ترجمة سورة يونس

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة يونس باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Elif Lâm Râ. Këto janë versetet e Librit plot dijeni.

Vallë, pse çuditën njerëzit që Na ia shpallëm njërit prej tyre (duke i thënë): “Paralajmëroji njerëzit dhe sihariqoji ata që besojnë; se, me të vërtetë, për ta ka shpërblim të mrekullueshëm te Zoti i tyre!” Mohuesit thanë: “Ky, me të vërtetë, është magjistar i madh!”

Perëndia, me të vërtetë, është Zoti juaj, i cili për gjashtë ditë (periudha të caktuara kohore) ka krijura qiejt dhe Tokën, u bë sundues i tërë gjithësisë, duke drejtuar çdo gjë. S’ka ndërmjetës tek Ai, përpos me lejen e Tij. Ky është Perëndia, Zoti juaj, andaj adhuronie Atë! A s’po mendoni ju?!

Tek Ai do të ktheheni të gjithë ju. Premtimi i Perëndisë është i vërtetë. Ai krijon prej fillimit (prej kurrgjëje), e pastaj e kthen atë në jetën e përhershme, që t’i shpërblejë me të drejtë – ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira. E, për ata që nuk besojnë, ka pije nga uji i vluar dhe dënim të madh, për shkak se kanë mohuar.

Ai, Diellin e bëri burim të dritës, kurse Hënën e bëri të shkëlqejë, duke i caktuar fazat e saj, për të ditur numrin e viteve dhe njehsimin e kohës). Vetëm Perëndia i krijoi këto në mënyrë të mrekullueshme. Ai ua shpjegon argumentet njerëzve që kuptojnë.

Me të vërtetë, në ndërrimin e natës dhe të ditës dhe në atë që ka krijuar Perëndia në qiej dhe në Tokë, janë argumentet për ata që besojnë.

Me të vërtetë, ata që nuk shpresojnë se do të takohen me Ne, dhe janë të kënaqur me jetën e kësaj bote, dhe janë qetësuar në të (botë), dhe të cilët janë të pakujdesshëm ndaj argumenteve Tona –

për ta, vendstrehim është zjarri, për atë që kanë punuar.

Me të vërtetë, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Zoti i tyre i udhëzon në rrugë të drejtë, ngase besojnë; e rrjedhin lumenjtë pranë tyre në kopshtet e kënaqësisë,

lutja e tyre në to (kopshtije) është: “Qofsh i lavdëruar o Zot!” e përshëndetja e tyre në të: “Selam” e lutja e tyre e fundit është: “Falenderojmë Perëndinë, Zotin e gjithësisë!”

Sikur Perëndia, t’ua shpejtonte të keqen njerëzve, ashtu siç e dëshirojnë ata shpejt të mirën, ata me të vërtetë, do të zhdukeshin. E, Ne, megjithatë, ata që nuk shpresojnë takimin Tonë – i lëmë që të bredhin andej e këndej në humbjet e tyre.

E, kur njeriun ta gjejë e keqja, atëherë Na lutet: shtrirë, ose ulur, ose në këmbë (në çdo mënyrë). E, posa Na t’ia largojmë të keqen atij, vazhdon – thuajse nuk Na është lutur për fatkeqësinë që e ka goditur. Kështu plangësprishësve (batakqinjëve) iu zbukurohet ajo që punojnë.

Na i kemi zhdukur madje – shumë popuj para jush, përse kanë bërë zullum. Dhe pejgamberët e tyre, u kanë sjellë atyre dokumente të qarta, por ata nuk kanë besuar. Kështu Na i dënojmë njerëzit e këqinj.

Pastaj u kemi bërë juve pas tyre – zëvendës në Tokë, për të parë se si do të veproni.

E, kur t’ju lexohen ajetet Tona, të qarta, atëherë thonë ata, që nuk shpresojnë se do të dalin para Nesh: “Na sjell ti ndonjë Kur’an tjetër ose ndërroje atë!” Thuaj (o Muhammed): “Është e pamundur ta ndërroj unë atë – nga ana ime. Unë shkoj vetëm pas asaj që më është shpallë. Unë druaj – nëse i kundërshtoj Zotit tim – dënimit të Ditës së Madhe”.

