ترجمة معاني سورة البقرة باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation

آية رقم 1


Elif, Lam, Mim.
آية رقم 3

të cilët u besojnë gjërave të padukshme (në bazë të argumenteve mendore) dhe bëjnë namaz dhe japin nga ajo që Ju kemi dhënë;

Me të vërtetë, për ata që janë (këmbëngulës) në mohim, është njësoj si i paralajmërove ti apo nuk i paralajmërove – ata nuk besojnë.

Kur t’u thuhet atyre: “Besoni edhe ju ashtu siç kanë besuar njerëzit (e ndershëm)” – ata (jobesimtarët) thonë: “Vallë! Si të besojmë ne ashtu siç kanë besuar njerëzit mendjelehtë?” – Ah! Me të vërtetë, ata janë mendjelehtë, por ata nuk e dinë këtë.
آية رقم 15

Perëndia tallet me ta; Ai do t’i lë një kohë të gjatë që të bredhin andej-këndej në mohimin e tyre.

Ata janë prej atyre që kanë blerë (zgjedhur) rrugën e gabuar, në vend të së vërtetës. Tregtia atyre nuk u solli kurrfarë dobie, dhe as nuk janë orientuar në rrugë të drejtë.

Ata (që janë zhytur në të këqia e bredhin andej-këndej) janë të ngjashëm me ata që ndezin zjarrin, i cili kur ta ndriçojë rrethin e tyre, Perëndia ua merr dritën, i le në errësirë dhe ata nuk shohin asgjë!
آية رقم 18

Ata janë të shurdhër, memecë, e të verbër; prandaj nuk kthehen (nga e keqja në të mirë).

Ose ata i gjasojnë atyre, të cilët gjatë kohës së shiut të stuhishëm (shtrëngatës) nga qielli, me errësirë, bubullimë dhe shkreptimë, nga frika e vdekjes – për të mos dëgjuar ushëtimën me gishtërinjtë mbyllin veshët, por Perëndia i ka rrethuar (qafirat) me fuqi (e s’kanë shpëtim).

Nëse dushoni ju në atë (Kur’anin) që ia kemi dërguar robit tonë (Muhammedit), atëherë hartonie një sure të ngjashme si atë që ia kemi shpallur atij, dhe nëse jeni të drejtë thirrni dëshmitarët tuaj, (zotërat që i adhuroni), përveç Perëndisë.

Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni (me i bë shembull Kur’anit), atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Ai është përgatitur t’i ndëshkojë mohuesit.

Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira gëzoji me kopshte të xhenetit nëpër të cilat do të kalojnë lumenj çdoherë kur u jepet atyre ndonjë frut i tyre, ata të thonë: “Këtë e kemi ngrënë edhe përpara”, - e atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme me to. Në to do të ketë femra të pastra dhe në to do të jetojnë gjithmonë.

Allahu nuk ngurron të jep shembullin e mushkajës ose diçka më të madhe se atë, ata që besojnë e dinë që kjo është e vërtetë nga Perëndia e tyre, e ata që nuk besojnë thonë:“-Çka don të tregojë Allahu me këtë shembull. Në këtë mënyrë Ai shumëkend e ka hutuar e shumëkujt ia ka treguar rrugën e vërtetë. Ai i la të humbur vetëm mëkatarët e mëdhenj”,

Si mund të mos e besoni Allahun, ju që s’keni qenë e Ai ju ka dhënë jetën; Ai pastaj do t’ju bëjë të vdekur e pastaj do t’ju ngjallë, e në fund do të ktheheni tek Ai.

Ademi dëgjoi disa fjalë (Urdhëra) e i zbatoi nga Zoti i vet, Ai ia pranoi pendimin dhe i fali gabimin. Ai shumë i pranon pendimet, Ai është i mëshirshëm.

Ne u kemi thënë: “Zbritni të gjithë prej (xhennetit) tij. Juve me të vërtetë do t’ju vijë një dirigjues prej meje dhe ata që i përmbahen dirigjimit Tim nuk do të kenë frigë dhe nuk do të hidhërohen.

O djemë të Israilit, kujtoni të mirat e Mia që u kam dhënë dhe përmbushni premtimin që më keni dhënë – Edhë Unë do ta përmbushi atë që u kam dhënë, e frikohuni vetëm prej Meje.
آية رقم 42

Mos e ngatërroni të vërtetën me të pavërtetën, duke e përzier njërën me tjetrën, dhe të vërtetën mos e fshehni me vetëdije.

Ndihmoni vetes me durim e me namaz, e kjo është njëmend vështirë pos për ata që i përulen Zotit, të cilët janë të bindur se do të dalin para Zotit dhe me të vërtetë do të kthehen tek Ai.
آية رقم 46

Ndihmoni vetes me durim e me namaz, e kjo është njëmend vështirë pos për ata që i përulen Zotit, të cilët janë të bindur se do të dalin para Zotit dhe me të vërtetë do të kthehen tek Ai.

O djemë të Israilit, kujtoni të mirat e Mia që ju kam pasë dhënë dhe që ju kam pasë madhëruar mbi njerëzit e tjerë (të asaj kohe).

Kujtoni ju premtimin Tonë dhënë Musait për takim (për të biseduar) dyzet netë me të, e pastaj duke i bërë vetes padrejtësi, e adhuruat viçin.
آية رقم 53

dhe kur Musait ia kemi pasë dhënë librin e Furkanit (Teuratin), që të udhëzoheni në rrugën e drejtë;

dhe kur Musai i tha popullit të vet: “O populli im, ju vetëm vetes i bëtë padrejtësi, kur viçin e pandehet për zot; prandaj, pendohuni te Krijuesi juaj dhe vritni njëri-tjetrin (i pafajshmi – fajtorin). Kjo është më mirë për ju te Krijuesi juaj; Ai ju falë gabimin! Ai pranon pendimin dhe është mëshirues;

dhe (kujtonie), kur i keni thënë Musait: “O Musa! Kurrsesi nuk të besojmë ty pa e parë Allahun për fushë!” – në atë çast ju përlau rrufeja, e ju e patë.

(Kujtonie) kur ju kemi thënë: “Ejani në këtë qytet dhe hani ç’të doni dhe sa të dëshironi, por, duke hyrë në qytet përuluni dhe thoni: “Falna!” – Na ua falim gabimet tuaja, e atyre që bëjnë vepra të mira, ua shtojmë shpërblimin!

Kur ju thatë: “O Musa! – ne nuk mundemi të kënaqemi vetëm me një lloj ushqimi, pra lutju për ne Zotit tënd që të na dhurojë nga ato që jep toka: perime – tranguj, bizele, qepë dhe hudhra!” Ai (Musai) ju tha: “Vallë a dëshironi të ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët? Shkoni në qytet, atje do të gjeni atë që kërkoni!” Por, ata i kaploi poshtërimi dhe përulja (kokëulur për toke) merituan pezmin e Perëndisë; sepse ata i mohonin argumentet e Zotit dhe i mbytnin pejgamberët pa farë të drejte. Ky ndëshkim ishte pasojë e kundërshtimit të tyre dhe e tejkalimit të kufirit të kërkesave.

Ata që kanë besuar (me gojë) madje edhe Hebrenjtë, të krishterët dhe Sabi’inët – kushdo që beson Perëndinë (si është urdhëruar) dhe jetën tjetër, e bënë vepra të mira, për ata, me të vërtetë, ka shpërblim te Zoti i tyre; për ta nuk ka kurrëfarë droje, e as mërzie!

Dhe (kujtonie), kur prej jush morëm premtimin dhe ngritëm Turin (malin) mbi ju; (e Na ju thamë): Merreni me seriozitet atë që ua kemi dhënë juve (Tevratin) dhe kinie ndërmend atë që gjendet në të, për t’u ruajtur!”

(Betohem) se ju me të vërtetë e dini grupin tuaj, i cili kaloi kufirin ditën e shtunë (që e kundërshtoi urdhërin e Zotit) dhe të cilëve Na ju thamë: “Bëhuni majmunë të poshtër!”

Këtë ngjarje e kemi bërë dënim për bashkëkohanikët dhe për breznitë e tyre, kurse këshillë për ata që i drojnë Perëndisë.

E, kur Musai i tha kombit të vet: “Perëndia, me të vërrtetë ju urdhëron të therrni një lopë”, - ata thanë: “A don të tallesh me ne?” – Zoti më ruajtë!” tha Musai “të bëhem unë me grupin e injorantëve (me ata që ia mveshin Perëndisë atë që s’e ka thënë).

Ata thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegojë çfarë ngjyre ka ajo!” Musai tha: “Me të vërtetë Ai, (Perëndia) thotë se ajo është lopë ngjyra e së cilës është tejet e verdhë, të cilën e pëlqejnë shikuesit”.

Ata (përsëri) thanë: “Lutju Zotit tënd, që të na shpjegoje çfarë është ajo, sepse, lopët po i gjasojnë (njëra-tjetrës) e ne, në dashtë Zoti, do të udhëzohemi në rrugën e drejtë (si jemi urdhëruar)”.

Na (Perëndia) kemi thënë: “Mëshoni me një copë të asaj (lopës) të vrarit!” Dhe kështu Perëndia do t’i ngjallë të vdekurit dhe do të ju tregojë argumentet e veta për të kuptuar ju.

Por, pastaj (mbasi i patë këto argumente) zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri ose edhe më të forta, megjithëse ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, e ka me të vërtetë, edhe shkembenjë që çahen e nga të cilët rrjedh uji e ka madje, gjithashtu që prej frikës së Perëndisë të rrëzohet. – E Perëndia nuk është i pakujdesshëm ndaj veprimeve tuaja.

O, me të vërtetë! Ata që punojnë vepra të këqia dhe fajet e tyre të përhapen nga të gjitha anët, ata do të jenë banorë të skëterrës, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

Dhe kur nga bijt e Israelit morëm premtimin se vetëm Perëndisë do t’i luten, dhe se do t’u bëjnë mirë prindërve, të afërmve, bonjakëve dhe të varfërve, e do t’u flasin fjalë të mira njerëzve dhe do të bëjnë namazin, e do të japin zeqatin; mirëpo, pastaj, ata, përpos një pakice të vogël, këto detyra i lanë pas dore, duke iu shmangur obligimit;

Dhe kur nga ju morëm premtimin që të mos derdhni gjakun e njëri-tjetrit dhe që të mos e dëboni njëri-tjetrin nga atdheu juaj – ju e pranuat këtë dhe ishi dëshmitarë (të këtij premtimi), -

por pastaj, megjithatë vratë njëri-tjetrin e disa prej jush i dëbuat nga atdheu i tyre – duke i ndihmuar njëri-tjetrit kundër tyre, duke bërë faje dhe armiqësi. E nëse ju vijnë të robëruar, ju shpëtoni ata nga robëria me të holla; kurse me marrëveshje u është e ndaluar t’i dëboni; apo një pjesë të Librit (Teuratit) i besoni, e kurse pjesës tjetër nuk i besoni?! (Kjo është një vepër e keqe). – Kushdo që vepron kështu nga ju, ndëshkimi i tij është poshtërimi i tij në këtë jetë, e në Ditën e Kijametit do të dërgohen në dënimin më të ashpër. – E, Perëndia nuk është i pakujdesshëm ndaj veprimeve tuaja.

Ata (Hebrenjtë) thanë: “Zemrat tona janë të mbuluara”. Jo, s’është ashtu, por ata i ka mallkuar Perëndia për shkak të mohimit të tyre; dhe prandaj prej tyre shumë pak besojnë.

E kur atyre u thuhet: “Besoni në atë që ua ka shpallë Perëndia!” – ata përgjigjen: “Na besojmë në atë që na është shpallë neve” – dhe nuk besojnë në atë që ka zbritur pas (Kur’anit), e kjo është e Vërtetë e cila vërteton atë që kanë ata. Thuaju atyre: “E nëse ishit besimtarë, përse i vratë pejgamberët e Zotit në atë kohë kur ju zbritën?! (Me këto sjellje u bëtë qafira).

Me të vërtetë, Musai ju zbriti me mrekulli të mëdha, por gjatë mungesës së tij, ju viçin e adhuruat si zot, prandaj u bëtë fajtorë të mëdhenj (me këtë sjellje).

Kur Na morëm premtimin nga ju dhe ngritëm malin e Turit mbi ju, thamë: “Merrni seriozisht atë që ua kemi dhënë juve (Teuratin) dhe dëgjoni!” – Ata thanë: “Na dëgjuam, por kundërshtojmë!” – Për shkak të mohimit, atyre në zemra u ishte rrënjosë dashuria e viçit (adhurimi i tij). Thuaju: “Nëse jeni besimtarë, sa gjë të keqe po ju urdhëruaka besimi juaj!”

Por ata kurrsesi nuk e dëshirojnë vdekjen, për shkak të të këqijave që kanë punuar! – E Perëndia i di mirë ata që shkelin drejtësinë.

Thuaju: “Kush është armik i Xhebrailit? (duke qenë i lavdërueshëm); Ai e ka zbritur Kur’anin në zemrën tënde me lejen e Perëndisë – për të vërtetuar librat e shenjta – dhe është udhërrëfyes e sihariq për muslimanët.

