سورة البقرة

الترجمة الألبانية

Përkthimi i Sures البقرة në الألبانية nga الترجمة الألبانية

الترجمة الألبانية

الناشر

المعهد الالباني للفكر الإسلامي والحضارة الإسلامية

Verse 1
Elif, Lâm, Mîm.[7]
____________________
[7] Elif-i, Lâm-i dhe Mîm-i janë tri shkronja të veçanta të alfabetit arab. Shkronja të tilla të veçanta ndodhen në të njëjtin pozicion në 29 sure të tjera. Në lidhje me kuptimin e tyre, dijetarët komentues të Kuranit, kanë dhënë shumë interpretime, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur një konsensus të tillë të përgjithshëm që të konsiderohet si interpretimi më i besueshëm. Gjithsesi, shumë komentues kanë mendimin se kuptimin e vërtetë të këtyre shkronjave e di vetëm Allahu dhe se ato bëjnë pjesë në ato vargje, për të cilat vargu i shtatë i sures Ali Imran thotë: “Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa vargje të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit. Kurse disa (vargje) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin vargjet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t’i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërsa ata që janë thelluar në dijeni, thonë: “Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (vargje të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë!” Nëse secila nga shkronjat e veçanta të përdorura në fillimet e 30 sureve, llogaritet vetëm një herë, atëherë numri i tyre është katërmbëdhjetë, po aq sa gjysma e shkronjave të alfabetit arab.
Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim[8]. Ai është udhërrëfyes[9] për të devotshmit,[10]
____________________
[8] Pra, nuk ka dyshim se ky Libër – Kurani – është Fjala e Allahut. Kurani ndryshon nga shkrimet e tjera të shenjta, sepse çdo shkronjë dhe çdo fjalë e tij është e Zotit dhe se ai është i ruajtur në pastërtinë e vet origjinale.
[9] Pra, Kurani është libër ndriçues që tregon rrugën e drejtë të besimit dhe të sjelljes dhe jo libër letërsie, historie apo shkencash fizike. Edhe pse ai është shkruar në stilin më të lartë letrar në gjuhën arabe, edhe pse përmban të dhëna të sakta historike apo shkencore, para së gjithash ai është një libër i shenjtë që përmban urdhërime, ligje dhe mësime hyjnore, sipas të cilave njerëzit duhet të formojnë jetën e tyre.
[10] “të devotshmit”: ky është përkthimi i fjalës “muttekûn”, e cila fjalë për fjalë do të thotë: “ata që i ruhen Allahut dhe që kanë frikë prej Atij”. Frika prej Allahut nuk është e tillë që ta tmerrojë besimtarin apo ta terrorizojë atë, por është një frikë e përzier me ndjenjën e dashurisë, adhurimit, respektit dhe dorëzimit para Atij. Myslimani qan nga frika prej Allahut, por më së shumti është ëmbëlsia që ndien nga dashuria për Atë, dhe jo ankthi, ajo që ia shkrin zemrën, ia djeg kraharorin dhe e bën që t’i rrjedhin lotët.
të cilët besojnë në të fshehtën,[11] falin namazin[12] dhe japin[13] nga ajo që u kemi dhënë Ne;
____________________
[11] “të fshehtën”: ky është përkthimi i fjalës “gajb” që përfshin gjithçka që është përtej perceptimeve njerëzore dhe e pakapshme nga arsyeja e thjeshtë, si p.sh.: ringjallja, Xheneti (Parajsa), Xhehenemi (Ferri), paracaktimi hyjnor etj. Të gjitha këto gjëra janë përtej mendjes sonë dhe zbulohen vetëm nëpërmjet Shpalljes Hyjnore.
[12] Namazi është shtylla e dytë e Islamit. Ai është një ritual i posaçëm i përbërë nga leximi i pjesëve të caktuara prej Kuranit dhe nga recitime lavdesh e lutjesh për Zotin, të kombinuara me lëvizje të veçanta. Namazi është i detyrueshëm të kryhet nga çdo besimtar pesë herë në ditë në kohë të caktuara.
[13] Vargu bën fjalë për çdo lloj shpenzimi në të mirë të njerëzve, përfshirë këtu edhe zekatin – 1/40 e pasurisë –, që është detyrim financiar për çdo mysliman të pasur.
dhe të cilët besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër.
Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit.[14]
____________________
[14] Për ta përmbledhur, të udhëzuarit në rrugën e drejtë dhe të devotshmit dallohen për: 1) besimin në të padukshmen; 2) faljen e rregullt të namazeve; 3) shpenzimin në të mirë të të tjerëve; 4) besimin në Mesazhin që i është shpallur Profetit Muhamed (a.s.); 5) besimin në të gjithë Librat e mëparshëm Hyjnorë dhe 6) besimin e patundur në jetën e përtejme.
Ata përpiqen të mashtrojnë Allahun dhe besimtarët, por në të vërtetë mashtrojnë vetëm vetveten, megjithëse nuk e ndiejnë.
Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë shkaktarët e çrregullimeve, ndonëse nuk e ndiejnë.
Kur atyre u thuhet: “Besoni edhe ju ashtu siç kanë besuar njerëzit e tjerë!” - ata thonë: “Vallë, a të besojmë edhe ne ashtu siç besojnë mendjelehtët?!” Por jo! Në të vërtetë, pikërisht ata janë mendjelehtët, por nuk e dinë këtë.
Allahu do të tallet me ata dhe do t’i lërë një kohë të gjatë që të bredhin verbërisht në mendjemadhësinë e tyre.
Pikërisht këta janë ata që kanë këmbyer udhëzimin me humbjen, kështu që tregtia atyre nuk u solli kurrfarë dobie dhe as nuk ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë.
Ata janë të shurdhër, memecë e të verbër, prandaj nuk kthehen në rrugë të drejtë.
Ose shëmbëllen me ata që, gjatë shtrëngatës nga qielli, shoqëruar me errësirë, bubullimë dhe shkreptimë, i mbyllin veshët me gishtat e tyre, për të mos dëgjuar ushtimën nga frika e vdekjes. Kështu, Allahu i ka nën kontroll mohuesit.
Shkreptima, pothuaj, ua merr shikimin. Sa herë që ajo ua ndriçon rrugën, ata ecin dhe, kur i kaplon errësira, ndalen. Sikur të donte Allahu, do t’ua merrte dëgjimin dhe shikimin. Pa dyshim, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.[15]
____________________
[15] Vargjet 6-20 bëjnë fjalë për një kategori të caktuar njerëzish që hiqen si besimtarë, por që në të vërtetë nuk janë të tillë. Këta njerëz përmenden në Kuran me termin munâfikûn, hipokritë, dhe në zemrat e veta kanë sëmundjen e dyshimit në të vërtetat fetare.
Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit tonë (Muhamedit a.s.), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë.
Nëse nuk mundeni, dhe kurrsesi nuk do të mundeni, atëherë ruajuni zjarrit, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët dhe që është përgatitur për të ndëshkuar mohuesit.
Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, përgëzoji me kopshte të Xhenetit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që atyre t’u jepet si ushqim ndonjë frutë e kopshteve, ata do të thonë: “Këtë e kemi ngrënë edhe përpara”. Por atyre do t’u jepen vetëm fruta të ngjashme me ato të Tokës. Në Xhenet ata do të kenë bashkëshorte të pastra dhe atje do të jetojnë përgjithmonë.
Allahu nuk ngurron të japë shembull mushkonjën ose diçka më të madhe se ajo. Ata që besojnë, e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre, kurse ata që nuk besojnë, thonë: “Çfarë kërkon të tregojë Allahu me këtë shembull?” Nëpërmjet tij, Ai shumëkënd e lë në humbje e shumëkujt ia ndriçon rrugën e drejtë. Ai i lë në humbje vetëm gjynahqarët e mëdhenj,
të cilët shkelin besën e Allahut, pasi e patën dhënë, ndërpresin atë që ka urdhëruar Allahu për ta mbajtur lidhur[16] dhe bëjnë ngatërresa në Tokë; ata janë njëmend të shkatërruar.
____________________
[16] “ndërpresin atë që ka urdhëruar Allahu për ta mbajtur lidhur” - Allahu i Madhëruar na ka urdhëruar të mbajmë lidhjet me Të, duke besuar tek Ai dhe duke e adhuruar Atë; të mbajmë lidhjet me Profetin e Tij, duke e besuar atë, duke e dashur dhe duke ndjekur shembullin e tij; pastaj të mbajmë lidhjet me prindërit, të afërmit, shokët dhe njerëzit e tjerë dhe duke zbatuar detyrimet që kemi kundrejt atyre.
Si mund ta mohoni Allahun, ndërkohë që keni qenë të pajetë e Ai ju dha jetën?! Pastaj Ai do t’ju bëjë të vdisni, më pas do t’ju ringjallë e, në fund, do të ktheheni tek Ai?!
Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti.
O bijtë e Israilit, kujtoni të mirat që ju kam falur! Përmbushni premtimin që Më keni dhënë, që edhe Unë të përmbush premtimin që ju kam bërë (për t’ju futur në Xhenet). Vetëm prej Meje duhet të frikësoheni.
Faleni namazin, jepeni zekatin dhe përkuluni në ruku bashkë me ata që përkulen (në namaz).
Kujtoni kur Musait i dhamë Librin dhe Dalluesin[17], që të udhëzoheni (në rrugën e drejtë)
____________________
[17] Pra, Libri i shenjtë i hebrenjve, Teurati dhe dituria për të dalluar të mirën nga e keqja.
dhe, kur ai i tha popullit të vet: “O populli im, ju vetëm vetes i bëtë keq, kur e adhuruat viçin si zot! Prandaj kthehuni të penduar te Krijuesi juaj dhe vritni njëri-tjetrin! Kjo është më mirë për ju në sy të Krijuesit tuaj. Ai jua fali gabimin, sepse Ai i pranon shumë pendimet dhe është Mëshirëploti”.[18]
____________________
[18] Ky varg tregon dënimin e hebrenjve në këtë jetë, për të këqijat që kishin bërë, si për shembull konsiderimi i viçit zot dhe kundërshtimi i Profetit Musa (a.s.) nga ana e tyre. Ky varg i dënoi, duke iu thënë “vritni njëri-tjetrin” për të shprehur pendimin për këto gabime. Kjo ngjarje ka qenë kështu: Zoti iu zbriti atyre një mjegull, në të cilën ata ishin të detyruar që të nxirrnin e të vringëllonin shpatat. Pastaj, Ai e ngriti mjegullën dhe u pa se kush ishte vrarë. Me kaq mori fund ky dënim dhe u pranua pendimi i mbarë popullit. Por, kjo nuk do të thotë se njeriu duhet të bëjë vetëvrasje, sepse vetëvrasjen e mallkojnë të gjitha librat fetarë, prej Ademit e këndej (përkthyesi).
Pastaj bëmë që retë t’ju bënin hije dhe ju zbritëm manën[19] dhe thëllëza, duke thënë: “Hani nga ushqimet e mira, që ju kemi dhënë!” (Ata nuk ishin mirënjohës dhe kështu) nuk na bënë keq Neve, por i bënë keq vetes.
____________________
[19] Një rrëshirë e ëmbël si mjalti.
Kujtoni kur i thatë: “O Musa! Ne nuk mund të kënaqemi vetëm me një lloj ushqimi, prandaj lutju për ne Zotit tënd të na dhurojë nga ato që jep toka: perime, tranguj, thjerrëza, qepë dhe hudhra!” Ai ju tha: “Vërtet doni të ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët?! Shkoni në qytet, atje do të gjeni atë që kërkoni!” Ata i kaploi poshtërimi dhe përulja dhe merituan zemërimin e Allahut. Kjo ndodhi, sepse ata i mohonin shpalljet e Allahut dhe i vrisnin të dërguarit pa asnjë të drejtë. Kjo ndodhi, sepse ata kundërshtonin dhe kalonin çdo kufi.
Ata që besojnë (në Kuran), hebrenjtë, të krishterët dhe sabi’inët[20] - kushdo prej tyre që beson Allahun dhe jetën tjetër (sipas Kuranit), dhe bën vepra të mira (sipas Islamit), do të shpërblehen nga Zoti i tyre; ata nuk do të kenë pse të frikësohen apo të pikëllohen!
____________________
[20] Një sekt i përzier judeo-kristian.
Kujtoni (o hebrenj) kur morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi ju malin Tur, duke thënë: “Merreni seriozisht atë që ju dhamë dhe mbani në mendje rregullat e saj, në mënyrë që të ruheni nga gjynahet!”
Sigurisht që ju keni dëgjuar për ata prej jush që shkelën Sabatin[21] dhe të cilëve Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përçmuar e të urryer!”.
