سورة آل عمران

الترجمة الألبانية

Përkthimi i Sures آل عمران në الألبانية nga الترجمة الألبانية

الترجمة الألبانية

الناشر

المعهد الالباني للفكر الإسلامي والحضارة الإسلامية

Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje.
Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa vargje të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa (vargje) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: “Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (vargje të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë!” Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.
ashtu siç ishin ithtarët e Faraonit dhe ata që ishin para tyre. Ata i quajtën gënjeshtra Shenjat Tona. Prandaj, Allahu i përlau ata për gjynahet që bënë. Allahu është i rreptë në ndëshkim.
Thuaju (o Muhamed) atyre që mohuan: “Ju do të mposhteni dhe do të tuboheni në Xhehenem. Eh, sa shtrat i keq është ai vend!”
Sigurisht që kishte shenjë për ju në dy ushtritë që u ndeshën: njëra që luftonte në rrugën e Allahut dhe tjetra - e mohuesve, së cilës i dukej se para vetes kishte dy herë më shumë kundërshtarë.[47] Allahu me ndihmën e Vet forcon kë të dëshirojë. Kjo, me të vërtetë, është mësim për largpamësit.
____________________
[47] Vargu bën fjalë për betejën e Bedrit që shënoi suksesin e parë të rëndësishëm për ushtritë myslimane. Historia na tregon këtë epope të 313 heronjve të besimit që, në këmbë (përveç dy vetëve), u përballën me një ushtri prej një mijë këmbësorësh dhe njëqind kalorësish kurejshë. Allahu bëri që besimtarët të dukeshin më shumë se ç’ishin në sytë e ushtrisë armike. Nën udhëheqjen e Profetit Muhamed (a.s.) dhe të frymëzuar nga shembujt e trimërisë që shpalosën Ali Ibn Ebi Tâlibi, Hamza Ibn Abd-ul Muttalibi dhe Mus‘ab Ibn ‘Umejri, myslimanët i thyen idhujtarët.
që janë të durueshëm, të sinqertë, të devotshëm në adhurimin e Allahut; që japin lëmoshë dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.
Nëse ata të kundërshtojnë ty (o Muhamed) thuaju: “Unë i përulem vetëm Allahut, e po ashtu edhe ata që më pasojnë mua”. Dhe thuaju atyre që u është dhënë Libri si dhe analfabetëve[49]: “A i përuleni Allahut?” Nëse e pranojnë Islamin, atëherë kanë gjetur udhën e drejtë. Por, nëse refuzojnë, detyra jote është vetëm që t’ua përcjellësh dijen. Allahu i vrojton robërit e Vet.
____________________
[49] Idhujtarëve arabë.
Çfarë do të ndodhë me ata, kur t’i tubojmë në Ditën (e Gjykimit), për të cilën s’ka pikë dyshimi, kur çdokujt do t’i jepet shpërblimi i veprave të veta e askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi?
E ndërsa lutej në këmbë, në faltore, engjëjt e thirrën (Zekerijan): “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjain, i cili do të vërtetojë Fjalën e Allahut (Isain a.s.), do të jetë një fisnik, i dëlirë dhe profet, një prej të mirëve”.
O Merjeme! Bindju Zotit tënd! Bëj sexhde dhe përkulu në ruku bashkë me ata që përkulen (duke adhuruar Allahun)!”
(Kujto) kur engjëjt thanë: “O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë për një (djalë që do të lindë me një) Fjalë prej Tij: emrin do ta ketë Mesih - Isa i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e Allahut.
Ai do t’u flasë njerëzve qysh i vogël në djep edhe si njeri i rritur dhe do të jetë nga më të mirët”.
(Allahu) do t’ia mësojë atij shkrimin, diturinë, Teuratin dhe Ungjillin
dhe do ta caktojë atë të Dërguar te bijtë e Israilit (të cilëve do t’u thotë): “Ju kam sjellë prova nga Zoti juaj (që vërtetojnë Profecinë time): bëj për ju diçka prej balte në formë shpendi, fryj në të e me urdhrin e Allahut ajo bëhet shpend i gjallë; shëroj të verbrit e lindur dhe të lebrosurit dhe i ngjall të vdekurit me lejen e Allahut; ju tregoj çfarë hani dhe çfarë ruani në shtëpitë tuaja. Sigurisht që te të gjitha këto ka prova për ju, nëse jeni besimtarë të vërtetë.
Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj pra, bashkë me dëshmitarët!”
Dhe ata[50] i përgatitën një kurth, por edhe Allahu u përgatiti kurth (dënim), se Allahu është strategu më i mirë.
