ترجمة سورة طه

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة طه باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Tá, Hâ.

Na, nuk ta kemi shpallur ty Kur’anin për të munduar,

por, që të jetë këshillë për atë që druan,

ai është i shpallur – nga Krijuesi i Tokës dhe i qiejve të lartë,

Bamirësi i Gjithmbarshëm (Perëndia), që sundon Arshin, (si i takon Madhërisë së Tij).

Atij i përket ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë dhe ç’ka në mes tyre dhe gjithçka gjendet në tokë!

E, nëse ti flet me zë (të lartë), Ai, me të vërtetë, di fshehtësinë dhe atë që ti vetëm mendon!

Perëndia është (Një), s’ka zot tjetër përveç Tij. Ai ka emrat më të bukur”.

Dhe, a të ka arritur ty lajmi për Musain,

kur e pa zjarrin ai i tha familjes së vet: “Rrini ju këtu! Unë, me të vërtetë, e kam parë një zjarr; shpresoj se unë do t’ju sjell juve një gacë, ose që pranë tij do të gjej ndonjë udhërrëfyes”.

E kur arriti ai te zjarri, u thirr: “O Musa,

Unë, me të vërtetë, jam Zoti yt! Andaj, zbathi këpucët tuaja, se ti, me të vërtetë, gjendesh në luginën e shenjtë – të Tuvasë.

Dhe, Unë ty të kam zgjedhur; andaj dëgjo ti atë që të shpallet (ty)!

Me të vërtetë, Unë jam Perëndia; s’ka zot tjetër përveç meje; andaj, vetëm Mua adhuromë dhe kryej namazin, për të më kujtuar Mua!

Çasti i gjykimit do të arrijë me siguri – atë e kam fsheh (nga çdokush) – kur secili do të shpërblehet për atë (përpjekje) që ka bërë.

Le të mos shmangë ty nga ai (çast), ai që nuk beson në të (Kijametin) dhe që jepet pas epsheve të tija, e të humbasësh.

E, ç’ke ti në dorën e djathtë, Musa?

(Musai) u përgjegj: “Ky është shkopi im, në të cilin mbahem dhe me të u shkundi gjethe dhenëve të mia, e me të kam edhe dobi të tjera.

(Perëndia) i tha: “Hudhe atë Musa!”

Ai e hudhi atë por ai (shkopi, u bë) gjarpër që zvarritej.

(Perëndia) i tha: “Merre atë (gjarpërin) dhe mos u frikëso! Na do ta kthejmë atë në gjendjen e mëparshme.

Dhe, fut dorën tënde nën sqetullën tënde, ajo do të dalë e bardhë pa kurrfarë sëmundje, dhe ja kjo – është mrekulli tjetër,

për t’i treguar ty disa nga mrekullitë Tona të mëdha!

Shko te Faraoni! Ai, me të vërtetë, është azdisur, nga të këqiat!”

(Musai) tha: “O Zoti im, zgjeroma krahërorin tim,

dhe lehtësoma punën time,

dhe zgjidhma lidhjen prej gjuhës sime,

që të kuptojnë ata fjalën time,

dhe bëne për mua një ndihmës nga familja ime

Harunin, vëllain tim,

e forcoje me të – fuqinë time,

dhe shoqëro atë në punën time,

për me të falënderuar Ty shumë,

dhe për të përmendur Ty vazhdimisht!

Me të vërtetë, Ti je mbikëqyrësi ynë”.

(Perëndia) tha: “Të është dhënë ty ajo që kërkove, o Musa!”

Dhe Ne, me të vërtetë, të kemi bërë mirë ty edhe tjetër herë (para kësaj),

kur nënën tënde e frymëzuam me atë, që mund të arrihet vetëm me frymëzim:

“Vendose atë (Musain) në sandëk e hudhe në lum (Nil), lumi e qet atë në breg, e që atë, do ta marr armiku i Im dhe armiku i tij”. Dhe, Unë kam hudhur në ty – dashurinë Time (për me të dashtë ty gjithkush), dhe që të rritesh nën mbikëqyrjen Time.

Kur shkoi motra jote (në pallatin e Faraonit) e tha: “A doni t’ju tregoj unë juve atë që do të kujdeset për të?” Na, të kthyem ty te nëna jote që të gëzohet ajo dhe të mos pikëllohet më. Dhe ti e mbyte një njeri (pa qëllim), e Ne të shpëtuam ty nga brenga (e dënimit) dhe Ne të sprovuam ty me sprova të shumta. Dhe ti qëndrove me vite të tëra në mesin e banorëve të Medjenit, e pastaj, ti, erdhe, sipas dispozitës së caktuar, o Musa!

