سورة المائدة

الترجمة الألبانية

Përkthimi i Sures المائدة në الألبانية nga الترجمة الألبانية

الترجمة الألبانية

الناشر

المعهد الالباني للفكر الإسلامي والحضارة الإسلامية

O besimtarë! Plotësoni detyrimet! Ju është lejuar ngrënia e kafshëve, përveç atyre që do t’ju njoftohen. Derisa të gjendeni në ihram[85] gjatë haxhit, nuk ju lejohet gjuetia. Vërtet, Allahu vendos çfarë të dëshirojë.
____________________
[85] Ihrami është gjendje e caktuar e haxhiut, gjatë së cilës ai mban një veshje të posaçme dhe i ndalohen disa gjëra të zakonshme.
O besimtarë! Mos e cenoni shenjtërinë e simboleve të Allahut, as të muajve të mëdhenj, as të kurbanit të Qabesë, as të kurbaneve të shënuara me gjerdan, as (mos i pengoni) ata që janë nisur të vizitojnë Shtëpinë e Shenjtë, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Zotit të vet. Pas heqjes së Ihramit, gjuani. Dhe, të mos ju nxisë urrejtja ndaj disa njerëzve, që ju penguan të vizitoni Qabenë, pra, kurrsesi të mos ju nxisë që t’i sulmoni! Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.
Është e ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat - përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve apo për të kërkuar fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën, janë gjynah. Sot, dëshpërohen ata që nuk besojnë dhe kanë humbur çdo shpresë, që t’ju largojnë prej fesë suaj. Mos u frikësoni prej tyre, por kini frikë prej Meje! Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.[86] Por kushdo që është i shtrënguar nga uria (dhe ha çfarë është e ndaluar), pa pasur qëllim të bëjë gjynah, do ta shohë se Allahu është Falës e Mëshirëplotë.
____________________
[86] Ky varg thekson se të gjitha cilësitë që i nevojiten njeriut, - ato shpirtërore, trupore e shoqërore, janë plotësuar me ardhjen e Kuranit Fisnik (përkthyesi).
Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato, e jo duke bërë kurvëri, as duke i marrë për dashnore. Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër ai do të jetë i dështuar.
O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së farës), pastrohuni (duke u larë krejtësisht)! Por, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t’ju dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të. Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.
O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju.[87]
____________________
[87] Ky varg na urdhëron për mirësi në shoqëri. Po të mos zbatohet kjo mirësi, shoqëria do të shkatërrohet plotësisht, kurse po të zbatohet plotësisht ndër njerëz, përparimi dhe mirëqenia e shoqërisë do të arrijë kulmin (përkthyesi).
Sa për ata që nuk besojnë dhe mohojnë shpalljet Tona - ata do të jenë banorë të zjarrit.
Me të vërtetë, Allahu mori besëlidhjen e bijve të Israilit dhe nga mesi i tyre caktoi dymbëdhjetë mbikëqyrës dhe u tha: “Unë jam me ju! Në qoftë se do të kryeni namazin, do të jepni zekatin, do të besoni të dërguarit e Mi, do t’i ndihmoni ata dhe do t’i jepni vullnetarisht hua Allahut, atëherë, patjetër që Unë do t’jua shlyej gjynahet dhe do t’ju shpie në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Por, kushdo nga ju që mohon pas kësaj, me të vërtetë, e ka humbur rrugën e drejtë.
Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre, Ne i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat të ashpra. Ata i kanë shtrembëruar fjalët e Shkrimeve të shenjta dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla[88]. Ti (Muhamed) përherë do ta vëresh tradhtinë e tyre, përveç një pakice të tyre; pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit.
____________________
[88] Kanë harruar atë pjesë të Shpalljes që lajmëronte ardhjen e Profetit Muhamed (a.s.).
Ne kemi marrë besëlidhje edhe prej atyre që thanë: “Jemi të krishterë”, por edhe ata kanë harruar një pjesë të mirë nga ato që janë këshilluar[89], prandaj ua shtiem armiqësinë dhe urrejtjen midis tyre deri në Ditën e Kiametit. Allahu do t’i lajmërojë ata për veprat që kanë bërë.
____________________
[89] Edhe të krishterët e kanë lënë pas dore fajësisht atë pjesë të Shpalljes që i zbriti Isait (a.s.) rreth ardhjes së Profetit Muhamed (a.s.).
Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!” Thuaj: “Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron ta zhdukë Mesihun, të birin e Merjemes dhe nënën e tij, si dhe gjithçka që gjendet në Tokë?” Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre. Ai krijon çfarë të dojë dhe është i Plotfuqishëm për çdo gjë.
Hebrenjtë dhe të krishterët thonë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”. Thuaj: “Atëherë, përse Ai ju dënon për shkak të gjynaheve tuaja? Jo! Ju jeni njerëz nga ata që Ai ka krijuar. Ai fal kë të dojë dhe dënon kë të dojë. Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre. Dhe vetëm tek Ai kthehen të gjithë.
Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Israilit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve. Të dërguarit Tanë u sollën shenja të qarta, por shumë nga ata, edhe pas kësaj, i kaluan tërë kufijtë me të këqija në Tokë.
Pa dyshim se ndëshkimi i atyre që luftojnë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe që bëjnë shkatërrime në Tokë, është të vriten ose të gozhdohen, ose t’u këputen duart dhe këmbët tërthorazi, ose të dëbohen nga vendi. Ky ndëshkim është poshtërim për ata në këtë jetë, ndërsa në jetën tjetër, për ata do të ketë dënim shumë të madh.
O i Dërguari i Allahut! Mos u brengos për ata që zhyten shpejt në mosbesim, qofshin nga ata që me gojën e tyre thonë: “Besojmë”, ndërkohë që zemrat e tyre nuk besojnë apo prej hebrenjve, të cilët trillimet i dëgjojnë shumë, (madje) dëgjojnë edhe ata që s’kanë ardhur te ti. Ata i ndryshojnë vendet e fjalëve (në tekstet e shenjta) dhe thonë: “Nëse (shpallja) ju është dhënë kështu, pranojeni e, nëse nuk ju është dhënë kështu, atëherë, ruhuni e mos e pranoni”. Kur Allahu dëshiron ta lërë dikë në humbje, ti nuk mund të bësh asgjë për ta penguar Atë. Këta janë të asaj dore të cilët Allahu nuk dëshiron t’ua pastrojë zemrat. Për ata, në këtë jetë ka poshtërim, kurse në jetën tjetër ka ndëshkim të rëndë.
Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata dëshmonin. Prandaj, mos kini frikë nga njerëzit, por kini frikë vetëm prej Meje! Dhe mos i ndërroni Fjalët e Mia me ndonjë vlerë të vogël! Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues i vërtetë.
Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti.
Prandaj gjykoji sipas asaj që të ka shpallur Allahu e mos ndiq dëshirat e tyre të kota! Ki kujdes që ata mos të të nxisin të largohesh nga një pjesë e asaj që të ka shpallur Allahu! Nëse ata të kthejnë kurrizin e nuk dëgjojnë gjykimin tënd, atëherë ta dish se Allahu do vetëm që t’i dënojë për disa gjynahe të tyre. Në të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur.
A mos kërkojnë ata gjykimin (me ligjin) e (kohës së) injorancës (paganizmit paraislamik)?! E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?
O besimtarë! Nëse ndokush prej jush braktis besimin e vet, dijeni se Allahu do të sjellë njerëz, që i do dhe që e duan; të përulur me besimtarët dhe të ashpër me femohuesit; që luftojnë në rrugën e Allahut dhe nuk i tremben qortimit të asnjë qortuesi. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën Ai ia jep kujt të dojë. Allahu është Bujar i madh dhe i Gjithëditur.
Miqtë dhe mbrojtësit tuaj janë vetëm Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zekatin, duke qenë të përulur (në adhurim) ndaj Allahut.
Ata që marrin për mik e mbrojtës Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, (ta dinë se) pa dyshim, pala e Allahut do të jetë fituese.