____________________
[21] Sabati është dita e shtunë, gjatë së cilës Allahu ua ndaloi hebrenjve të peshkonin, si sprovë dhe ndëshkim për gjynahet e tyre.
Këtë dënim e bëmë paralajmërim për bashkëkohësit dhe për brezat e tyre pasardhës, si dhe këshillë për ata që i frikësohen Allahut.
Ne ju thamë: “Prekeni të vrarin me një copë të lopës së flijuar!”[22] Dhe kështu, Allahu do t’i ngjallë të vdekurit dhe do t’ju tregojë mrekullitë e veta, që ju të kuptoni.
____________________
[22] Sipas komentuesve, një nga bijtë e Israilit vrau të birin e xhaxhait, për t’i marrë pasurinë dhe këtë vrasje ia veshi një fisi tjetër. Këto dy fise u çuan për të luftuar njëri-tjetrin dhe përbënin një të gjashtën e bijve të Israilit. Ata iu drejtuan Musait (a.s.) për ta sqaruar këtë çështje. Në fillim, duke u mbështetur në mendimin e vet të natyrshëm, populli nuk e pranoi menjëherë urdhrin e Zotit për të therur një lopë. Pastaj, u detyrua dhe e pranoi atë. Ata e therën lopën dhe e prekën të vrarin me mishin e saj. Ai u ngjall dhe tregoi se kush e kishte vrarë. Nga kjo ngjarje kuptojmë se Zoti është Fuqiplotë, ka fuqi t’i ringjallë të vdekurit; është Mëshirues i Madh dhe dërgon profetë për t’i udhëzuar njerëzit. Po ashtu, historia na tregon se populli i bijve të Israilit shpesh nuk e dëgjonte profetin e vet, Musain a.s. (përkthyesi).
Kurse ata që besojnë e bëjnë vepra të mira, do të jenë banorë të Xhenetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.[23]
____________________
[23] Në Kuran përmendet shpesh Xheneti (parajsa). Po ashtu, përmendet edhe Xhehenemi (ferri apo skëterra) - me shumë emra. Kjo është kështu sepse njeriu përmendet shumë herë për cilësi të mira dhe, për çdo cilësi të cekur, përmendet edhe dhurata që e meriton - Xheneti. Nga ana tjetër, kur përmenden cilësitë e këqija të njeriut, ceket edhe dënimi për të - Xhehenemi ose dënimi me zjarr (përkthyesi).
Kujtoni kur Ne morëm besën tuaj, o bijtë e Israilit, se do të adhuroni vetëm Allahun, do të silleni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët dhe të varfrit, do t’u thoni fjalë të mira njerëzve, do të falni namazin e do të jepni zekatin. Mirëpo, më pas, ju ia kthyet shpinën (besëlidhjes), përveç një pakice prej jush, duke iu shmangur (edhe tani).
Mirëpo ja tek jeni, duke vrarë farefisin tuaj, duke i dëbuar disa syresh nga shtëpitë e veta dhe duke ndihmuar njëri-tjetrin kundër tyre, fajësisht dhe armiqësisht. Dhe, kur ju vijnë të robëruar, ju i shpëtoni nga robëria me të holla, ndërkohë që me marrëveshje e keni të ndaluar t’i dëboni. Mos vallë, një pjesë të Librit (Teuratit) e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.
Ata thonë: “Zemrat tona janë të vulosura”. Jo, s’është ashtu, por ata i ka mallkuar Allahu për shkak të mohimit të tyre, prandaj shumë pak prej tyre besojnë.
Dhe, kur një Libër që vërtetonte Shkrimet e tyre, u erdhi atyre nga Allahu, ndonëse përpara luteshin për ndihmë kundër jobesimtarëve, pra, kur u erdhi ajo që e dinin se është e vërtetë, ata e mohuan atë![24] Prandaj mallkimi i Allahut qoftë mbi mohuesit!
____________________
[24] Sipas Ibn Abbasit, para ardhjes së Profetit Muhamed (a.s.), hebrenjtë e Medinës i kërkonin Allahut t’u dërgonte një profet në ndihmë kundër fiseve arabe të Medinës Eus dhe Hazraxh. Por, kur Allahu e zgjodhi Profetin nga radhët e arabëve, ata nuk e pranuan atë.
Kur morëm besën tuaj dhe ngritëm mbi ju malin e Turit, thamë: “Merreni seriozisht atë që ju kemi dhënë dhe dëgjoni!” Ju thatë: “Ne dëgjuam, por kundërshtojmë!” Për shkak të mohimit, atyre u ishte rrënjosur në zemra dashuria (dhe adhurimi) për viçin. Thuaju: “Nëse jeni vërtet besimtarë, sa gjë të keqe po ju urdhëruaka besimi juaj!”
Thuaju (o Muhamed) atyre që janë armiq të Xhebrailit, se ai e ka zbritur Kuranin në zemrën tënde me lejen e Allahut, si vërtetues të librave të shenjtë të mëparshëm dhe si udhërrëfyes e lajm të mirë për besimtarët.
Kush është armik i Allahut, i engjëjve të Tij, i të dërguarve të Tij, i Xhebrailit dhe Mikailit, ta dijë se Allahu është armik i jobesimtarëve.
dhe shkuan pas shpifjeve që bënin djajtë kundër mbretërisë së Sulejmanit. E Sulejmani nuk ishte mohues, por djajtë ishin mohues. Ata u mësonin njerëzve magjinë dhe dijeninë që u ishte dërguar dy engjëjve në Babiloni - Harutit e Marutit. Këta engjëj nuk i mësonin ndokujt magji, pa i thënë: “Ne jemi dërguar për t’ju vënë në provë, andaj ti mos u bëj mohues (duke mësuar apo ushtruar magjinë)!” Dhe njerëzit mësuan nga këta të dy se si t’i ndajnë bashkëshortët. Por magjistarët nuk mund t’i bëjnë dëm askujt pa lejen e Allahut. E megjithatë, njerëzit mësojnë ato gjëra që i dëmtojnë e nuk u bëjnë dobi. Në të vërtetë, ata e dinin se ai që e përvetësonte këtë mjeshtëri, nuk do të kishte kurrfarë të mire në jetën tjetër. Eh, sa e keqe është ajo për të cilën shitën shpirtrat e veta! Ah, sikur ta dinin ata!
O besimtarë! Mos thoni: “Rá‘iná”[25], por thoni: “Undhurná! - “Na shiko!” dhe dëgjoni! Për mohuesit ka dënim pikëllues.
