ﯮ
ترجمة معاني سورة الطلاق
باللغة الألبانية من كتاب الترجمة الألبانية
.
من تأليف:
حسن ناهي
.
ﰡ
O Profet! Nëse i ndani gratë, ndajini ato para kohës së tyre të pritjes.[371] Llogaritni kohën e tyre të pritjes dhe frikësojuni Allahut, Zotit tuaj. Mos i dëboni ato prej shtëpive të tyre, por edhe ato të mos dalin, me përjashtim të rastit kur shkelin martesën haptazi. Këto janë urdhërimet e Allahut; kushdo që i kapërcen kufijtë e Allahut, i ka bërë dëm vetvetes. Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.
Dhe, kur të mbushet afati i caktuar, i mbani ato si ka hije ose ndahuni me to në mënyrë të pëlqyeshme. Merrni dy dëshmitarë të ndershëm prej jush dhe jepni dëshminë tuaj para Allahut! Kjo është këshillë për ata që i besojnë Allahut dhe Ditës së Fundit. Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi)
dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.
Nëse dyshoni për ato gra tuajat, të cilave u janë ndërprerë zakonet, mësoni se koha e tyre e pritjes është tre muaj. Njësoj është edhe për ato që nuk u kanë ardhur ende zakonet. Kurse, për gratë shtatzëna, afati i tyre është deri në lindjen e fëmijës. Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen.
Ja, këto janë urdhërimet që Allahu i ka zbritur për ju. Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e këqija dhe do t’ia rrisë shpërblimin.
Gratë e ndara në periudhën e pritjes, le të banojnë aty ku banoni edhe ju, sipas mundësive tuaja dhe mos u bini në qafë për t’i detyruar (të largohen). Nëse janë shtatzëna, shpenzoni për ato deri sa të lindin. Nëse fëmija ushqehet me gjirin e nënës, paguajuni atyre shpërblimin dhe merruni vesh me të mirë. Por, nëse keni vështirësi të merreni vesh, atëherë le ta ushqejë me gji një (mëndeshë) tjetër.
Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin.
Sa shumë qytete u treguan kokëforta para urdhrave të Zotit të vet dhe të dërguarve të Tij! Ne u kërkuam llogari të rreptë dhe i ndëshkuam me dënim të ashpër.
Ata i provuan pasojat e veprave të veta dhe fundi i tyre qe shkatërrim.
Allahu ka përgatitur për ata dënim të rëndë, prandaj frikësojuni Allahut, o njerëz të mençur, që keni besuar! Allahu ju ka dërguar udhërrëfyesin:
një të Dërguar, i cili ju lexon shpalljet e Allahut me shpjegime të qarta, për t’i nxjerrë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, nga errësira në dritë. Atë që beson Allahun dhe bën vepra të mira, Ai do ta shpjerë në kopshtet e Xhenetit, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojë përgjithmonë. Pa dyshim, Allahu ka përgatitur për atë risk të mrekullueshëm.
Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij.