ترجمة سورة محمد

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة محمد باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Ata që kanë mohuar dhe që i penguan (njerëzit) në rrugën e Perëndisë – Ai, ua ka shkatërruar veprat e tyre.

E, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira dhe besojnë në atë që i është shpallur Muhammedit – e ajo është e Vërteta prej Zotit të tyre, - Ai do t’jua mbulojë mëkatet dhe do t’ua përmirësojë gjendjen atyre,

meqë, ata që kanë mohuar mbështeten në të pavërtetën, kurse besimtarët mbështeten në të Vërtetën e Zotit të tyre. Kështu Perëndia ua sjell njerëve shembujt e tyre.

E, kur të takoheni në luftë me mohuesit, bini në qafë derisa t’i rraskapitni e t’i shkatërroni ata, e pastaj lidhin (zëni robër), dhe mandej, ose i lironi me zemërgjerësi ose me kompensim, përderisa të mos bëhet armëpushimi. Kështu bëni! E, sikur të dojë Perëndia, Ai do t’i shkatërronte ata, por Ai dëshiron t’ju provojë juve njërin me tjetrin. Ai nuk ua humbë veprat atyre që vdesin në rrugën e Perëndisë,

dhe Ai, me siguri, do t’i udhëzojë ata dhe do t’ua përmirësojë gjendjen e tyre,

dhe do t’i shpie në xhennet ata, të cilin madje, ua ka përshkruar atyre.

O besimtarë, nëse ndimoni Perëndinë (rrugën e Tij), edhe Ai do t’ju ndihmon juve dhe do t’ua mundësojë përparimin tuaj.

E, ata që nuk besojnë – shkatërrimi për ta! Ai ua humbë veprat atyre.

Kjo është, ngase ata e urrejnë atë që e ka shpallë Perëndia, andaj Ai ua ka shkatërruar veprat e tyre.

Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër Tokë, për të parë përfundimin e atyre të mëparshmëve?! Perëndia i ka zhdukur ata plotësisht, e kështu do të përfundojnë edhe mohuesit e tjerë.

Kjo është (ngase) Perëndia është mbojtës i atyre që besojnë – dhe, meqë, me të vërtetë, për mohuesit nuk ka mbrojtës (ndihmës).

Perëndia, me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do t’i shpie në xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj; e ata që nuk besojnë – që kënaqen dhe gëlltisin ashtu siç gëlltisin shtazët, vendbanim i tyre është zjarri!

Shumë vende (qytete) kanë qenë më të fuqishme se vendi yt që të ka përzënë ty. Na, i kemi shkatërruar ata dhe nuk ka pasur ndihmës për ta.

Vallë, a është i njëjtë ai që (pason) argumentet e qarta të Zotit të tij me atë që i zbukurohen punët e veta të shëmtuara dhe (i cili) pason epshet e veta?!

Shembulli i xhennetit, që u është premtuar besimtarëve – në të cilin gjenden lumenj me ujë të paprishur, dhe lumenj të qumështit me shije të pandryshuar, dhe lumenj të verës me shije të këndshme për ata që e pinë (pa përbërje alkooli), dhe lumenj prej mjaltit të kulluar, në të kanë edhe llojlloj pemësh dhe falje (të mëkateve) prej Zotit të tyre, (a është njësoj si shembulli i atij) i cili është përherë në zjarr dhe të cilëve u jepet ujë i vëluar, që ua copton zorrët?!

Në mes tyre ka (edhe të atillë) që të përgjojnë ty, e posa të largohen prej teje, i pyesin ata të cilëve u është dhënë dijenia: “Ç’tha ai më parë?!” Këta janë ata, zemrat e të cilëve ua ka vulosur Perëndia dhe të cilët ndjekin epshet e veta.

E, ata që kanë marrë rrugën e drejtë, Ai (Perëndia) ua shton udhëzimin dhe u jep atyre (forcon) ruajtjen (nga zjarri).

A mos vallë mohuesit presin që t’u vie befasisht (edhe) vetëm Çasti i caktuar, e madje – me të vërtetë, shenjat e tij kanë ardhur? E, çka do t’u shërbejnë atyre këshillat kur t’ju vie ai (Çasti)?!

Dije se s’ka zot (tjetër) pos Perëndisë! Kërko falje për mëkatet tua dhe për besimtarët e besimtaret. Perëndia di se ku silleni ju dhe ku qëndroni (banoni).