____________________
[50] D.m.th. jobesimtarët armiq të Isait a.s.
Këto që po t’i tregojmë ty (o Muhamed) janë vargje dhe këshilla të larta (nga Kurani).
Në qoftë se ata ia kthejnë shpinën të drejtës, (dije se) Allahu i njeh mirë ngatërrestarët.
Mirë ju polemizoni për gjëra që keni njëfarë dijenie (për çështje që lidhen me Musain a.s. dhe Isain a.s.), por, pse polemizoni për atë, për të cilën s’dini asgjë (për Ibrahimin a.s.)? Allahu e di hollësisht, ndërsa ju nuk dini asgjë për këtë.
Pa dyshim, njerëzit më të afërt me Ibrahimin janë ata që e pasuan atë dhe ky Profet[51] me besimtarët (e tij). Allahu është mbrojtës i besimtarëve.
____________________
[51] Profeti Muhamed (a.s.).
Një grup ithtarësh të Librit dëshirojnë që t’ju shpien në rrugë të gabuar. Në të vërtetë ata çojnë në humbje vetëm vetveten, por këtë nuk e ndiejnë.
O ithtarë të Librit! Përse i mohoni shpalljet e Allahut (Kuranin), edhe pse jeni dëshmitarë se ato janë të vërteta?
dhe besojuni vetëm atyre që ndjekin fenë tuaj!” Thuaj (o Muhamed): “Udhëzimi i Allahut është udhëzimi i vërtetë”. (Hebrenjtë i thanë njëri-tjetrit:) “Mos besoni se mund t’i jepet ndokujt ajo që ju është dhënë juve (vetëm nëse ndjekin fenë tuaj), përndryshe ata do të polemizojnë kundër jush te Zoti juaj.” Thuaj (o Muhamed): “Hiri është në Dorë të Allahut, Ai ia jep atë kujt të dojë. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.”
Ka nga ata ithtarë të Librit, që sikur t’u besosh një barrë të tërë ari, do t’jua kthejnë, por ka edhe të atillë që, nëse u jep në besim, qoftë edhe një dinar, nuk ta kthejnë, veçse nëse nuk u ndahesh. Kjo është kështu, ngase ata thonë: “Ne nuk kemi ndonjë detyrim ndaj analfabetëve (arabë)”. Ata flasin gënjeshtra për Allahun me vetëdije.
Jo! Por kushdo që plotëson premtimin e tij dhe ruhet nga të këqijat, (ta dijë se) Allahu, me të vërtetë, i do ata që janë të devotshëm.
Me të vërtetë, një grup ithtarësh të Librit e shtrembërojnë Librin me gjuhët e tyre (ndërsa e lexojnë atë), që ju të mendoni se ai lloj leximi është prej Librit (që ka zbritur Allahu), kurse në të vërtetë, nuk është prej Librit. Ata thonë: “Kjo që lexojmë është nga Allahu”, por ajo nuk është nga Allahu. Ata flasin gënjeshtra për Allahun, duke qenë të vetëdijshëm për këtë.
Nuk është (e mundur për) një njeri të cilit Allahu i ka dhënë Librin, dijeninë e gjerë dhe Profecinë, që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni robërit e mi dhe jo të Allahut”. Përkundrazi, ai thotë: “Bëhuni robër të ditur të Zotit (që i zbatojnë porositë e Tij), sepse ua keni mësuar Librin të tjerëve dhe e mësoni edhe vetë!”
Kujto kur Allahu mori besëlidhjen nga profetët (dhe u tha): “Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?” Ata u përgjigjën: “E pranojmë”. (Allahu) u tha: “Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar.
A mos kërkojnë ata diçka tjetër përveç fesë së Allahut, ndërkohë që Atij i përulen të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, me hir a me pahir dhe tek Ai do të kthehen të gjithë?!
Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.[52]
____________________
[52] Feja islame ka ardhur me të gjitha mirësitë shpirtërore, trupore, jetësore dhe shoqërore. Këto cilësi, nuk janë paraqitur tërësisht në asnjë libër, përveçse në Kuranin Fisnik. Nga këto të mira nuk bën të zmbrapsemi, sepse feja islame nuk e lejon kthimin e njerëzve mbrapa. Ka shumë shembuj që tregojnë se Profeti Muhamed (a.s.) nuk e ka ngarkuar popullin me aq shumë vepra të tepërta, të cilat do të shkaktonin kthimin e tij mbrapa (përkthyesi).
E si t’i udhëzojë Allahu në rrugë të drejtë njerëzit që u bënë mohues, pasi më parë patën besuar e dëshmuar se i Dërguari është i vërtetë dhe u kishin ardhur provat e qarta?! Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë ata që janë keqbërës.
