ترجمة سورة آل عمران

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة آل عمران باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Elif Lám Mim.

Perëndia është (një), s’ka zot tjetër përveç Tij, (i Cili) jeton përgjithmonë dhe zotëron (mbi të gjitha krijesat).

Ai ta ka shpallur Librin ty, të vërtetën e saktë duke vërtetuar ato të mëparshmet. Ai e ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin. –

më parë udhërrëfyes për njerëzit, dhe ka zbritur Furkanin, që dallon të vërtetën nga e pavërteta. Ata që nuk besojnë versetet e Perëndisë, i pret dënimi i ashpër, se Perëndia është dënues i Plotëfuqishëm.

Pa dyshim, Perëndisë nuk i mbetet asgjë sekrete, as në Tokë as në qiell!

Ai ju formon juve në mitër ashtu si don Ai; s’ka zot tjetër përveç Tij, të Plotëfuqishëm dhe të Gjithëdijshëm!

Ai ta ka shpallur Librin ty (Kur’anin). Disa nga versetet janë të qarta, me kuptim konkret e të hapët sheshazi, ato janë themelet e Librit, e për disa të tjera nevojitet komepntimi (pasi që me pak fjalë shprehen shumë kuptime të thella). Ata, që janë zemërkëqinj – priren kah shpjegimi i atyre që janë më pak të qarta, duke krijuar pështjellim dhe duke komentuar sipas dëshirës së vet. Por, komentimin e tyre e di vetëm Perëndia. E, ata që janë thelluar në dijeni thonë: “Na i besojmë (Kur’anit). Të gjitha këto janë nga Zoti ynë!” Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.

Zoti ynë! Mos na i shmang zemrat tona, pasi që na i ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe epna nga mëshira Juaj; Ti, me të vërtetë je Ai që dhuron shumë!

Zoti ynë! Ti je tubues i njerëzve në ditën që nuk ka farë dyshimi. Me të vërtetë, Perëndia e realizon premtimin.

Me të vërtetë atyre që nuk besojnë, nuk do t’i shpëtojë asgjë nga dënimi i Perëndisë, - as pasuria as fëmijët e tyre. Ata do të jenë lëndë djegëse e zjarrit,

do të jenë ashtu siç ishin shoqëruesit (ithtarët) e Faraonit dhe ata që ishin para tyre. Ata i përgënjeshtruan versetet tona; prandaj, Perëndia i përlau ata për mëkatet që bënë. Se Perëndia është ndëshkues i rreptë.

Thuaj (o Muhammed!) atyre që mohuan: “Ju do të shtypeni dhe do të tuboheni në skëterrë. E, sa shtrat i keq është ai vend!

Ju keni shembullin në dy ushtritë që ishin në konflikt: njëra që luftoi në rrugën e Perëndisë, dhe tjetra – e mohuesve, së cilës i dukej se para vetes ka dy herë më shumë kundërshtarë. Se Perëndia me ndihmën e vet e forcon kend të dojë. Kjo, me të vërtetë, është këshillë për largpamësit.

U hijeshua për njerëzit lakmia ndaj grave, fëmijëve, arit dhe argjendit të grumtulluar, kuajve të bukur, bagëtive dhe të lashtave. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete; por vendi më i bukur i kthimit është te Perëndia.

Thuaj (o Muhammed!): “A doni t’ju lajmëroj juve për gjëra më të mira se ato? Ata që ruhen nga mëkatet, te Zoti i tyre do të kenë kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenjt, në to do të banojnë përgjithmonë, e bashkëshorte të pastra dhe kënaqësi nga Perëndia”. Se Perëndia i njeh mirë robërit e vet!

të cilët thonë: “Zoti ynë! Me të vërtetë na kemi besuar, andaj na fal mëkatet tona dhe na ruaj nga dënimi i zjarrit!”

ata janë durimtarët, dashamirë të së vërtetës, përulësit e Perëndisë, ata që japin lëmoshë dhe që kërkojnë faljen e mëkateve para agimit.

Perëndia dëshmon se Ai është vetëm një, - por edhe engjëjt, e të diturit (e dëshmojnë këtë), duke qenë të qëndrueshëm në të vërtetën. S’ka zot tjetër përveç Tij. Ai është i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm.

Feja e vërtetë te Perëndia është vetëm Islamizmi. Ata, të cilëve u është dhënë Libri, ranë në konflikt – pasi u erdhi njohuria dhe këtë, për shkak të egoizmit në mes tyre; e kushdo që i mohon argumentet e Perëndisë, Perëndia është i shpejt në llogari.

Nëse ata polemizojnë me ty (o Muhammed!) thuaju: “Unë i përulem vetëm perëndisë, si dhe ata që më pasojnë mua”. Dhe thuaju atyre që u është dhënë Libri si dhe analfabetëve (arabëve). “A e keni pranuar Islamizmin?” E, nëse e pranojnë Islamizmin, atëherë kanë gjetur udhën e drejtë. E, nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm që t’i thërrashës. Se Perëndia i sheh mirë (ç’punojnë) robërit e vet.

Ata që nuk besojnë në dokumentet e Perëndisë dhe vrasin pejgamberët pa farë të drejte, e vrasin edhe ata njerëz të cilët kërkojnë të veprohet me drejtësi, sihariqoi (paralajmëroi) me dënim të dhëmbshëm.

Këta janë ata, veprat e të cilëve kanë falimentuar në këtë botë dhe në tjetrën. Ata nuk do të kenë kurrfarë ndihmëtarë.

A nuk po i sheh ata, të cilëve u është dhënë një pjesë e Librit (Teurati)? Ata thirrën në Librin e Zotit për gjykim në mes tyre, e pastaj, një pjesë e tyre kthyen shpinën, duke qenë refuzues.

Ky mospranim është se ata thanë: “Neve nuk na prek zjarri i skëterrës, përveç nja disa ditë”. Trillimet e tyre i kanë mashtruar ata – në besimin e vet.

E çka do të ndodhë me ata, kur do t’i tubojmë në Ditën, për të cilën s’ka dyshim? Dhe çdokujt i jepet shpërblimi i veprave, e ata nuk do të dëmtohen.

Thuaj (o Muhammed!): “O Zoti im, Zotërues i gjithë pushtetit! Ti i jep pushtetin kujt të duash, dhe Ti ia heq dorësh pushtetin kujt të duash; Ti e lartëson kënd të duash dhe e poshtëron kënd të duash. E mira është në dorën Tënde! Ti me të vërtetë, për çdo gjë je i Plotëfuqishëm”.

