سورة الممتحنة

الترجمة الألبانية

Përkthimi i Sures الممتحنة në الألبانية nga الترجمة الألبانية

الترجمة الألبانية

الناشر

المعهد الالباني للفكر الإسلامي والحضارة الإسلامية

O besimtarë, mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe tuajt, duke u shprehur atyre dashuri, ndërkohë që ata kanë mohuar të vërtetën që ju ka ardhur dhe kanë dëbuar të Dërguarin dhe ju, vetëm se besonit në Allahun, Zotin tuaj. Nëse keni dalë luftëtarë në rrugën Time dhe për kënaqësinë Time dhe fshehurazi u shfaqni atyre dashuri, atëherë gaboheni. Unë e di çfarë fshihni dhe çfarë bëni haptazi. Secili prej jush që vepron ashtu, është shmangur nga rruga e drejtë.
Nëse ju mposhtin, ata do të jenë armiqtë tuaj e do t’i zgjasin duart dhe gjuhën e tyre për t’ju lënduar ju, sepse dëshirojnë që ju të bëheni jobesimtarë.
Shembull i mrekullueshëm për ju është Ibrahimi dhe ata që kanë qenë me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne shkëputemi nga ju dhe nga ato që ju i adhuroni në vend të Allahut; ne ju mohojmë dhe armiqësia e urrejtja midis nesh është e përhershme, derisa të besoni tek Allahu Një dhe i Vetëm”. Përjashtim (nga ky shembull) bën fjala e Ibrahimit për të atin: “Unë do të kërkoj falje për ty, por nuk kam kurrfarë mundësie për të të mbrojtur para Allahut. O Zoti ynë, tek Ti mbështetemi, Ty të drejtohemi dhe tek Ti do të kthehemi.
O besimtarë, kur ju vijnë besimtaret të mërguara, provoni (besimin) tek ato. Allahu e di më mirë besimin e tyre. Nëse bindeni se ato janë besimtare, mos i ktheni te jobesimtarët. Ato nuk janë (bashkëshorte) të ligjshme për ata dhe as ata nuk janë (bashkëshortë) të ligjshëm për ato. Kthejuni jobesimtarëve pajën, që u kishin dhënë atyre[363]. Nuk ka pengesë që t’i merrni ato për bashkëshorte, pasi t’u jepni pajën e martesës. Mos qëndroni në martesë me idhujtare. Kërkoni atë që keni dhënë (si pajë), por dhe jobesimtarët le të kërkojnë atë që kanë dhënë. Ky është ligji i Allahut, Ai ju gjykon ju; Allahu di çdo gjë dhe është i Gjithëdijshëm e i Urtë.
____________________
[363] Pra, grave besimtare që emigruan nga Meka në Medinë.
O Profet, nëse vijnë tek ti besimtaret e të betohen se nuk do t’i shoqërojnë Allahut asgjë (në adhurim), nuk do të vjedhin, nuk do të bëjnë kurvëri, nuk do t’i vrasin fëmijët e tyre, nuk do të sjellin ndonjë shpifje[364] të sajuar nga ato vetë dhe se nuk do të të kundërshtojnë në çfarë është e drejtë dhe e arsyeshme, atëherë ti pranoje betimin e tyre dhe lutju Allahut t’i falë. Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.
____________________
[364] Lidhur me atësinë e fëmijës.
تقدم القراءة