ﰡ
Ky Libër të është shpallur ty; le të mos ketë kurrfarë shtrëngimi në zemrën tënde për shkak të tij! Ai të është shpallur, që nëpërmjet tij të paralajmërosh jobesimtarët dhe të këshillosh besimtarët.
Ndiqni atë që ju është zbritur nga Zoti juaj e mos ndiqni mbrojtës të tjerë, përveç Tij. Sa pak që i pranoni këshillat!
Sa shumë qytete kemi rrënuar Ne! Dënimi Ynë u erdhi natën ose ditën kur ata pushonin.
Kur iu erdhi dënimi, thirrja e tyre e vetme ishte: “Ne kemi qenë vërtet keqbërës!”
Pa dyshim, Ne do të kërkojmë llogari prej popujve që u kemi çuar të dërguar, e patjetër që do t’i pyesim edhe të dërguarit.
Dhe do t’jua paraqesim gjithçka që kanë bërë, sepse i dimë plotësisht dhe kemi qenë të pranishëm.
Peshimi (i veprave) atë ditë do të jetë i drejtë. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar;
kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre, për shkak se mohuan shpalljet Tona.
Ne ju kemi vendosur në tokë dhe aty ju kemi dhënë çfarë ju nevojitet për jetesë. Eh, sa pak mirënjohës që jeni!
Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën; e u thamë engjëjve: “Përuljuni në sexhde Ademit!” – Të gjithë iu përulën, përveç Iblisit. Ai nuk ishte nga ata që u përulën.
Allahu tha: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”.
Allahu i tha: “Atëherë, zbrit prej andej (Xhenetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të! Shporru, me të vërtetë, ti je prej të poshtëruarve”.
Iblisi tha: “Më jep afat deri në ditën kur ringjallen njerëzit!”
Allahu i tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati”.
Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë
e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!”
Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar! Pa dyshim, Xhehenemin do ta mbush me ty dhe me të gjithë ata që shkojnë pas teje!”
Ndërsa Ademit i tha: “O Adem! Bano ti dhe bashkëshortja jote në Xhenet dhe hani ç’të dëshironi, por mos iu afroni kësaj peme, se bëheni keqbërës!”
Djalli u pëshpëriti, për t’ua zbuluar pjesët e turpshme të mbuluara të trupit të tyre dhe u tha: “Zoti juaj jua ka ndaluar pemën, vetëm që të mos bëheni engjëj ose të pavdekshëm.”
Dhe iu betua atyre (duke thënë): “Vërtet, Unë jam për ju këshillues i sinqertë!”
Dhe i mashtroi me dinakërinë e tij. Pasi e shijuan frutën, atyre iu zbuluan vendet e turpshme dhe nisën të mbulohen me gjethet e Xhenetit dhe Zoti i tyre i thirri: “A nuk jua kisha ndaluar atë pemë? A nuk ju pata thënë se djalli është vërtet armiku juaj i hapët?”
Ata thanë: “O Zoti ynë! Ne e kemi futur veten në gjynah, prandaj, nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne vërtet që do të jemi nga të humburit”.
Allahu tha: “Zbritni! Ju do të jeni armiq me njëri-tjetrin. Në Tokë do të banoni dhe do të jetoni deri në një kohë të caktuar.
Aty do të jetoni, aty do të vdisni dhe prej saj do të ringjalleni.”
O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim; por, petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë disa shenja të Allahut, që ju të merrni këshillë.
O bijtë e Ademit, le të mos ju mashtrojë kurrsesi djalli, ashtu si i nxori prindërit tuaj nga Xheneti, duke ua zhveshur rrobat për t’u dukur vendet e turpshme! Ai dhe shpura e tij ju sheh, prej nga ju nuk i shihni ata. Ne i kemi bërë djajtë roje të atyre që nuk besojnë.
Kur ata[100] bëjnë një vepër të shëmtuar, thonë: “Ne i kemi gjetur prindërit tanë që i bënin, por edhe Allahu na ka urdhëruar kështu”. Thuaj: “Allahu nuk urdhëron të bëhen vepra të pahijshme! Përse thoni për Allahun atë që nuk e dini?”
____________________
[100] Paganët arabë.
Thuaj: “Zoti im urdhëron drejtësi. Drejtohuni vetëm nga Ai në çdo xhami e lutjuni Atij sinqerisht, me besim të pastër e të vërtetë! Siç ju ka krijuar së pari, ashtu do t’ju ringjallë.
Disa Ai i ka udhëzuar në rrugë të drejtë, kurse disa të tjerë e kanë merituar humbjen. Ata kanë zgjedhur djajtë për mbrojtës në vend të Allahut dhe mendojnë se janë në rrugë të drejtë.
