سورة الأنعام

الترجمة الألبانية

Përkthimi i Sures الأنعام në الألبانية nga الترجمة الألبانية

الترجمة الألبانية

الناشر

المعهد الالباني للفكر الإسلامي والحضارة الإسلامية

Sikur Ne të të zbritnim ty një Libër të shkruar në letër e ata ta preknin me duart e tyre, mosbesimtarët me siguri që do të thoshin: “Kjo s’është gjë tjetër, veçse një magji e hapur.”
Edhe sikur Ne ta bënim atë (Muhamedin) engjëll, me siguri që do t’i jepnim atij pamje njeriu dhe, kështu, do të bënim që të ngatërroheshin në lidhje me mesazhin, për të cilin tashmë ata janë të ngatërruar.
Thuaj: “Cila është dëshmia më e madhe (që ti je profet)?” dhe përgjigju: “Allahu është dëshmitar midis meje dhe jush”. Ky Kuran më është shpallur, në mënyrë që nëpërmjet tij t’ju tërheq vërejtjen juve dhe kujtdo që i përcillet. A mos vallë ju dëshmoni se, përveç Allahut ka edhe zota tjerë? Thuaj: “Unë nuk dëshmoj”. Thuaj: “Vërtet, Ai është vetëm Një Zot dhe unë jam larg nga ato që ju ia shoqëroni Allahut (në adhurim)”.
Ata që ua kemi dhënë Librin[92], e njohin (Muhamedin), ashtu si i njohin fëmijët e tyre. Por ata që kanë humbur shpirtrat e tyre, nuk do të besojnë kurrë.
____________________
[92] Të krishterët dhe hebrenjtë.
Atë ditë kur do t’i tubojmë të gjithë, Ne do t’u themi idhujtarëve: “Ku janë idhujt tuaj, për të cilët thoshit se ishin ortakë të Allahut!”
Disa prej tyre[93] duket sikur të dëgjojnë, por Ne kemi vënë perde në zemrat e tyre dhe ua kemi rënduar dëgjimin, në mënyrë që ata të mos kuptojnë. Edhe nëse do të shihnin ndonjë prej shenjave Tona, ata sërish nuk do të besonin. Kur vijnë tek ti për të të kundërshtuar, jobesimtarët thonë: “Këto janë vetëm trillime të popujve të lashtë”!
____________________
[93] Idhujtarëve të Mekës.
Thuaj: “Mendoni: nëse ju godet dënimi i Allahut apo ju vjen Ora e Kiametit, a do të thërrisnit për ndihmë dikë tjetër, përveç Allahut?! Më tregoni, nëse thoni të vërtetën!”
Përkundrazi! Ju do të thërrisnit vetëm Atë! Nëse do të dojë, Ai do t’ju shpëtojë nga ajo për të cilën e thërrisnit dhe ju do t’i harronit idhujt që ia shoqëronit Atij (në adhurim).
Kështu, Ne i kemi bërë disa prej tyre si sprovë për të tjerët, që të thonë: “Vallë, këta janë ata prej nesh, që Allahu u ka dhuruar mirësi?!” - A mos vallë, Allahu nuk i njeh më mirë ata që i janë mirënjohës?
Ne kështu i shpjegojmë hollësisht shpalljet, në mënyrë që të qartësohet rruga e njerëzve të këqij.
Do të vijë koha, kur çdo profeci do të përmbushet dhe ju do ta merrni vesh.”
Largohuni nga ata që fenë e tyre e marrin si lojë dhe dëfrim e që janë mashtruar nga jeta e kësaj bote. Këshilloji ata me Kuranin, me qëllim që të mos i humbasin shpirtrat e tyre për shkak të veprave të veta. Përveç Allahut, ata nuk do të kenë as ndihmës, as ndërmjetës. Edhe sikur të ofrojnë çdo lloj shpagimi, nuk do t’u pranohet. Këta janë ata që do të lihen në humbje për shkak të veprave që kanë bërë. Ata do të pinë ujë të valuar dhe do të kenë dënim të dhembshëm për shkak të mosbesimit të tyre.
Thuaj: “A të adhurojmë në vend të Allahut çfarë nuk na sjell as dobi, as dëm?! A të kthehemi mbrapsht, pasi Allahu na udhëzoi, duke u bërë si i magjepsuri nga djajtë, që sillet i çoroditur nëpër tokë, ndonëse shokët e thërrasin në rrugë të drejtë: “Eja tek ne”?! Thuaj: “Udhëzimi i Allahut është i vetmi udhëzim i drejtë! Ne jemi të urdhëruar t’i nënshtrohemi Zotit të botëve,
Është Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën për një qëllim. Ditën kur Ai thotë “Bëhu”, ajo bëhet. Fjala e Tij është e Vërteta dhe Atij i përket pushteti Ditën kur fryhet në Sur[94]. Ai e di të padukshmen dhe të dukshmen dhe Ai është i Urti dhe i Gjithëdijshmi”.
____________________
[94] Suri është një bri që do të fryhet nga engjëlli Israfil dy herë: herën e parë për të lajmëruar ardhjen e Kiametit; dhe herën e dytë për të lajmëruar fillimin e ringjalljes.
Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht.
Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.”
Ne udhëzuam edhe Zekerijan, Jahjain, Isain, Iljasin - të gjithë këta kanë qenë nga njerëzit e mirë.
Po ashtu, udhëzuam edhe Ismailin, Eljesain, Junusin dhe Lutin - secilin prej tyre e ngritëm mbi të gjithë njerëzit.
Këta janë ata, të cilët Allahu i ka udhëzuar në rrugën e drejtë, andaj edhe ti (o Muhamed) ndiq rrugën e tyre. Thuaj: “Unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi për atë. Ai është vetëm këshillë për të gjithë botët (njerëzit dhe xhindet)”.
Ata nuk e vlerësojnë siç duhet Allahun, kur thonë: “Allahu nuk i ka zbritur asgjë njeriut”[95]. Thuaj: “Atëherë, kush e shpalli Librin që solli Musai si dritë dhe udhërrëfyes për njerëzit?! Librin që ju e keni shpërndarë në fletë, ca prej të cilave i tregoni, ndërsa shumicën e fshihni, ndonëse tani keni mësuar diçka që as ju, as etërit tuaj nuk e keni ditur më parë?! Thuaj: “Allahu e ka shpallur (atë Libër)!” Pastaj lëri ata që të argëtohen me gënjeshtrat e tyre.
____________________
[95] Sipas disa komentuesve të Kuranit, bëhet fjalë për disa hebrenj që polemizuan me Profetin Muhamed (a.s.).
Ky (Kuran) është një Libër i bekuar, të cilin ta kemi shpallur ty (o Muhamed), si vërtetues të atij (Teuratit) që gjendet para tij dhe që të paralajmërosh popullin e nënës së qyteteve (Mekës) dhe ata që banojnë rreth saj. Ata që besojnë në jetën e ardhshme, besojnë edhe në të (Kuran) dhe kujdesen për kryerjen e namazit të tyre.
Kush është keqbërës më i madh se ai që trillon gënjeshtra për Allahun ose që thotë: “Kjo më është shpallur mua”, ndërkohë që asgjë nuk i është shpallur atij? Ose që thotë: “Unë mund të shpall diçka si ajo që ka shpallur Allahu.” Ah sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): “Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij”.
Ai bën të feksë drita e agimit. Ai e ka bërë natën për pushim, ndërsa Diellin dhe Hënën për të njehsuar kohën. Kjo është urdhëresa e Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Gjithëdijshmit.
Është Ai që lëshon nga qielli ujë, nëpërmjet të cilit Ai nxjerr sythat e çdo bime. Prej kësaj Ne nxjerrim gjelbërim, kokrra gruri në kallinj, palma hurme të ngarkuara me kalaveshë të ulët, kopshte rrushi, ulliri dhe shege, që ngjajnë, por që janë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Vështroni frytet e tyre kur formohen dhe piqen. Sigurisht që në këto ka shenja për njerëzit që besojnë.
Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë.
Kështu, Ne i shpjegojmë shpalljet Tona në mënyra të ndryshme, që ata të thonë: “Ti i ke mësuar këto!” dhe që t’ua bëjmë të qarta njerëzve që dinë (të drejtën).
Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet e tyre nga e vërteta, sepse ata nuk e besuan atë (Kuranin) herën e parë. Ne do t’i lëmë ata që të bredhin të verbër në humbje e mosbesim.
Lëri zemrat e atyre që nuk besojnë në Ditën e Kiametit, që të priren nga mashtrimi dhe të kënaqen me të e le të bëjnë gjynahet që kanë bërë.
Ditën kur Ai do t’i tubojë të gjithë, do të thotë: “O tog i xhindeve! Ju keni mashtruar shumë njerëz!” - Ithtarët e tyre midis njerëzve do të thonë: “O Zoti ynë! Ne u kënaqëm me njëri tjetrin dhe arritëm në afatin tonë, të cilin na e pate caktuar Ti”. Allahu do të thotë: “Zjarri është vendbanimi juaj. Atje do të qëndroni përherë, veç nëse Allahu dëshiron ndryshe. Zoti yt është vërtet i Urtë e i Gjithëdijshëm.
E kështu, Ne u japim pushtet disa keqbërësve mbi të tjerët, si dënim për veprat e tyre të këqija.
“O tog i xhindeve dhe i njerëzve, a nuk ju patën ardhur të dërguar nga mesi juaj, për t’ju treguar shpalljet Tona dhe për t’ju paralajmëruar takimin me këtë ditë?” Ata do të thonë: “Ne dëshmojmë kundër vetes sonë”. Vërtet, jeta e kësaj bote i mashtroi ata, kështu që ata do të dëshmojnë kundër vetes se kanë qenë mohues.