Kush është armik i Perëndisë, i engjujve të Tij dhe pejgamberëve të Tij, dhe Xhebrailit e Mikailit – (ai është qafir); e Perëndia është me të vërtetë armik i qafirëvet.

(Jehuditë e braktisën Teuratin) dhe shkonin pas shpifjeve që bënin djajt kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajt ishin mohues, që u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy ëngjujve në Babiloni – Harutit e Marutit. Këta ëngjuj nuk i mësonin ndokujt magji pa i thënë: “Na vetëm provojmë, dhe ti mos u bën mohues!” Dhe njerëzit mësuan nga këta dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët – pa lejen e Zotit nuk mund t’i bënin dëm askujt. Njerëzit megjithatë mësonin ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi; dhe me të vërtetë e dinin se ai që e ka përvetësuar këtë mjeshtri nuk do të ketë kurrfarë të mire në jetën tjetër. E sa e keqe është ajo shit-blerje me magji. Oh! Sikur ta dinin ata?!

Dhe sikur ata (Hebrenjt) të besonin dhe të druanin, shpërblimi i Perëndisë do të ishte më i mirë (të cilën e merituan prej besimit). Oh! Sikur ta dinin ata!

(Hebrenjt dhe të krishterët) thonin: askush nuk do të hyjë në xhennet përveç hebrenjve ose të krishterëve. – Këto janë dëshirat e tyre boshe! – Thuaju ti (O Muhammed): “Nëse ju jini të drejtë, sillni argumentin (për atë që po thoni).

Lindja dhe Perëndimi të Perëndisë janë e, kahdo që të ktheheni (me urdhër të Tij) është kënaqësia e Perëndisë. – Perëndia me të vërtetë është universal (me cilësi të larta) dhe Ai di çdo gjë.

Ata (të krishterët) thanë: “Perëndia ka fëmijë”. Ai është i pastër nga ajo veçori. Por, me të vërtetë, çdo gjë që gjendet në qiej dhe në Tokë janë të Tij, dhe Atë e adhurojnë të gjithë.

Ai është krijues i pashembull i qiejve dhe i Tokës dhe kur të vendos për ndonjë gjë, vetëm thotë për të: “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.

Na me të vërtetë, të kemi dërguar Ty (O Muhammed!) me të drejtë sihariques dhe paralajmërues, dhe ti nuk do të pyesësh për të dënuarit në shkëterrë.

O bijt e Israilit, kujtoni të mirat e Mia që ua kam pasë dhënë dhe që iu kam pasë madhëruar mbi njerëzit e tjerë (të asaj kohe).

Dhe frikohuni Ditës, kur askush për askend nuk do të mund të bëjë asgjë dhe kur këmbimi (trampi) nga askush nuk do të pranohet, e kur intervenimi i askujt nuk vlenë, dhe kur askush nuk do t’u dalë në ndihmë.

Dhe (kujtonie), kur Perëndia e provoi Ibrahimin me disa urdhëra, e ai i plotësoi ato. Perëndia tha: “Unë do të bëjë ty imam (prijës) të njerëzve!” – Tha: “Edhe disa prej pasardhëve të mi!” (Perëndia) tha: “Premtimi im nuk i përfshinë zullumqarët.”

(Dhe atë kohë) kur Na e bëmë Qaben – vend dhuntie dhe sigurimi për njerëzit. “Merrni vendin e Ibrahimit – vend të kryerjes së namazit!” – Edhe Ibrahimit edhe Ismailit i kemi rekomanduar: “Faltoren (Qaben) Time pastronie për ata që e vizitojnë, dhe që banojnë aty, dhe për ata të cilët kryejnë namazin”.

(Dhe kujto atë kohë) kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes (e u lutën): “O Zoti ynë! Prano prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë Ti je ai, që i dëgjon të gjitha dhe që të gjitha i di!

O Zoti ynë bëna neve të përulun ndaj urdhërave Tuaja! Dhe bënë që pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj urdhërave Tua, dhe tregona format e ceremonive të Haxhit! Pranoje edhe pendimin tonë, se padyshim, Ti i pranon pendimet dhe je mëshirues i madh!

O Zoti ynë! Dërgo në mesin e tyre një pejgamber prej tyre, që do t’u lexojë ajetet (versetet) Tuaja, dhe t’ua mësojë atyre Librin dhe t’i ofrojë dijeni të përsosur e t’i pastrojë ata (prej fajesh), se, me të vërtetë, Ti je i plotëfuqishëm dhe i gjithëdijshëm!”

Kur Zoti i tij i tha (Ibrahimit): “Bëhu i bindshëm!” – ai u përgjegj: “Unë i jam bindur Zotit të gjithësisë!”

Ibrahimi u rekomandoi këtë fëmijëve të tij, po edhe Jakubi: “O bijt e mi! perëndia me të vërtetë ka zgjedhë për ju fenë e vërtetë, dhe mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë!”

Ata thanë: “Bëhuni Hebrenj, gjegjësisht (ose) të krishterë, atëherë do të jeni në rrugën e drejtë!” – Thuaju “Jo”. Na jemi të fesë së Ibrahimit e cila është e pastër, se ai nuk ka qenë adhurues i idhujve”.

Thoni ju (or besimtarë): “Na besojmë vetëm Perëndinë dhe në atë që na është shpallur neve (Kur’anin), dhe në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe nipërvet, dhe në atë që u është dhënë Musait dhe Isait, dhe në atë që u është dërguar pejgamberëve nga Zoti i tyre. – Na nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre, dhe na vetëm Atij (Perëndisë) i përulemi”.

E nëse besojnë ata sikundër që besoni ju (atëherë) janë në rrugën e drejtë; e nëse kthejnë shpinën nga kjo, ata janë larguar nga rruga e drejtë, dhe Perëndia ti (O muhammed) do të ruajë me siguri nga ata, e Ai është dëgjues dhe i di të gjitha.

“Na jemi ngjyrosë me ngjyrën e Perëndisë (fenë e cila është me cilësi të larta) e s’ka ngjyrë (fe) më të bukur se ajo e Perëndisë! Na vetëm atë e adhurojmë”.

Thuaj: “A mos doni të polemizoni ju me ne, për kompetencat e Perëndisë – kur Ai është Zoti ynë dhe i juaj? Na i kemi veprat tona e ju tuajat. E, vetëm na jemi të sinqertë ndaj Zotit”.