O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni! Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë.
Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë (dhe të tjerët) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për besimtarët. Kështu ua shpjegojmë shpalljet njerëzve që dinë.
Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini.
Çdo popull ka afatin e vet. Kur t’i vijë koha e fundit, ata nuk mund ta shtyjnë, qoftë edhe për një çast dhe as nuk mund ta shpejtojnë.
O bijtë e Ademit, kur nga gjiri juaj të vijnë të dërguar që ju shpjegojnë shpalljet e Mia, atëherë ata që ruhen nga të këqijat dhe kryejnë vepra të mira, nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen.
Kurse ata që i mohojnë shpalljet e Mia dhe sillen me mendjemadhësi ndaj tyre, do të jenë banorë të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.
Kush është më keqbërës se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut ose që mohon shpalljet e Tij? Atyre do t’u jepet çfarë u është caktuar (në Leuhi Mahfudh). E, kur t’u vijnë të dërguarit Tanë (engjëj), për t’ua marrë shpirtin, do t’u thonë: “Ku janë idhujt që i adhuronit në vend të Allahut?” Ata do të thonë: “Na braktisën.” Kështu ata dëshmojnë kundër vetes që kanë qenë mohues.
Allahu do t’u thotë: “Hyni në zjarr me popujt - xhindet dhe njerëzit - që kanë qenë para jush”. Kurdo që një popull do të hyjë në zjarr, do të mallkojë të tjerët që kanë hyrë para tij. Dhe, kur të tubohen të gjithë atje, atëherë i fundmi i tyre do t’u thotë të parëve: “O Zoti ynë, këta na kanë sjellë në humbje, prandaj jepu atyre një dënim të dyfishtë zjarri!” Allahu do t’u thotë: “Për secilin (nga ju) ka dënim të dyfishtë, por ju nuk e dini.”
Të parët do t’u thonë të fundmëve: “Ju nuk keni qenë më të mirë se ne, prandaj shijoni dënimin për atë që keni punuar”.
Me të vërtetë, atyre që i mohuan shenjat Tona me mendjemadhësi, nuk do t’u hapen dyert e qiellit dhe as që do të hyjnë në Xhenet, derisa të kalojë deveja nëpër vrimë të gjilpërës. Kështu i ndëshkojmë gjynahqarët.
Për ata janë përgatitur shtretër zjarri dhe sipër tyre do të ketë mbulesa zjarri. Kështu i ndëshkojmë Ne keqbërësit.
Kurse ata që besojnë dhe kryejnë vepra të mira - Ne nuk ngarkojmë askënd më tepër nga sa ka mundësi - ata janë banorë të Xhenetit, në të cilin do të qëndrojnë përgjithmonë.
Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu. Pa dyshim, të dërguarit e Zotit tonë kanë sjellë të vërtetën”. Dhe një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xheneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar”.
Dhe banorët e Xhenetit do t’u thonë banorëve të zjarrit: “Ne e gjetëm të vërtetë atë që na premtoi Zoti ynë. Po ju, a e gjetët të vërtetë atë që ju premtoi Zoti juaj?” Ata do të thonë: “Po!” Atëherë, një lajmëtar midis tyre do të thërrasë: “Mallkimi i Allahut është mbi keqbërësit,
të cilët i kanë penguar të tjerët nga rruga e Allahut, duke dashur ta shtrembërojnë atë dhe nuk kanë besuar në jetën tjetër!”
Një mur do t’i ndajë ata[101], ndërsa në lartësitë e tij do të ndodhen njerëz, të cilët i njohin të dyja palët sipas tipareve. Ata do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Paqja qoftë mbi ju!” Ata nuk do të kenë hyrë ende në Xhenet, ndonëse shpresojnë.
____________________
[101] Banorët e Xhenetit dhe të Xhehenemit.
E kur t’i kthejnë sytë nga banorët e zjarrit, do të thonë: “O Zoti ynë! Mos na hidh midis këtyre njerëzve të këqij!”
Pastaj, njerëzit e Murit (A‘râf) do t’u thërrasin disa njerëzve që i njohin nga pamja, duke u thënë: “Nuk ju ndihmoi as grumbullimi i pasurisë suaj, as kryelartësia juaj (ndaj të Vërtetës).
A janë këta për të cilët u betuat se nuk do t’i arrijë mëshira e Allahut?” Ndërsa atyre do t’u thonë sërish: “Hyni në Xhenet! Për ju s’ka frikë e as pikëllim!”