Ata do të jenë përherë nën peshën e (dënimit e të mallkimit), vuajtjet nuk do t’u lehtësohen dhe nuk do t’u jepet afat (pushim);
Vërtet, atyre që mohojnë pasi patën besuar dhe pastaj e shtojnë mohimin e tyre, nuk do t’u pranohet pendimi (kur janë me shpirtin në grykë). Pikërisht këta janë ata që kanë humbur.
Thuaj (o Muhamed!): “Allahu thotë të vërtetën, prandaj ndiqeni fenë e pastër të Ibrahimit[53], i cili nuk ishte idhujtar”.
____________________
[53] D.m.th. monoteizmin islam.
Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.
Thuaj: “O ithtarët e Librit! Pse e pengoni nga rruga e Allahut atë që beson e përpiqeni ta shtrembëroni (atë rrugë), ndërkohë që jeni dëshmitarë (se kjo është rruga e vërtetë)? (Dijeni se) Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprave që ju bëni!”
Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.
Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi[54], të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.
____________________
[54] D.m.th. për në fenë e pastër islame.
ditën (e Kiametit) kur disa fytyra do të zbardhen e disa të tjera do të nxihen. Atyre që do t’u nxihet fytyra, do t’u thuhet: “Vallë, ju mohuat pas besimit?! Atëherë shijoni dënimin për shkak se nuk besuat!”
Kurse ato fytyra që do të zbardhen e do të shkëlqejnë, do të jenë në mëshirën e Allahut (në Xhenet), ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun. Sikur ithtarët e Librit të besonin, do të ishte më mirë për ata; ka prej tyre besimtarë të vërtetë, por shumica e tyre janë larg udhës së drejtë.
Kudo që gjenden, ata janë të kapluar nga poshtërimi, vetëm nëse kanë ndonjë mbrojtje prej Allahut apo prej njerëzve. Ata merituan zemërimin e Allahut dhe do t’i kaplojë mjerimi. Kjo ishte për shkak se mohuan shpalljet e Tij dhe pa kurrfarë të drejte, i vrisnin profetët. Kjo ishte për shkak se ata nuk u bindën dhe i kaluan kufijtë (në të këqija).
O besimtarë! Mos zgjidhni për miq dhe këshilltarë të afërt njerëz të tjerë jashtë gjirit tuaj; ata nuk ngurrojnë që t’ju bëjnë dëm. Ata dëshirojnë që të vuani. Urrejtja shfaqet në gjithçka që del prej gojës së tyre, kurse ajo që fshehin në zemrën e tyre, është edhe më e madhe. Ne jua kemi shpjeguar vargjet (e Kuranit), nëse jeni njerëz që kuptoni.
Atë mëngjes, kur ti (o Muhamed) dole nga shtëpia jote për t’u caktuar besimtarëve vendet e luftës[55] - e Allahu dëgjon dhe di çdo gjë -,
____________________
[55] Bëhet fjalë për betejën e Uhudit.
(Gjithashtu Allahu e bëri këtë edhe) që të shkatërrojë një pjesë prej atyre që nuk besuan apo t’i turpërojë, e kështu të kthehen të humbur.
Verse 132
Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, për të shpresuar mëshirën (e Allahut).
Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit,
pra, për këta do të ketë si shpërblim falje madhështore (të gjynaheve) nga ana e Zotit të tyre dhe kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojnë përherë. Sa shpërblim i bukur është ky për ata që punojnë (vepra të bukura)!
Para jush kanë kaluar shumë shembuj (popujsh nga ndjekësit e profetëve që iu ndodhi ajo që po ju ndodh edhe juve). Prandaj udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ishte fundi i atyre që i përgënjeshtruan profetët.
Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.
Vërtet Allahu e plotësoi premtimin e Vet, kur ju me vullnetin e Tij e thyet armikun. Por, kur ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Profetin a.s.), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit[56], (Allahu e tërhoqi ndihmën e Vet). Disa nga ju dëshirojnë këtë botë, ndërsa të tjerë nga ju dëshirojnë botën tjetër. Pastaj Ai, për t’ju provuar, bëri që të zmbrapseni para armikut dhe pastaj, sigurisht që jua fali atë gabim. Allahu ka mirësi të madhe për besimtarët.
____________________
[56] Plaçkën e luftës.