Gjithashtu (sikundër që ju kemi udhëzuar në rrugë të drejtë) ju kemi bërë popull të drejtë, që të bëheni dëshmitarë të njerëzve dhe që Pejgamberi të jetë dëshmitar i juaji. – Na nuk e kemi bërë obligim kthimin tënd kah Qabeja (o Muhammed!) për tjetër arsye, por vetëm për të parë se kush ndjekë rrugën dhe kush do të shkojë pas Pejgamberit e për t’i dalluar nga ata që kthehen nga thembrat, - ky ndryshim është i rëndë, por jo për ata që i ka drejtuar Zoti në rrugë të drejtë. E, se, Perëndia nuk ua humbë besimin tuaj (namazin që keni bërë kah Kudsi), se Perëndia, me të vërtetë, është fort i dhembshëm dhe mëshirues për njerëzit.

Na të pamë ty që shikimin tënd e drejtoje kah qielli (duke u lutur për caktimin e kiblës) e Na me të vërtetë do të kthejmë ty kah ajo anë, që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde kah faltorja e shenjtë (Qabja)! Dhe kudo që të gjendeni kthenie fytyrën tuaj kah ajo anë! Padyshim, atyre që u është dërguar Libri (Teurati) e dinë se ai (drejtimi kah kibla) është i vërtetë, është prej Zotit të tyre, - se Perëndia nuk është i pakujdesshëm ndaj punëve që bëjnë njerëzit.

Dhe sikur ti t’u sillje të gjitha dokumentet atyre, të cilëve u është dhënë Libri, ata prapëseprapë nuk do ta pranonin kiblën tënde, por edhe ti nuk do të pranosh kiblën e tyre dhe që askush nga ata nuk do të pranonte kiblën e njëri-tjetrit. – E nëse ti, pasi të është zbritur dijenia, të ndiqshe dëshirën e tyre, atëherë padyshim do të ishe nga ata që kanë kaluar kufirin.
آية رقم 147

E vërteta është në anën e Zotit tënd, pra, kurrsesi, mos u bënë nga ata që dyshojnë.

Nga cilido vend që të shkosh, ti shko, e fytyrën ktheje kah Faltorja e Shenjtë. E kudo që të gjendeni, ktheni fytyrat tuaja kah ajo anë, që bota mos të ketë çka të thotë për ju përpos atyre që kanë kaluar kufirin e drejtësisë dhe dijenisë, - por atyre mos iu frikoni e frikohuni vetëm prej Meje! Këtë (ndërrim të kiblës) e kam bërë për t’ju plotësuar dhuntitë e Mia juve, dhe për t’ju shpie në udhë të drejtë.

Sikundër që ua kam plotësuar dhuntinë Time, ashtu (dhunti) ju kam dërguar një Pejgamber, nga mesi juaj, i cili ju lexon versetet Tona, dhe ju pastron (nga të këqiat) e ju begaton me dijeni të holla, dhe që t’ju mësojë ato gjëra që nuk i keni ditur.
آية رقم 152

Më kujtoni Mua (ashtu si ju ka mësuar Profeti Im), e Unë ju kujtoj ju (me dhuratë); falënderomëni Mua e mos i mohoni dhuntitë e Mia!

Me të vërtetë, ata që fshehin dokumenta Tona të qarta, që i kemi shpallur Ne, dhe orientimin e drejtë, pasi që ua kemi treguar njerëzve në Librin (e Teuratit), ata i mallkon Perëndia, i mallkojnë edhe të gjithë ata që janë kompetentë të mallkojnë;

E nuk mallkohen, vetëm ata që pendohen dhe përmirësohen dhe haptazi e shfaqin këtë, se Unë jam pranues i pendimeve dhe mëshirues.
آية رقم 162

Ata do të jenë gjithmonë të mallkuar (të dënuar), e nuk ju lehtësohet vuajtja dhe as nuk u jepet afat.

Me të vërtetë në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në ndryshim të natës dhe të ditës; në anijet që lundrojën nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve; në ujërat që zbret Perëndia prej qiellit, e me të cilët i ngjallë tokat e vdekura (tokat e thata) – nëpër të cilën ka shpërndarë gjithfarë lloj shtazësh; në ndryshimin e erërave e reve të nënshtruara lëvizjeve në mes qiellit e Tokës – (në të gjitha këto), ka dokumente për të gjithë ata që mendojnë.

Ka njerëz që në vend të Perëndisë marrin disa gjëra të tjera për zotë dhe i duan ato si Perëndinë; ndërsa ata që besojnë, e duan shumë më tepër Perëndinë. Sikur ta dinin paganët në atë çast kur do ta shohin dënimin – se me të vërtetë e tërë fuqia i përket Perëndisë dhe se dënimi i Zotit është fort i ashpër (atëherë, ata nuk do të vepronin ashtu).

E kur atyre t’ju thuhet: “ndiqeni Shpalljen (Kur’anin) e Perëndisë!” – Ata përgjigjen: “Jo! Na ndjekim atë udhë në të cilën i kemi gjetur të parët tanë” – Vallë! Edhe atëherë kur të parët e tyre nuk kanë ditur asgjë dhe kur nuk kanë qenë në rrugën e drejtë?!

Me të vërtetë, Perëndia ua ka ndaluar ngrënien e kafshës së ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe atë kafshë që nuk është therrur në emër të Zotit. Por ata që ngushtohen nga uria e madhe, sa për të zhdukur krizën e urisë nuk kanë mëkate t’i hanë, por nuk duhet kaluar kufirin e lejueshmërisë. Se Perëndia me të vërtetë është Përdëllimtar i madh dhe falë.

Padyshim, ata që fshehin atë që ua ka shpallur Perëndia në Libër (Teurat) dhe i zëvendësojnë fjalët e Mia me diç tjetër të pavlerë (i shesin), ata nuk hanë tjetër gjë vetëm atë, që në barkun e tyre u sjell zjarrin. Në Ditën e Kijametit, Perëndia nuk do t’u flasë atyre dhe s’ka për t’i dlirë prej fajesh, dhe për ta ka dënim pikëllues.

Ata (mohuesit) rrugën e drejtë e kanë ndërruar me të humburën dhe faljen e Zotit me mundim, dhe sa ë durueshëm që janë vetëm ata në zjarr!

Kjo është për shkak se Perëndia ka zbritur Librin, të vërtetën e saktë, e ata që bëjnë polemikë rreth përmbajtjes së Librit janë në kundërshtim të madh me të drejtën.