Banorët e zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Derdhni pak ujë te ne ose diçka nga ajo që ju ka dhuruar Allahu!” Ata thonë: “Në të vërtetë, Allahu këto i ka ndaluar për mohuesit,
të cilët e morën fenë për lojë dhe argëtim dhe u mashtruan nga jeta e kësaj bote”. Ne sot do t’i harrojmë ata, ashtu siç e patën harruar ata takimin e kësaj Dite dhe siç mohuan shpalljet Tona.
Ne u kemi zbritur atyre një Libër, të cilin e kemi shpjeguar gjerësisht, që të jetë udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.
A mos vallë ata presin zbatimin e Tij? Kur t’u vijë dita e zbatimit, do të thonë për atë që e patën mohuar më parë: “Të dërguarit e Zotit tonë na kanë sjellë të vërtetën! A ka ndonjë ndërmjetësues që të ndërhyjë për ne? A mund të kthehemi sërish në jetën e tokës, që të veprojmë ndryshe nga ç’kemi punuar”. Me siguri që ata do t’i humbasin shpirtrat e tyre dhe ajo që trillonin do t’i braktisë.
Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (që mbisundon gjithësinë). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!
Lutjuni Zotit tuaj përulësisht dhe ngadalë! Njëmend, Ai nuk i do ata që e kalojnë kufirin.
Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli, ndërsa Atij lutjuni me frikë dhe shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.
Ai i dërgon erërat si lajmëtare të mëshirës së Tij. Kur erërat lëvizin retë e rënda me shi, Ai i çon ato tek ndonjë vend i vdekur, ku lëshon shi dhe me anë të tij nxjerr lloj-lloj frutash; po kështu do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Këta janë shembuj që t’ua vini veshin.
Toka e mirë i jep frutat me lejen e Zotit të saj, ndërsa toka e keqe, zor se jep gjë. Kështu, në mënyra të ndryshme, Ne ua shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve mirënjohës.
Ne ia dërguam Nuhun popullit të tij e ai u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! Unë kam frikë se do të bjerë mbi ju dënimi i një Dite të madhe!”
Paria e popullit të tij tha: “Ne të shohim ty në humbje të qartë”.
Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam në kurrfarë humbjeje, por jam i dërguar nga ana e Zotit të gjithësisë!
Unë ju sjell shpalljet e Zotit tim, ju këshilloj dhe di nga Allahu atë që ju nuk e dini.
A po çuditeni që këshilla e Zotit tuaj t’ju vijë nëpërmjet një njeriu prej jush, i cili ju tërheq vërejtjen, që të kini frikë (Allahun), në mënyrë që të mëshiroheni (prej Tij)?!
Ata e quajtën gënjeshtar Nuhun. Kështu që Ne shpëtuam me anë të barkës atë dhe të gjithë njerëzit që ishin me të, ndërsa ata që i mohuan shpalljet Tona, i fundosëm. Ata qenë vërtet një popull i verbër.
Fisit Ad[102] i dërguam vëllanë e tyre - Hudin. Ai tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. A nuk po i ruheni dënimit?”
____________________
[102] Adi është një fis i lashtë që ka jetuar pas Nuhut.
Paria e popullit të tij që nuk besonte, tha: “Ne shohim tek ti mendjelehtësi dhe mendojmë se je gënjeshtar”.
Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam mendjelehtë, por jam i dërguar nga Zoti i botëve.
Unë ju sjell shpalljet e Zotit tim dhe jam këshilltar besnik.
A po çuditeni që këshilla e Zotit tuaj t’ju vijë nëpërmjet një njeriu prej jush, i cili ju tërheq vërejtjen? Kujtoni që Ai ju bëri zëvendës pas popullit të Nuhut dhe ju dha trup e fuqi të madhe. Kujtoni dhuntitë e Allahut, në mënyrë që të keni sukses!”
Ata thanë: “A mos na ke ardhur që të adhurojmë vetëm Allahun e t’i lëmë zotat që kanë adhuruar prindërit tanë?! Atëherë na sill atë me të cilën na kërcënon, nëse je i sinqertë!”
Ai tha: “Tashmë, ju ka rënë dënimi dhe zemërimi i Zotit tuaj. A më kundërshtoni mua për emrat (e idhujve), të cilët ua keni vënë ju dhe prindërit tuaj e për të cilët Allahu nuk ju ka sjellë kurrfarë diturie? Pra, pritni, se edhe unë po pres me ju!”
Me mëshirën Tonë, Ne e shpëtuam Hudin dhe të gjithë besimtarët që ishin me të dhe i asgjësuam ata që i mohuan shpalljet Tona. Ata ishin të gjithë jobesimtarë.