Ti bënë që nata të hyjë në ditë, dhe bënë që dita të hyjë në natë (duke u zgjatur herë njëra – hera tjetra). Ti e nxjerr të gjallin prej të vdekurit. Dhe Ti nxjerr të vdekurin prej të gjallit. Ti furnizon kënd të duash pa llogari (pa faturë).

Besimtarët mos t’i marrin për miq qafirat (mohuesit), duke i lënë anash besimtarët. Ata që bëjnë këtë, nuk kanë çka të shpresojnë te Perëndia. Ketë mund ta bëni vetëm për t’u ruajtur nga ata – Perëndia u bënë vërejtje për pezmin e Tij. Dhe, të gjithë do të ktheheni te Perëndia.

Thuaju: “Nëse ju fshehni atë që keni në zemrat tuaja, ose e shpallni haptazi, Perëndia e di atë, dhe Ai di çdo gjë që ka në qiej dhe në Tokë. Se Perëndia për çdo gjë është i Plotëfuqishëm.

(Kujtoje) Ditën, kur çdokush gjenë atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq; e dëshiron ai që në mes tij dhe të keqes së tij, të ketë distancë të madhe. Perëndia u bënë vërejtje për pezmin e Tij, se Perëndia është fort i dhëmbshëm për adhuruesit e Tij.

Thuaju (o Muhammed!): “Nëse ju e doni Perëndinë, eni pas meje, atëherë Perëndia ju do juve dhe ju falë mëkatet tuaja! Se Perëndia falë dhe është mëshirues.

Thuaju (o Muhammed!): “Përuluni Perëndisë dhe Profetit!” E, në qoftë se abstenojnë, Perëndia, me të vërtetë, nuk i don mohuesit.

Perëndia e zgjodhi Ademin, Nuhun dhe familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit në mesin e popujve;

pasardhës njëri pas tjetrit. Perëndia është dëgjues dhe di çdo gjë.

(Kujtoje atë kohë, o Muhammed!) Kur gruaja e Imranit tha: “Zoti im, unë Ty të kam përgjëruar (qëllimuar) atë që është në barkun tim, që të shërbejë vetëm Ty; andaj, pranoje prej meje! Se Ti, me të vërtetë, je dëgjues dhe di çdo gjë.

E kur ajo e lindi (fëmijën) tha: Zoti im! Unë lindra femër, - Perëndia di më mirë çka lindi ajo, - “Mashkulli nuk është si femra, unë e emërova atë Merjem dhe ta kam lënë atë dhe brezin e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar”.

Dhe Zoti i saj e pranoi mirë atë (gocën), e bëri që të rritet bukru dhe e la nën kujdestarinë e Zekerias. Sa herë që hynte Zekeriai në dhomën e saj (në xhami), gjente pranë saj ushqim. (Atëherë ai¬¬) e pyeste: “O Merjem! Nga të vie ky furnizim ty?” Ajo përgjigjej: “Ky është nga Perëndia, se Perëndia e furnizon kënd të dojë, pa llogari (faturë)”.

Atëherë Zekerijaja iu lut Zotit të vet e tha: “Zoti im! Dhuromë mua nga ana Jote pasardhës të mirë! Se Ti, me të vërtetë, je dëgjues i lutjes!”

E thirrën atë engjëjt, duke u lutur ai në këmbë, në xhami (e i thanë): “Perëndia po të sihariqon ty me Jahjanë, (i cili do të jetë) vërtetues i fjalës së Perëndisë, (dhe do të bëhet) udhëheqës (i popullit), ruajtës i vetvetes dhe (do të jetë) nga pejgamberët, pasardhës i atyre të mirëve”.

(Zekerijaja) tha: “Zoti im! Qysh do të ketë djal për mua, kur mua më ka kapluar pleqëria, e gruaja ime është sterile (shterpë)? (Ai) i tha: “Kështu!” Perëndia punon çka të dojë.

(Zekerijaja) tha: “O Zot! (bënma një shenj!” (Zoti) i tha: “Shenj për ty është se tri ditë nuk do të (mund të) flasish me njerëzit, veçse me gjeste. Por, Zotin tënd përmende shumë dhe adhuroje Atë në mbrëmje dhe në mëngjes”.

(kujtoje) kur engjëjt i thanë (Merjemes): “O Merjeme! Perëndia të ka zgjedhë ty, të ka pastruar ty, dhe të ka privilegjuar ty mbi të gjitha femrat e botës.

O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëni sexhde dhe ruqu bashkë me ata që përulen!”

Këto janë lajme të panjohura (sekrete). Na po t’i shpallim ty (o Muhammed). Ti nuk ishe i pranishëm kur ata hedhën short, se kush nga ata do të marrë Merjemën në mbrojtje. Dhe ti nuk ishe i pranishëm kur ata grindeshin.

(Kujtoje) atë kohë kur engjëjt i thanë: “O Merjeme! Perëndia të sihariqon ty me një djalë: emrin do ta ketë Mesih – Isa i biri i Merjemit, do të bëhet i famshëm në këtë botë dhe në tjetrën dhe do të jetë njëri nga të afërmit e Perëndisë.

Dhe do të bisedojë (Isai) me njerëzit edhe duke qenë i vogël në djep edhe duke qenë si njeri i rritur, dhe do të jetë nga më të mirët.

Merjemi tha: “Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur asnjë mashkull?” – Ja kështu – tha: “Perëndia krijon ç’të dojë Ai. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: ‘Bëhu!’ – dhe ajo bëhet”.

Dhe do t’ia mësojë atij shkrimin dhe diturinë, Teuratin dhe Ungjillin,

e (pastaj) do ta dërgojë atë Pejgamber te bijtë e Israelit (të cilëve do t’u thotë): “U solla një mrekulli nga Zoti juaj”. Do të bëjë diçka prej balte në formë shpendi, dhe do të fryejë në te, e me urdhërin e Perëndisë do të bëhet shpend. Dhe do të shërojë të verbëtit dhe abrashët dhe me emrin e Perëndisë do t’i ngjallë të vdekurit. Ju informojë juve çka hani dhe çka ruani në shtëpitë tuaja. Në këto, nëse jeni besimtarë të vërtetë, me të vërtetë, ka argumente për ju.