Dhe, Unë të kam zgjedhur ty për Vete.

Shko ti dhe vëllai yt me argumentet e Mia dhe mos u shkrehni në të kujtuarit Mua!

Shkoni (ju të dy) te Faraoni! Ai, me të vërtetë, është azdisur nga të këqijat,

e flitni atij fjalë të buta, që të këshillohet apo të frikësohet”.

Ata thanë: “O Zoti ynë, na, me të vërtetë, druajmë se do të na dënojë menjëherë ai, ose do të azdiset më tepër”.

(Perëndia) tha: “Mos u frikësoni! Unë me të vërtetë, jam me ju, dëgjoj dhe shoh”.

Shkoni tek ai dhe i thoni: “Na dy jemi të dërguarit e Zotit tënd, lëshoji bijtë e Israelit që të vijnë me ne dhe mos i mundo ata! Na, të kemi sjellë ty argument nga Zoti yt. Qoftë i shpëtuar ai që ndjek rrugën e drejtë!

Me të vërtetë, neve na është shpallur, se dënimi do ta godasë atë që e konsideron për gënjeshtër (shpalljen) dhe shmanget”.

(Faraoni) tha: “E, kush është Zoti juaj, o Musa?”

(Musai) tha: “Zoti ynë është ai që çdo gjëje i ka dhënë formën e vet e pastaj i ka udhëzuar (në përdorimin e tyre).

(Faraoni) tha: “Si është gjendja e popujve të mëparshëm?”

(Musai) tha: “Dijenia lidhur me ta gjendet te Zoti im, në Libër. Zoti im nuk gabon dhe nuk harron!

(Perëndia), i cili për ju Tokën e ka bërë shtrat, u ka lehtësuar juve rrugët nëpër të, u ka lëshuar ujë (shi) nga qielli e që Ne – me të, kemi nxjerrë shumë lloj bimësh të ndryshme.

Hani dhe kullotni bagëtinë tuaj! Këto, me të vërtetë, janë argumente për ata që janë mentarë.

Na ju kemi krijuar juve prej saj (tokës), dhe në të do t’ju kthejmë, dhe nga ajo do t’ju nxjerrim juve herën tjetër.

Na, me të vërtetë, ia kemi treguar atij (Faraonit) të gjitha argumentet Tona, e ai i ka konsideruar gënjeshtra dhe ka refuzuar besimin.

(Faraoni) tha: “A mos ti, o Musa, ke ardhur të na nxjerrësh nga toka jonë – me magjitë tuaja?”

Dhe ne, do të sjellim ty një magji të ngjashme, e cakto në mes meje e teje takim, të cilit do t’i përmbahemi edhe na edhe ti, në vend të barabartë.

(Musai) tha: “Takimi me ju është në ditën e kremtës dhe njerëzia lë të tubohen para mesditës”.

Faraoni u largua, i tuboi ngatërresat e veta, e pastaj erdhi.

Musai u tha atyre: “Mjerë për ju! Mos trilloni gënjeshtra për Perëndinë, e që Ai, t’ju shkatërrojë me dënim. Do të falimentojnë me siguri, ata që trillojnë gënjeshtra!”

Ata (magjistarët), polemizuan – për punën e tyre – në mes vete, duke pëshpëritur dhe tinëzisht u morën vesh.

Ata thanë: “Me të vërtetë, këta janë dy magjistarë; duan t’ju shporrin juve nga toka e juaj – me magjitë e tyre, dhe të shkatërrojnë fenë tuaj tejet të mirë,

andaj, mblidhni dredhitë tuaja e pastaj – ejani të radhitur. Do të shpëtoj sot – ai që fiton!”

Ata thanë: “O Musa, ose gjuaj ti, ose të bëhemi ne hedhësit e parë?”

(Musai) tha: “Jo, hedhni ju!” E, atë – herë, (pasi që i hedhën ata) litarët dhe shkopinjtë e tyre, - prej magjive të tyre – iu dukën atij, se me të vërtetë, po rrëshqasin,

andaj Musai – ndjeu në vete frikë,

Ne i thamë: “Mos u frikëso, se me të vërtetë, ti je fitues!

