ترجمة سورة الجاثية

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة الجاثية باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Hâ, Mîm.

(Kjo është) Shpallja e Librit të Perëndisë, të Plotëfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm!

Me të vërtetë, në qiej dhe në Tokë ekzistojnë dokumente për ata që besojnë,

edhe në krijimin tuaj dhe të shtazëve, të shpërndara (nëpër Tokë), ka argument për popullin që beson me këmbëngulje;

edhe në ndërrimin e natës dhe të ditës, dhe në shiun që e lëshon Perëndia prej qielli e që me të e gjallëron tokën, pas thatësisë së saj, edhe ndërrimit të erërave, ka argumente për njerëzit që mendojnë.

Këto janë argumentet e Perëndisë, të cilat Ne ty t’i tregojmë me tërë të vërtetën, e në çfarë fjale, pos Allahut (Kur’anit) dhe argumenteve të Tij, do të besojnë ata?!

Mjerë për çdo gënjeshtar, mëkatar (të madh)!

(i cili) dëgjon argumentet e Perëndisë që i lexohen, e përsëri është mendjemadh (e duke mos pranuar), thuajse nuk i ka dëgjuar ato, sihariqoje atë me dënim të dhembshëm!

E, kur të njohtohet me diçka nga ajetet Tona, ai ato – i përqeshë. Për të tillët do të ketë dënim të poshtëruar.

Para tyre është xhehennemi, dhe nuk do t’ju ndihmojë asgjë ng ato që kanë fituar, as ata (idhujtë) që i kanë marrë, pos Perëndisë, për mbrojtës! Ata i pret mundim i madh.

Ky është (Kur’ani) udhërrëfyes në rrugën e drejtë, e ata që nuk besojnë argumentet e Zotit të tyre, për ta ka mundim të madh, të dhembshëm.

Perëndia është Ai që ju ka nënshtruar juve detin, që, nëpë të me urdhërin e Tij, të lundrojnë anijet, për t’i kërkur dhuntitë e Tij dhe për të qenë ju mirënjohës.

Dhe ju ka nënshtruar juve çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka këshilla për popullin që mendon.

Thuaju (o Muhammed!) besimtarëve që t’i falin ata që nuk shpresojnë në ditët e Perëndisë, në të cilën njerëzit do të shpërblehen sipas veprave të tyre.

Kush bën mirë, e ka për vete (dobi), e kush bën keq – bënë kundër vetes, e në fund do të ktheheni (të gjithë) te Zoti juaj.

Ne, me të vërtetë, u kemi dhënë bijve të Israelit Librin, pushtetin dhe profetninë dhe i kemi furnizuar me gjëra të bukura, dhe i kemi ngritur at ambi të gjithë popujt tjerë (të asaj kohe),

dhe, u kemi dhënë argumente të qarta mbi besimin, e ata u përçanë, mu atëherë, kur u erdhi dijenia, pasiqë patën armiqësi në mes tyre. Zoti yt, me siguri, do t’i gjykojë (ata) në Ditën e Kijametit për atë ë ranë në konflikt.

E, pastaj, Ne ty ta kemi bërë një rrugë të drejtë (të mrekullueshme) të fesë, andaj ndiqe atë dhe mos shko pas kënaqësive të atyre që nuk dinë!

Me të vërtetë, ata nuk do të mund të ndihmojnë (ty) asgjë te Perëndia. Padyshim, zullumqarët i ndihmojnë njëri-tjetrit, e Perëndia i mbron ata që i druajnë Atij dhe ruhen nga mëkatet.

Ky Kur’an është argument i qartë (dritë e shpëtimit) udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që besojnë paluhatshëm.

A mendojnë ata që bëjnë vepra të këqia se, Ne, do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa gjykim i keq që është ky!

E, Perëndia, krijoi qiej dhe Tokë me qëllim të plotë, në mënyrë që çdo njeri të jetë i shpërblyer (apo i dënuar) për atë që ka punuar. E, askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.

A e ke parë atë, që kënaqësinë e vet e ka marrë për zot, dhe Perëndia, e ka lënë në humbje duke e ditur (të keqen e tij) dhe ia ka vulosur të dëgjuarit e tij dhe zemrën e tij, e para syve të tij ka vënë perde? Kush do ta udhëzojë atë, pos Perëndisë? A nuk po kuptoni?

E, ata thonë: “Ekziston vetëm jeta e kësaj bote, vdesim (shumë si fëmijë) dhe jetojmë (një kohë), e vetëm koha na shkatërron”. Ata, për këtë, nuk kanë kurrfarë dijenie, ata, vetëm parafytyrojnë ashtu.

E, kur t’ju tregohen atyre ajetet Tona të qarta, ata nuk kanë tjetër shprehje, pos fjalës së tyre: “Ringjallni të parët tanë, nëse e thoni të vërtetën!”

Thuaju (atyre): “Perëndia ju ngjallë (u jep jetën), pastaj ju vdes, e mandej do t’ju tubojë në Ditën e Kijametit, në këtë nuk ka kurrfarë dyshimi, por (këtë) shumica e njerëzve nuk e dinë”.

Të Perëndisë janë pushteti i qiejve dhe i Tokës! E, kur të arrijë Dita e Kijametit, atë ditë të këqinjtë do të humbin.

Dhe, të gjithë popujt do t’i shohësh të gjunjëzuar; çdo popull do të thirret në Librin e vet: “Sot do të shpërbleheni për atë që keni bërë.

Ky është Libri Ynë që do t’ju tregojë të vërtetën. Na, me të vërtetë, i kemi urdhëruar (engjëjt) që të shkruhen (shënohen) të gjitha ç’keni bërë”.

E, sa i përket atyre që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, ata, do t’i shpie Zoti i tyre në mëshirën e Vet (xhennet). Ky është shpëtim i qartë!

E, sa i përket mohuesve, (atyre do t’ju thuhet): “Vallë, a nuk u janë lexuar ajetet e Mia, por ju u mendjemadhëruat dhe u bëtë popull mëkatarë”.

Kur të thuhet: “Me të vërtetë, premtimi i Perëndisë është i sigurt, dhe se për Ditën e Kijametit s’ka kurrfarë dyshimi! – ju thatë: “Na nuk dimë çka është Dita e Kijametit, na për këtë kemi vetëm një parafytyrim, na nuk jemi të bindur (për këtë).”

Dhe, atyre do t’u dalin në shesh të këqit që i kanë bërë, e do t’i kaplojë dënimi për atë që talleshin,

dhe, (atyre) u thuhet: “Ne sot po ju qesim në harresë, ashtu siç e keni lënë ju në harresë takimin e kësaj dite. Vendqëndrimi juaj është zjarri dhe, për ju nuk ka kurrfarë ndihmësi.

Ky dënim është ngase i keni përqeshur argumentet e Perëndisë, e jeta e kësaj bote ju ka mashtruar. Sot, ata nuk do të nxirren nga zjarri, as që do të kërkohet prej tyre arsyetimi (nuk do të përfillet).

Falenderimi i përket vetëm Perëndisë. Zotit të qiejve dhe Zotit të Tokës – Zotit të gjithësisë.

Atij i përket tërë madhështia në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.
Icon