Dhe (u kam ardhur juve) për t’ju vërtetuar Teuratin që është para meje dhe t’ua lejoj disa gjëra që i keni pasur të ndaluara. Dhe ju kam sjellur argumentin nga Zoti juaj. Druajuni Perëndisë dhe bindmuni!

Me të vërtetë Perëndia është im Zot dhe Zot i juaji, andaj adhuronie Atë. Kjo është rruga e drejtë!

Kur Isai e hetoi mohimin e tyre, tha: “Kush janë ndihmëtarët e mi në rrugën e Perëndisë?” Nxënësit (e tij) u përgjegjën: “Na jemi ndihmëtarët e fesë së Perëndisë, na besojmë Perëndinë e ti Isa bëhu dëshmitar se na jemi muslimanë.

Zoti ynë! Na besojmë ate që na ke shpallur dhe pasojmë Pejgamberin (Isanë). Regjistrona neve bashkë me dëshmitarët!”

Dhe ata (mohuesit) përgatitën dinakëri (dredhi të keqe); por Perëndia ua ktheu më me dinakëri. Se Perëndia është më i përsosuri në dinakëri (për qëllime të mira).

(Kujtoje, o Muhammed!) kur Perëndia tha: “O Isa! Unë do të vdes ty (pasi ta plotësoj jetën e caktuar, hebrenjt nuk do të mbysin ty) dhe do të marrë pranë vetes dhe do të shpëtojë nga ata që nuk besojnë, dhe do t’i bëj ata që të ndjekin ty, për mbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kijametit. Pastaj, do të ktheheni tek Unë, e do të gjykoj në mes jush për çështjet që jeni grindur.

Ata që nuk besojnë, do t’i dënoj me dënim të ashpër në këtë botë dhe në tjetrën. Dhe nuk do të kenë askend që t’u ndihmojë.

E ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Zoti u plotëson shpërblimin. Se, Perëndia, nuk i don zullumqarët.

Këto që po t’i tregojmë ty (o Muhammed!) janë ajete dhe këshilla të larta (Kur’ani).

Rasti i Isait te Perëndia, në të vërtetë, është si rasti i Ademit, që e krijoi prej baltës e pastaj tha: “Bëhu!” – dhe ai u bë.

E vërteta është nga Zoti yt, andaj, mos u bën nga ata që dyshojnë!

Kushdo që të bëjë polemikë me ty për çështje të Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaj: “Ejani, (e) po i thërrasim bijt tonë dhe bijt tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, dhe po e thërrasim na dhe ju veten, pastaj, të lutemi, që mallkimi i Perëndisë t’i goditë gënjeshtarët!”

Padyshim, të gjitha këto janë lajme të vërteta. S’ka zot tjetër përveç Perëndisë. Se Perëndia është i Gjithëpushtetshëm dhe i Gjithëdijshëm.

Në qoftë se ata ia kthejnë shpinën të drejtës, Perëndia i njeh mirë ngatërrestarët.

Thuaj: “O ithtarët e Librit, kujtonie tregimin, që është për ne dhe për ju: “T’i shërbejmë vetëm Perëndisë që të mos i bëjmë shoq asgjë Atij, që njëri-tjetrin mos ta konsiderojmë për zot, në vend të Perëndisë!” E nëse ata kthehen nga kjo e vërtetë, thuaju atyre: “Bëhuni dëshmitarë se ne jemi muslimanë!”

O ithtarët e Librit! Pse polemizoni për Ibrahimin, kur Teurati dhe Inxhilli janë dërguar pas tij? A nuk po mbusheni mend?

Ju po polemizoni për atë, për të cilin dini diçka; por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë? Perëndia e di hollësisht, e ju nuk dini asgjë për këtë çështje.

Ibrahimi nuk ka qenë as hebrej as i krishterë, por ka qenë besimtarë i vërtetë. E, nuk ka qenë as nga idhujtarët.

S’ka dyshim, se, më të afërmit e Ibrahimit, janë ata njerëz, që kanë pasuar atë dhe ky Pejgamber (Muhammedi) me besimtarët (e tij). Perëndia është mbrojtës i besimtarëvet.

Një grup ithtarësh të Librit dëshirojnë që ju të devijoni (nga rruga e drejtë). Por, ata, e devijojnë vet – veten, e këtë nuk e vërejnë.

O ithtarë të Librit! Përse i mohoni versetet e Perëndisë, e ju jeni dëshmitarë (që ato janë versetet e Perëndisë)?

O ithtarët e Librit! Përse e pështjelloni të vërtetën me të pavërtetën, dhe përse e fsheni të vërtetën, kur ju e dini (që ajo është e vërtetë)?

Një grup ithtarësh të Librit kanë thënë: “Besonie në mëngjes atë që u ka zbritur muslimanëve (Kur’anin), por në mbrëmje mohonie atë; meqë, ndoshta edhe ata (muslimanët) do të shmangën”.

(Mohuesit thanë): “Dhe besoniu vetëm atyre që ndjekin fënë tuaj!” Thuaj (O Muhammed!): “Udhëzimi i Perëndisë shtë udhëzimi i vërtetë”. (Vallë), a t’u jepën ndokujt argumentet siç u janë dhënë juve, apo (vallë) ata t’i marrin (dëshmitë e veta) si arsyetim kundër jush te Zoti juaj? Thuaj (O Muhammed!): “Dhuntia është në dorë të Perëndisë. Ai ia jep atë kujt të dojë; - se, Perëndia është mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm;

Mëshirën e Vet, Ai ia dhuron kujt të dojë. Se, Perëndia është pronar i mirësisë së pakufishme.

Ka edhe aso ithtarësh të Librit, që sikur t’u besosh një barrë të tërë ari, do t’jua kthejnë, por ka edhe të atillë që nëse ua jep në besim, qoftë edhe një dinar, nuk ta kthen, përveç nëse nuk i ndahesh (me ankesë e kërkesë). Kjo është kështu, ngase ata thonë: “Neve nuk na obligon asgjë ndaj analfabetëve”. Ata flasin gënjeshtra për Perëndinë, e ata e dinë (se vetë janë gënjeshtarë).

Jo! (nuk është ashtu si thanë hebrenjt), por kushdo që plotëson premtimin e tij dhe ruhet nga të këqijat, Perëndia, me të vërtetë, i don ata që i drojnë Atij.