Dhe hudhe atë që e ke në dorën e djathtë! Do t’i gëlltisë ato që i kanë punuar ata. Atë që kanë punuar ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve. E, magjistari, nuk do të ketë sukses, kudo që të gjendet.

E, magjistarët (pastaj), ranë në sexhde dhe thanë: “Na besojmë në Zotin e Harunit dhe Musait”.

(Faraoni) tha: “Ju e besuat Atë, para se t’u japë leje unë juve! Ai (Musai), me të vërtetë, është eprori juaj, që u ka mësuar juve magjitë. Dhe, me të vërtetë, unë do t’ju këpus duart dhe këmbët tuaja tërthorazi, dhe unë do t’ju varr juve në trungjet e hurmeve. Ju, do ta dini, me siguri, - se dënimi i kujt prej nesh – është më i ashpër dhe më i vazhdueshëm”.

(Magjistarët) u përgjegjën: “Na, ty kurrë nuk do të japim përparësi ndaj argumenteve që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar neve, e gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!

Na besojmë Zotin tonë, që të na falë gabimet tona dhe magjitë, në të cilat na ke detyruar ti (Faraon). E, Perëndia është më i miri dhe më i vazhdueshmi (në shpërblime dhe dënime).

Me të vërtetë, ai që para Zotit të vet del si kriminel, atë, me të vërtetë, e pret skëterra; në të – ai, as nuk vdes as nuk jeton.

E, kush vie tek Ai, si besimtarë, e që madje, ka punuar vepra të mira, vetëm ata kanë pozita të larta,

kopshtet e Adnit, nëpër të cilët rrjedhin lumenjtë, e, në të cilët, ata do të qëndrojnë përherë. Ky është shpërblimi për atë që është i spastruar nga mohimi.

Na, i kemi shpallur Musait: “Udhëto natën me robërit e Mi dhe bënju atyre një rrugë të tharë nëpër det; nuk do të frikësohesh ti, se do të të arrijë ai (Faraoni), as nuk do të frikësohesh (nga fundosja)”.

E, Faraoni – me ushtrinë e tij, i ndoqi ata, e deti i mbuloi ata – me një mbulesë të madhe;

Faraoni i solli humbje popullit të vet, e nuk e udhëzoi në rrugë të drejtë.

O bijtë e Israelit, Na ju kemi shpëtuar juve nga armiku juaj, u kemi premtuar juve (shumë dhunti) në anën e djathtë të Turit, dhe u kemi dhënë menn – (një lloj ushqimi i ëmbël) dhe fëllanza.

Hani nga ushqimet e këndshme, me të cilat u kemi furnizuar ne juve, mos u bëni të azdisur në to, e t’ju arrijë zemrimi (dënimi) Im. Atë që e arrinë zemrimi Im, (ai) është i humbur!

Me të vërtetë, Unë jam falës për atë që pendohet dhe beson e punon vepra të mira, e qëndron në rrugë të drejtë.

E, përse nxitove para popullit tënd, Musa?

(Musai) tha: “Ja, ata, shkojnë pas gjurmëve të mia, e unë nxitova te Ti, o Zoti im, për të fituar kënaqësinë Tënde”.

(Perëndia) tha: “Na e kemi vënë në sprovë popullin tënd – pas teje, e i humbi ata Samirija”

U kthye Musai te populli i vet, i zemruar dhe i pikëlluar. Tha: “O populli im, vallë, a nuk ju premtoi Zoti juaj premtim të mirë? A mos ju zgjat tepër koha (prej se jam ndarë nga ju), ose dëshironi ju, që t’ju godasë zemrimi i Zotit tuaj, e për këtë, nuk i jeni përmbajtur premtimit që më dhatë mua!”

Ata u përgjegjën: “Na nuk e kemi thyer premtimin që të patëm dhënë ty me vullnetin tonë, por ne qemë të ngarkuar me peshë të rëndë – me stoli të popullit, andaj i hodhëm ato (në zjarr)”. Po kështu, i hodhi edhe Samirija,

dhe nga këto (stoli të hedhura në zjarr), ai (Samirija) nxori për popull trup viçi që pëlliste, dhe ata, atëherë, thanë: “Ky është zoti juaj dhe zoti Musait, ai e ka harruar atë (e ka shkuar ta kërkojë në Tur)!”

Vallë, a nuk shohin ata, se (viçi) nuk u drejtohet atyre me asnjë fjalë dhe, nuk është në gjendje t’u sjellë atyre kurrfarë dëmi e as kurrfarë dobie.

