ترجمة سورة الفتح

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة الفتح باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Ne, ta dhamë ty fitoren e qartë,

për t’i falur ty Perëndia gabimet e mëparshme dhe të ardhshme, për ta plotësuar dhuntinë e Vet ndaj teje dhe për të udhëzuar ty në rrugën e drejtë,

dhe që Perëndia të ndihmojë ty me ndihmë të madhe.

Ai është që sjell qetësi në zemrat e besimtarëve për t’ua forcuar (edhe më tepër) besimin, krahas besimit që kanë – e, të Perëndisë janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës; Perëndia është i Plotëdijshëm dhe i Gjithëdijshëm, -

për t’i shpie besimtarët dhe besimtaret në kopshtije nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë, ku do të qëndrojnë përherë, dhe që t’ju falë mëkatet e tyre – e kjo te Perëndia është fitore e madhe –

dhe që t’i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, dhe idhujtarët e idhujtaret, që mendojnë keq për Perëndinë, - e vallja e fatkeqësisë le t’i godet ata! Perëndia është pezmatuar në ta dhe i ka mallkuar ata dhe u ka përgatitur atyre, xhehennemin, e sa vend i shëmtuar që është ai!

Të perëndisë janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës; Perëndia është i Plotëfuqishëm (për t’i dënuar) dhe i Gjithëdijshëm!

Ne, me të vërtetë, të kemi dërguar ty dëshmitar dhe sihariques e paralajmërues

për të besuar Perëndinë dhe Pejgamberin e Tij, dhe që të ndihmoni (dispozitat) e Tij, dhe ta madhëroni Ate dhe falenderoni Ate me namaz në mëngjes dhe mbrëmje.

Ata që të janë betuar ty në besim (pë të ndjekë rrugën tënde) – në të vërtetë, janë betuar në besim të Perëndisë – Dora (dhuntia) e Perëndisë është mbi duart e tyre! Ai që e prishë betimin, e prishë në dëm të vetin, e nëse e plotëson betimin ndaj Perëndisë, Ai do t’i jep atij shpërblim të madh.

Do të të thonë ty arabët e shkretëtirës (beduinët), të cilët ngelën pas jush dhe nuk erdhën me ju: “Na angazhuan (preokupuan) neve pasuria jonë dhe familjet tona, e lutju (Perëndisë) të na falë neve!” Ata flasin me gjuhën e tyre, atë që nuk e kanë në zemrat e tyre. Thuaju (atyre): “Kush mund ta pengojë Perëndinë ndaj jush, nëse Ai don t’ju godet juve me ndonjë dëm, ose nëse don t’ju bëjë ndonjë të mirë?!” Jo, Perëndia di atë që punoni ju.

Jo, por ju keni menduar se Pejgamberi dhe besimtarët nuk do të kthehen kurrë te familjet e tyre, kjo ju ka zbukuruar juve në zemrat tuaja dhe ju keni menduar në mënyrën më të shëmtuar, dhe jeni bërë popull që do të zhdukeni.

Kush nuk beson në Perëndinë dhe në Pejgambeirn e Tij, - Na kemi përgatitur për mohuesit zjarrin flakërues!

Të Perëndisë janë pushteti i qiejve dhe i Tokës. Ai falë kë të dojë; e dënon kë të dojë – Perëndia falë shumë dhe është mëshirues.

Do t’u thonë juve ata që ngelën pas jush (në luftë), kur të shkoni me marrë plaçkat e luftës: “Lejona edhe neve që t’ju pasojmë juve!” Ata do të donin ta ndërrojnë fjalën e Perëndisë (premtimin). Thuaju: “Ju, kurrsesi nuk do të na pasoni, këtë e ka thënë Perëndia qysh më parë!” E ata do të thonë: “Nuk është ashtu, por, ju na keni zili neve”. Jo, nuk është as kjo, por ata pak kuptojnë.

Thuaju atyre beduinëve që ngelën pas jush (e nuk erdhën): “Do të thirreni ju në luftë kundër një populli luftarak, përderisa të mos përulet (ose të bëhet musliman). E, nëse dëgjoni (thirrjen), Perëndia do t’u japë shpërblim të mirë, e nse shmangeni (refuzoni) ashtu siç jeni shmangur më parë, (Ai) do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm.

