سورة يوسف

الترجمة الألبانية

Përkthimi i Sures يوسف në الألبانية nga الترجمة الألبانية

الترجمة الألبانية

الناشر

المعهد الالباني للفكر الإسلامي والحضارة الإسلامية

Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur[148] përmes shpalljes së këtij Kurani, ndonëse ti, me të vërtetë, nuk ke qenë në dijeni më parë.
____________________
[148] Vargu “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur”, mund të përkthehet edhe “Ne të tregojmë ty (Muhamed) në mënyrën më të bukur”.
Vriteni Jusufin ose braktiseni në ndonjë vend të largët,[149] se pastaj babai juaj do të kthehet nga ju dhe, pas kësaj, do të bëheni njerëz të mirë”.
____________________
[149] “Vriteni...”: Vëllezërit e Jusufit flasin midis tyre, por, për t’i qëndruar besnik stilit kuranor, ligjërata është përkthyer në vetën e dytë të numrit shumës. Kjo formë është përdorur shpesh në Kuran dhe mund të japë përshtypjen se personi që flet është një i huaj, jashtë grupit të cilit i drejtohet fjala. Ndërkohë, ne do të thoshim “Ta vrasim Jusufin ose ta braktisim...”.
Ata thanë: “Si do ta hajë ujku, kur ne jemi një grup i fortë! Atëherë, me të vërtetë që ne do të ishim të humbur”.
Kur Jusufi arriti moshën e pjekurisë, Ne i dhamë aftësinë e të gjykuarit dhe dituri. Kështu i shpërblejmë Ne punëmirët.
Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajttë! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”.
Kur burri i saj pa se këmisha e Jusufit ishte shqyer nga mbrapa, tha: “Patjetër që kjo është një nga dredhitë tuaja (të femrave). Në të vërtetë, dredhitë tuaja janë të mëdha!
Pastaj u ra ndërmend atyre[150], pasi i panë shenjat (e pafajësisë së Jusufit) që ta burgosin për një kohë (në mënyrë që ngjarja të mos përhapej në popull).
____________________
[150] D.m.th. familjes së Azizit.
Jusufi i tha njërit prej këtyre të dyve, për të cilin e dinte se do të shpëtonte: “Përmendmë mua te pronari yt!” Por djalli bëri që ai të harronte ta përmendte te pronari i vet dhe kështu, Jusufi mbeti edhe disa vjet në burg.
Njërit nga ata dy që shpëtoi (nga burgu), iu kujtua pas një kohe e tha: “Unë do t’ju njoftoj për shpjegimin e kësaj (ëndrre), vetëm më dërgoni (te Jusufi)!”
(Shërbëtori) I tha: “O Jusuf, o njeri i drejtë! Na shpjego (ëndrrën) për shtatë lopë të majme, të cilat hahen prej shtatë lopëve të dobëta dhe për shtatë kallinj të gjelbër e shtatë tjerë të tharë, që të kthehem te njerëzit e ta dinë edhe ata”.
(Jusufi) tha: “(E kërkova këtë hetim) që ta dijë ai[151], se unë nuk e kam tradhtuar gjatë kohës së mungesës së tij. Vërtet, Allahu nuk u jep fund të mirë dredhive të tradhtarëve.
____________________
[151] Ministri.
(Jusufi) i tha: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve)”.
Ndërsa shpërblimi i jetës tjetër është më i mirë për ata që besojnë dhe e kanë frikë Allahun.
Ata thanë: “Ne do të përpiqemi disi, që ta sjellim nga baba i tij dhe do ta bëjmë këtë”.
Jusufi u tha shërbëtorëve të vet: “Ngarkoni barrët në kafshët e tyre e ua fusni brenda paratë! Ata do t’i gjejnë ato, kur të shkojnë te familja e vet, kështu që do të kthehen përsëri te ne”.
Kur u kthyen te babai i tyre, ata thanë: “O ati ynë! Nuk do të na japin më ushqim. Prandaj dërgoje me ne vëllain tonë, që të mund të marrim ushqim; të sigurojmë se ne do ta ruajmë atë!”
Pasi i furnizoi me ushqimin e nevojshëm, (Jusufi) shtiu një gotë (të çmueshme) në ngarkesën e vëllait të vet e pastaj një lajmëtar thirri: “O karvan, ju jeni vjedhës të vërtetë!”
(Vëllezërit e Jusufit) thanë: “Betohemi për Allahun, ju e dini se ne nuk kemi ardhur të bëjmë turbullira në këtë vend dhe nuk jemi vjedhës”.
(Vëllezërit) thanë: “Dënimi për atë, në barrën e të cilit gjendet gota, është që të mbahet peng ai vetë. Kështu i dënojmë ne keqbërësit.”
Dhe nisi të kontrollojë barrët e tyre para barrës së vëllait të Jusufit. Pastaj nxori gotën nga barra e vëllait të tij. Kështu, Ne e mësuam Jusufin, që ta bënte këtë dredhi. Ai, sipas ligjit të mbretit nuk mund ta merrte (për skllav) vëllanë e vet, përveç se me vullnetin e Allahut. Ne e ngremë lart atë që duam, e mbi çdo të ditur është një i Gjithëdijshëm.
(Bijtë e Jakubit) thanë: “Nëse ka vjedhur, më parë ka vjedhur edhe vëllai i tij!”[152] Jusufi heshti për këtë dhe nuk shpalli gjë, por mendoi në vetvete: “Ju jeni në pozitë më të keqe. Allahu është më i dijshëm për ato që thoni ju”.
____________________
[152] Disa komentues të Kuranit (midis të cilëve edhe Taberiu), thonë se ky pohim i referohet një ngjarjeje, kur Jusufi ishte i vogël. Atë kohë ai i kishte vjedhur gjyshit nga nëna, që ishte pagan, një statujë të vogël idhulli dhe ia kishte thyer.
(Jusufi) tha: “Allahu na ruajttë, si të marrim atë tjetrin në vend të atij te i cili e kemi gjetur sendin tonë! Atëherë, ne, me të vërtetë, do të ishim të padrejtë!”
Meqë e humbën shpresën në të (Jusufin), u shpërndanë dhe u këshilluan fshehurazi. Më i madhi nga ata tha: “A nuk e dini që babai juaj ka marrë prej jush betimin në Allahun. Ju edhe më parë e keni shkelur betimin që bëtë për Jusufin. Nuk do të ndahem prej këtij vendi, derisa të më lejojë babai im ose të më gjykojë Allahu, sepse Ai është Gjykatësi më i mirë.
Kthehuni te babai juaj dhe thoni: “O babai ynë, djali yt ka vjedhur. Ne dëshmojmë vetëm për atë që dimë. Ne nuk mund ta parashikonim të panjohurën[153].
____________________
[153] Pra, nuk mund ta dinim faktin se Beniamini do të vidhte.
Ata thanë: “Betohemi për Allahun, vërtet që Allahu të ka ngritur ty mbi ne dhe ne paskemi qenë vërtet të gabuar”.
Ata thanë: “Për Allahun, me të vërtetë, ti edhe tani qëndron në gabimin e mëparshëm”.
Ata thanë: “O babai ynë, kërko falje për ne e për gabimet tona! Ne paskemi qenë vërtet gjynahqarë”.
Ai i ngriti prindërit e vet në fron dhe ata të gjithë iu përulën atij. Ai tha: “O babai im, ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e përmbushi atë. Mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, kurse ju ju solli nga shkretëtira, pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi. Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti!
Shumica e tyre nuk besojnë në Allahun, pa i shoqëruar Atij njëkohësisht (idhuj të rremë) në adhurim.
تقدم القراءة