Thuaj: “Sikur të kishte dashur Perëndia, unë nuk do t’jua mësoja dhe as që do të bënte Ai që ta mësoni ju atë. Unë kam jetuar një kohë (të gjatë) në mesin tuaj – para Pejgamberllëkut, a nuk po mendoni?”

Kush është zullumqar më i madh se ai që trillon gënjeshtra për Perëndinë ose që i përgënjeshtron ajetet e Tij?! Me të vërtetë, mëkatarët nuk kanë shpëtim.

Ata adhurojnë – përveç Perëndisë – atë që as nuk u bënë dëm, as nuk u sjell dobi dhe thonë: “Këta janë ndërmjetësit tonë te Perëndia! Thuaj: “A mundeni ju t’i tregoni Perëndisë se në qiej dhe në Tokë ekziston diçka që nuk e di Ai?!” Qoftë lavdëruar Ai dhe lartë qoftë nga ajo që i bëjnë shok Atij!

Të gjithë njerëzit kanë qenë vetëm një popull (të një feje), e pastaj u kundërshtuan (u përçanë). E, sikur të mos ishte thënë më parë fjala nga Zoti yt (për shtyerjen e dënimit), atëherë do të gjykoheshin në mes tyre, për atë që nuk u pajtuan.

Dhe ata thonë: “Sikur t’i ishte zbritur atij ndonjë mrekulli prej Zotit të tij?” Thuaj: “Me të vërtetë, të padukshmet i di vetëm Perëndia. E, pritni ju, se edhe unë po pres me ju”.

Kur Na, pas të keqes që i goditi, u dhamë njerëzve të shijojnë mëshirën, ata përsëri bënë intriga me argumentet Tona! Thuaj: “Perëndia është më i shpejtë në dënimin e ngatërrestarëve”. Me të vërtetë, të dërguarit (engjëjt) Tonë shënojnë intrigat tuaja.

Ai ua mundëson të udhëtoni nëpër tokë dhe det. E, kur ju të gjendeni në barkë (anije) dhe ajo lundron me ju me erën e përshtatshme, e ata i gëzohen kësaj, arrin një stuhi dhe ata do t’i sulmojnë valët nga të gjitha anët e mendojnë ata që do të shkatërrohen, (atëherë) i luteni Perëndisë sinqerisht, duke i premtuar besimin: “Nëse na shpëton nga kjo, na, me të vërtetë, do të jemi falenderues”.

E kur Perëndia i shpëtoi ata; ata përnjëherë pa kurrfarë të drejte bënë çrregullime në Tokë. O njerëz! Me të vërtetë, padrejtësia që bëni për t’u kënaqur në jetën e kësaj bote, vetëm juve ju dëmton. Ju do të ktheheni te Na dhe Ne pastaj do t’ju njoftojmë për atë që keni punuar.

Me të vërtetë, jeta e kësaj bote i shembëllen shiut që Na e lëshojmë nga qielli, me të përzihen bimët e tokës, me të cilat ushqehen njerëzit dhe shtazët. E, kur Toka të vishet dhe zbukurohet, dhe kur banorët e saj mendojnë se ata janë zotërues të saj, (atëherë) u vie urdhëri Ynë, natën ose ditën, dhe Na e bëjmë atë si të ketë qenë e korrur, thuajse nuk kishte ekzistuar dje. Kështu, Na ua shpjegojmë argumentet, njerëzve që mendojnë.

Perëndia i thërret njerëzit në Shtëpinë e shpëtimit (xhennetit) dhe Ai e udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë.

Ata që bëjnë mirë, do të kenë shpërblim të mirë, e edhe më tepër! Fytyrat e tyre nuk do t’i mbulojë errësira as poshtërimi. Ata do të jenë banorë të xhennetit, në të cilin do të banojnë përherë.

E ata, që kanë bërë vepra të këqia, kanë dënim gjegjës për atë të keqe dhe ata do t’i mbulojë poshtërimi. Ata nuk do të kenë askend që t’i mbrojnë nga dënimi i Perëndisë. Fytyrat e tyre thuajse iu kanë mbuluar me hije të errësirës së natës. Këta do të jenë banorët e zjarrit dhe në to do të qëndrojnë përgjithmonë.

(Kujtoje) kur do t’i tubojmë të gjithë ata që i kanë bërë shok Perëndisë dhe t’u themi: “Rrini në vendet tuaja ju dhe idhujtë tuaj!” E, do t’i ndajmë ata. Dhe idhujtë e tyre do të thonë: “Ju nuk na keni adhuruar neve.