____________________
[25] Në këtë varg Zoti na urdhëron të bisedojmë me njerëzit me fjalë të sinqerta, të mira, pa hipokrizi dhe që nuk kanë përmbajtje fyese. Fjala râina, në shembullin e këtushëm, në arabisht do të thotë “na dëgjo” ose “na shiko me respekt”, por në hebraishten-arabe të shekullit të shtatë ishte sharje me kuptimin “O i keqi ynë”.
Ata që mohojnë, si ithtarët e Librit[26], ashtu edhe paganët, nuk dëshirojnë që t’ju zbresë ndonjë e mirë nga Zoti juaj. Por Allahu ia dhuron mëshirën e Vet kujt të dojë. Allahu zotëron mirësi të madhe.
____________________
[26] Ithtarët e Librit janë hebrenjtë dhe të krishterët. Janë quajtur kështu, sepse në themel të fesë së tyre ata kanë nga një libër të shpallur nga Zoti, përkatësisht Teuratin/Torahun dhe Inxhilin/Ungjillin, të cilët besohet se kanë pësuar ndryshime nga njerëzit me kalimin e kohës.
Shumë nga ithtarët e Librit,[27] prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.
____________________
[27] Allahu i Lartmadhëruar u tërheq vëmendjen myslimanëve të jenë vigjilentë në lidhje me armiqësinë që pjesëtarë të traditave të mëparshme fetare do të kenë kundër atyre që do të ndjekin mësimet e Muhamedit (a.s.). Duhet të jetë e qartë se kjo nuk është një armiqësi që vjen thjesht për arsye shpirtërore, por për arsye të pushtetit. Islami, me rreptësinë e tij morale tradicionalisht të konsoliduar, imponohet edhe sot si e vetmja shpresë për çlirimin e njeriut nga të gjitha format e sundimit njerëzor. Kur pranohet të qenët rob i Allahut, atëherë nuk mund të jesh më skllav i njeriut, i ideologjive, i pasurisë, i pasioneve dhe i iluzioneve të tij.
Hebrenjtë thonë: “Të krishterët nuk kanë kurrfarë udhërrëfimi ku të mbështeten!” Edhe të krishterët thonë: “Hebrenjtë nuk kanë kurrfarë urdhërrëfimi ku të mbështeten!” Ndërkohë, të dyja palët lexojnë të njëjtin Libër. Po kështu, edhe ata që nuk dinë, thonë të njëjtat fjalë. Allahu do t’i gjykojë kundërshtitë e tyre në Ditën e Kiametit.
Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado që të ktheheni është Fytyra (ana) e Allahut. Vërtet, Allahu është Gjithëpërfshirës dhe i Gjithëdijshëm.[28]
____________________
[28] Në këtë varg na urdhërohet t’i marrim porositë e të veprojmë si urdhërohet. Myslimanët, në fillim faleshin duke u drejtuar nga Jerusalemi, siç bënin edhe hebrenjtë. Më pas, kur mërguan në Medinë, Zoti i urdhëroi që të faleshin në drejtim të Qabesë (Mekës). Atëherë hebrenjtë u revoltuan dhe e kundërshtuan këtë kthesë. Zoti, u tha: “Lindja dhe Perëndimi janë të Zotit, (po ashtu, e tërë Gjithësia është e Zotit)”. Andaj, duhet për t’u kthyer në lutje nga urdhëron Zoti, pa kurrfarë kundërshtimi. Në këtë mënyrë mund t’i fitojmë dhuratat e Tij (përkthyesi).
Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” - dhe ajo bëhet.
Njëmend, Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; ti nuk do të pyetesh për banorët e Zjarrit flakërues.
Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vend grumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”.
O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!”
Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij!”
Thoni: “Kjo fe është “ngjyra” që na ka dhënë Allahu! S’ka “ngjyrë” më të bukur se ajo që jep Allahu! Ne vetëm Atë adhurojmë!”
Thuaj: “A mos doni të haheni me ne për Allahun, kur Ai është Zoti ynë dhe Zoti juaj?! Ne jemi përgjegjës për veprat tona, kurse ju për tuajat. Ne vetëm Atij i përkushtohemi.”
Disa mendjelehtë (nga ithtarët e Librit) do të thonë: “Ç’i ktheu ata prej kiblës së tyre?”[29] Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë”.
____________________
[29] Kibla quhet drejtimi nga kthehen myslimanët gjatë faljes së namazit. Ky drejtim ka qenë fillimisht nga Jerusalemi dhe më pas është ndryshuar drejt Mekës. Për këtë ngjarje flet edhe vargu i mësipërm.
Kështu, Ne ju kemi bërë një bashkësi të drejtë, që të bëheni dëshmitarë përmbi njerëzit dhe që i Dërguari të jetë dëshmitar përmbi ju. Ne nuk e kemi bërë kthimin tënd nga Qabeja (o Muhamed) për tjetër arsye, por vetëm për t’i dalluar ata që i shkojnë pas të Dërguarit, nga ata që kthehen nga thembrat (që tërhiqen nga besimi tek ai). Kjo provë ka qenë e rëndë (për njerëzit), por jo për ata që Allahu i ka udhëzuar. Dijeni se Allahu nuk ua humb besimin tuaj (d.m.th. namazin që keni falur nga Kudsi). Në të vërtetë, Allahu është Përdëllimtar dhe i Mëshirshëm me njerëzit.
Ne të pamë ty (Muhamed) që vazhdimisht drejtoje shikimin nga qielli. Mirë pra, Ne do të të kthejmë ty nga kibla që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ajo anë! Pa dyshim, ata që u është dhënë Libri (Teurati), e dinë se drejtimi nga Qabeja është e vërteta prej Zotit të tyre. Allahu nuk është i pakujdesshëm ndaj punëve që ata bëjnë.
Edhe sikur t’u sillje të gjitha provat atyre që u është dhënë Libri, ata prapëseprapë nuk do ta pranonin kiblën tënde, por edhe ti nuk do ta pranosh kiblën e tyre dhe askush nga ata nuk do të pranonte kiblën e njëri-tjetrit. E, nëse ti, pasi të është zbritur dituria, do të ndiqje dëshirat e tyre, atëherë pa dyshim që do të ishe një nga keqbërësit.
Po kështu, (për të plotësuar mirësinë Time ndaj jush) ju kam sjellë një të Dërguar, nga mesi juaj, i cili ju lexon shpalljet Tona, ju pastron (nga gjynahet), ju mëson Librin (Kuranin) e Urtësinë (rregullat e fesë) dhe ju mëson ato gjëra që nuk i keni ditur.
Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke m’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!
Dhe mos thoni për ata që vriten në rrugën e Allahut[30] se janë të vdekur! Jo! Ata janë të gjallë, ndonëse ju nuk e ndieni!
____________________
[30] Shprehja “në rrugën e Allahut” (fî sebîlil-lâh) do të thotë: “për çështjen e Allahut”, “në shërbim të Allahut” etj.
Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut, prandaj ai që viziton Qaben për haxh ose për umre[31], s’ka kurrfarë gjynahu nëse sillet mes tyre. Kush bën vepra të mira vullnetare, ta dijë se Allahu është njëmend Falënderues dhe i Gjithëdijshëm.
____________________
[31] Një lloj pelegrinazhi më i vogël se haxhillëku.
Mirëpo atyre që pendohen, përmirësohen dhe tregojnë atë që kishin fshehur, Unë ua pranoj pendimin, sepse Unë jam Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti.
Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, pra, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt.
E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër.
Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje.
Atëherë adhuruesit do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim edhe një herë (në jetën e Tokës) e t’i braktisnim ata[32], ashtu siç na braktisën ne!” Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si burim hidhërimi për ta dhe ata s’kanë për të dalë kurrë nga zjarri.
____________________
[32] Të adhuruarit.
Kur atyre[33] u thuhet: “Ndiqni atë që ka shpallur Allahu!” ata përgjigjen: “Jo! Ne do të ndjekim atë udhë në të cilën i kemi gjetur të parët tanë” - Vallë, edhe atëherë kur të parët e tyre nuk kuptonin gjë e nuk ishin të udhëzuar?!
____________________
[33] Idhujtarëve të Mekës.
Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që nuk është therur në emër të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.
Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.
O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi[34] për vrasje: I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën. Ai (vrasës) që falet nga farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit. E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, do të marrë një dënim të dhembshëm.
____________________
[34] Kisasi në të drejtën juridike islame është ligji i barazisë në ndëshkim.
Në ligjin e barazisë në ndëshkim ka siguri për jetën tuaj, o mendarë, në mënyrë që ju të përmbaheni!
Ju është urdhëruar që, nëse ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe ka pasuri për të lënë pas, atëherë të lërë testamentin në mënyrë të drejtë për prindërit dhe farefisin; ky është detyrim për besimtarët e devotshëm.
Agjërimi zgjat disa ditë, por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi. E, nëse ndonjëri jep më shumë se kaq, kjo është edhe më mirë për të. Por, agjërimi juaj është më i dobishëm, në qoftë se e dini.
Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.
Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua. Prandaj, le t’i përgjigjen thirrjes Sime dhe le të më besojnë Mua, për të qenë në rrugë të drejtë.
Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni me bashkëshortet tuaja. Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato. Allahu e di mirë se ju e keni mashtruar veten (duke shkuar me gratë para se të zbriste lejimi), por Allahu e ka pranuar pendimin tuaj dhe jua ka falur gabimin. Prandaj, ju lejohet bashkimi me bashkëshortet tuaja dhe tani kërkoni atë që ka caktuar Allahu për ju. Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja. Mos iu afroni atyre (bashkëshorteve) gjatë kohës kur mbylleni për adhurim në xhami! Këta janë kufijtë e Allahut, prandaj mos iu afroni atyre! Kështu, pra, Allahu ua shpjegon njerëzve urdhëresat e veta, që ata të ruhen nga të këqijat.
Vritini ata kudo që t’i gjeni dhe dëbojini prej vendeve, ashtu siç ju dëbuan ata ju. Mosbesimi është më i rëndë se vrasja. Mos luftoni me ata pranë Xhamisë së Shenjtë (Qabesë), përveç rastit kur ata ju sulmojnë aty brenda! E, nëse ata luftojnë me ju aty, atëherë vritini ata! I këtillë duhet të jetë ndëshkimi për jobesimtarët.
Por, në qoftë se ata heqin dorë, atëherë Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.
Luftojini ata derisa të zhduket mosbesimi dhe derisa të mbretërojë besimi vetëm për Allahun! Por, në qoftë se ata heqin dorë nga lufta kundër jush, atëherë s’ka armiqësi, përveçse kundër keqbërësve.
Shkelja e muajit të shenjtë do të shpaguhet me shkelje të muajit të shenjtë, por dhe shkelja e të shenjtave do të ndëshkohet në të njëjtën mënyrë. Pra, kushdo që ju sulmon, edhe ju keni të drejtë ta sulmoni atë, ashtu siç ju sulmoi ju! Frikësojuni Allahut dhe dijeni se Allahu është me ata që ruhen nga të këqijat.
Kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut! Nëse në këtë rrugë pengoheni, atëherë therni kurban, sipas mundësisë, dhe mos i rruani kokat tuaja, derisa të arrijë kurbani në vend! Cilido prej jush që është i sëmurë ose që ka ndonjë plagë në kokë (dhe si i tillë, nuk mund ta rruajë kokën), le ta zëvendësojë me agjërim, lëmoshë ose kurban. Kur të jeni të sigurt (nga armiqtë), ai që prej jush kryen umren deri në haxh, le të therë kurban, sipas mundësisë. Ndërsa ai që nuk ka mundësi, është i detyruar të agjërojë tri ditë në haxh dhe shtatë ditë pas kthimit nga haxhi; këto janë dhjetë ditë të plota. Kjo është për ata që nuk banojnë në Mekë. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Ai dënon ashpër.
Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar.[35] Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!
____________________
[35] Muajt, kur mund të shkohet për haxhillëk, janë: Sheval, Dhul-Kade dhe Dhul- Hixhe. Vizita mund të bëhet që në ditën e parë të Shevalit, por duhet pritur dita e tetë e Dhul-Hixhes për të filluar haxhillëkun.
Ka ndonjë njeri (hipokrit), fjalët e të cilit në jetën e kësaj bote ta bëjnë qejfin dhe që betohet në Allahun për atë që mban në zemër, por që, në të vërtetë, është kundërshtari (yt) më i betuar.
Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme. Pastaj Allahu u dërgoi profetët me lajme të mira dhe paralajmërime. Bashkë me ata, Ai zbriti edhe Librin me të vërtetën, për t’i gjykuar njerëzit në çështjet për të cilat nuk pajtoheshin. Mirëpo, njerëzit u grindën midis tyre, pasi u erdhën shenjat e qarta, nga zilia që kishin për njëri-tjetrin. Atëherë, me vullnetin e Vet, Allahu i udhëzoi besimtarët që ta kuptonin të vërtetën, lidhur me çështjet për të cilat të tjerët nuk pajtoheshin. Allahu shpie në udhë të drejtë kë të dojë.