Me të vërtetë, ata që obligimin dhe betimin e tyre ndaj Perëndisë, e shkëmbejnë me vlerë të vogël – për ta nuk do të ketë kurrfarë të mire në jetën e ardhshme, dhe Perëndia nuk ka për t’ju folur atyre, as nuk do t’i shikojë (me sy të mirë në Ditën e Kijametit), dhe as nuk do t’i pastrojë prej mëkatësh, e për ta ka dënim të rëndë.

Me të vërtetë, një grup nga ithtarët e Librit përdredhin gjuhët e tyre (duke lexuar Librin), që të mendoni ju se ai farë leximi është prej Librit, e ajo në të vërtetë nuk është prej Librit. Dhe ata thonë: “Kjo që lexojmë është nga Perëndia”; por, ajo nuk është nga Perëndia. Ata flasin gënjeshtra për Perëndinë, e ata e dinë këtë.

Nuk mund të mendohet, që njeriut, të cilit, Perëndia ia ka dhënë Librin dhe dijeninë e gjërë dhe profetninë, e ai t’u thotë njerëzve: “Bëhuni adhuruesit e mi, e jo të Perëndisë”. Por, ai (profeti) thotë: “Bëhuni të Zotit, meqë keni mësuar Librin dhe po mësoni!”

Ai njeri nuk do t’ju urdhërojë juve që engjëjt dhe profetnit t’i konsideroni për zotra. Vallë! Si mund t’ju urdhërojë ai juve të bëheni mohues, pasi jeni bërë muslimanë.

Kujtoje (o Muhammed!) atë kohë kur Perëndia mori obligimin nga pejgamberët (e ju tha): “Unë ua solla Librin dhe dijeninë e kur t’ju vijë juve Pejgamberi, vërtetues i asaj që keni ju, padyshim do t’i besoni dhe do ta ndihmoni atë”. (Perëndia) u tha atyre: “A e pranuat këtë dhe a morët obligimin Tim?” Ata u përgjegjën: “E pranuam”. (Perëndia) u tha: “Bëhuni dëshmitarë (i njëri-tjetrit), se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar”.

E ata, që i shmangen obligimit të dhënë, me të vërtetë, janë të këqinj.

A mos kërkojnë ata tjetër, përveç fesë së Perëndisë? E, Atij i përulën të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë, me dashje ose padashje, dhe tek Ai do të kthehen të gjithë.

Thuaj (o Muhammed!): “Na besojmë Perëndinë dhe atë që na është shpallur neve, dhe çka i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, pasardhësve të tyre dhe në atë që u është dhënë Musait, Isait dhe pejgamberëve nga Zoti i tyre; - na nuk bëjmë kurrfarë dallimi në mes tyre. Na vetëm Atij (Perëndisë) i përulemi (na jemi muslimanë)”.

E ai që kërkon tjetër fe përveç islamizmit, nuk do t’i pranohet, dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.

Perëndia nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit që janë bërë mohues, pasi që patën besuar dhe dëshmuan se Pejgamberi është i vërtetë, e ju prezentuan atyre edhe dokumentet e qarta. Populli që është këmbëngulës në të keqe, Perëndia nuk e udhëzon në rrugë të drejtë.

Mallkimi i Perëndisë, i engjëjve dhe i mbarë njerëzve, është shpërblimi i tyre.

Ata përherë do të jenë nën peshën e (dënimit e të mallkimit), vuajtjet nuk do t’u lehtësohen, e as nuk do t’u jepet afat (pushim);

përveç atyre që pas kësaj pendohen dhe përmirësohen, se Perëndia është mëshirues i madh dhe falë.

Ata që pasi patën besuar, mohuan, - e pastj edhe shtuan mohimin e tyre, pendimi kurrsesi nuk do t’u pranohet; e ata, me të vërtetë, kanë humbur rrugën.

Ata që janë mohues dhe vdesin mohues, me të vërtetë nuk do t’u pranohet as shpërblesa e tyre, sikurse ajo të ishte sa e tërë toka e mbuluar me ar. Ata i pret dënim i rëndë dhe për ta nuk ka ndihmëtarë.

Kurrsesi nuk do të arrini mirësinë e lartë, përderisa të mos ndani një pjesë nga ajo që e doni. Por çkado që të ndani, Perëndia e di ate.

Të gjitha ushqimet kanë qenë të lejuara për bijt e Israilit, përveç asaj që Israili ia ndaloi vetes para shpalljes së Teuratit. Thuaj (o Muhammed!): “Silleni Teuratin dhe lexonie nëse flisni të vërtetën!”

E kushdo që shpif gënjeshtra ndaj Perëndisë, pas këtyre (argumenteve) ai ka kaluar nga e drejta në të shtrembëten.

Thuaj (o Muhammed!): “Perëndia thotë të vërtetën; dhe ndiqeni fenë e Ibrahimit, e cila ka qenë e pastër. Ai s’ka qenë pagan”.

Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëz, është ajo në Bekke (Mekke), e uruar dhe udhërrëfyese e popujve.

Në të ka shenja (simbole të dukshme, siç është) vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim). Kush hyn në të është i sigurt. Perëndia i ka obliguar njerëzit, ata që kanë mundësi t’i përballojnë rrugës, ta vizitojnë (haxhxhillëk) këtë Faltore. E kush i mohon urdhërat e Perëndisë (e dëmton veten). Se, me të vërtetë, Perëndia nuk ka nevojë për asgjë.

Thuaj (o Muhammed!): “O ithtarët e Librit! – pse mohoni argumentet e Perëndisë, e Perëndia është dëshmitarë i çdo gjëje që punoni”.

Thuaj: “O ithtarët e Librit! Pse atë që beson e prapësoni nga rruga e Perëndisë, e ju e dini që feja islame është fe e vërtetë. Se Perëndia nuk është i pakujdesshëm ndaj veprave që punoni ju.

O besimtarë! Nëse u përuleni një grupi prej atyre që u është dhënë Libri, ata, pasi keni pranuar fenë e vërtetë, juve u kthejnë në mohues.

E si mund të mohoni kur juve u lexohen versetet e Perëndisë dhe në mesin tuaj është Pejgamberi i Tij?! E kush mbahet fortë me Perëndinë (Kur’anin), ai është i drejtuar në udhë të mbarë.

O besimtarë! – druajuni Perëndisë ashtu si duhet t’i druani dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!