Mjafton Perëndia të jetë dëshmitar në mesh nesh dhe jush. Na, me të vërtetë, kemi qenë të pakujdesshëm ndaj adhurimit tuaj”.

Aty (atë ditë), çdokush do të paguhet për atë që ka punuar më parë dhe do t’i kthehen Perëndisë, Zotit të tyre të vërtetë, e do të zhduken ato që i kanë trilluar ata (idhujtë).

Thuaj: “Kush ju ushqen juve nga qielli dhe Toka? Ose, kush mund të krijojë të dëgjuarit dhe të pamurit? Dhe kush mund të nxjerrë të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli? Dhe kush i drejton gjërat? Ata do të thonë: “Perëndia”. E ti (o Muhammed!) thuaj: “E, përse atëherë nuk i ruheni atij?”

Ky është Perëndia, Zoti juaj i vërtetë. E, çka keni pas së vërtetës, përpos humbjes? E, ku shkoni ju atëherë?

Kështu u sendërtua (realizua) fjala e Zotit tënd, te ata që bënë çrregullime; se, me të vërtetë, ata nuk do të besojnë.

Thuaj: “A ka ndër shokët tuaj (idhujtarë që i adhuroni ju) ndonjë që mund të krijojë prej kurrgjëje, e pastaj (pas vdekjes) përsëri ta kthejë (në jetë)?” Thuaj: “Perëndia krijon prej kurrgjëje, e pastaj e përsërit atë (në jetën e amshueshme)!” E, si shmangeni ju (nga besimi në Perëndinë)?

Thuaj: “A ka ndër shokët tuaj (idhujtarë që i adhuroni ju) ndonjë që mund të udhëzojë në rrugë të drejtë?” Thuaj: “Vetëm Perëndia udhëzon në rrugë të drejtë! E pra, a është më e merituar të shkosh pas atij që udhëzon në rrugë të drejtë, apo ai, i cili as vetën nuk është në rrugën e drejtë, përveç, nëse e shpie dikush atë? E, çka keni. Si po gjykoni ju ashtu?!”

Shumica veprojnë vetëm sipas hamendjes. Me të vërtetë hamendja nuk e plotëson të vërtetën. Perëndia, pa dyshim di mirë atë që punojnë ata.

Kyr Kur’an nuk është i trilluar prej askujt, por vetëm është shpallur prej Perëndisë, për të vërtetuar shpalljet e mëparshme, dhe të shpjegojë dispozitat; në të s’ka dyshim (ka zbritur) nga Zoti i gjithësisë!

Ose ata thonë: “Ai (Muhammedi) e ka trilluar atë (Kur’anin)”. Thuaj: “E pra, silleni ju një sur të ngjashme dhe thirrni (në ndihmë) kë të doni, përpos Perëndisë, nëse jeni të drejtë”.

Ata e mohojnë atë (Kur’anin) pa e kuptuar me themel çka ka në të e pa i ardhur akoma as shpjegimi i tij; po kështu, kanë mohuar edhe ata para tyre; e shiko, si kanë përfunduar zullumqarët!

Disa prej tyre besojnë në të, e disa nuk besojnë në të (Kur’an). E, Zoti yt më së miri i njeh ngatërrestarët.

Nëse ata të përgënjeshtrojnë ty, thuaju: “Për mua janë veprat e mia, e për ju – veprat tuaja, ju jeni larg prej veprave që punoj unë, e unë jam larg prej veprave që punoni ju.

Ka prej tyre, që të përgjojnë. Por, a mund të bësh ti, që të dëgjojnë të shurdhëtit, të cilët skanë as mend?

Ka prej tyre, që të shikojnë ty. E, mos vallë ti do t’i udhëzosh në rrugë të drejtë të verbëtit, të cilët nuk shohin hollësisht (me mend)?

Me të vërtetë, Perëndia nuk u bënë kurrfarë të keqe njerëzve, por njerëzit i bëjnë keq vetvetes.

E, atë ditë kur do t’i tubojmë Na ata, do t’u duket atyre se vetëm një moment të shkurtër të ditës kanë bredhur në Tokë, aq sa për ta njohur njëri-tjetrin. Madje, janë të humbur, ata që kanë përgënjeshtruar takimin me Perëndinë, e nuk ishin në rrugë të drejtë.

Qoftë që të tregojmë Na ty, diçka nga ajo që u kemi premtuar atyre ose ta marrim shpirtin Na ty, te Na do të kthehen ata, e Perëndia është dëshmitar për që punojnë ata.

Çdo popull ka pasur pejgamber. Dhe kur atyre t’u vie pejgamberi, do të gjykohet mes tyre me të drejtë, dhe nuk do t’u bëhet zullum.

Ata thonë: “Kur do të plotësohet ky premtim, nëse thoni të vërtetën?”

Thuaj: “Unë nuk jam në gjendje t’i bëj vetes as dëm as dobi, përveç asaj që dëshiron Perëndia. Çdo popull ka afatin e vet; kur t’i vijë ai, nuk mund ta shtyejnë (ata), për asnjë çast, e as ta shpejtojnë.

Thuaj: “Çka mendoni ju, nëse ju vie dënimi i Tij natën apo ditën, pse e nxitojnë atë (dënimin) mëkatarët?”

A mos vallë, vetëm atëherë kur të ndodhë – besoni në të? A, tash po besoni, e madje më parë e nxitonit dënimin?!

E pastaj, u thuhet zullumqarëve: “Shijoni dënimin e përhershëm! Dhe, nuk dënoheni ndryshe, përveç ashtu si keni punuar”.

Ata kërkojnë shpjegim prej teje: “A është e vërtetë ajo?” Thuaj: “Po pasha Zotin tim, ajo padyshim është e vërtetë, e ju nuk do të mund t’i shmangeni!”

Kur çdonjëri që ka bërë zullum, sikur të kishte ai tërë pasurinë e botës, ai do të jepte krejt atë, për të shpëtuar (nga dënimi). Ata do të fshehin pendimin kur të shohin dënimin, e do të gjykohen mes tyre me të drejtë dhe nuk do t’u bëhet padrejtësi.

A! me të vërtetë, të Perëndisë janë të gjitha që gjenden në qiej dhe në Tokë. A! me të vërtetë, premtimi i Perëndisë është i vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e dijnë.

Ai jep gjallëri dhe vdekje dhe tek Ai do të ktheheni.

O njerëz, ju ka ardhur madje këshilla (Kur’ani) nga Zoti juaj, ilaç për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.

Thuaj: “Me dhuntinë e Perëndisë dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më mirë se ajo që grumbullojnë ata”.

Thuaj: “Çka mendoni ju për ushqimin, që ua ka zbritur Perëndia, e ju prej tij keni bërë diçka të ndaluar e diçka të lejuar?” Thuaj: “A ju ka lejuar Perëndia atë, apo po ia shpifni Perëndisë?”

Çka mendojnë ata që shpifin gënjeshtra për Perëndinë, - në Ditën e Kijametit? Me të vërtetë, Perëndia është bamirës i madh i njerëzve, por, pjesa dërmuese nuk e falenderojnë Ate.

Ti nuk do të bësh asgjë, as nuk do të lexosh asgjë nga Kur’ani, as nuk do të punoni kurrfarë pune, e që Ne mos të jemi dëshmitar, kur ju të thelloheni në të. Nuk do të humbë nga Zoti yt as sa një thërmi peshe, në Tokë as në qiell, as më pak nga ajo as më shumë, e që të mos jetë e shënuar në Librin e qartë.

A! Me të vëtetë, pë të dashurit e Perëndisë nuk ka frikë as pikëllim,

për ata që besojnë dhe që i druajnë Perëndisë,

për ta ka sihariq në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Perëndisë. Kjo është fitore e madhe.

Mos të pikëlloj ty fjala e tyre. E, gjithë fuqia i përket Perëndisë! Ai dëgjon dhe di çdo gjë.

A! Me të vërtetë, Perëndisë i përket pushteti i çdo gjëje që gjendet në qiej dhe në Tokë. E, ata që, pos Perëndisë, adhurojnë idhujtë, shkojnë vetëm pas hamendjeve dhe vetëm gënjejnë.

Ai (Perëndia) ua krijoi natën për të pushuar në të, kurse ditën për të parë. Me të vërtetë, në këtë ka argumente për njerëzit që dëgjojnë.