Të pyesin ty për muajin e shenjtë, për luftën në të. Thuaju: “Luftimi në atë kohë është gjynah i madh, por pengimi i njerëzve prej udhës së Allahut, mohimi i Tij, pengimi i njerëzve nga vizita e Xhamisë së Shenjtë dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë gjynah më i madh tek Allahu. Kurse adhurimi i idhujve është gjynah më i madh se vrasja.” Ata vazhdimisht do të luftojnë kundër jush, që të mund t’ju kthejnë nga besimi juaj. Ata që e mohojnë fenë dhe vdesin si mohues, - veprat e tyre (të mira) do të humbasin në këtë botë dhe në tjetrën. Ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
Të pyesin ty për verën[36] dhe kumarin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia”. Të pyesin se çfarë duhet të japin si lëmoshë. Thuaju: “Tepricën!” Ja, kështu jua shpjegon Allahu shpalljet e Tij, që të mund të mendoni
____________________
[36] Vera nënkupton të gjitha pijet dhe lëndët dehëse.
Mos u martoni me paganet, gjersa të bëhen besimtare. Skllavja besimtare është më e mirë se pagania, edhe nëse kjo e fundit mund t’ju pëlqejë. Mos i martoni myslimanet me paganë, gjersa ata të bëhen besimtarë. Skllavi besimtar është më i mirë se pagani, edhe nëse ky i fundit mund t’ju pëlqejë. Ata ju thërrasin në zjarr, kurse Allahu, me mirësinë e Tij, ju thërret në Xhenet e falje (të gjynaheve). Ai ua shpjegon njerëzve shpalljet e Veta, që të mendojnë ata.
Gratë tuaja janë “ara” për ju, prandaj iu afroni “arave” tuaja si të doni. Por bëni diçka (të mirë) për veten tuaj (duke përmendur emrin e Allahut para kontaktit). Kijeni frikë Allahun dhe dijeni se do të takoheni me Atë. Jepu lajm të mirë besimtarëve (se do fitojnë Xhenetin).
Gratë e ndara duhet të presin tri cikle mujore dhe nuk është e lejueshme ta fshehin atë që ka krijuar Allahu në mitrën e tyre, nëse besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit. Burrat e tyre, nëse dëshirojnë mirësi dhe qetësi, kanë të drejtë t’i kthejnë gjatë këtij afati. Gratë kanë aq të drejta sa kanë edhe detyra, sipas arsyes së shëndoshë, ndonëse burrat kanë një shkallë (më shumë përgjegjësie) mbi ato.[37] Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.
____________________
[37] Te Zoti nuk humb asgjë. Edhe pse meshkujt e femrat janë të barabartë, në pikëpamje të fuqisë fizike meshkujt janë më të fortë. Për këtë arsye, Zoti i ka ngritur meshkujt për një shkallë më lartë. Kjo është e njohur, madje, edhe në botën bashkëkohore si p.sh. përmes kohëzgjatjes së stazhit të punës, që duhet të kryejnë meshkujt dhe femrat (përkthyesi).
Ndarja mund të bëhet dy herë. Më pas, gruaja ose të mbahet me të mirë, ose të lejohet të ikë me të mirë. Burrave nuk u lejohet të marrin gjë nga ajo që iu kanë dhënë atyre, vetëm nëse të dyja palët frikësohen se nuk do t’i zbatojnë kufijtë e Allahut.[38] Pra, nëse të dy frikësohen se nuk do të mund t’u përmbahen kufijve të Allahut, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja i jep diçka burrit (për t’u ndarë nga ai). Këta janë kufijtë e Allahut, andaj mos i shkelni ata! Ata që shkelin kufijtë e Allahut, pikërisht ata janë keqbërësit.
____________________
[38] “Kufijtë e Allahut”: në këtë rast bëhet fjalë për pranimin e ndërsjellë midis të dyja palëve.
Më pas, nëse burri e ndan sërish gruan (për të tretën herë), nuk mund të martohet më me të, pa u martuar ajo me një burrë tjetër. Por, në qoftë se gruaja ndahet rregullisht nga burri i dytë, atëherë nuk kanë gjynah as ajo e as burri i parë që të martohen sërish me njëri-tjetrin, nëse mendojnë se do t’i respektojnë kufijtë e Allahut; këto janë urdhrat e Allahut, që Ai ua shpjegon njerëzve që kuptojnë.
Kur t’i ndani gratë dhe atyre t’u afrohet fundi i periudhës së pritjes, ose mbajini me të mirë, ose lërini të ikin me të mirë. Dhe mos i mbani ato me qëllim lëndimi, se në këtë mënyrë i bëni padrejtësi vetes. Mos luani me shpalljet e Allahut! Kujtoni begatitë që ju ka dhënë Ai, si dhe Librin (Kuranin) dhe diturinë e hollësishme, që jua ka zbritur për t’ju këshilluar. Kini frikë Allahun dhe ta dini se Allahu është i Dijshëm për çdo gjë!
Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit. Babai i fëmijës ka për detyrë, sipas mundësisë së tij, që t’i sigurojë si duhet ushqim dhe veshmbathje. Nuk ngarkohet askush përtej mundësisë që ka: nëna le të mos dëmtohet për shkak të fëmijës së saj e as babai të mos dëmtohet për shkak të tij. Edhe trashëgimtari ka të njëjtat detyrime për të gjitha këto. Por, nëse pas këshillimit, ata vendosin me pëlqim të ndërsjellë që ta ndajnë fëmijën nga gjiri, kjo nuk është gjynah për ata. Po ashtu, nuk është gjynah për ju nëse doni t’i gjeni fëmijës suaj ndonjë mëndeshë, me kusht që t’ia jepni atë që e keni menduar, sipas rregullave. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu i sheh mirë të gjitha punët që bëni ju.
Nuk është gjynah për ju nëse grave të tilla u jepni shenjë se do t’i kërkoni apo nëse këtë qëllim e fshihni në shpirtin tuaj. Allahu e di se do të mendoni për ato, por mos u premtoni atyre fshehurazi, vetëm nëse bisedoni me to ndershmërisht. Dhe mos vendosni për martesë para se të kalojë afati i paraparë i pritjes. Ta dini se Allahu e di ç’ka në zemrat tuaja, andaj ruajuni prej Tij. Dhe ta dini se Allahu është Falës i madh dhe i Butë.