Hebrenjtë thonë: “Dora e Allahut është e shtrënguar.” Iu lidhshin duart atyre dhe qofshin të mallkuar për atë që thonë! Përkundrazi, të dyja Duart e Tij janë të hapura. Ai dhuron dhe jep si të dojë. Ajo që të është shpallur ty (Muhamed) nga Zoti yt, me siguri që shumicës prej tyre do t’ua shtojë mosbindjen dhe mohimin. Ne kemi futur ndërmjet tyre armiqësi dhe urrejtje deri në Ditën e Kiametit. Kurdo që ata ndezin zjarrin e luftës, Allahu e shuan atë. Ata përpiqen të shkaktojnë ngatërresa në Tokë, por Allahu nuk i do ngatërrestarët.
Sikur ithtarët e Librit të besonin dhe të ruheshin nga mohimi, Ne do t’ua mbulonim veprat e këqija dhe do t’i shpinim në kopshtet e kënaqësisë.
Ata mendonin se nuk do t’i gjente kurrfarë dënimi, prandaj ngelën të verbër dhe të shurdhët. Pastaj, Allahu ua pranoi pendimin, por përsëri shumë nga ata u bënë të verbër dhe të shurdhër (ndaj së vërtetës); Allahu e sheh mirë se çfarë bëjnë ata.
Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!
Ti e sheh se shumë prej tyre[90] miqësohen me jobesimtarët. Me të vërtetë, e keqe është ajo që i përgatisin ata vetes: që Allahu të zemërohet me ta dhe të mbesin në dënim përjetësisht.
____________________
[90] D.m.th. hipokritëve.
Ndërsa ata që mohuan dhe i përgënjeshtruan shpalljet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit.
Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim. Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mbani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu Fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës.
O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni!
O besimtarë! Mos gjuani, duke qenë në ihram! Kushdo që e vret gjahun me paramendim, për dënim duhet të therë si kurban në Qabe një kafshë shtëpiake të ngjashme me kafshën e gjuajtur, sipas vlerësimit të dy njerëzve të drejtë midis jush; ose të ushqejë disa të varfër për të larë gjynahun; ose të agjërojë në atë masë, që ta ndiejë ndëshkimin për gjynahun e bërë. Allahu e fal atë që ka kaluar (para ndalimit). Ndërsa atë që vepron pas ndalimit, Allahu do ta ndëshkojë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim.
Allahu nuk e përligj as Behirën, as Saibën, as Vesilën, as Hamin[91]. Por femohuesit trillojnë gënjeshtra për Allahun! Shumica syresh nuk kanë mend.
____________________
[91] Këta janë emra që arabët paganë ua ngjisnin deveve apo bagëtive të tjera, që i shenjtëronin apo që i përdornin si flijime për idhujt e tyre në Qabe.
O besimtarë! Kur t’ju afrohet vdekja, me rastin e lënies së testamentit, le të dëshmojnë dy të ndershëm prej jush ose dy të tjerë që nuk janë prej jush, nëse fatkeqësia e vdekjes ju zë ndërsa jeni duke udhëtuar nëpër botë. Mbajini ata pas namazit dhe, nëse dyshoni në ndershmërinë e tyre, le të betohen në Allahun (duke thënë): “Ne nuk do ta shesim betimin me kurrfarë çmimi edhe nëse është fjala për çfarëdo të afërmi dhe dëshminë që na urdhëron Allahu nuk do ta fshehim, sepse, atëherë do të ishim vërtet keqbërës”.
Nëse më pas zbulohet se këta dy dëshmues kanë bërë gjynah, atëherë le të zëvendësohen nga dy të tjerë prej atyre që këta u kanë bërë padrejtësi! Pastaj, dy dëshmitarët e fundit le të betohen në Allahun (duke thënë): “Pa dyshim, dëshmia jonë është më e drejtë se dëshmia e tyre. Ne nuk gënjejmë, sepse përndryshe do të ishim keqbërës”.
Allahu do të thotë: “O Isa, i biri Merjemes, kujtoje mirësinë Time ndaj teje dhe nënës sate: se si të forcova ty me Shpirtin e Shenjtë (Xhebrailin), kështu që ti u predikoje njerëzve, kur ishe foshnjë në djep dhe i rritur; se si të mësova Librin dhe Urtësinë, Teuratin dhe Ungjillin; se si me vullnetin Tim krijoje një figurë shpendi prej balte, pastaj fryje në të dhe ajo bëhej zog me vullnetin Tim; se si me vullnetin Tim i shëroje të lindurit të verbër e të lebrosurit; se si me vullnetin Tim i ngjallje të vdekurit; se si i pengova sulmet e bijve të Israilit kundër teje, atëherë kur iu solle atyre prova të qarta e mohuesit në radhët e tyre thanë: “Kjo është vetëm magji e kulluar!”;
Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut”?! Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat.
تقدم القراءة