Ndërsa fisit Themud[103] Ne i dërguam vëllanë e tyre, Salihun. Ai tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Në të vërtetë, juve ju është dhënë një shenjë e qartë nga Zoti juaj: kjo deve e Allahut për ju është një mrekulli. Lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe, se ju pret ndëshkimi i ashpër!
____________________
[103] Një tjetër fis i lashtë, pasardhës i fisit Ad.
Dhe sillni në mend, kur Ai ju bëri zëvendës pas fisit Ad dhe ju dhuroi vendbanime në Tokë; në rrafshinat e saj po ngrini pallate e në kodrina po gdhendni shtëpi. Kujtoni të mirat e Allahut dhe mos bëni çrregullime në tokë!”
Por paria arrogante e popullit të tij u tha të shtypurve në radhët atyre që kishin besuar: “A e pranoni që Salihu është i dërguar nga Zoti i tij?” Ata thanë: “Sigurisht që ne besojmë në gjithçka që i është shpallur atij”.
Ata që ishin kryelartë, thanë: “Ne nuk besojmë në atë që besoni ju”.
Kështu, ata e therën devenë pa e përfillur urdhrin e Zotit të tyre dhe thanë: “O Salih, sillna atë që na ke premtuar, nëse je vërtet i dërguar!”
Për këtë arsye ata i goditi një tërmet i rëndë në mëngjes dhe mbetën të vdekur në shtëpitë e tyre.
Ai u largua prej tyre dhe tha: “O populli im! Unë ju solla mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit ata që këshillojnë”.
Kujtoni fjalët e Lutit, i cili i tha popullit të vet: “Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë?”.
Ju u qaseni meshkujve me epsh - në vend të femrave. Me të vërtetë, ju jeni popull që e teproni me të këqija!”
Përgjigjja e popullit të tij ishte: “Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të mbahen të dëlirë.”
Kështu, Ne e shpëtuam atë me gjithë familje, përveç gruas së tij. Ajo ishte nga ata që mbetën pas (dhe u ndëshkuan).
Dhe mbi ta lëshuam rrebesh (gurësh), pra, shiko si përfunduan njerëzit e zvetënuar!
Popullit të Medjenit Ne i dërguam vëllanë e tyre, Shuajbin, i cili u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj, prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni ngatërresa në tokë, pasi të jetë vënë rregulli në të. Kjo është më mirë për ju, nëse jeni besimtarë!
Mos zini pusi në çdo rrugë, duke frikësuar dhe penguar nga rruga e Allahut ata që besojnë tek Ai dhe duke kërkuar shtrembërimin e saj! Kujtoni atëherë kur ishit të paktë në numër e Ai ju shumoi. Shikoni si përfundojnë ngatërrestarët!
Nëse një grup mes jush beson në mesazhin me të cilin jam dërguar, ndërsa grupi tjetër nuk beson, duroni derisa Allahu të gjykojë midis nesh! Ai është gjykatësi më i mirë”!
Paria arrogante e popullit të tij tha: “O Shuajb! Kthehuni në fenë tonë ose do t’ju dëbojmë nga qyteti ynë ty me gjithë ndjekësit e tu”. Shuajbi tha: “Edhe pse e urrejmë atë?!
Nëse do të ktheheshim në fenë tuaj, pasi Allahu na shpëtoi nga ajo, atëherë do të shpifnim gënjeshtra kundër Allahut. Ne nuk mund të kthehemi në të, përveçse po të dojë Allahu, Zoti ynë. Ai përfshin çdo gjë me dijeninë e Vet dhe tek Ai ne mbështetemi. O Zoti ynë, gjyko drejt midis nesh dhe popullit tonë! Ti je Gjykatësi më i mirë”!
Por paria e pafe i tha popullit të tij: “Nëse shkoni pas Shuajbit, atëherë, me siguri, do të jeni të humbur.”
E kështu, ata i goditi një tërmet i rëndë dhe u gdhinë të shtrirë përmbys në shtëpitë e tyre.
Ata që e quajtën Shuajbin gënjeshtar, sikur nuk kishin banuar kurrë në atë vend; ata që e quajtën Shuajbin gënjeshtar, qenë të humbur.
Shuajbi u largua prej tyre dhe tha: “O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!”
Sa herë që çonim të dërguar në ndonjë vendbanim, Ne i dënonim banorët e tij me skamje dhe sëmundje, në mënyrë që të përuleshin.
Pastaj ua shndërronim fatkeqësinë në lulëzim. Por, kur shtoheshin e begatoheshin, ata thoshin: “Edhe etërit tanë i patën goditur hidhërimet e gëzimet”. Kështu që Ne i dënonim papritmas, pa e marrë vesh ata.
Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë.
A janë të sigurt banorët e këtyre qyteteve[104] se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë natën, ndërkohë që flenë?!