Mirësia, nuk është të kthyerit e fytyrës suaj kah lindja dhe perëndimi, por, mirësi është kur (njeriu) beson Perëndinë, Ditën e Kijametit, ëngjujt, Librin, Pejgamberët dhe të cilët me vullnetin e vet, u japin nga pasuria të dashurve të tyre, te afërmve, bonjakëve, varfanjakëve, udhëtarëvet – musafirëvet (që kanë ngelur pa të holla), lypësvet dhe të robëruarvet (për t’u liruar); e (mirësi) është edhe kryerja e namazit, dhënia e zeqatit, dhe kryesit e obligimit të tyre, kur marrin përsipër diçka; e (mirësi), është edhe për ata që durojnë në skamjen, sëmundjen dhe durimi në kohë të luftës. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që i drojnë Perëndisë (ruhen prej mëkateve).

O besimtarë! Është porosi për ju ndëshkimi për vrasje: I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën; e atij që ia falë farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm (me mirësi për dëmshpërblim) dhe le të zbatohet dëmshpërblimi me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit. E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, për atë ka dënim të rreptë.

Kur ndokush prej jush gjendet buzë vdekjes e pas veti lë pasuri, ju urdhërohet që porosia (testamenti) të bëhet në mënyrë të drejtë ndaj prindërve dhe farefisit; ky është obligim i drejtë për njerëzit e mirë.

Kush e ndryshon (porosinë – testamentin) pasi e ka mësuar të vërtetën, - mëkat është vetëm për ata që e ndryshojnë; - e Perëndia, me të vërtetë, i dëgjon dhe i di të gjitha.

E ai që frikohet se porositësi (i testamentit) ka bërë pa qëllim gabim ose padrejtësi, e ndreq atë, ai – për këtë punë nuk ka mëkat. – Se me të vërtetë, Perëndia është falës dhe mëshirues.

(agjërimi) zgjat disa ditë. Ndonjëri prej jush që gjendet i sëmur ose gjendet në udhëtim e sipër, ai i agjëron aq ditë sa i ka prishur – në ditët e tjera. Dhe ata (njerëz) që kanë vështirësi për të agjëruar (si për shembull, plaku i mbetur), duhet të japë aq sa mund të ngopet një i varfër me ushqim gjatë ditës (për një ditë agjërimi – një ditë ushqimi). E kushdo që të bëjë ndojë të mirë më tepër, për të është më mirë. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini (do ta agjëronit).

Këto ditë janë, ditët e muajit të ramazanit, në të cilin muaj ka zbritur Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me argumente të dokumentuara për rrugën e drejtë dhe dallues i së mirës nga e keqja. Pra, kushdo që nga ju gjendet në këtë muaj – le të agjërojë, ndërsa ai që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë aq ditë sa nuk i ka agjëruar), - Perëndia ka bërë lehtësi për ju, e jo vështirësi e mundime, - për të plotësuar numrin e ditëve të agjërimit (në një kohë tjetër), dhe për këto (lehtësi) duhet të madhëroni Perëndinë, që u ka drejtuar në rrugë të drejtë e të bëheni falenderues ndaj Tij.

Kur besimtarët e Mi të pyesin për Mua, (thuaju): Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai t’më lutet Mua. Prandaj le ta plotësojnë thirrjen Time (për agjërim e detyra tjera) dhe le të më besojnë Mua (mos të shmangen nga besimi), për të qenë në rrugën e drejtë.

Juve u lejohet që gjatë netëve të agjërimit t’i afroheni bashkëshorteve tuaja. Ato janë petku i juaj, e ju jeni petku i tyne. Perëndia e di mirë se ju nuk mund të duroheni, e keni tradhëtuar veten, e Perëndia u ka pranuar pendimin tuaj dhe u ka falur gabimin. Prandaj, u lejohet kontakti me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Perëndia për ju. Dhe hani e pini deri në mëngjes (deri në imsak) deri sa të dallohet peri i bardhë nga peri i zi, pastaj plotësonie agjërimin deri në muzg, (deri në perëndim të diellit). Mos ju afrohuni atyre gjatë kohës, kur gjeneni në itikafë në xhami! Këta janë kufijt e Perëndisë; pra mos ju afrohuni atyre! Kështu pra, Perëndia ua shpjegon njerëzve dispozitat e veta, që të ruhen e të mos bëjnë punë të ndaluara.

Të pyesin ty (o Muhammed!) për hënën, (ndryshimin e saj); thuaju: “Këto për njerëzit janë shenja të kohës dhe të haxhxhillëkut”. Nuk shprehet mirësia me të hyrit në shtëpi kah shpina (sipas zakonit të atëhershëm të arabëve), por mirësia qëndron në të ruajturit nga të këqijat. Hyni në shtëpi kah dyert e tyre dhe droni Perëndisë, për të qenë të shpëtuar!
آية رقم 192

Por, në qoftë se ata heqin dorë (nga të këqijat), atëherë Perëndia me të vërtetë është mëshirues dhe falë.

Luftoni ata deri sa të zhduken ngatërresat dhe deri sa të bëhet besimi vetëm për Perëndinë! E në qoftë se ata heqin dorë (prej ngatërresave), atëherë s’ka armiqësi, përveç atyre që kanë tejkaluar kufirin.

Kryeni haxhxhin dhe umren për hir të Perëndisë. Nëse në këtë rrugë pengoheni (në kryerjen e këtij qëllimi), atëherë therrni kurban sipas mundësisë dhe mos i rruani kokat tuaja, për derisa të mos arrijë kurbani në vend (në therrtoren e caktuar); e kushdo që prej jush është i sëmurë ose që ka ndonjë mundim në kokë (e rruhet) le ta kompenzojë me agjërim, lëmoshë ose kurban. E kur të qetësoheni, ai që prej jush kryen umren deri në haxhxh le të therrë kurban sipas mundësisë. Ndërsa, ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxhxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhxhi, e le të plotësohen dhjetë ditë. Kjo është për ata që nuk janë nga Mekka. E druajuni Perëndisë dhe dinie se Ai dënon ashpër.

Koha e haxhxhillëkut është në muaj të caktuar; ai që e obligon veten të kryejë haxhxhin, nuk duhet të ketë marrëdhënie me gruan dhe as nuk duhet të bëjë grindje e sharje. Ndërkaq çdo vepër të mirë që bëni, Perëndia e di. Dhe furnizohuni me gjërat që u nevojiten për rrugë, e furnizimi më i mirë është të largoheni nga të lypurit (në haxhxhillëk). Prandaj druani prej Meje or mendar!

Ka njerëz fjalët e të cilëve për jetën në këtë botë të entuziazmojnë, dhe betohen në Perëndinë për atë (të mirë) që ka në zemër, e që në të vërtetë është kundërshtari më i ashpër.