Nuk është gjynah për ju nëse i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to ose para se të caktoni shumën e dhuratës martesore (që do t’u jepni). Por u jepni dhuratë të pëlqyeshme: i pasuri sipas gjendjes së tij dhe i vobekti sipas gjendjes së vet. Kjo është detyrë e atyre që dëshirojnë të bëjnë vepra të mira.
Në qoftë se i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to, por ia keni caktuar shumën e dhuratës martesore, atëherë atyre u përket gjysma e dhuratës, veç nëse ua falin ato ose ua falin ata që kanë në dorë lidhjen e martesës[39]. Por që të falni është më pranë devotshmërisë. Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush! Vërtet, Allahu e sheh mirë se çfarë bëni.
____________________
[39] Sipas shkollave malikite dhe shafiite, fraza “ata që kanë në dorë lidhjen e martesës” nënkupton kujdestarët e grave, ndërsa sipas shkollës hanefite, kjo frazë nënkupton bashkëshortët e grave. Sipas interpretimit të dytë, vargu do të thoshte: “veç nëse ua falin ato ose burrat heqin dorë nga gjysma e tyre”.
Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij.[40]
____________________
[40] Me këtë varg Zoti na urdhëron të falim namazin, sepse, mosfalja e tij është gjynah i madh. Duhet penduar dhe kërkuar falje shumë herë prej Zotit. Ndër kushtet e fesë islame, i pari është besimi që Zoti është Një dhe se Muhamedi (a.s.), është Profeti i Tij. Kushti i dytë, është falja e namazit; kushti i tretë është dhënia e zekatit (lëmoshës së detyrueshme). Falja e namazit është lutja më e madhe e anës shpirtërore. Zekati është mirësia më e madhe shoqërore. Ai që e studion domethënien e zekatit, e kupton hollësisht këtë gjest të madh shoqëror e fetar të pashembullt. Prandaj, zekati e namazi përmenden krahas në Kuran, në më se 60 vende. Në shumë pjesë të tjera të Kuranit, ato përmenden veç e veç (përkthyesi).
Ata prej jush, të cilëve iu është afruar vdekja dhe kanë gra për të lënë pas, duhet t’u lënë atyre në testament mjetet për të jetuar një vit, pa i bërë që të dalin nga shtëpia. Por, nëse ato vetë e braktisin shtëpinë, ju nuk jeni përgjegjës për çfarë bëjnë me jetën e tyre sipas rregullave. Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë.
Grave të ndara u takon sigurimi i caktuar i shpenzimeve të jetesës. Kjo është detyrë e besimtarëve.
Mendo (o Muhamed) për ata që me mijëra ikën nga qytetet e tyre nga frika e vdekjes.[41] Allahu u tha atyre “Vdisni!” pastaj, i ringjalli ata. Vërtet, Allahu zotëron mirësi të mëdha për njerëzit, por shumica e tyre nuk e falënderojnë.
____________________
[41] Sipas komentuesve të Kuranit, vargu bën fjalë për një qytet hebrenjsh, banorët e të cilit u larguan prej tij nga frika e një epidemie. Allahu i Madhëruar i bëri të vdesin, pastaj i ringjalli sërish.
A nuk e ke dëgjuar ti (o Muhamed) se çfarë i tha paria e bijve të Israilit, pas Musait, një profeti të tyre? I tha: “Na dërgo një mbret, që të luftojmë në rrugën e Allahut!” - Profeti u tha: “Po sikur të mos luftoni kur të shpallet lufta?” Ata thanë: “E përse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, ne që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe jemi ndarë nga fëmijët tanë?!” Mirëpo, kur u urdhëruan të luftojnë, ata nuk luftuan, me përjashtim të një pakice. Allahu i njeh mirë keqbërësit.
Profeti i tyre u tha: “Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj.” Ata thanë: “Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?! Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe.” Ai u përgjigj: “Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.”
Profeti u tha atyre: “Shenjë e sundimit të tij është ardhja e Arkës. Aty ka qetësi[42] për ju nga Zoti juaj dhe relikte të lëna nga familja e Musait dhe Harunit. Atë e bartin engjëjt. Sigurisht që kjo është një shenjë për ju, nëse jeni besimtarë!”
____________________
[42] Qetësia e përmendur në këtë varg është përkthim i fjalës arabe “sekîne”. Sipas disa thënieve të Profetit Muhamed (a.s.) të regjistruara në librat e Buhariut dhe të Muslimit, “sekîne” është një prani shpirtërore që zbret së bashku me engjëjt për të sjellë qetësi në shpirtrat e besimtarëve të devotshëm.
Kur Taluti u nis për luftë bashkë me ushtrinë, u tha atyre: “Allahu do t’ju provojë me një lumë. Kush pi ujë në të, nuk është ushtari im. Ndërsa kush nuk pi ujë në të ose kënaqet vetëm me një grusht ujë, është ushtari im”[43]. Por të gjithë pinë, përveç një pakice. Pasi ai me ata (ushtarë) që ishin besimtarë kaluan lumin, shumë prej tyre thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi të luftojmë me Xhalutin dhe ushtrinë e tij”. Por ata që ishin të bindur se do të takoheshin me Allahun, thanë: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka ngadhënjyer mbi një ushtri të madhe! Allahu është me të durueshmit”.
____________________
[43] Përballë kundërshtimeve që ishin bërë në lidhje me emërimin e tij si mbret, Taluti kishte nevojë të verifikonte shkallën e besnikërisë dhe të bindjes së ushtarëve të tij. Kësisoj, prova e ujit kishte për qëllim të zbulonte pranimin nga ana e bijve të Israilit, të vullnetit të Allahut, i Cili, përmes Profetit të Vet Samuel, kishte caktuar Talutin si mbretin e tyre.
Këto janë shpalljet e Allahut. Ne t’i lexojmë ty (Muhamed) ato me të vërtetën, sepse, pa dyshim, ti je një prej të dërguarve Tanë.
Nga këta të dërguar, disa syresh i ngritëm mbi të tjerët. Disave Allahu u foli drejtpërdrejt, kurse të tjerë i ngriti në shkallë të larta. Ne i dhamë Isait, birit të Merjemes, prova (mrekulli) të qarta dhe e ndihmuam me Shpirtin e Shenjtërisë (Xhebrailin a.s.). Sikur të donte Allahu, njerëzit që erdhën pas të dërguarve nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin pas ardhjes së provave të qarta, por ata u përçanë: disa besuan, kurse të tjerët mohuan. Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën si të dojë Vetë.
Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u[44] i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!
____________________
[44] Termi Kursi fjalë për fjalë përkthehet: stol, karrige, ndenjëse. Kursi-u është një krijesë madhështore e Allahut me formën e treguar nga kuptimi i saj gjuhësor dhe që ndodhet në këmbët e Fronit të Allahut. Ai shtrihet mbi qiejt dhe tokën dhe, sipas transmetimeve autentike nga Profeti Muhamed (a.s.), përmasat e tij janë aq të mëdha, saqë qiejt dhe toka në krahasim me atë ngjajnë si unaza në shkretëtirë.
A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” - ai u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.
Po për atë i cili, kur kaloi pranë një qyteti të rrënuar përtokë, tha: “Si mund ta kthejë në jetë Allahu këtë qytet tani që ai është i vdekur?!” Dhe Allahu e vdiq atë për njëqind vjet e pastaj e ringjalli dhe e pyeti: “Sa kohë ke ndenjur këtu?” - Ai u përgjigj: “Një ditë ose gjysmë dite”. - “Jo” - i tha Allahu, “por ke ndenjur njëqind vjet. Shiko ushqimin dhe pijen tënde që nuk janë prishur! Shikoje gomarin tënd (si do ta ringjallim) që të të bëjmë ty dëshmi mrekullie për njerëzit; vështroji eshtrat se si i bashkojmë e pastaj i veshim me mish!” Kur atij iu bë e qartë, ai tha: “Tashmë e di se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!”
Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” - “Besoj” - iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” Allahu i tha: “Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërndaj në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”
Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Butë (nuk nxiton në dënime).
O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer, siç vepron ai që e shpenzon pasurinë e vet për sy e faqe të botës dhe nuk beson në Allahun dhe Ditën e Fundit. Ai shëmbëllen me një gur të lëmuar të mbuluar me dhé, mbi të cilin bie shiu me rrebesh, duke e lënë të zhveshur. Ata nuk kanë kurrfarë dobie nga veprat që kanë bërë, se Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mohues.
Ata që shpenzojnë pasurinë e vet, për të kërkuar kënaqësinë e Allahut dhe që e forcojnë veten me punë të mira, shëmbëllejnë me një kopsht të mbjellë në rrafshnaltë, në të cilin bie shi i bollshëm, andaj jep fruta dyfish. Nëse nuk i bie shi i bollshëm, i bie shi i imët që i mjafton. Allahu i sheh mirë punët që bëni ju.
Djalli ju frikëson me skamje e varfëri dhe ju urdhëron të bëni vepra të pamoralshme. Kurse Allahu ju premton faljen dhe mirësinë e Tij. Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.
(Lëmosha) u takon të varfërve, të cilët kanë hyrë në rrugën e Zotit e nuk janë në gjendje të udhëtojnë (për të fituar). Kush nuk i njeh ata, kujton se janë të kamur, për shkak se ata nuk lypin. Do t’i njohësh nga pamja e tyre. Ata nuk i mërzisin njerëzit duke lypur.[45] E çdo gjë që shpenzoni prej të mirave, Allahu i di ato.
____________________
[45] Vargu, për kohën e shpalljes së tij, i referohej një grupi jo të vogël myslimanësh që kishin ikur nga Meka për të qëndruar me Profetin (a.s.) në Medinë. Ata quheshin as-hâbus-suffe (njerëzit e portikut), sepse banonin në hyrje të Xhamisë së Profetit në kushtet e një varfërie absolute.
Ata që marrin fajde, do të ringjallen (në Ditën e Gjykimit) si ai që djalli e ka çmendur me prekjen e vet, sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamataria. Porse Allahu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar. Ai të cilit i vjen këshilla nga Zoti i tij dhe i shmanget kamatës, le ta mbajë atë që tashmë ka fituar dhe fati i tij është në duart e Allahut. Ndërsa ata që i kthehen kamatës sërish, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
Nëse e dini se borxhliu është ngushtë, shtyjani afatin (e shlyerjes së borxhit) derisa ta përmirësojë gjendjen. Por është më mirë për ju që t’ia falni borxhin, veç sikur ta dinit.
O besimtarë! Shkruajeni huan që ia jepni njëri-tjetrit për një afat të caktuar. Le ta shënojë atë me drejtësi një shkrues ndërmjet jush; asnjë shkrues të mos ngurrojë që ta shënojë ashtu siç e ka mësuar Allahu. Ai le të shënojë, kurse borxhliu le të diktojë dhe le t’i frikësohet Allahut, Zotit të vet, duke mos lënë mangët asgjë nga borxhi! Në qoftë se borxhliu është mendjelehtë ose i mitur, ose i tillë që nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë saktësisht kujdestari i tij. Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra. Dëshmitarët nuk duhet të kundërshtojnë kurdo që të thirren. Mos e lini pa e shënuar borxhin, qoftë i vogël apo i madh, duke shënuar edhe afatin e pagimit. Kjo mënyrë është më e drejtë para Allahut, më e saktë për dëshmi dhe më e përshtatshme për të mos dyshuar. Por, nëse është fjala për mallin që qarkullon nga dora në dorë, atëherë nuk do të keni gjynah nëse nuk e shënoni atë. Thirrni dëshmitarë edhe kur të lidhni kontrata për shitblerje dhe të mos dëmtohet as shkruesi, as dëshmitari. Nëse bëni të kundërtën, atëherë keni bërë gjynah, prandaj ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju; Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.[46]
____________________
[46] Islami synon të parandalojë gjithçka që mund të shkaktojë trazira në gjirin e bashkësisë së myslimanëve. Çështjet që kanë të bëjnë me paranë, janë nga shkaqet kryesore të kontradiktave midis njerëzve, prandaj Allahu i Madhërishëm na urdhëron që t’i rregullojmë ato nëpërmjet dokumenteve të shkruara dhe dëshmitarëve.
I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!”
Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon. Zoti ynë, mos na ndëshko për atë që harrojmë ose veprojmë pa qëllim! Zoti ynë, mos na ngarko barrë të rëndë, ashtu si i ngarkove ata para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me diçka që nuk mund ta bartim! Na i shlyej gjynahet tona, na i fal ato dhe na mëshiro! Ti je Zoti Ynë! Prandaj na jep fitore kundër atyre që nuk besojnë!”
تقدم القراءة