Dhe të gjithë ju mbahuni fortë për litarin e Perëndisë (Kur’anin) dhe mos u shpartalloni. Dhe kujtonie dhuntinë e Perëndisë (që u është dhënë) juve; kur ishit në armiqësi, e u japtoi zemrat tuaja e në saje të dhuntisë së Tij u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës e skëterrës, ndërsa Ai ju shpëtoi juve nga ajo. Kështu Perëndia ua shpjegon versetet e veta për t’u drjtuar ju në udhën e drejtë.

Le të bëhet një grup prej jush që do të thërrasë në të mirë, e që të urdhërojë vepra të bukura e të ndalojë prej të shëmtuaravet! E, ata njerëz do të jenë të shpëtuar.

Mos u bëni si ata që pasi që u erdhën argumentet e dukshme, u shpërndanë dhe u distancuan në mendime. E, për këta do të ketë dënim të madh, -

atë ditë (të Kijametit) kur disa fytyra do të zbardhen, e disa do të nxihen. Atyre që u nxihet fytyra u thuhet: “Pasi ishit besimtarë, përse u bëtë mohues? Prandaj, shijonie dënimin për shkak se nuk besuat!”

Kurse ato fytyra që zbardhen e shkëlqejnë do të jenë në mëshirën e Perëndisë, ku do të qëndrojnë përgjithmonë;

Këto janë versetet e Perëndisë, që t’i lëxojmë ty me të drejtë dhe se Perëndia nuk i dëshiron askujt padrejtësi.

Të Perëndisë janë të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë, dhe te Perëndia do të përfundojnë të gjitha punët.

Ju (besnikët e Kur’anit) jeni njerëzit më të mirë nga i gjithë populli që janë paraqitur ndonjëherë: dhe besoni Perëndinë, kërkoni që të punohen vepra të mira, e të shmangen nga të këqijat. E, sikur ithtarët e Librit të besonin do të ishte më mirë për ta, ka prej tyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë të këqinj.

Ata, përveç shqetësimit, nuk mund t’ju dëmtojnë juve. Nëse ju luftojnë juve, ata do të kthejnë thembrat dhe pastaj nuk do të ndihmohen.

Kudo që gjenden ata janë të kapluar nga poshtërsia, përpos atyre që janë mbështetur në vargonin e Perëndisë e të njerëzve; ata do të meritojnë pezmin e Perëndisë dhe do t’i kaplojë mjerimi, për shkak se mohuan dokumentet e Perëndisë, e pa kurrfarë të drejte, i mbytnin Pejgamberët; nuk u përulën dhe kaluan kufirin në të këqija.

Ata nuk janë të njëjtë. Disa nga ithtarët e Librit janë në të drejtën: në orët e natës lexojnë versetet e Librit të Perëndisë dhe bëjnë namaz.

Ata besojnë Perëndinë dhe Ditën e Kijametit dhe insistojnë për vepra të mira, e të pengohen nga ato të shëmtuarat dhe prijnë kah e mira. Këta janë ndër të mirët.

Çfarëdo të mire që punoni nuk do t’ju mohohet (për atë do të shpërbleheni). Perëndia i di mirë ata që ruhen nga të këqijat.

Ata që nuk besojnë, nuk do t’i mbrojë nga dënimi i Perëndisë as pasuria e tyre e as fëmijët e tyre, asgjë. Ata jën banorët e skëterrës ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

Ate, që japin ata (mohuesit) në jetën e kësaj bote, i përngjanë frymës së akulltë, e cila goditë të lashtat e ndonjë populli që i kanë bërë dëm vetes (me mëkate), e ua zhdukë të lashtat. Perëndia nuk u ka bërë dëm atyre, por ata i kanë bërë dëm vetes.

O besimtarë! Mos zgjidhni për miq në mesin e të tjerëve, të cilët nuk ngurrojnë që t’ju bëjnë dëm. Ata dëshirojnë dëmin tuaj. Urrejtja është shfaqur prej gojës së tyre, e atë që e fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe. Na, ju shpjeguam versetet (ajetet), nëse mendoni ju.

Ju jeni asi njerëzish që i doni ata, por ata nuk ju duan juve! Dhe ju u besoni të gjitha libravet. Kur ata ju takojnë juve, thonë: “Na besojmë”, e kur të mbeten vetëm, nga pezmatimi ndaj jush, ata i kafshojnë majet e gishtave me dhëmbë. Thuaju: “Vdisni me pezmatimin tuaj. Se Perëndia me të vërtetë di ç’keni në zemrat tuaja”.

Nëse juve u vjen ndonjë e mirë, at ai brengosë ajo, e nëse juve u gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen për atë. Nëse ju duroni dhe ruheni nga mëkatet, dhelpëritë e tyre nuk mund të ju dëmtojnë asgjë. Se Perëndia ngërthen (në dijeninë e Tij) çdo gjë që punojnë ata.

Kujtoje (o Muhammed!) atë mëngjes kur dole nga shtëpia jote për t’u caktuar besimtarëvet pozitat luftarake, - Perëndia dëgjon dhe di çdo gjë, -

kur dy grupe nga ju menduan të kthehen prej frikës, Perëndia është ndihmëtar i tyre (e nuk ka nevojë të kthehen). Andaj besimtarët le të mbështeten vetëm te Perëndia!

Perëndia u ka ndihmuar në Bedër, duke qenë ju të pafuqishëm – andaj druajuni Perëndisë, për të qenë falenderues, -

kujtoje (o Muhammed!) atë kohë kur u thoshe besimtarëvet: “A nuk ju mjafton ndihma e Zotit tuaj me tremijë engjëj të dërguar?”

Po! Po! (Ju mjaftojnë). Nëse ata ju sulmojnë, bëhuni të durueshëm dhe të dëgjueshëm dhe Zoti juaj menjëherë do t’ju dërgojë në ndihmë pesë mijë engjëj, të shënuar me shenj të dalluar.

Perëndia e bëri këtë për t’ju sihariquar juve dhe për t’jua qetësuar zemrat. Se fitorja (ndihma) është vetëm nga Perëndia i Plotëfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm,

që një turmë mohuesish t’i shkatërrojë apo t’i turpërojë e të kthehen ata të humbur.

Ty (o Muhammed!) nuk të përket asgjë (lidhur me këtë çështje), se a do t’ua pranojë Ai (Perëndia) pendimin e atyre apo do t’i dënojë, se ata me të vërtetë janë zullumqarë.