E nëse bëni gabim (i shmangeni të drejtës) pasi jeni njoftuar me argumente të qarta, atëherë dinie se Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Nuk presin ata tjetër, veçse t’u vie ndëshkimi i Perëndisë prej réve të bardha (si rrufeja që godet në mot të kthjellët), edhe ëngjujt, dhe të merr fund puna (të zhdukën)?! – E, te Perëndia do të kthehen të gjitha punët.

(Dikur) të gjithë njerëzit i kanë takuar një bashkësie (pastaj lindi mospajtimi ndër ta), dhe Perëndia u ka dërguar profetët si sihariques dhe si frikësues, dhe me ta dërgoi Libër në të cilin gjendej e vërteta, që me të, të gjykoheshin njerëzit për ato gjëra që nuk janë pajtuar. Mirëpo, njerëzit u grindën ndërmjet veti, pasi që u erdhën argumentet e qarta, nga zilia e njëri-tjetrit; dhe atëherë Perëndia, me autorizimin e Vet i udhëzoi besimtarët që ta kuptojnë të vërtetë, lidhur me atë që nuk u pajtuan ata. – Se, Perëndia e shpie në udhë të drejtë atë që don Ai.

Të pyesin ty në çfarë mënyre duhet dhënë lëmoshë? Thuaju: “Çfarëdo lëmoshe të mirë që epni ajo le t’i takojë prindërve, farefisit, bonjakëve, të varfërve dhe udhëtarëve (që kanë ngelur në rrugë pa mjete), e çfarëdo të mire që bëni, Perëndia e di atë”.

Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju: “Lufta në të është mëkat i madh, - por pengimi prej udhës së Perëndisë, të mohuarit e Perëndisë, heqja dorë nga vizita Qabës dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, është mëkat më i madh te Perëndia. E, keqtrajtimi (torturat) është mëkat më i madh se vrasja. Ata vazhdimisht luftojnë kundër jush, që nëse munden t’ju kthejnë nga besimi juaj. E, ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, - veprat e (mira) të tyre do të humbasin në këtë dhe tjetrën botë, dhe ata do të jenë bnorë të skëterrës, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

për këtë jetë dhe atë tjetrën. Dhe të pyesin ty për bonjakët, thuaju: “T’i bëni mirë atyre është vepër e bukur, e nëse jetoni bashkë me ta, ata janë vëllezërit tuaj, se Perëndia di të dallojë keqbërësin prej mirëbërësit. Sikur të donte Perëndia, do t’ju detyronte me punë të vështira, se Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Mos u martoni me paganet, përderisa të mos bëhen besimtare. Skllavja besimtare është më e mirë se paganja, edhe nëse u pëlqen juve. Mos i martoni (kurorëzoni) muslimanet për paganë, përderisa nuk bëhen besimtarë; skllavi besimtar është më i mirë se pagani, edhe nëse u pëlqen juve. Ata ju thërrasin në zjarr, kurse Perëndia, me mirësinë e Tij, ju thërret në xhennet e falje (të mëkateve) dhe ua shpjegon njerëzve argumentet e Veta, që të mendojnë ata.

Mos e bëni pengesë betimin në Perëndinë për bërjen e veprave të mira, e në largimin prej çdo të lige dhe për harmoni të njerëzve! Se, Perëndia i dëgjon të gjitha dhe i din.

Ata që betohen se nuk do t’u afrohen grave të veta, duhet të presin katër muaj; e nëse pendohen nga betimi, - Perëndia, me të vërtetë, është mëshirues dhe falë;
آية رقم 227

e nëse vendosin të ndahen – Perëndia, me të vërtetë, dëgjon dhe di çdo gjë.

Gratë e lëshuara duhet të presin tre cikle mujore, dhe nuk është e lejueshme ta fshehin atë që ka krijuar Perëndia në mitrën (anin e fëmijës) e tyre, nëse besojnë Perëndinë dhe Ditën e Kijametit. Burrat e tyre, nëse dëshirojnë mirësi dhe qetësi, kanë të drejtë t’u kthehen atyre gjatë këtij afati. Ato kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes, - përpos që burrat kanë përparësi për vetëm një shkallë. Se, Perëndia, është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Lëshuarja mund të bëhet dy herë; pra, ose të mbahet me arsye, ose të ndahen me të mirë. E juve, nuk u lejohet të merrni çfarëdo nga ato që iu keni dhuruar, përpos nëse këta të dy frikohen se nuk do t’i zbatojnë dispozitat e Perëndisë. E, nëse, ju të dy frikoheni, se nuk do të mundeni t’i kryeni dispozitat e Perëndisë, atëherë nuk është mëkat për asnjërin për atë që ia jep gruaja. Këto janë dispozitat (kufijt) e Perëndisë, andaj mos i rrënoni ato! E, ata që i rrënojnë dispozitat e Perëndisë, janë mëkatarë të mëdhenj.

E, nëse burri e lëshon gruan (për të tretën herë), nuk mund të martohet më me te, pa u martuar ajo me një burrë tjetër. Pra, në qoftë se ndahet nga burri i dytë, atëherë nuk kanë mëkatë as ajo e as burri i parë për martesë të sërishme me shoqi-shoqin, nëse mendojnë se do t’i respektojnë dispozitat e Perëndisë; këto janë dispozitat e Perëndisë, që ua shpjegon Ai njerëzve që kuptojnë.

Kur t’i lëshoni gratë dhe atyre t’u afrohet afati i fundit, mbani ato me një mënyrë të arsyeshme, ose i lëshoni me mirësi. Dhe mos i mbani ato me qëllim dëmtimi, se ashtu i keni bërë zullum vetes. Mos luani me urdhërat (versetet) e Perëndisë dhe kujtoni begatitë që u ka dhënë Perëndia, edhe Librin (Kur’anin) dhe diturinë e hollësishme, që ua ka zbritur, për t’ju këshilluar juve. Kinie frikë Perëndinë dhe dinie se Perëndia di çdo gjë!

Nënat le t’i japin sisë fëmijëve dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e sisës. Babai i fëmijës është i obliguar, sipas mundësisë së tij, që t’i furnizojë ato me ushqim dhe veshmbathje. Nuk ngarkohet askush përtej mundësisë që ka: nëna le të mos dëmtohet për shkak të fëmijës së saj, e as babai të mos dëmtohet për shkak të tij. Dhe trashëgimtari është i obliguar për të gjitha këto. Nëse këta të dy (prindërit), vendosin me marrëveshje dhe në mënyrë paqësore ta ndajnë fëmijën prej sisës, kjo nuk është mëkat për ta; e nëse doni t’i gjeni fëmijës suaj ndonjë mëndeshë (grua që i jep gji fëmijës së tjetër kujt), - nuk është mëkat për ju kur me mirësi doni t’ia jepni atë që e keni menduar. Druajuni Perëndisë dhe dinie se Perëndia i sheh mirë të gjitha punët që i bëni ju.

