سورة التوبة

الترجمة الألبانية

Përkthimi i Sures التوبة në الألبانية nga الترجمة الألبانية

الترجمة الألبانية

الناشر

المعهد الالباني للفكر الإسلامي والحضارة الإسلامية

Lirim (i deklaruar) nga ana e Allahut dhe të Dërguarit të Tij prej çdo detyrimi ndaj idhujtarëve me të cilët kishit bërë marrëveshje.
Ja shpallja e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij drejtuar njerëzve në ditën e haxhit të madh: “Allahu dhe i Dërguari i Tij shkëpusin çdo detyrim ndaj idhujtarëve”. Nëse ju (idhujtarë) pendoheni, është më mirë për ju; por, nëse largoheni (nga pendimi), ta dini se nuk do të mund t’i shpëtoni Allahut! Njoftoji mohuesit për dënimin e dhembshëm (që i pret).
Vallë, a nuk do të luftoni kundër atyre që e kanë shkelur besëlidhjen, janë përpjekur ta dëbojnë të Dërguarin dhe kanë filluar të parët t’ju sulmojnë?! Vallë, nga ata keni frikë? Allahu e meriton më shumë se ata që t’i frikësoheni, nëse jeni besimtarë!
Luftoni kundër tyre, që Allahu t’i dënojë ata me duart tuaja, t’i poshtërojë, t’ju ndihmojë juve kundër tyre, t’i shërojë shpirtrat e besimtarëve
Zoti i tyre u jep lajmin e mirë për mëshirën dhe miratimin e Tij, si dhe për kopshtet ku do të ketë kënaqësi të përhershme për ta
Thuaj: “Nëse etërit tuaj, bijtë tuaj, vëllezërit tuaj, gratë tuaja, farefisi juaj, pasuria juaj që e keni fituar, tregtia për të cilën keni frikë se nuk do të shkojë mirë dhe shtëpitë ku e ndieni veten rehat, janë më të dashura për ju sesa Allahu, i Dërguari i Tij dhe lufta në rrugën e Tij, atëherë pritni derisa Allahu të sjellë vendimin (dënimin) e Tij. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë popullin e pabindur.”
Pastaj, Allahu zbriti qetësinë[120] e Tij mbi të Dërguarin e Vet dhe mbi besimtarët, si dhe zbriti luftëtarë (engjëj), të cilët ju nuk i patë dot e i dënoi jobesimtarët. Kështu u “shpërblyen” mohuesit.
____________________
[120] Shih shënimin në vargun 248 të sures 2.
O besimtarë! Në të vërtetë, idhujtarët janë të papastër (për shkak të besimit të kotë), prandaj të mos i afrohen më Xhamisë së Shenjtë pas këtij viti. Dhe mos kini frikë nga varfëria, sepse, po deshi, Allahu ju bën të pasur me dhuntitë e veta.[121] Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
____________________
[121] Frika se vendimi për të mos i lejuar më jomyslimanët të hyjnë në Mekë mund të shkaktonte rënie të tregtisë, i shqetësonte jo pak mekasit. Prandaj, Allahu i Lartmadhëruar i siguron besimtarët se do t’i pasurojë me begatitë e Veta.
Luftojini ata që nuk besojnë në Allahun e as në Ditën e Kiametit, që nuk e marrin për të ndaluar atë që e ka ndaluar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe ata, midis atyre që u është dhënë Libri, që nuk e pranojnë fenë e vërtetë, derisa të japin xhizjen (taksën)[122] me dorën e tyre, duke qenë të përulur.
____________________
[122] “Xhizje” quhet taksa vjetore, nëpërmjet së cilës hebrenjtë dhe të krishterët shprehin njohjen e tyre për shtetin islam. Pagimi i kësaj takse u jepte atyre statusin e “dhimmi-ut” - të mbrojturit, përmes të cilit fitonin të drejtën të jetonin në paqe dhe siguri në shtetin islam dhe të ushtronin pa pengesë fenë e tyre. Sigurisht që kjo taksë nuk ishte diskriminuese, sepse hebrenjtë dhe të krishterët ishin të përjashtuar nga dhënia e zekatit, që, për shkak të veçorive të tij, ishte detyrim vetëm për besimtarët. Në kohën e Profetit Muhamed (a.s.), sasia e xhizjes ishte dhjetë derhemë (rreth 30 gr argjend) për çdo mashkull të rritur, që në kohën tonë është e barasvlefshme me shpenzimet ushqimore të dhjetë ditëve. Gjithsesi, gratë, fëmijët, skllevërit dhe të varfrit ishin të përjashtuar nga kjo taksë.
Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim).
(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë[123], edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë.
____________________
[123] D. m. th. për ta lartësuar me anë të suksesit të qëndrueshëm dhe argumentit të qartë. Vini re se feja islame është e tillë që i lë pas të gjitha fetë e tjera dhe se nuk ka një lidhje të domosdoshme ndërmjet epërsisë fetare të Islamit dhe supremacisë politike të shteteve myslimane.
Do të vijë dita, kur (thesaret e mbledhura) do të digjen në zjarrin e Xhehenemit dhe me to do të damkoset balli, anët dhe shpina e tyre e do t’u thuhet: “Kjo është ajo që keni grumbulluar për veten; pra, shijoni atë që grumbulluat!”
Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj! Megjithatë, luftoni të gjithë kundër idhujtarëve, ashtu si luftojnë ata të gjithë kundër jush. Ta dini se Allahu është me ata që ruhen nga gjynahet.
Vërtet, muaji shtesë është vetëm shtesë në mosbesim. Për shkak të tij jobesimtarët shkojnë në humbje: një vit e quajnë të lejueshëm e vitin tjetër, të ndaluar, për të plotësuar numrin e muajve që i ka ndaluar Allahu.[124] Kështu, ata lejojnë atë që ka ndaluar Allahu. Atyre u duken të bukura veprat e tyre të shëmtuara. Allahu nuk i udhëzon në rrugë të drejtë njerëzit jobesimtarë.
____________________
[124] Ky varg është themelor për sa i përket përkufizimit islam të ndarjes së kohës. Kalendari hënor përmban 354 ditë, 11 më pak se ai diellor (12 kur viti është i brishtë). Për këtë arsye, astronomët e periudhës paraislame shtonin një muaj në çdo tre vjet, duke rivënë harmoninë midis kalendarit hënor dhe atij diellor. Përveç arsyeve astronomike, ky muaj shtesë shërbente për t’u ndërfutur edhe midis muajve të shenjtë – gjatë të cilëve nuk lejohej lufta – me qëllim që plaçkitësit të kishin pretekst për të sulmuar karvanët e haxhilerëve, duke pretenduar se ishin në kohën që lejohej lufta. Një aspekt tjetër i kësaj reforme të kalendarit, është muaji i agjërimit, ramazani, i cili çdo vit fillon 11-12 ditë më herët se vitin paraardhës, duke bërë që në 33 vjet, ai të bëjë një xhiro të plotë të kalendarit diellor. Me vendosjen e këtij ligji që ka vlerë të përgjithshme, Allahu i Madhëruar, me dijen e Tij, ka zhdukur çdo mundësi pabarazie në trajtim midis myslimanëve që jetojnë në pjesë të ndryshme të botës. Nëse muaji i agjërimit do të ecte sipas kalendarit diellor, disa besimtarë do të agjëronin gjithnjë në periudha të nxehta me ditë të gjata, kurse disa të tjerë do të agjëronin në ditë të freskëta e të shkurtra, pra, me më pak angazhim dhe meritë.
Nëse nuk shkoni në luftë, Ai do t’ju ndëshkojë me dënim të dhembshëm dhe do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër; Atij ju nuk do të mund t’i bëni dëm aspak, se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
Po të ishte përfitimi afër dhe rruga jo aq e gjatë, ata do të vinin pas teje. Por iu duk rrugë e largët. Dhe ata do të betohen në Allahun: “Sikur të kishim mundur, me siguri do të dilnim bashkë me ju;” dhe kështu ata e shkatërrojnë vetveten; Allahu e di se ata janë gënjeshtarë.
Sikur ata të kishin dashur të dilnin me ty, do të ishin përgatitur; por Allahu nuk e pëlqeu vajtjen e tyre, prandaj i pengoi dhe atyre iu tha: “Rrini me ata (të paaftë për luftë) që do të ulen (në shtëpi)!”