Të Perëndisë janë gjithë ato çka gjenden në qiej dhe në Tokë! Ai falë kend të doje dhe e mundon kend të dojë. Se, Perëndia është falës e mëshirues.

O besimtarë! – mos pranoni kamatë të shumëfishtë mbi kamatë! Kinie frikë Perëndinë, për të shpëtuar; -

druajuni zjarrit, i cili është përgatitur për mohuesit!

Përuluni Perëndisë dhe Profetit, për të shpresuar mëshirën.

Nxitoni kah falja e mëkateve nga Zoti juaj dhe xhenneti, hapësira e të cilit është sa qielli e Toka; i cilit është përgatitur për ata që i ruhen Perëndisë (duke punuar vepra të mira).

të cilët japin lëmoshë kur janë në lumturi edhe kur janë në vështirësi, që fshehin zemërimin, e ua falin fajet njerëzve. Se Perëndia i don bamirësit, -

dhe ata, që kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Perëndinë – dhe kërkojnë falje për mëkatet e tyre. E kush falë mëkatet përveç Perëndisë? – Ata nuk ngulmojnë në atë që kanë punuar, e ata e dinë këtë.

Shpërblimi i tyre është falja madhështore (e mëkateve) nga ana e Zotit të tyre dhe xhennetet nëpër të cilët rrjedhin lumenjt! E në to do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky, për ata që punojnë vepra të bukura!

Para jush kanë kaluar (shumë popuj) e ligje. Udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ka qenë fundi i atyre që i kanë përgënjeshtruar profetët.

Këto lajme e shpjegime janë këshilla, udhërrëfyese për njerëzit besimtarë.

Mos tregoni ligësi dhe mos u pikëlloni! Se ju gjithsesi jeni më të lartë, nëse jeni besimtarë të vërtetë.

Nëse ju ka goditur juve ndonjë plagë edhe popullin (armik) e kanë goditur aso plagë. Ato ditë Na i ndërrojmë midis njerëzve (me triumf dhe disfatë) për t’i dalluar besimtarët e durueshëm dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Se Perëndia nuk i donë zullumqarët, -

e kështu, Perëndia i dlirë (prej mëkatesh) besimtarët, e për t’i zhdukë mohuesit.

A mendoni se do të hyni në xhennet e Perëndia të mos u tregojë juve për ata që kanë luftuar dhe për ata që kanë duruar.

E ju e dëshiruat vdekjen para se të ballafaqoheshi me te; qe pra, ju e patë ate, duke qenë vështruesit e saj.

Muhammedi është vetëm Profet. Por, edhe para tij ka pasur pejgamberë. E, nëse ai vdes ose vritet, a mos do të ktheheni ju prapa? Kushdo që kthehet prapa (në fe të gabuar) nuk i bënë kurrfarë dëmi Perëndisë. Se, Perëndia do t’i shpërblejë falenderuesit.

Çdo gjallesë vdes vetëm me vendimin e Perëndisë, në kohë të caktuar. Kush dëshiron mirësitë e kësaj bote, Na ia japim, e kush dëshiron shpërblimin e botës tjetër na ia japim, dhe me siguri i shpërblejmë falenderuesit.

Sa e sa pejgamberë bashkë me shumë besimtarë të vërtetë luftuan, e megjithatë nuk u përkulën për ato që u goditën në rrugën e Perëndisë, as nuk u demoralizuan as nuk u dobësuan. Perëndia i don durimtarët

dhe vetëm thonin: “O Zoti ynë! Falna mëkatet tona dhe teprimin në punën tonë, forcona këmbët tona dhe ndihmona kundër popullit jobesimtar!”

Dhe Perëndia ua dhuroi atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin edhe më të madh në jetën tjetër. Se, Perëndia i don bamirësit.

O besimtarë! Nëse u përuleni mohuesve, ata do t’ju kthejnë juve prapa (në të pa fe), e ju do të jeni të dëmtuar, -

por, Perëndia është Zoti juaj dhe Ai është ndihmëtari më i mirë

Na do të mbjellim frikë në zemrat e mohuesve, sepse ata i bëjnë shok Perëndisë, për të cilën Zoti nuk ka dhënë kurrfarë argumenti. Vendbanimi i tyre është zjarri, e sa vendstrehim i shëmtuar është ky për mohuesit!

Me të vërtetë, Perëndia e realizoi premtimin e vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por kur ju, lidhur me detyrën që u ishte caktuar, u demoralizuat e u grindët në mes vet dhe kundërshtuat, e Ai madje u tregoi atë që e dëshironit, - disa nga ju e dëshirojnë këtë botë, kur disa nga ju dëshirojnë botën tjetër; - pastaj Ai, për t’ju provuar juve, bëri që të zmbrapseni para armikut. Dhe, me të vërtetë, Perëndia ju fali juve atë gabim. Se, Perëndia është pronar i mirësisë së madhe për besimtarët.

Kujtonie ju atë kur ngjiteshit malit dhe nuk vinit vesh për askend, e dëshironit, - disa nga ju e dëshirojnë këtë botë, kurse disa nga ju Ai ju dënoi juve me dëshprim pas dëshprimi (për padëgjueshmëri ndaj Profetit dhe Perëndisë), që të mos pikëlloheni për atë që ju doli duarsh (fitorja), as për atë që u goditi juve (humbja). E Perëndia i di të gjitha ç’punoni ju.

Pastaj (Perëndia), pas dëshpërimit, ju dërgoi juve një qetësi – gjum, që e kaploi një grup prej jush, kurse grupi tjetër kujdeseshin vetëm për vetveten, duke menduar për Perëndinë të pavërtetën (ndihmën e Profetit), ashtu si mendonin paganët. Ata thoshin: “Ku është fitorja që na ishte premtuar?” Thuaju (o Muhammed!): “Për të gjitha vendosë vetëm Perëndia!” Ata fshehin në vete atë që nuk duan ta shfaqin ty. Ata thonë: “Sikur të pyeteshim ne për këtë gjë, nuk do të vriteshim këtu”. Thuaju: “Dhe sikur të kishit qenë nëpër shtëpitë tuaja, prapëseprapë atyre që u është shkruar të vriten, do të dilnin në atë vend të vrasjes, - e Perëndia juve në luftë ju then për t’ju gjurmuar dhe për t’ju pastruar atë që keni në zemrat tuaja. Se Perëndia, me të vërtetë din ç’keni në zemrat tuaja.

