سورة الفتح

الترجمة الألبانية

Përkthimi i Sures الفتح në الألبانية nga الترجمة الألبانية

الترجمة الألبانية

الناشر

المعهد الالباني للفكر الإسلامي والحضارة الإسلامية

Ne të dhamë ty një fitore të qartë,[318]
____________________
[318] Bëhet fjalë për Traktatin e Paqes së Hudejbijes, të lidhur midis Profetit Muhamed (a.s.) dhe udhëheqësve të Mekës në vitin 6 h / 628 e.s.. Sipas komentuesve të Kuranit, marrëveshja e armëpushimit hoqi barrierat midis idhujtarëve të Mekës dhe myslimanëve të Medinës dhe kontaktet paqësore ndërmjet tyre bënë që të përhapej me shpejtësi besimi islam ndër fiset arabe. Prandaj kjo marrëveshje u quajt “fitore e qartë”.
Është Ai, që zbriti qetësi[319] në zemrat e besimtarëve, për t’ua forcuar besimin, krahas besimit që patën. Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës; Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
____________________
[319] Shih shënimin në vargun 248 të sures 2.
Gjithashtu, (Ai e bëri këtë) për t’i ndëshkuar hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët e idhujtaret, që mendojnë keq për Allahun. Radha e fatkeqësisë le t’i godasë ata! Allahu është zemëruar me ata, i ka mallkuar dhe u ka përgatitur Xhehenemin; eh, sa vend i shëmtuar që është ai!
Me të vërtetë, Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) dëshmitar, sjellës të lajmeve të mira dhe paralajmërues,
që t’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që ta ndihmoni e ta nderoni atë (Muhamedin a.s.) dhe që ta lavdëroni Atë (Allahun xh.sh.) me namaz në mëngjes dhe mbrëmje.
Do të të thonë ty arabët e shkretëtirës, të cilët ngelën pas jush[320]: “Ne ishim të zënë me bagëtitë dhe familjet tona, prandaj lutju Allahut që të na falë ne!” Ata thonë me gjuhën e tyre atë që nuk e kanë në zemrat e tyre. Thuaju: “Kush mund ta pengojë Allahun ndaj jush, nëse Ai kërkon t’ju godasë ose, nëse synon t’ju bëjë ndonjë të mirë?” Allahu e di atë që ju bëni.
____________________
[320] Pra, që nuk morën pjesë në luftë përkrah jush. Disa fise nga arabët e shkretëtirës kishin lidhur një marrëveshje për mbrojtje të ndërsjellë me Profetin (a.s.), por, nga frika, nuk e respektuan atë, kur besimtarët do të ndesheshin me kurejshët.
Jo! Ju[321] menduat se i Dërguari dhe besimtarët nuk do të kthehen kurrë te familjet e tyre dhe zemrat tuaja ishin të kënaqura me këtë trill. Ju ushqyet mendime shumë të këqija dhe kështu u bëtë popull i pavlefshëm i nisur drejt shkatërrimit.
____________________
[321] Arabët e shkretëtirës.
Kush nuk beson në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, ta dijë se Ne kemi përgatitur për mohuesit një Zjarr flakërues!
Ata që ngelën pas jush, do t’ju thonë, kur të niseni për të marrë plaçkën e luftës: “Na lejoni edhe ne që të vijmë pas jush!” Ata do të donin t’i ndërronin fjalët e Allahut. Thuaju: “Ju kurrsesi nuk do të vini pas nesh, këtë e ka thënë Allahu qysh më parë!” E ata do të thonë: “Nuk është ashtu, por ju na keni zili”. Ah, sa pak që kuptojnë!
Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi[322] dhe i shpërbleu me një fitore të afërt[323]
____________________
[322] Shih shënimin në vargun 248 të sures 2.
[323] Fitoren e betejës së Hajberit në vitin 7 h. / 629.
Allahu ju premtoi plaçkë të pasur, të cilën do ta fitoni e jua shpejtoi këtë juve. Ai i largoi duart e njerëzve prej jush, me qëllim që (fitorja juaj) të jetë një shenjë për besimtarët e vërtetë dhe që t’ju udhëzojë në rrugën e drejtë.
Jobesimtarët ju penguan t’i afroheni Xhamisë së Shenjtë dhe (penguan) kafshët për kurban, që të arrinin në vend. Po të mos kishte qenë për disa besimtarë e besimtare (në Mekë) që ju nuk i njihnit e kështu mund t’i merrnit nëpër këmbë, duke bërë gjynah kundrejt tyre pa e ditur, Allahu do t’ju kishte urdhëruar t’i luftonit ata. Sikur ata të ishin veç, Ne do t’i ndëshkonim me dënim të dhembshëm ata (banorë të Mekës), që nuk besuan.
Dhe, kur në zemrat e mohuesve u shfaq zelltaria pagane, Allahu zbriti qetësinë e Tij në zemrën e të Dërguarit të Tij dhe të besimtarëve e i bëri ata të mbështeten fort në fjalën e përkushtimit (ndaj Allahut)[324]. Ata kishin më shumë të drejtë e qenë më të denjë për të. Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.
____________________
[324] D.m.th. në parimin “S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut”.
Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill, shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë që lëshon filiza e forcohet e pastaj ngrihet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit.[325] (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që, nëpërmjet tyre, Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe kryejnë vepra të mira, Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.
____________________
[325] Fara simbolizon fenë islame, rritja e së cilës në fuqi dhe në numër, sigurisht që i mrekullon shikuesit. Ndërsa mbjellësit simbolizojnë Profetin Muhamed (a.s.) dhe shokët e tij, që bënë përpjekjet më të mëdha për rritjen dhe përhapjen e kësaj feje.
تقدم القراءة