Kanë thënë: “Perëndia ka djalë”. I lavdëruar është Ai. Ai është i pastër, s’ka nevojë për asgjë. Të Atij janë të gjitha – ç’gjendet në qiej dhe në Tokë. Ju nuk keni asnjë argument për këtë. A thoni ju për Perëndinë, atë që nuk e dini!

Thuaj: “Me të vërtetë, ata që shpifin gënjeshtra për Perëndinë nuk do të shpëtojnë”.

(Do të keni) kënaqësi të shkurtër në këtë botë, e pastaj do të kthehen te Ne, dhe Ne, do t’u japim të shijojnë dënimin e ashpër për shkak se kanë mohuar.

Tregoju historinë e Nuhut! Kur ai popullit të vet i tha: “O populli im, nëse u është i rëndë qëndrimi im në mesin tuaj, dhe këshillat e mia me dokumente të Perëndisë, e unë jam mbështetur vetëm te Perëndia, - atëherë, bashkë me shokët (idhujt) tuaj, vendosni për mua, dhe vendimi juaj le të mos fshihet, e pra, zbatoni në mua; e mos pritni!

E, nëse ktheheni (nuk i dëgjoni këshillat), unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi. Shpërblimi im është vetëm te Perëndia. Mua më është urdhëruar të jem në anën e muslimanëve”.

Por, ata, e quajtën gënjeshtar, kurse Ne e shpëtuam atë dhe të gjithë ata që ishin në anije me të. Dhe i bëmë ata zëvendës (të atyre që u zhdukën) kurse, i fundosëm ata që përgënjeshtruan dokumentet Tona. Shikoje se si ishte përfundimi i atyre që ishin paralajmëruar.

Pastaj, pas tij – u dërguam pejgamberë popujve të tyre e ata u sollën argumente atyre, por nuk deshën të besojnë atë që e kishin përgënjeshtruar më parë. Kështu, Ne, ua vulosim zemrat atyre, që kalojnë kufirin.

Pastaj, pas tyre, iu dërguam Musain dhe Harunin – Faraonit dhe parisë së tij – me mrekullitë Tona, por ata u sollën me mendjemadhësi (nuk besuan), meqë ishin popull mëkatarë:

kur u erdhi e Vërteta prej Nesh, ata thanë: “Kjo, me të vërtetë, është magji e qartë!”

Musai tha: “A mos vallë, për të Vërtetën thuani (se është magji), pasi që ju ka ardhur juve? A kjo është, magji? E, magjistarët nuk shpëtojnë!”

E, ata thanë: “A mos ke ardhur ti të na kthesh neve nga ajo, në të cilën i kemi gjetur etërit tonë, e ju të dyve t’u takojë pushteti në Tokë? E, nuk duam t’u besojmë ju dyve!”

Faraoni tha: “M’i sillni të gjithë magjistarët e shkathët!”

Pasi erdhën magjistarët, Musai u tha: “Hedhni ç’keni për të hedhur!”

E, kur i hodhën ata, Musai tha: “Atë që e keni sjellë ju, është magji. Me të vërtetë, Perëndia do ta shkatërrojë atë. Perëndia, me siguri, nuk do ta forcojë punën e ngatërrestarëve.

Perëndia, me premtimin e Tij e forcon të Vërtetën, e madje edhe sikur ta urrejnë mëkatarët!”

Dhe Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t’i keqpërdorte ata Faraoni dhe paria e tij, e Faraoni – me të vërtetë, ishte zullumqar në Tokë dhe në të keqe kalonte çdo kufi.

Musai tha: “O populli im! Nëse besoni Perëndinë, mbështetuni tek Ai, nëse jeni musliman!”

Ata thanë: “Na ju kemi mbështetur Perëndisë. O Zoti ynë, mos na vënë në sprovë të popullit zullumqarë,

dhe shpëtona neve, me mëshirën Tënde, nga populli mohues!”

Na ia kemi shpallur Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt dhe shndërroni ato në faltore dhe falni namazin! Dhe sihariqoi besimtarët!”

Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote, por ata, o Zoti ynë, na largojnë nga rruga Jote! O Zoti ynë! Shkatërroje pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre, se ata nuk besojnë, përderisa të shijojnë dënimin e dhëmbshëm!”