Ata, nga mesi i juaj që u zmbrapsën në ditën kur u ndeshën të dy ushtritë, në të vërtetë, djalli i shtyri në gabim, për shkak të disa mëkateve që kishin bërë. E, Perëndia, madje, ua fali (gabimin), sepse – Perëndia është falës dhe i butë.

O besimtarë! – mos bëni si mohuesit që u thonin vëllezërve kur (këta) niseshin në udhëtim ose në luftim: “Sikur të rrinit me ne, nuk do të vdisnit as nuk do të vriteshi” – që këtë Perëndia t’ua bëjë pikëllim në zemrat e tyre; edhe jeta edhe vdekja janë vepër e Perëndisë. Ai i sheh të gjitha punët që bëni ju.

Nëse ju vriteni ose vdisni në udhë të Perëndisë, falja (e mëkatëve) dhe mëshira e Perëndisë, me të vërtetë, janë më të mira nga ato që kanë grumbulluar ata.

Vdiqët apo u mbytët, me siguri do të tuboheni te Perëndia.

Në saje të mëshirës së Perëndisë, u solle butësisht me ta (o Muhammed!) – e sikur të ishe i ashpër dhe vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje. Falju gabimin atyre dhe kërko falje te Perëndia për ta, e bisedo me ta për punë të jetesës. Kur të vendosish për diçka, mbështetu te Perëndia. Se Perëndia me të vërtetë, i don ata që mbështeten tek Ai.

Nëse ju ndihmon Perëndia, s’ka kush t’ju mposht juve, e nëse ju turpëron juve, kush është ai që do t’ju ndihmojë përveç Tij (pas atij turpërimi)? Pra, besimtarët vetëm te Perëndia le të mbështeten.

Është e pamundur për ndonjë Pejgamber, që të bëjë farë mashtrimi (të marrë fshehurazi nga pasuria e luftës), e kushdo që të bëjë mashtrim do të vijë (i ngarkuar me këtë mëkat) në Ditën e Kijametit, e pastaj do t’i jepet çdokujt ajo që ka punuar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.

Vallë! A mund të krahasohet ai që gëzon kënaqësinë e Perëndisë me atë që ka merituar pezmin e Perëndisë. Strehimi i tij (mëkatarit) është skëterra. E, sa strehim i keq është ai.

Te Perëndia ata kanë grada të ndryshme, se Perëndia i sheh të gjitha veprat që punojnë ata.

Perëndia i dhuroi besimtarët me dhuratë të madhe, meqë nga mesi i tyre u dërgoi Profet i cili u lexon atyre ajetet e Tij, i pastron ata nga mëkatet dhe ua mëson Kur’anin e diturinë e hollë. Ata, më parë, me të vërtetë, ishin në rrugë krejtësisht të gabuar.

Kur ju goditi juve fatkeqësia (në Uhud), e ju më parë i patët goditur armiqët tuaj dyfish (në Bedër), thatë ju: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhammed!): “Kjo është prej vetë juve”. Perëndia, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm.

Ajo që ju gjeti (goditi) juve, atë ditë kur u ndeshën dy ushtritë, ajo ishte me vullnetin e Perëndisë – për të zbuluar kush janë besimtarët e vërtetë,

dhe për t’i zbuluar hipokritët, e kur iu tha atyre: “Ejani të luftoni në rrugën e Perëndisë, ose të paktën mbrohuni!” – ata u përgjigjen: “Sikur ta dinim që do të bëhet luftë e vërtetë, na, me siguri, do t’ju pasonim”. Atë ditë ata ishin më afër mohimit sesa besimit, sepse me gojën e tyre flisnin atë, që nuk e kishin në zemrat e tyre, - se, Perëndia i di mirë ato që i fshehin ata.

Atyre që nuk luftuan e u thanë vëllezërve të vet: “Sikur të na dëgjonit neve nuk do të mbyteshit”, thuaju: “Prapsojeni vdekjen nga vetja, nëse flisni të vërtetën!”

Kurrsesi mos i konsideroni të vdekur ata, që janë vrarë në rrugën e Perëndisë. Jo, (ata) janë të gjallë dhe të ushqyer (shpirtërisht) te Zoti.

Janë të gëzuar për atë që ua ka dhënë Perëndia nga dhuntitë e Tij dhe sihariqohen me ata të cilët ende nuk u janë bashkuar (shoqëruar) dhe që kanë ngelur pas tyre, meqë nuk do të ketë kurrfarë frike dhe të cilët për asgjë nuk do të pikëllohen;

sihariqohen ata me dhuntitë dhe begatitë e Perëndisë, sepse, Perëndia nuk ua humbë shpërblimin besimtarëve.

Ata që pas disfatës që pësuan (në Uhud), iu përgjigjën thirrjes së Perëndisë dhe të Pejgamberit, dhe për ta, të cilët kanë bërë mirësi dhe që iu kanë druajtur (Perëndisë), ka shpërblim të madh;

atyre, të cilëve u thanë njerëzit: “Armiku është përgatitur kundër jush, frikohuni!” Kjo përkundrazi ua shtoi atyre besimin, e thanë: “Neve na mjafton Perëndia, dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!”

Ata u kthyen (nga Bedri) me dhuntitë dhe begatitë e Perëndisë, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe bënë që Perëndia të jetë i kënaqur. Perëndia është Zot i begatisë së madhe.

Vetëm djalli i frikëson miqët e vet (për të mos shkuar në luftë). Ju mos iu frikoni atyre! Por frikohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë!

Mos të brengosin ty (o Muhammed!) ata që nxitojnë në mohim. Sepse, me të vërtetë ata nuk mund t’i bëjnë kurrfarë dëmi Perëndisë. Perëndia don që të mos i shpërblejë ata me kurrfarë dhurate në botën tjetër; dhe për ata ka ndëshkim të madh.

Me të vërtetë, ata që ndërrojnë besimin e vërtetë me mohim, nuk mund t’i bëjnë kurrfarë dëmi Perëndisë; e për ta ka ndëshkim të madh.

Le të mos mendojnë kurrsesi mohuesit, që për ata është mirë ajo, që u zgjasim jetën. Na, me të vërtetë ua zgjasim jetën atyre vtëm për t’i shtuar ata gabimet; dhe për ata ka ndëshkim poshtërues.