Dhe nuk është mëkat për ju nëse atyre grave ju jepni sinjal (shenj) se do t’i kërkoni, ose, nëse këtë qëllim e fshehni në shpirtin tuaj. Perëndia e di se do të mendoni për to, mos u premtoni atyre as fshehurazi, por bisedoni me to vetëm mirësisht. Dhe mos vendosni për martesë para se të kalojë afati i paraparë i pritjes. Dhe dinie se Perëndia e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij, dhe dinie se Ai është i butë dhe falë (nuk nxitonnë dënime).

Nuk është mëkat për ju nëse i lëshoni gratë para se të keni marrëdhënie me to ose para se të vëni kurorë. Dhuroni ato me dhuratë të pëlqyeshme të parapara me dispozita: i pasuri – sipas gjendjes së tij, dhe i vobekti sipas gjendjes së vet. Kjo është detyrë e atyre që dëshirojnë të bëjnë vepra të mira.

E nëse i lëshoni ato para se të keni marrëdhënie me to, por ia keni caktuar dhuratën e kurorëzimit, atëherë, atyre u përket gjysma e dhuratës, përpos nëse ua falë ajo, ose ia falë ai që vendos lidhjen e martesës (prindi ose kujdestari i tyre); e falja juaj është e lavdueshme. Mos harroni që të bëhi bamirës në mes jush! Se Perëndia sheh ç’punoni ju.
آية رقم 238

Kryeni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin. Dhe bëni namazin për Perëndinë, duke iu lutur Atij.

Ndonjërit prej jush që i është afruar vdekja, e që lënë gratë pas – duhet t’u lërë atyre testament për furnizimin dhe strehimin e tyre njëvjeçar. E, nëse ato vetë e braktisin (shtëpinë), ju nuk jeni përgjegjës për atë që veprojnë ato, (e) që u është e lejueshme. Se Perëndia është i Plotfuqishëm dhe i Gjithdijshëm.
آية رقم 241

Grave të lëshuara u takon kompensimi (sigurimi i shpenzimeve të jetesës) i caktuar (sipas mundësisë). Kjo është detyrë e besimtarëvet.

A nuk ke dëgjuar ti (o Muhammed!) që paria e bijve të Israilit – pas Musait, i thanë njërit pejgamber të tyre: “Na caktoni një sundimtar që të luftojmë në rrugën e Perëndisë!” – Pejgamberi u tha: “A do të dëgjoni ju kur të shpallet lufta?” Ata thanë: “E pse mos të luftojmë ne në rrugën e Perëndisë, na që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe ndarë nga fëmijët tonë?” Mirëpo, kur iu urdhërua të luftojnë, me përjashtim të një pakice, ata nuk luftuan. Perëndia i njeh mirë zullumqarët.

Edhe Pejgamberi i tha: “Perëndia u ka dërguar Talutin për sundimtar tuaj. – Ata thanë: “Si mund të bëhet ai sundimtari ynë, kur na kemi më tepër merita se ai; për të sunduar? Atij nuk i është dhënë ndonjëfarë pasurie e konsiderueshme”. Pejgamberi tha: “Perëndia e ka zgjedhë atë për sundimtar tuajin, e ka pajisë atë me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore; se, Perëndia i jep pushtet kujt të dojë. Perëndia është për së tepërmi bëmirës dhe Ai është i Gjithdijshëm.

Kur Taluti bashkë me ushtrinë u nis për luftë, u tha atyre: “Perëndia do t’ju provojë ju me një lum, ai që do të pijë ujë në të, nuk është ushtar i imi, e ai që nuk pi ujë në të, përpos një grusht ujë, është imi”. Ndërsa, ata, të gjithë pinë, përveç një pakice. E, pasi kaluan lumin ai me besimtarët e tij, (pakica) i thanë njëri-tjetrit: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”. Por, ata që ishin të bindur, (një pjesë nga ajo pakicë), se do të takohen me Perëndinë, thanë: “Ah! Sa herë, me ndihmën e Perëndisë, ushtria e vogël ka ngadhnjyer mbi ushtrinë e madhe!” Se, Perëndia është me durimtarët.

Këto janë dokumentet e Perëndisë, të cilat në të vërtetë, t’i zbuluam ty (o Muhammed). Dhe, ti, me të vërtetë je njëri nga pejgamberët.

Disa nga ata pejgamberë i kemi dekoruar më shumë se disa të tjeë. Me disa prej tyre ka folë (biseduar) Perëndia, kurse disa prej tyre i ka lartësuar në shkallë të lartë. E Isait, birit të Merjemës, i kemi dhënë dokumente të qarta dhe e kemi forcuar me Xhebrailin. Sikur të donte Perëndia, nuk do të vriteshin njerëzit që erdhën pas pejgamberëve, meqë (pasi) atyre madje u kishin zbritur argumentet, por ata u shpërndanë; disa nga ata besuan, e disa mohuan. E, sikur të donte Perëndia, ata nuk do të vriteshin mes vet, por Perëndia punon ashtu si dëshiron Ai vetë.

Perëndia është – s’ka tjetër zot përveç Tij, (i cili) jeton përgjithmonë dhe zotëron (mbi të gjitha krijesat)! Atë nuk e kaplon as kotja as gjumi! Të Atij janë të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë. Kush mund të angazhohet për ndokend pa lejën e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhë përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë në të ardhmen. Por, njerëzit, nuk dinë asgjë nga dijenia e Tij, përveç asaj që Ai ka dashur t’ua tregojë. Froni (Madhëria) e Tij përfshin qiejt dhe Tokën dhe Atij nuk i vie rëndë t’i ruajë ato. Ai është shumë i Lartë, i Madhëruar!

A nuk ke dëgjuar ti për atë që u fjalos me Ibrahimin për Zotin e tij: përse Perëndia i kishte dhënë pushtet (ai – Nemrudi, u bë arrogant). Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje”. Ai tha: “Unë ngjalli e mbyti”. Ibrahimi pastaj i tha: “E Perëndia e sjell Diellin prej lindjes, andaj sille ti prej perëndimit!” Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojë hapët. Se Perëndia nuk i udhëzon ata që janë këmbëngulës e kryeneq në të keq.