E, atyre – Haruni u ka thënë qysh më parë: “O populli im! Ju, me këtë, vetëm jeni sjellë në sprovë, e Zoti juaj është Mëshirues, andaj pasomëni mu dhe dëgjoni urdhërin tim!”

Ata u përgjegjën: “Na do t’i lutemi atij (viçit) vazhdimisht, derisa të mos na kthehet Musai”.

(Musai) tha: “O Harun, a të ka penguar ty, - kur i ke parë ata se kanë humbur –

përse të mos shkosh pas meje? A mos qe ti i padëgjueshëm ndaj urdhërit tim?”

(Haruni) tha: “O biri nënës sime, mos më kap mua për mjekrën time as për kokën time, unë jam frikësuar që ti do të thuash: “Ke bërë përçarje në mesin e bijve të Israelit e nuk i ke mbajtur fjalët e mia”.

(Musai) tha: “E ç’është puna jote, o Samiri?”

(Samirija) u përgjegj: “Unë kam parë atë që nuk e kanë parë ata, - e kam marrë një grusht dhe në gjurmët e (kalit të) Pejgamberit, e atë – e kam hedhur (në stolinë e shkrirë), dhe kështu, ajo, më është zbukuruar mua (e keqja ime)”.

(Musai) tha: “E, atëherë shko! – tërë jetën do të flasësh: “S’ka prekje (le të mos më prekë askush) dhe ty të është caktuar një premtim, i cili doemos do të zbatohet. Shiko në zotin tënd, të cilin ti e ke adhuruar vazhdimisht. Na, do ta djegim atë, e pastaj do ta hedhim atë në det – si pluhur.

Zoti juaj është vetëm Perëndia; që s’ka zot tjetër përveç Tij; që dijenia e Tij i përfshinë të gjitha gjërat!”

Kështu pra, Na ty (o Muhammed) t’i tregojmë disa lajme (për atë) që kanë kaluar, dhe ta kemi, dhënë ty Kur’anin – prej anës Sonë.

Kush shmaget nga ai (Kur’ani), ai në Ditën e Kijametit, do të bartë ngarkesë të rëndë (dënim),

përherë do të mbetet (duke bartur atë). Sa barë e shëmtuar që është ajo në Ditën e Kijametit,

në Ditën kur do të fryhet në Sur. Atë ditë do t’i tubojmë mëkatarët duke qenë syzgurdulluar,

dhe njëri-tjetrit do t’i pëshpërisin (duke thënë): “Ju keni qëndruar (në të kaluarën) vetëm dhjetë ditë”.

Na dimë më së miri se çka do të thonë ata (në Ditën e Kijametit), kur më i mençuri nga ata, thotë: “Ju keni qëndruar vetëm një ditë”.

Dhe, të pyesin ty (o Muhammed) për malet (çka do të bëhet me to në Ditën e Kijametit). Thuaj: “Do t’i copëtoj krejtësisht Zoti im,

e toka do të bëhet fushë e rrafshët,

nuk do të shohësh në të (tokë) as lugina as brigje”.

Atë ditë, ata do të shkojnë pas thirrësit, duke mos pasur shmangie në të, e zërat do t’i përulen Mëshiruesit të Gjithmbarshëm, e ti nuk do të dëgjosh tjetër, pos pëshpëritjes.

Atë ditë, nuk do të bëjë dobi ndërmjetësimi i askujt, përveç ndërmjetësimit të atij, që i jep leje Mëshiruesi dhe që është i kënaqur me fjalët e tij.

Ai di ç’ka para tyre dhe ç’ka pas tyre; e ata, nuk mund ta ngërthejnë dijeninë e Perëndisë – me dijeninë e tyre.

Fytyrat (e njerëzve) do t’i përulen (Perëndisë) të Gjallit, të Amshueshmit (Mbikëqyrësit të Gjithësisë). Do të humbë ai që ka ngarkuar të keqen (që i ka bërë shok Perëndisë),

e ai që punon vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia (shtimi i dënimit), as nga të manguarit (e shpërblimit).

Dhe kështu Ne, e kemi zbritur Kur’anin në gjuhën arabe, dhe në të kemi përsëritur vërejtjet, që ata të ruhen nga mëkatet, ose që t’i orientojë ata në këshillim.

I Lartë është Perëndia – Sundues – i Vërtetë! Dhe, mos nxito në të lexuarit e Kur’anit (o Muhammed!) para se të përfundojë (shpallja e tij), dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma dijeninë mua!”