Perëndia nuk i le besimtarët në gjendjen që ndodheni ju (tash të përzier – muslimani i vërtetë me hipokritin) përderisa të mos e ndajë të keqin prej të mirit. Perëndia nuk do t’ua tregojë ate që është e fshehur, pro Perëndia zgjedh atë që të dojë nga Pejgamberët e Tij. Besoni Perëndinë dhe Pejgamberët e Tij! Nëse besoni dhe ruheni (prej hipokritit), u do të keni shpërblim të madh.

Kurrsesi le të mos mendojnë ata se është mirë për ta që bëhen dorështrënguar e koprracë me dhuntitë që ua ka dhënë Perëndia atyre; jo, kjo është keq për ta. Padyshim, koprracia do t’u ngarkohet atyre në qafë Ditën e Kijametit. Të Perëndisë janë trashëgimi i qiejve dhe i Tokës, dhe Perëndia e di mirë ç’punoni ju.

Perëndia i dëgjon fjalët e atyre që thanë: “Perëndia është i varfër, kurse na jemi të pasur”. Na do ta shënojmë atë që thanë ata si dhe mbytjen e pejgamberëve pa kurrfarë të drejte dhe do t’u themi Ne atyre: “Shijonie dënimin në zjarrë!”

Ky është ndëshkimi i veprave të duarve tuaja, se Perëndia nuk është zullumqar i robërvet të vet.

Ata (Hebrenjt) thonë: “Perëndia na ka urdhëruar që të mos i besojmë asnjë pejgamberi për derisa të mos na sjellë një kurban që ta përbijë zjarri”, - thuaju (o Muhammed!): “U kanë sjellë juve pejgamberët para meje argumente edhe për atë që thoni ju, e pse i mbytët ata nëse jeni të sinqertë?”

Nëse ata ty (o Muhammed!) të konsiderojnë për gënjeshtar, mos u hidhëro! Se janë përgënjeshtruar edhe pejgamberë të tjerë që kanë ardhur para teje dhe kanë sjellë dokumente, broshura dhe Libër ndriçues. -

Çdo qenie e gjallë do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kijametit, dhe kushdo që largohet nga zjarri i xhehennemit (skëterrës) dhe hyn në xhennet, ai ka arritur atë që ka dëshiruar. E, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.

Ju me siguri do të viheni në provë me pasurinë tuaj dhe me jetën tuaj dhe ju do të dëgjoni shumë fyerje nga ana e atyre që u është dhënë Libri pra jush dhe nga paganët. Nëse jeni durimtarë dhe i druani Perëndisë, me të vërtetë, ajo është vendosmëri (e madhe) në vepër.

Kujtoje (o Muhammed!) kohën kur Perëndia mori premtimin nga ata, që u është dhën Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe me siguri nuk do të fshehin asgjë nga ai; e ata pastaj e hodhën pas shpine (nuk vepruan sipas tij) dhe atë (premtimin) e ndërruan për një vlerë të vogël. E, sa këmbim i shëmtuar është ai që bënë ata!

Mos i konsidero ata, të cilët gëzohen për ate që kanë punuar (të mshehurit e së vërtetës) dhe dëshirojnë të jenë të lavdëruar për atë që nuk e kanë punuar. Kurrsesi mos mendo se ata do të gjenden në një vend – shpëtimi; se për ata ka ndëshkim të rëndë.

Të Perëndisë janë qiejt dhe Toka. Dhe Perëndia është i Gjithëpushtetshëm për çdo gjë.

Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës (dukjen dhe zgjatjen e tyre), ka argumente për mendarët,

për ata që e përmendin Perëndinë duke qëndruar në këmbë, dhe ndenjur, shtrirë; dhe që mendojnë në krijimin e qiejve dhe të Tokës. (Dhe thonë): “O Zoti ynë! Nuk i ke krijuar kot këto”, - falenderojmë Ty – dhe ruana nga ndëshkimi i zjarrit.

O Zoti ynë! Cilindo që Ti e hedhë në zjarr, Ti e ke poshtëruar atë. E, për mohuesit nuk ka kurrfarë ndihmëtari.

O Zoti ynë! Na dëgjuam grishtarin që na grishte në besim: “Besoni Zotin tuaj!” E, besuam. O Zoti ynë! Falna mëkatet tona dhe shkarkona nga gabimet, e pas vdekjes na radhit me të mirët.

o Zoti ynë! Epna shpërblimin që na ke premtuar me anën e pejgamberëve Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Kijametit! Se, Ti, me të vërtetë, nuk shmangesh nga premtimi i dhënë.

Dhe Zoti iu përgjegj lutjes së tyre: “Unë, nuk ia humbi mundin asnjë punëtori nga ju, qoftë mashkull apo femër, - ju jeni të gjithë (të barabartë në shpërblim). Atyre që emigruan, dhe u dëbuan nga vatrat e tyre, dhe u munduan në rrugën Time, dhe luftuan e u vranë, Unë me siguri, do t’ua mbuloj veprat e këqija (me falje) dhe do t’i shpie në kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, - shpërblim nga Perëndia. E, shpërblimi më i mirë është te Perëndia.

Le të mos mashtrojë ty qarkullimi i mohuesve qytet në qytet.

Kjo kënaqësi është ë shkurtër; pastaj, strehimi i tyre është skëterra. E sa shtrat i keq është ai vend!

Por, për ata që i druajnë Perëndisë, për ata ka kopshtije, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, në të cilat (kopshtije) do të banojnë përherë, - duke qenë këto dhurata të përgatitura prej Perëndisë, e për besimtarët e vërtetë më e mira dhuratë është ajo që është prej Perëndisë.

Në mesin e ithtarëve të Librit, me siguri ka të atillë që besojnë Perëndinë dhe ate që u është shpallur juve dhe ate që u është shpallur atyre, janë të përulur Perëndisë, nuk i këmbejnë versetet e Perëndisë me ndonjë vlerë të pakët; ata kanë shpërblimin e tyre te Zoti i tyre. Se, Perëndia, me të vërtetë, është llogaritar i shpejtë!

O besimtarë! – bëhuni të durueshëm dhe të qëndrueshëm (në durim), bëhuni të vendosur (në kufi të armikut), dhe kinie frikë Perëndinë, për ta arritur shpëtimin e dëshiruar.
Icon