë, për ne njësoj është, nuk do të ketë shpëtim.”
Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një dënim të dhembshëm.
Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të pranohen në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku, me lejen e Zotit të tyre, do të banojnë përherë. Atje do të përshëndeten me fjalën: “Selam!”
Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli?
Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.
Fjala e keqe është si pema e keqe me rrënjë të shkulura, e paqëndrueshme për ekzistencë.
Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.
Vallë, a nuk i sheh ata që dhuntinë e Allahut e kanë ndërruar me mohim dhe e kanë sjellë popullin e tyre në Shtëpinë e shkatërrimit?
Ata do të digjen në Xhehenem. Eh, sa vendbanim i tmerrshëm është ai!
Ata kanë trilluar zota të rremë si ortakë të Allahut për t’i larguar (njerëzit) nga rruga e Tij. Thuaj: “Kënaquni, se përfundimi juaj është në zjarr!”
Thuaju robërve të Mi, të cilët besojnë: Le të falin namazin dhe le të japin fshehurazi dhe haptazi nga ajo që ua kemi dhënë Ne, para se të arrijë dita në të cilën s’ka as tregti, as miqësi.
Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën. Ai lëshon ujë nga qielli e nëpërmjet tij nxjerr fruta si ushqim për ju. Ai i ka vënë në shërbimin tuaj anijet, që me lejen e Tij, ju të lundroni me ato nëpër dete. Ai i ka krijuar lumenjtë për dobinë tuaj
e po ashtu edhe Diellin dhe Hënën, që lëvizin vazhdimisht. Ai ka vënë në shërbimin tuaj natën dhe ditën.
Ai ju jep gjithçka që i kërkoni. Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot. Njeriu është vërtet i padrejtë dhe mosmirënjohës.
(Kujtoje) kur Ibrahimi tha: “O Zoti im, bëje të sigurt këtë qytet[159] dhe më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!
____________________
[159] Mekën.
O Zoti im, ata kanë shmangur shumë njerëz (nga rruga e drejtë). Ai që më pason mua, është i fesë sime; ndërsa për atë që më kundërshton mua, Ti, me të vërtetë, je Falës dhe Mëshirëplotë.
O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.
O Zoti ynë, Ti e di vërtet çfarë fshehim e çfarë shfaqim haptazi. Allahut nuk i fshihet asgjë, as në Tokë, as në qiell.
Qoftë lavdëruar Allahu, i cili në pleqëri më dhuroi Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im i dëgjon lutjet!
O Zoti im, bëj që unë dhe pasardhësit e mi të kryejmë përherë namazin! O Zoti ynë, na i prano lutjet!
O Zoti ynë, më fal mua, prindërit e mi dhe besimtarët në Ditën, kur do të jepet llogari!”
Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin),
dhe, duke vrapuar me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri).
Ti (o Muhamed) paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vijë dënimi e keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë, na lër edhe për pak kohë! Ne do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të dërguarit!” Por atyre do t’u thuhet: “Vallë, a nuk betoheshit më parë se s’do të kishte zhdukje për ju?
Ju banuat në vendbanimet e atyre që e kishin ngarkuar veten me gjynahe dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj.”
Ata kurdisin dredhitë e tyre, por Allahu i di dredhitë e tyre. Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t’ia dalin mbanë.
As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.
Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah.
Dhe atë ditë do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga;
rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat,
(Kështu do të jetë) në mënyrë që Allahu të shpërblejë cilindo për atë që ka punuar. Allahu është vërtet i shpejtë në llogari.
Ky (Kuran) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur!
Icon