____________________
[104] Mekës dhe rrethinave të saj.
A janë të sigurt ata se nuk do t’iu vijë dënimi Ynë ditën, ndërkohë që argëtohen?!
A janë të sigurt ata nga të papriturat e Allahut? Vetëm ata që janë të humbur nuk u frikësohen të papriturave të Allahut.
A nuk e është e qartë për ata që trashëguan tokën e banorëve të mëparshëm të saj, se, nëse Ne dëshirojmë, i dënojmë për gjynahet e tyre dhe ua vulosim zemrat, që të mos dëgjojnë?!
Ne të kemi treguar ty disa nga ngjarjet e atyre popujve. Të dërguarit e tyre u erdhën me prova të qarta, por sigurisht që ata nuk do të besonin diçka që edhe më parë e mohonin. Kështu ua vulos Allahu zemrat mohuesve.
Ne pamë se shumica e tyre nuk i përmbaheshin besëlidhjes; vërtet, Ne gjetëm se shumica e tyre ishin të pabindur.
Pas tyre, Ne dërguam Musain me shenjat Tona, te Faraoni dhe paria e tij, por edhe ata i mohuan ato. Pra, shiko si ishte përfundimi i ngatërrestarëve!
Musai tha: “O Faraon! Në të vërtetë, unë jam i dërguari i Zotit të botëve!
E kam detyrë që për Allahun të them vetëm të vërtetën dhe tashmë ju kam sjellë provë të qartë nga Zoti juaj; andaj, lëri të vijnë me mua bijtë e Israilit!”
Faraoni tha: “Nëse ke sjellë ndonjë shenjë, tregoje, nëse ajo që thua është e vërtetë”.
Musai lëshoi shkopin e vet dhe ai u bë gjarpër i madh!
Pastaj nxori dorën e tij e ajo iu duk krejt e bardhë të pranishmëve.
Paria e popullit të Faraonit tha: “Ky qenka vërtet një magjistar i shkathët,
i cili kërkon t’ju nxjerrë nga toka juaj! Atëherë, çfarë na këshilloni?
Të tjerët thanë: “Mbani pak mënjanë atë dhe vëllanë e tij dhe dërgoni nëpër qytete lajmëtarë që të tubojnë
e të të sjellin ty (Faraon) çdo magjistar të shkathët”.
Dhe kur erdhën magjistarët e Faraonit, thanë: “A do të shpërblehemi, nëse fitojmë?”
Faraoni tha: “Po, dhe do të jeni nga më të afërmit e mi”.
Ata thanë: “O Musa! Ose hidh ti, ose të hedhim ne të parët shkopinjtë tanë!”
“Hidhni ju!” – u përgjigj ai. Kur magjistarët hodhën shkopinjtë e tyre, i magjepsën sytë e njerëzve, i frikësuan ata dhe shfaqën një magji të madhe.
Atëherë Ne i kumtuam Musait: “Hidhe shkopin tënd!” dhe ai filloi të gëlltiste gjithçka që trilluan ata.
Në këtë mënyrë, doli në shesh e vërteta dhe dështoi ajo që kishin bërë ata.
Kështu, Faraoni dhe njerëzit e tij u mundën dhe u kthyen të poshtëruar,
kurse magjistarët u përulën në sexhde,
duke thënë: “Ne besojmë në Zotin e botëve –
Zotin e Musait dhe të Harunit”.
Faraoni tha: “Ju guxoni ta besoni atë pa lejen time?! Në të vërtetë, ky është një komplot që keni përgatitur, me qëllim që të nxirrni nga qyteti banorët e tij! Keni për ta parë!
Do t’jua këpus duart dhe këmbët këmbyerazi e pastaj do t’ju kryqëzoj të gjithëve”.
Ata thanë: “Ne, me siguri, do të kthehemi tek Zoti ynë!
Ti po hakmerresh ndaj nesh vetëm pse besuam shenjat e Zotit tonë, posa na erdhën. O Zoti ynë, na jep durim të madh dhe bëna të vdesim myslimanë!”
Paria e popullit të Faraonit tha: “A mos vallë do ta lësh Musain dhe popullin e tij që të bëjnë ngatërresa në tokë dhe që të braktisin ty dhe zotat e tu?” Faraoni u përgjigj: “Meqenëse jemi sundues mbi ata, Ne do t’i vrasim djemtë e tyre dhe do t’i lëmë gjallë gratë e tyre”.
Musai i tha popullit të vet: “Kërkoni ndihmë nga Allahu dhe duroni, sepse toka është e Allahut. Ai ia jep atë trashëgim cilit të dojë prej robërve të Vet. Fundi i lumtur u takon atyre që i frikësohen Allahut”.