Na, madje – edhe Ademit i kemi shpallur më parë (në xhennet), e ai harroi, por nuk kemi gjetur tek ai vendim (për gabim të qëllimuar).

(Kujtoje o Muhammed!) kur u thamë engjëjve: “Bëni sexhde Ademit; e i bënë sexhde të gjithë, përpos Iblisit; ai refuzoi (atë).

E, Ne, kemi thënë: “O Adem, me të vërtetë, ky është armik yti dhe i gruas sate, e le të mos u nxjerr juve kurrsesi nga xhenneti, e që të vuash pastaj.

Me të vërtetë, në të nuk do të mbetësh i uritur as i zhveshur, të jesh i ushqyer dhe i veshur

as nuk do të kesh etje, as vapë.

Por, djalli filloi ta namatis (magjeps) atë e i tha: “O Adem, a don të ta tregoj drurin e pavdekshëm dhe pasurinë që nuk zhduket?”

Dhe, ata të dy hëngrën nga ajo (pema për t’u bërë të pavekshëm dhe që të arrijnë pasurinë e përhershme), e filluan t’u zbulohen vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e xhennetit. Dhe, Ademi nuk e zbatoi urdhërin e Zotit të vet, ndaj edhe humbi.

Pastaj, Zoti i tij e zgjodhi atë, ia pranoi pendimin dhe e udhëzoi atë.

(Perëndia) tha: “Zbritni prej xhennetit të gjithë! Do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Me të vërtetë, do t’ju arrijë juve udhëzim nga ana Ime, e kush pason udhëzimin Tim, nuk do të humbë (në këtë botë), as që do të jetë fatkeq (në botën tjetër).

E, ai që shmanget nga Libri Im, ai do të ketë jetë të vështirë dhe, Na në Ditën e Kijametit do ta ringjallim të verbër atë.

Ai do të thtotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë, me të vërtetë, kam pasur të pamurit më parë?”

(Perëndia) i tha: “Kështu (ke bërë); të kanë ardhur argumentet Tona, e ti i ke harruar ato. Kështu edhe ti sot do të jesh i harruar.

Kështu Na e ndëshkojmë atë që jepet pas mëkateve dhe nuk beson në argumentet e Zotit të tij; e dënimi në jetën tjetër, në të vërtetë, është më i dhembshëm dhe i pandërprerë.

A nuk i udhëzoi ata në rrugë të drejtë (argumenti Ynë) – që sa e sa gjenerata i kemi zhdukur Ne para tyre, të cilët ecin nëpër vendet e tyre. Me të vërtetë, në këtë, ka argumente për njerëzit mentarë.

Sikur të mos ishte fjala e caktuar më parë – nga Zoti yt (o Muhammed) dënimi i tyre do të ishte i pashmangshëm dhe afati (i dënimit) do të ishte i caktuar (në këtë botë).

Bëhu i durueshëm për atë që flasin ata, dhe lavdëroje me falenderim Zotin tënd para lindjes së diellit, dhe para perëndimit të tij, dhe lavdëroje (Perëndinë) në orët e natës dhe në kohërat e ditës, për të qenë ti i kënaqur.

Mos lakmo në begatitë e llojllojshme që ua kemi dhuruar Na atyre (mohuesve), duke qenë ato stoli të jetës së kësaj bote, për t’i vënë në sprovë ata, e furnizimi i Zotit tënd është më i mirë dhe më i amdhueshëm.

Dhe urdhëroje familjen tënde që të bëjë namaz dhe në këtë bënu këmbëngulës! Na nuk kërkojmë furnizim prej teje. Na të furnizojmë ty, e përfundimi i mirë është për ata që ruhen nga mëkatet.

Mohuesit thonë: “Përse të mos na sjellë ai ndojë argument të qartë që gjendej në librat e mëparshëm?”

Sikur Na t’i shkatërronim ata para tij (para shpalljes së Kur’anit) ata, me siguri do të thonin: “O Zoti ynë! Sikur të na kishe dërguar pejgamber, e të shkojmë pas argumenteve Tuaja (të Perëndisë), para se të poshtërohemi dhe turpërohemi!”

Thuaju (o Muhammed): Të gjithë presin, andaj pritni edhe ju, e do të kuptoni ju kush janë ithtarët e rrugës së drejtë dhe kush është i udhëzuar”.
Icon