Sikur të kishin dalë me ju, ata do t’ju shtonin juve vetëm të keqe, do të shtinin ngatërresa midis jush dhe do të ngjallnin përçarje, sepse edhe ndër ju ka nga ata që ua vënë veshin. Por Allahu i njeh mirë keqbërësit.
Ata betohen për Allahun se janë në fenë tuaj, ndërkohë që nuk janë prej jush, por janë njerëz frikacakë (për të treguar si janë në të vërtetë).
Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata të cilëve u duhet fituar zemra (në Islam), për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
Ka të atillë që e shqetësojnë të Dërguarin dhe thonë: “Ai dëgjon çdo gjë që i thuhet”. Thuaj (o Muhamed): “Ai dëgjon atë që është e mirë për ju, beson në Allahun dhe u beson besimtarëve. Ai është mëshirë për ata midis jush që besojnë. Kurse ata që e lëndojnë të Dërguarin e Allahut, i pret një ndëshkim i dhembshëm.”
(Ju hipokritë jeni) si ata që kanë qenë para jush! Ata kanë qenë më të fortë se ju, kanë pasur më shumë pasuri dhe fëmijë. Ata janë kënaqur me pjesën e vet të kësaj bote, por edhe ju po kënaqeni me pjesën tuaj siç janë kënaqur edhe ata; edhe ju jeni dhënë pas të këqijave, ashtu siç ishin dhënë ata. Veprat e tyre do të zhduken në këtë botë dhe në tjetrën; ata janë të shkatërruar.
Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhenetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh.[125] Kjo është fitorja madhështore.
____________________
[125] “por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh...”: Ky varg është shumë i rëndësishëm për të kuptuar drejt realitetin në Xhenet. Përtej përshkrimeve të kënaqësive ndjesore, theksohet vlera më e madhe për ata që do të hyjnë në Xhenet: kënaqësia dhe miratimi i Zotit të tyre, Allahut të Lartmadhëruar, vlera më e madhe për besimtarët.
Hipokritët betohen për Allahun se nuk thanë asgjë (të keqe). Por, në të vërtetë, ata thanë fjalën e mosbesimit, mohuan pas (pranimit të) Islamit dhe synuan të bënin gjëra të paarritshme. Ata u bënë keqdashës, vetëm sepse Allahu dhe i Dërguari i Tij u kishin dhënë (besimtarëve) nga të mirat e Tij. Nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta; por, nëse kthejnë shpinën, Allahu do t’i ndëshkojë me dënim të rëndë në këtë jetë dhe në tjetrën dhe ata nuk do të kenë kurrfarë mbrojtësi apo ndihmësi në Tokë.
Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë”!
Vallë, a nuk e dinë ata se Allahu i di të fshehtat e tyre dhe bisedat e fshehta?! Në të vërtetë, Allahu është Ai që i di të gjitha fshehtësitë.
Le të qeshin pak (në këtë botë) e të qajnë shumë (në botën tjetër) si dënim për atë që kanë bërë.
Dhe, nëse të kthen Allahu (pas betejës) te një grup i hipokritëve e ata kërkojnë leje nga ti që të shkojnë me ty në luftë, thuaju (o Muhamed): “Kurrë nuk do të vini me mua në luftë dhe kurrë nuk do të luftoni me mua kundër armikut! Ju ishit të kënaqur kur nuk erdhët herën e parë, prandaj rrini me ata që ngelin pas”.
Dhe kur shpallet një sure që thotë: “Besoni Allahun dhe luftoni së bashku me të Dërguarin e Tij!” pasanikët e tyre (hipokritëve) kërkojnë leje, duke thënë: “Na lini të rrimë me ata që nuk shkojnë në luftë!”
Disa beduinë erdhën me shfajësime, duke të të kërkuar leje, që të mos shkonin në luftë. Dhe munguan ata që e gënjyen Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ata prej atyre që mohuan, me të vërtetë, do t’i godasë një dënim i dhembshëm.
Kur të ktheheni tek ata, do t’ju vijnë duke u shfajësuar. Thuaju: “Mos kërkoni falje! Sido që të jetë, ne nuk ju besojmë, sepse Allahu na ka lajmëruar për qëllimet tuaja. Me siguri, Allahu dhe i Dërguari i Tij do t’i shohin veprat tuaja; pastaj ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme e do t’ju lajmërojë për atë që keni bërë.
Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve[126] dhe ensarëve[127], Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore!
____________________
[126] Muhaxhirët janë myslimanët e Mekës që emigruan nga Meka në Medinë gjatë viteve të para të Islamit, për shkak të persekutimit që pësuan nga banorët e Mekës. [127] Ensarët janë myslimanët e Medinës që strehuan dhe ndihmuan Profetin Muhamed (a.s.) dhe muhaxhirët e tjerë myslimanë që erdhën nga Meka.
Ka beduinë në mjedisin tuaj, që janë hipokritë, por ka edhe ndër banorët e Medinës të atillë që janë këmbëngulës në hipokrizi. Ti nuk i di ata. Ne i dimë. Ne do t’i dënojmë dy herë[128] e pastaj, do të kthehen në dënimin e madh (në Xhehenem).
____________________
[128] D. m. th. në këtë botë e në varr.
Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.”
Ka edhe të tjerë që janë lënë në pritje të vendimit të Allahut, a do t’i dënojë apo do t’ua pranojë pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
(Hipokritë) janë edhe ata që ndërtuan një xhami për t’u shkaktuar dëm (besimtarëve), për ta forcuar mohimin dhe për të krijuar përçarje në mesin e besimtarëve, duke iu shërbyer ajo si pusi atyre që qysh më parë luftonin kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Dhe, vërtet ata betohen: “Ne kishim për qëllim që të bënim vetëm një vepër të mirë”! Por Allahu dëshmon se në të vërtetë ata janë gënjeshtarë.
Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Andaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore.
(Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve!
Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe të ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirë, pasi zemrat e disave prej tyre për një fije qenë afër shmangies (nga detyra), pastaj Allahu pranoi pendimin e tyre[129]. Vërtet, Ai është i Butë dhe i Mëshirshëm me ta.
____________________
[129] Bëhet fjalë për fushatën e Tebukut, e cila ka ndodhur në vitin 9 H / 631 e.s.
Ai ua pranoi pendimin edhe atyre të treve[130], që mbetën prapa atëherë, kur toka, sado e gjerë, iu duk e ngushtë dhe iu shtrënguan shpirtrat, aq sa u bindën se nuk ka strehim tjetër përveç Allahut e pastaj Allahu u dha mëshirë që të pendohen. Me të vërtetë, Allahu pranon pendimin dhe është Mëshirëplotë.
____________________
[130] Bëhet fjalë për tre nga shokët e Profetit Muhamed (a.s.) që u tërhoqën dhe nuk morën pjesë bashkë me të në fushatën e Tebukut.
O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni me ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe në vepra)!
Banorëve të Medinës dhe beduinëve që janë rreth saj, nuk u lejohet të mos ndjekin të Dërguarin e Allahut, as të kursejnë jetën e tyre para jetës së tij. Kjo është kështu, sepse ata që janë në rrugën e Allahut, sa herë që t’i godasë etja, lodhja e uria dhe sa herë që të shkelin në ndonjë vend ku do t’i zemërojnë mohuesit apo t’i gjejë gjë nga ana e armikut, atyre do t’iu shkruhet si vepër e mirë. Me të vërtetë, Allahu nuk do t’ua humbë shpërblimin punëmirëve.
(Gjithashtu) sa herë që ata të shpenzojnë diçka të vogël a të madhe apo të kapërcejnë çfarëdo lugine (në rrugë të Allahut), kjo do t’u shënohet, në mënyrë që Allahu t’i shpërblejë sipas veprave më të mira që kanë bërë!
Kur shpallet ndonjë sure (që u tërheq vërejtje), ata shikojnë njëri-tjetrin (duke thënë): “A po ju sheh ndokush?”[131], pastaj largohen. Allahu i shmang zemrat e tyre, sepse ata janë njerëz që nuk kuptojnë!
____________________
[131] “A po ju sheh ndokush?”: Jobesimtarët mohojnë praninë e Allahut, duke mohuar kështu faktin që një sure mund të flasë për ata apo mund të kritikojë sjelljet e tyre.
Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.
تقدم القراءة