Ata i thanë: “Ne kemi vuajtur para se të vish ti dhe ende po vuajmë”. Musai tha: “Ndoshta Zoti juaj do ta zhdukë armikun tuaj dhe do t’ju bëjë sundimtarë në Tokë, për t’ju parë se si do të veproni”.
Dhe Ne e goditëm popullin e Faraonit me thatësi, me vite zie, që të zinin mend.
Por sa herë që u vinte ndonjë e mirë, ata thonin: “Këtë e kemi merituar!” E kur i godiste ndonjë e keqe, atë merrnin si ogur të zi që vinte prej Musait dhe popullit të tij. Por jo! Allahu ishte Ai që ua ndillte fatin e zi, ndonëse shumica e tyre nuk e dinin!
Ata i thoshin (Musait): “Çfarëdo prove që të na sjellësh për të na magjepsur me të, ne nuk do të të besojmë.”
Prandaj, Ne u dërguam atyre përmbytje, karkaleca, rriqra, bretkosa dhe gjak, si shenja të qarta, por ata madhështoheshin dhe ishin popull keqbërës.
E kur i godiste dënimi, ata thoshin: “O Musa, lutju Zotit tënd për ne, meqë ka besëlidhje me ty! Nëse na liron nga kjo vuajtje, patjetër që do të të besojmë ty dhe do t’i lëmë bijtë e Israilit të ikin me ty”.
Por, kur i liruam nga vuajtja dhe erdhi afati i caktuar, ata e shkelën menjëherë premtimin.
Kështu, Ne u hakmorëm dhe i fundosëm në det, ngaqë ata i mohuan shenjat Tona dhe nuk ua vunë veshin.
Ndërsa popullit të përndjekur Ne i dhamë në zotërim viset lindore dhe perëndimore të tokës që kishim bekuar. Kështu u përmbush premtimi i bukur i Zotit tënd ndaj bijve të Israilit, për shkak të durimit që treguan. Ndërsa ndërtesat dhe kullat e Faraonit dhe të popullit të tij Ne i shkatërruam.
Ne i kaluam bijtë e Israilit përtej detit, ku ndeshën një popull që adhuronin idhujt e vet. Ata i thanë Musait: “Na bëj edhe neve një zot, ashtu si kanë ata zota”. Musai tha: “Ju qenkeni vërtet një popull i paditur!
Fenë që ndjekin këta idhujtarë, e pret shkatërrimi dhe ajo që bëjnë është krejt pa vlerë.
A mos vallë doni të kërkoj për ju zot tjetër përveç Allahut, që ju ka ngritur mbi të tjerët?!”
Kujtoni kur Ne ju shpëtuam nga populli i Faraonit, i cili ju mundonte pa masë: fëmijët meshkuj jua vriste, kurse femrat tuaja jua linin gjallë. Kjo ka qenë sprovë e madhe për ju nga Zoti juaj.
Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe me dhjetë të tjera, kështu që takimi me Zotin e tij u bë pas dyzet netësh. Musai i tha vëllait të vet, Harunit: “Më zëvendëso te populli im, mbaj rregull dhe mos ndiq rrugën e ngatërrestarëve!”
Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të, ai tha: “O Zoti im, shfaqu që të të shoh” Zoti tha: “Ti nuk mund të më shohësh! Por shiko në atë mal: nëse ai mbetet në vendin e vet, atëherë ti do të më shohësh Mua”. E kur Zoti i tij iu shfaq malit, e thërrmoi atë dhe e bëri pluhur, ndërsa Musait i ra të fikët. Kur erdhi në vete, ai tha: “I lavdëruar qofsh Ti o Zot! Kthehem te Ti i penduar. Unë jam i pari i besimtarëve!”
Zoti tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë). Merre atë që ta kam dhënë dhe bëhu mirënjohës!”
Ne i shkruam në Pllaka udhëzime dhe shpjegime për gjithçka: “Merri këto me bindje dhe urdhëroje popullin tënd që t’i përvetësojë në mënyrën më të mirë. Unë do t’ju tregoj shtëpinë e të pabindurve.
Do t’i largoj prej shenjave të Mia ata që sillen me arrogancë në Tokë, kështu që edhe kur të shohin çfarëdo shenje, nuk do ta besojnë atë. Kur të shohin rrugën e drejtë, ata nuk do ta ndjekin atë dhe, kur të shohin rrugën e gabuar, do ta marrin atë, sepse ata nuk i besuan shpalljet Tona dhe nuk u kushtonin vëmendje atyre.
Atyre që mohojnë shpalljet Tona dhe takimin në botën tjetër, do t’u zhvlerësohen veprat. A do të dënohen ndryshe, veçse sipas punëve që kanë bërë?!