Ata[96] kanë caktuar për Allahun pjesë nga drithi dhe kafshët shtëpiake, të cilat i ka krijuar Ai dhe thonë sipas hamendjes së tyre: “Kjo është për Allahun, ndërsa kjo është për idhujt tanë”. Mirëpo ajo pjesë që është për idhujt e tyre, nuk arrin te Zoti, kurse ajo që ata e kanë caktuar për Allahun - ajo arrin te idhujt e tyre. Sa gjykim të shëmtuar bëjnë ata!
____________________
[96] Paganët arabë.
Ata thonë sipas hamendjes së tyre: “Këto bagëti shtëpiake dhe këto e këto bimë janë të ndaluara, nuk mund t’i hajë askush, përveç atyre që ua lejojmë ne”. Disa kafshë shtëpiake ata i kanë bërë të ndaluara për ngarkim, ndërsa disa bagëti i therin pa e përmendur emrin e Allahut, duke trilluar gënjeshtra për Të. Ai do t’i ndëshkojë ata për gënjeshtrat e trilluara.
Ata thonë gjithashtu: “Ajo që gjendet në barkun e këtyre bagëtive, u përket vetëm meshkujve tanë, kurse për gratë tona janë të ndaluara”. Por, nëse lindin të ngordhura, ata të gjithë (burra e gra) janë pjesëmarrës në të”. Allahu do t’i ndëshkojë ata për çfarë i veshin Atij. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.
Ai ju ka dhënë tetë lloje bagëtish në çifte. Merr dy llojet[97] për dhentë dhe dy për dhitë. Thuaju[98]: “A i ka ndaluar Allahu dy meshkujt ose dy femrat, ose atë që mbajnë në bark dy femrat?” Lajmëromëni mua me dije të saktë, nëse ajo që thoni është e vërtetë!
____________________
[97] Llojin mashkull dhe llojin femër. [98] Pra, thuaju paganëve, o Muhamed!
Merr dy llojet për devetë edhe dy për lopët. Thuaju: “A i ka ndaluar Allahu meshkujt apo femrat ose atë që e mbajnë në bark dy femrat? Apo mos keni qenë të pranishëm kur Allahu ju ka urdhëruar për këtë? Atëherë, kush është më keqbërës se ai që shpif gënjeshtra rreth Allahut, për t’i shpënë njerëzit në humbje nga padija? Pa dyshim, Allahu nuk i çon në rrugë të drejtë keqbërësit.
Thuaj: “Unë nuk gjej në atë që më është shpallur mua asgjë që e ndalon njeriun të hajë çfarë të dojë, përveç kafshëve të ngordhura, gjakut të derdhur, mishit të derrit – se këto janë të ndyta – dhe mishit që është therur në emër të dikujt tjetër në vend të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
Prandaj, nëse ata të quajnë gënjeshtar, thuaju: “Zoti juaj është zotërues i mëshirës së gjerë, por ndëshkimi i Tij nuk do të prapësohet nga populli keqbërës”.
Idhujtarët do të thonë: “Sikur të donte Allahu, nuk do të adhuronim tjetër veç Tij as ne, as baballarët tanë dhe ne nuk do të kishim bërë të ndaluar asgjë”. Kështu mohonin edhe ata para tyre, derisa shijuan dënimin tonë. Thuaju: “A keni ndonjë provë të na paraqitni? Ju mbështeteni vetëm në hamendje dhe jeni vetëm gënjeshtarë”.
Thuaju: “Allahu ka argumentin më bindës dhe, po të donte Ai, të gjithëve do t’ju përudhte në rrugë të drejtë!”
Thuaju: “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni.”
Ne i dhamë Musait Librin si plotësim (të mirësisë Sonë) për atë që vepron mirë, si shpjegim për çdo gjë dhe si udhërrëfyes e mëshirë, që ata (hebrenjtë) të mund të besonin në takimin me Zotin e tyre.
Ky Libër që kemi shpallur, është i bekuar, prandaj ndiqeni dhe druajuni kundërshtimit, në mënyrë që të mëshiroheni
dhe që të mos thoni: “Shkrimet e shenjta u janë shpallur vetëm dy sekteve[99] para nesh, ndërsa Ne nuk kemi ditur gjë çfarë mësonin ata”.
____________________
[99] Hebrenjve dhe të krishterëve.
Ose që të mos thoni: “Sikur Shkrimet e shenjta të na ishin shpallur neve, ne do të ishim më të udhëzuar se ata”. Pra, ju ka ardhur nga Zoti juaj provë e qartë, udhërrëfim dhe mëshirë! Atëherë, kush është më keqbërës se ai që i përgënjeshtron shpalljet e Allahut dhe largohet nga ato? Ne, do t’i ndëshkojmë me dënim të rëndë ata që shmangen nga shpalljet Tona, për shkak se u larguan.
Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve.
Ai ju ka bërë pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë dhe ka ngritur në shkallë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju provuar në atë që ju ka dhënë. Sigurisht që Zoti yt është i shpejtë në dënim, por, në të vërtetë, Ai është edhe Falës e Mëshirëplotë.
تقدم القراءة