Ose a nuk ke dëgjuar për atë, i cili duke kaluar pranë një qyteti të rrënuar për tokë thirri: “Si do t’i ngjallë Perëndia këta që kanë vdekur?” Dhe Perëndia e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli atë dhe e pyeti: “Sa kohë ke ndejtur këtu?” – Ai u përgjegj: “Një ditë ose gjysmë dite”. – “Jo” – i tha Perëndia, “por ke ndejtur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde, - që nuk është prishur; e shikoje edhe gomarin tënd; andaj të bëmë ty dokument (dëshmi) të ringjalljes për njerëzit; e kqyri edhe eshtrat, - shih si i mbërthejmë (lidhim), e pastaj i veshim me mish”. E, kur atij iu bë e qartë, ai thirri: “Unë e di se Perëndia është i Plotëfuqishëm për çdo gjë!”

E, kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregom si i ngjallë Ti të vdekurit!” – Zoti tha: “A nuk ke besuar?” – “Unë kam besuar” – u përgjegj Ibrahimi, “por po dëshiroj të më qetësohet zemra (duke e parë mënyrën e ringjalljes)”. Perëndia i tha: “Merri katër zogj, afroi pranë veti (therri e coptoji), e shpërndaji në çdo kodër nga një copë prej tyre, e pastaj thirri! Ata do të vijnë me të shpejtë. Dije, se Perëndia është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Perëndisë, i shembëllejnë atij që mbjell (një) kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, dhe në çdo kallinj nga njëqind kokërra. – Perëndia ia shton (shpërblimin) edhe më tepër atij që don; se Perëndia është i Gjithëdijshëm dhe mirëbërës i madh.

Fjala e mirë dhe fjala e gabimit është më e vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje. Perëndia është i pasur (i panevojshëm për asgjë) dhe i butë (nuk nxiton në dënime).

O besimtarë! Mos e shëmtoni të mirën e lëmoshës suaj me reklamacion dhe fyerje, siç vepron ai që shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës, e nuk beson në Perëndinë dhe Ditën e Kijametit, Ai i gjason gurit të lëmuar, në të cilin ka pak dhé. E, kur shiu i bie rrëbesh, e zhveshë atë dhe e le gur të thatë. (Hipokritët), nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë bërë. Se, Perëndia nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues.

Djalli ju frikëson juve me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni mëkate, (si koprraci, etj.). Por, Perëndia ju premton falje mëkatesh dhe dhuntitë e Tij. Se, Perëndia është bëmirës i madh dhe i Gjithëdijshëm.

(Zoti) ia jep dijeninë e hollë (kuptimin e Kur’anit) kujt të dojë. E, kujtdo që i është dhënë dijenia, me të vërtetë, i është dhënë begati e pakufishme. Por, këtë, nuk e kupton tjetër kush, përveç mendarëve.

Nuk është obligim yti (o Muhammed!) t’i udhëzosh ata në rrugë të drejtë, por Perëndia e udhëzon kënd të dojë në rrugën e drejtë. Çfarëdo ndihme të mirë që bëni, (shpërblimi) është në dobi të juaj, se ju këtë e bëni vetëm për hirë të Perëndisë! Çfarëdo që jepni ju nga të mirat do t’ju kompensohet dhe nuk do t’ju bëhet padrejtësi.

Ata që hajnë e marrin kamatë, pasurohen ashtu siç pasurohet ai, të cilin e ka prekur dhe e ka bërë të hutuar djalli. Kjo nodhë për shkak se ata thonin se tregtia është njëlloj – si kamata. Mirëpo, Perëndia e ka lejuar tregëtinë, kurse kamatën e ka ndaluar. E kujtdo që i vie këshilla nga Zoti i tij e shmanget prej kamatës, malli i tij, i fituar më parë (para ndalimit të kamatës), është i tij. E, vendimi për këtë i takon Perëndisë. E, kushdo që i kthehet (marrjes së kamatës si shit-blerje) ai do të shoqërohet me zjarrin, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë.

Perëndia e shkatërron kamatën, kurse e rritë pasurinë nga e cila është dhënë lëmosha. Se Perëndia nuk i don ata që janë mohues – mëkatarë.

E, nëse këtë nuk e bëni, ta dini se do të hapet luftë nga ana e Perëndisë dhe Pejgamberit të Tij. Nëse pendoheni, atëherë juve u takon pasuria juaj (pa kamatë). Në këtë mënyrë nuk dëmtoni askend e as nuk dëmtoheni vetë.

E, nëse e dini se borxhliu gjendet në ngushticë, atëherë pritnie derisa të përmirësojë gjendjen; por është edhe më mirë për ju, që t’ia falni borxhin, nëqoftë se e dini.

O besimtarë! – (shënoni çfarëdo) borxhin kur ia jepni njëri-tjetrit në afatin e caktuar. Le të shënojë drejtë (atë që jepni e merrni) një shkrues në mes jush e të mos ngurrojë shkruesi që të shënojë ashtu siç e ka mësuar Perëndia. (Shkruesi) le të shënojë, e borxhliu le të diktojë dhe le t’i druajë Zotit të vet. Le të mos mungojë asgjë nga borxhi. E, në qoftë se borxhliu është mendjelehtë (batakçi) ose i dobët, ose që nuk është në gjendje të diktojë, atëherë saktësisht le të diktojë kujdestari i tij. Merrni dy dëshmitarë, prej njerëzve tuaj, e nëse nuk i keni dy dëshmitarë burra, atëherë merrni një burrë dhe dy gra – për dëshmitarë, nga ata që të jeni të kënaqur ju; në qoftë se njëra grua harron le t’ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët nuk duhet të heqin dorë kurdo që të thirren. Mos e leni pa e shënuar borxhin, qoftë i vogël apo i madh, duke shënuar edhe afatin e pagimit. Ky proces është më i drejtë para Perëndisë, më i saktë për dëshmi dhe më i afërt për të mos dyshuar. Por, nëse është fjala për mallin që qarkullon prej dorës në dorë (shit-blerja me para në dorë), atëherë nuk do të keni mëkat nëse nuk e shënoni atë. Merrni dëshmitarë edhe kur të lidhni kontrata për shit-blerje dhe të mos dëmtohet as shkruesi as dëshmitari. E, nëse e bëni të kundërtën, atëherë keni bërë mëkat dhe ruajuni Perëndisë, - Perëndia ju mëson juve, dhe Perëndia di çdo gjë.

Perëndia nuk e ngarkon askend përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bënë, kurse në dëm të tij është e keqja që e punon, Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim ashtu si i pate ndëshkuar ata para nesh! Zoti ynë! Mos na ngarko me atë që nuk mund ta bartim! Shlyena mëkatet tona, falna ato dhe mëshirona! Ti je Zoti ynë! Andaj, ndihmona kundër atyre që nuk besojnë.
تقدم القراءة