Populli i Musait, pas largimit të tij, filloi të adhurojë një viç të bërë nga stolisjet e tyre të arta. Ai kishte një zë si të lopës. A nuk e shihnin ata se ai as nuk mund t’u fliste, as t’i udhëzonte në rrugë të drejtë?! Ata e zgjodhën këtë viç për adhurim dhe u bënë keqbërës.
Por, kur u penduan dhe e kuptuan se kishin hyrë në rrugë të gabuar, ata thanë: “Nëse Zoti ynë nuk na mëshiron dhe nuk na fal, me të vërtetë, do të jemi të humbur!”
Kur Musai u kthye te populli i tij, i zemëruar dhe i pikëlluar, thirri: “Shumë e keqe është ajo që keni bërë pas ikjes sime! A mos vallë donit të shpejtonit ndëshkimin e Zotit tuaj?” Pastaj i hodhi pllakat dhe, duke e kapur vëllanë për koke, e tërhoqi drejt vetes. Haruni i tha: “O djali i nënës sime! Në të vërtetë, këta njerëz më quajtën për të dobët dhe gati më mbytën. Mos më turpëro para armiqve dhe mos më llogarit ndër keqbërësit!”
Musai u lut: “O Zot! Më fal mua dhe vëllanë tim dhe na prano në mëshirën Tënde! Ti je më i Mëshirshmi i mëshiruesve”.
Ata që zgjodhën viçin për zot të tyre, do t’i zërë zemërimi i Zotit të tyre dhe poshtërimi në këtë jetë. Kështu i ndëshkojmë Ne ata që shpifin.
Ndërsa ata që kryejnë vepra të këqija e pastaj pendohen dhe bëhen besimtarë, ta dinë se pas kësaj, Zoti yt është vërtet Falës e Mëshirëplotë.
Dhe, kur Musait i kaloi zemërimi, i mori Pllakat, në të cilat ishin shënuar udhëzimet për rrugën e drejtë dhe mëshira për ata që i frikësohen Zotit të tyre.
Më pas Musai zgjodhi nga populli i tij shtatëdhjetë burra, për takimin Tonë. Kur i goditi tërmeti, ai tha: “O Zoti im! Sikur të doje Ti, do t’i zhdukje ata dhe mua që më përpara. Por, a do të na shkatërroje për atë që bënë disa mendjelehtë mes nesh?! Ajo ishte veç një sprovë e urdhëruar prej Teje, për të shpënë në humbje atë që Ti do dhe për të udhëzuar atë që Ti dëshiron. Ti je Mbrojtësi ynë, andaj falna dhe mëshirona! Ti je më i miri i mëshiruesve!
Na cakto të mira në këtë botë dhe në tjetrën, sepse veç tek Ti ne kthehemi.” Allahu tha: “Unë godas me dënimin Tim kë të dua, ndërsa mëshira Ime përfshin çdo gjë. Atë do t’ua jap atyre që ruhen nga gjynahet e japin zekatin, atyre që u besojnë shpalljeve Tona
dhe që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin[105] që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.”
____________________
[105] Muhamedin (a.s.).
Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka zot tjetër të vërtetë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas tij, që të jeni në rrugën e drejtë!”
Te populli i Musait ka pasur disa njerëz që udhëhiqnin dhe zbatonin drejtësinë nën dritën e së vërtetës.
Ne i ndamë hebrenjtë në dymbëdhjetë fise, secili komb më vete. Kur populli i tij i kërkoi ujë, Ne i kumtuam Musait: “Bjeri me shkopin tënd shkëmbit!” dhe prej tij shpërthyen dymbëdhjetë burime. Çdo fis e dinte burimin e vet. Dhe Ne u bëmë hije me retë dhe u zbritëm manën[106] dhe thëllëza, duke iu thënë: “Hani ushqimet e mira që jua kemi dhënë!” Ata nuk na dëmtuan Ne, por i bënë dëm vetvetes.
____________________
[106] Shih shënimin në vargun 57 të sures së dytë.
Kur atyre iu tha: “Vendosuni në këtë vendbanim dhe hani çfarë të doni; kërkoni falje dhe hyni në portat e tij duke u përulur, që t’jua falim gabimet dhe t’ua shtojmë shpërblimin punëmirëve”,
keqbërësit nga radhët e tyre, i ndërruan fjalët me të tjera që nuk u ishin thënë. Prandaj Ne u dërguam dënim nga qielli, sepse bënë prapësi.