(Perëndia) tha: “U pranua lutja e ju të dyve! Qëndroni ju dy dhe kurrsesi mos ndiqni rrugën e të padijshmëve!”

Na i bartëm Israelitët përtej deit, e ata i ndoqi Faraoni dhe ushtria e tij nga e keqja dhe armiqësia. E kur e arriti ate (Faraonin) mbytja (në det), tha: “Besoj se s’ka zot tjetër përveç Atij që i besojnë të bijtë e Israelit dhe unë jam musliman”.

“A, tani (po beson) e më parë ishe rrebel dhe ishe prej ngatërrestarëve?!

Sot do të shpëtojmë ty – trupin tënd, që të bëhesh vërejtje për ata që vijnë pas teje”. Por, me të vërtetë, shumica e njerëzve janë të pakujdesshëm ndaj argumenteve Tona.

Na i kemi vendosur në vend të mirë të bijtë e Israelit dhe i kemi furnizuar me ushqim të këndshëm dhe ata, nuk u përçanë në mendime, derisa u erdhi ajo që e dinin ata (profetnia e Muhammedit). Me të vërtetë, zoti yt do t’i gjykojë ata në Ditën e Kijametit, për atë që u përçanë ata.

Nëse ti je në dyshim në atë që të kemi shpallur ty, pyeti ata që kanë lexuar Librin para teje. Padyshim, ty të ka ardhur e Vërteta nga Zoti yt, e mos u bën kurrsesi nga ata që dyshojnë.

Dhe mos u bën nga ata që i përgënjeshtrojnë dokumentet Tona, e të bëhesh ndër ata që janë të humbur.

Me të vërtetë, ata në të cilët ka ra fjala e Zotit tënd (dënimi), nuk besojnë,

madje sikur t’u vijnë të gjitha dokumentet, përderisa mos ta ndiejnë dënimin e dhëmbshëm.

E, sikur të ishte ndonjë vendbanim që beson, e që t’i bëjë dobi besimi i tij (s’ka pasur dobi), përveç popullit të Junusit, meqë ata besuan (në momentin e dënimit), e Na e larguam nga ata dënimin e poshtërimit në jetën e kësaj bote, dhe u dhamë të kënaqen edhe njëfarë kohe.

Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjitha ata – që gjenden në tokë. E, përse atëherë ti t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë!?

Askujt nuk i është dhënë të besojë, përveç me lejen e Perëndisë. Ai dënon ata që s’mendojnë.

Thuaj: “Shikoni çka ka në qiej dhe në Tokë!” – Por, nuk i bëjnë kurrfarë dobie argumentet dhe vërejtjet – popullit që nuk beson.

Vallë, a presin ata tjetër gjë, përpos (dënimeve) të ngjashme si të atyre që kanë përjetuar më parë. Thuaj: “Pritni ju (dënimin) se edhe unë po pres me ju!”

Pastaj, Na do t’i shpëtojmë pejgamberët Tanë dhe ata që kanë besuar. Kjo është detyra (e premtuar) e Jona, që t’i shpëtojmë besimtarët.

Thuaj: “O njerëz, nëse dyshoni ju në fenë time, - e unë, përveç Perëndisë, nuk do të adhurojë atë që e adhuroni ju, por do të adhuroj Perëndinë, i cili ua merr shpirtin juve; e mua më është urdhëruar të bëhem besimtar

(dhe më është urdhëruar): “Ktheju ti fesë së vërtetë dhe kurrsesi mos u bën nga idhujtarët,

dhe, përveç Perëndisë, mos iu lut tjetër kujt, të cilët nuk të sjellin as dobi as dëm, e nëse e bën këtë, ti atëherë, me të vërtetë, je nga zullumqarët”.

Nëse Perëndia të sjellë ndonjë dëm, askush nuk mund të ta largojë, përveç Tij, e nëse Ai don të ta bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush të ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë nga robërit e Tij; dhe Ai është falës dhe mëshirues.

Thuaj: “O njerëz, ju erdhi juve e Vërteta nga Zoti juaj. Kush udhëzohet në rrugën e drejtë, ai është udhëzuar për dobi të vet, e kush është humbur, ka humbur në dëm të vet. E, unë nuk jam mbikëqyrësi juaj”.

Paso ti atë që të është shpallë ty dhe duro derisa të gjykojë Perëndia, se, Ai, është gjykatësi mëi mirë!
Icon