E, thonë ata që kanë besuar: “Sikur të ishte shpallur një sure!” E, kur u shpall një sure e qartë dhe në të u përmend (obligimi) i luftës, i sheh ti ata zemrash të sëmuara (me besim të dyshimtë), si të shikojnë ty me shikimin si të agonisë së jetës! E, më e përshtatshme do të ishte për ata –

përulja dhe fjala e mirë! E, kur, madje është caktuar dispozita e luftës, më mirë do të ishte për ta, (atëherë) të jenë të sinqertë ndaj Perëndisë.

E, vallë ndoshta edhe ju (hipokritët) sikur të vinit në pushtet, do të bënit ngatërresa (zullum) në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore?!

Këta janë ata, të cilët i ka mallkuar Perëndia dhe i ka bërë të shurdhër (ndaj së vërtetës) dhe ua ka verbuar sytë (për të parë rrugën e vërtetë).

Vallë, a nuk duan ata të mendojnë për Kur’anin, apo në zemrat e tyre ka dryna?!

Me të vërtetë, ata që janë kthyer prapa (në mohim), pasi u është treguar atyre rruga e drejtë, djalli i ka shpie në mëkat dhe i ka udhqyer ata me shpresë të rrejshme.

Kjo ngjet, ngase ata u thonin atyre, të cilët nuk e donin atë që e ka shpallur Perëndia: “Na do t’ju përulemi juve në disa gjëra”, - e Perëndia i di mirë fshehtësitë e tyre.

E, (çka do të bëjnë) ata, kur engjëjt do t’u marrin shpirtin atyre, duke i rrahur ata nëpër fytyrat dhe shpindët e tyre.

Kjo (mënyrë e vdekjes) është, ngase ata, pasuan atë që shkakton pezmin e Perëndisë dhe që urrenin kënaqësinë e Tij; e Ai, ua ka shkatërruar veprat e tyre.

Vallë, a mendojnë ata me zemra të sëmura – se, Perëndia nuk do t’ua qet në shesh urrejtjen e tyre?

E, sikur të donim, Ne do t’i tregonim ty ata, e ti me siguri, do t’i njihje ata, sipas shenjave të tyre (të fytyrës). Por, ti do t’i njohësh ata sipas mënyrës së shprehjes së tyre, e Perëndia i di veprat tuaja.

Ne do t’ju vëmë në sprovë juve, përderisa t’i njohim në thelb ata të cilët prej jush luftojnë (në rrugën e drejtë) dhe durojnë (mundimin), si dhe për t’i vërtetuar lajmet për veprat tuaja.

Me të vërtetë, ata që nuk besojnë dhe i pengojnë (të tjerët) nga rruga e Perëndisë dhe kundërshtojnë Pejgamberin, pasi që atyre u është shpjeguar qartë rruga e drejtë, nuk do t’i sjellin (me këtë) Perëndisë kurrfarë dëmi, e Ai do t’ua zhdukë veprat e tyre.

O ju që keni besuar! Përuljuni Perëndisë dhe përuljni Pejgamberit (të Tij) dhe mos i prishni veprat tuaja!

Me të vërtetë, ata që nuk besojnë e vdesin si mohues, Perëndia, kurrsesi, nuk do t’i falë ata.

Dhe, mos u bëni qyqarë dhe mos afroni paqë duke qenë ju më të fuqishëm, sepse Perëndia është me ju (në ndihmë tuaj), Ai nuk ua pakëson shpërblimin e veprave tuaja.

Jeta e kësaj bote nuk është asgjë tjetër, pos lojë dhe zbavitje, e nëse besoni dhe ruheni (prej të këqiave), Ai do t’ju shpërblejë juve dhe nuk do të kërkojë prej jush (tërë) pasurinë tuaj.

Sikur ta kërkonte prej jush atë (tërë pasurinë me këmbëngulje), do të bëheshit koprrac dhe do të shkaktonte urrejtjen tuaj.

Ja, pra, ju thirreni se shpenzoni në rrugën e Perëndisë, por disa prej jush janë koprrac, - e kush është koprrac, është koprrac në dëm të vet, sepse Perëndia është i pasur (s’ka nevojë për asgjë), ndërsa ju jeni të varfër (jeni nevojtarë për gjithçka). E, nëse ju, shmangeni, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do të bëhet si ju.
Icon