Pastaj, pas dëshpërimit tuaj, (Allahu) ju dërgoi qetësinë - një gjumë, që kaploi një grup prej jush. Kurse grupi tjetër (hipokritët) kujdesej vetëm për veten, duke menduar për Allahun të pavërtetën, ashtu si mendonin paganët. Ata thoshin: “Ku është fitorja që na ishte premtuar?” Thuaju (o Muhamed!): “Të gjitha janë në dorë të Allahut!” Ata fshehin në vete atë që nuk duan të ta shfaqin ty. Ata thoshin: “Sikur të pyeteshim ne për këtë gjë, nuk do të vriteshim këtu”. Thuaju: “Edhe sikur të kishit qenë nëpër shtëpitë tuaja, prapëseprapë atyre që u është shkruar të vriten, do të dilnin në vendin e vrasjes.” Allahu e bëri këtë për të provuar atë që keni në kraharorët tuaj dhe për t’ju pastruar atë që keni në zemrat tuaja. Vërtet, Allahu e di mirë se ç’keni në zemër.
O besimtarë! Mos bëni si ata jobesimtarë (hipokritët) që u thonin vëllezërve, kur këta niseshin në udhëtim ose në luftim: “Sikur të rrinit me ne, as nuk do të vdisnit, as nuk do të vriteshit” - që këtë Allahu ta kthejë si pikëllim në zemrat e tyre. Allahu është Ai që jep jetën dhe sjell vdekjen; Allahu i sheh të gjitha punët që bëni ju.
Është e pamundur për ndonjë profet që të përvetësojë në mënyrë të pandershme prenë e luftës. Kushdo që bën një gjë të tillë, do të vijë (i ngarkuar me të) në Ditën e Kiametit e pastaj do t’i jepet çdokujt ajo që ka merituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.
Vallë, a mund të krahasohet ai që kërkon kënaqësinë e Allahut me atë që ka merituar zemërimin e Allahut dhe strehimi i tij është Xhehenemi?! Eh, sa strehim i keq është ai!
Ajo që ju gjeti atë ditë, kur u ndeshën dy ushtritë, ishte me vullnetin e Allahut - për të zbuluar se cilët janë besimtarët e vërtetë,
dhe për të zbuluar se cilët janë me dy faqe. Atyre iu tha: “Ejani të luftoni në rrugën e Allahut ose të paktën, mbrohuni!” Ata u përgjigjën: “Sikur ta dinim që do të bëhej luftë e vërtetë, me siguri, do t’ju pasonim.” Atë ditë ata ishin më afër mohimit sesa besimit, sepse me gojën e tyre flisnin atë që nuk e kishin në zemrat e tyre; Allahu e di mirë çfarë fshehin ata.
Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij dhe gëzohen edhe për ata që ende nuk u janë bashkuar e që kanë ngelur pas tyre (dhe ende nuk kanë rënë martirë), sepse nuk do të frikësohen (për çfarë i pret) dhe nuk do të pikëllohen (për çfarë kanë lënë pas).
(Shpërblim kanë edhe ata) të cilëve njerëzit (hipokritë) u thanë: “Shumë njerëz po mblidhen kundër jush, prandaj frikësohuni!” e kjo gjë ua shtoi atyre besimin dhe thanë: “Neve na mjafton Allahu, Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!”
Sigurisht që Allahu i ka dëgjuar fjalët e atyre (çifutëve) që thanë: “Allahu është i varfër, kurse ne jemi të pasur”. Ne do ta shënojmë atë që thanë, si dhe vrasjen e profetëve nga ana e tyre pa kurrfarë të drejte dhe do t’u themi atyre: “Shijoni dënimin në zjarr!”
Nëse ata ty (o Muhamed) të quajnë për gënjeshtar, edhe të dërguar të tjerë që kanë ardhur para teje janë përgënjeshtruar, ndonëse kanë sjellë shenja të qarta, shkrime dhe Librin e ndritur.
Kujtoje (o Muhamed) kohën kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri se do t’ua shpjegojnë atë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai. Pastaj ata e hodhën pas shpine (premtimin) dhe e ndërruan atë me një vlerë të vogël. Eh, sa këmbim të shëmtuar që bënë ata!
për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto, lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.
O Zoti Ynë! Na e jep shpërblimin që na ke premtuar nëpërmjet të dërguarve të Tu dhe mos na poshtëro në Ditën e Kiametit! Se Ti, me të vërtetë, nuk e shkel premtimin e dhënë!”
Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër. Ju jeni njëlloj (në shpërblim). Atyre që u shpërngulën, u dëbuan nga vatrat e tyre, u munduan në rrugën Time, luftuan dhe u vranë, Unë do t’ua mbuloj veprat e këqija dhe do t’i shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, si shpërblim nga Allahu. Shpërblimi më i mirë është tek Allahu.”
Kjo mirëqenie është e shkurtër; pastaj, strehimi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa shtrat i keq është ai vend!
O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!
تقدم القراءة