Nuk është mëkat për të verbëtin, as për të çalin as të sëmurin (që të mugnojë nga ekspedita luftarake), e kush i përulet Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij, Ai e shpie në xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë, e atë që shmanget, do ta ndëshkojë me dënim të dhembshëm.

Perëndia është i kënaqur me ata besimtar kur t’u betuan ty nën hijen e drurit. Ai (Perëndia), e ka ditur se ç’ka në zemrat e tyre, e u ka dhënë atyre qetësi (siguri), dhe i shpërbleu ata me fitoren e afërt,

dhe me plaçkën (pasurinë e zënë në luftë) e madhe që do ta fitojnë. Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Perëndia u ka premtuar juve plaçkë të pasur që do ta fitoni, e ua shpejtoi këtë juve (Ai) dhe i pengoi duart e njerëzve (nga të dëmtuarit juve) – për të qenë ky argument për besimtarët (që premtimi i Perëndisë është i realizueshëm) dhe për t’u udhëzuar juve në rrugën e drejtë,

dhe (ju ka premtuar) tjetrën (fitore), të cilën nuk keni qenë në gjendje ta fitoni, - por Perëndia, me dispozitën e Vet, e ka përmbledhë atë për ju, sepse, Perëndia është i pushtetshëm për çdo gjë.

E, nëse mohuesit lëshohen në luftë kundër jush, ata, me siguri, do të iknin dhe pastaj nuk do të gjenin as mbrojtës as ndihmës –

(Kjo është) dispozita e Perëndisë që ka qenë edhe më parë, e ti, kurrsesi, nuk mund të gjesh ndryshime në dispozitën e Perëndisë.

Ai ka penguar duart e tyre ndaj jush dhe duart tuaja ndaj tyre – brenda në Mekke, pasi u ka dhënë juve fitoren mbi ta. Perëndia i sheh të gjitha çka punoni ju.

Ata, të cilët nuk kanë besuar dhe ju pengojnë nga Mesxhidil-Harami (Qabja) dhe (pengojnë) të përgjëruarin – kurbanin e caktuar që të arrijë në vend. E, sikur të mos kishte besimtarë dhe besimtare, që ju nuk i dini e do t’i merrnit nëpër këmbë ata, e juve do t’ju godiste një hidhërim, duke mos ditur (do t’ju kisha lejuar të pushtoni Mekken). Kjo është, ngase Perëndia e shpie në mëshirën e Vet kë të dojë. Sikur të ishin të veçuar ata, Ne do t’i ndëshkonim ata në mes tyre, të cilët nuk kanë besuar – me dënim të dhembshëm.

(Kujtoje ti) kur në zemrat e mohuesve u shfaq krenaria, krenaria pagane, e Perëndia zbriti qetësinë e Tij në zemrën e Pejgamberit dhe të besimtarëve dhe i obligoi ata me fjalën e takvasë (shehadetit) e ata gjithsesi – kanë pasur më shumë të drejtë dhe kanë qenë të denjë për të, - e Perëndia është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.

Perëndia e realizoi (sendërtoi) ëndërrën e Pejgamberit të vet me të vërtetën: “Me siguri, ju do të hyni në Mesxhidil-Haram, nëse jep Perëndia, (dhe këtë) të sigurt, kokë-rruar dhe flokë-shkurtuar, pa kurrfarë frike. Ai e ka ditur atë që nuk e keni ditur ju. Dhe, para kësaj (hyrjes në Mekke), ju ka dhuruar një fitore të afërt.

Ai e ka dërguar Pejgamberin e Vet me Udhëzim (në rrugë të drejtë) he fenë e vërtetë, për ta ngritur mbi të gjitha fetë. E, Perëndia është dëshmitar i mjaftueshëm!

Muhammedi është Pejgamber i Perëndisë. E, ata që janë me të (shokët e tij) janë të ashpër ndaj mohuesve, e të mëshirshëm në mes tyre. I sheh ata si bëjnë ruqu dhe sexhde duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Perëndisë. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Tevrat. E, përshkrimi i tyre në Ungjill, është: (ata janë) si fara (e mbjellur) që lëshon filizat (e vogla) të cilat e forcojnë atë, e bëhet e trashë, e pastaj drejtohet (vertikalisht) në trungun e vet; (kështu që), e entusiazmon atë që e ka mbjellë, - që për (këtë gjë) t’i zemrojë mohuesit. Perëndia u ka premtuar atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira (të gjithë atyre) – falje (të mëkateve) dhe shpërblim të madh.
Icon