Pyeti ata për qytetin që gjendej në bregdet dhe për çfarë i gjeti banorët e tij kur thyen urdhëresën e Sabatit (së shtunës)! Atë ditë u vinin peshqit me shumicë, ndërsa ditëve tjera që nuk i kremtonin, nuk u vinin. Kështu, Ne i vumë në provë, sepse bënin punë të mbrapshta.[107]
____________________
[107] Feja hebraike e ndalon në mënyrë absolute punën në ditën e shtunë, qoftë edhe për të siguruar ushqim. Në qytetin në fjalë, që, sipas disa komentuesve, është qyteti i Eilatit në Gjirin e Akabasë, ndodhte që peshqit i afroheshin bregdetit me shumicë ditën e shtunë, kurse ditëve të tjera qëndronin larg dhe në thellësitë e detit, duke e bërë të vështirë punën e peshkatarëve. Kjo ishte një provë nga Allahu, për të verifikuar bindjen ndaj urdhrave të Tij. Shih vargun 65 të sures së dytë dhe shënimin përkatës.
Kur disa prej tyre thanë[108]: “Përse këshilloni, kur e dini se Allahu do t’na zhdukë ose do të na ndëshkojë ashpër?!” Këshilltarët u përgjigjën: “Për t’u arsyetuar para Zotit tuaj dhe që ju të mund të ruheni nga gjynahet”.
____________________
[108] Pra, shkelësit e Sabatit u thanë atyre që i këshillonin të hiqnin dorë nga shkelja e Sabatit.
Por, kur e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre.
Kur ata ngulmuan me mendjemadhësi të bënin atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përbuzur!”.
Pastaj Zoti yt shpalli se do t’u dërgonte atyre të tjerë që do t’i mundonin, në mënyrën më të keqe, deri në Ditën e Kiametit. Me të vërtetë, Zoti yt dënon shpejt, por Ai është edhe Falës e Mëshirëplotë.
Dhe Ne i shpërndamë ata në Tokë grupe-grupe. Disa prej tyre ishin të mirë e disa jo. Ne i vumë në provë ata me mirësi dhe fatkeqësi, me qëllim që të ktheheshin (në rrugë të drejtë).
Pas tyre, erdhi një brezni e cila e trashëgoi Librin (Teuratin), por duke marrë gjërat e pavlefshme të kësaj bote[109] dhe duke thënë: “Do të na falet çdo gjë!” Edhe nëse u binin në dorë gjëra të ngjashme, prapë i merrnin ato. Vallë, a nuk e kishin pranuar besëlidhjen në Libër – që për Allahun të thoshin vetëm të vërtetën?! Pikërisht ata, që e kishin studiuar ç’përmbante ai? Bota tjetër është më e mirë për besimtarët që i frikësohen Allahut; akoma nuk e kuptoni këtë?!
____________________
[109] Vargu aludon për ryshfetet që merrnin gjykatësit e Ligjit Judaik.
Ata që u përmbahen thënieve të Librit dhe që e kryejnë namazin, ta dinë se Ne, pa dyshim, nuk do t’ua humbim shpërblimin punëmirëve.
Ne ngritëm sipër tyre malin, që dukej si hije e ata besonin se do të binte mbi ta, dhe u thamë: “Mbajeni fort atë[110] që ju dhamë dhe kujtoni çfarë përmban ajo, që të ruheni nga gjynahet.”
____________________
[110] Tabelat e Teuratit.
Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: “A nuk jam Unë Zoti juaj?” Ata u përgjigjën: “Po, dëshmojmë se Ti je.” Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: “Këtë nuk e kishim ditur.”
Ose që të mos thoni: “Me të vërtetë, etërit tanë ishin idhujtarë para nesh, kështu që edhe ne jemi pasardhësit e tyre. A mos vallë do të na shkatërrosh për veprat e atyre që ndoqën mashtrimin?”
Kështu, Ne i shpjegojmë hollësisht shpalljet, që ata të kthehen (në rrugën e drejtë).
Tregoju atyre (hebrenjve) për njeriun, të cilit Ne i mësuam shpalljet Tona, por u largua prej tyre. Kështu, djalli e pushtoi atë dhe ai u bë nga të humburit.[111]
____________________
[111] Sipas shumë komentuesve të Kuranit, vargu aludon për një dijetar hebre bashkëkohës të Musait (a.s.), që quhej Bal‘am Ibn Bâ‘ûra. Zoti i kishte mësuar atij emrin e Vet më të madh, nëpërmjet të cilit atij i plotësohej çdo lutje. Një herë, Musai e dërgoi Bal‘amin tek mbreti i Medjenit, për ta ftuar në besimin tek Allahu. Mbreti nuk e pranoi këtë ftesë, por e joshi Bal‘amin me pasuri dhe e ktheu në fenë vet. Kështu, ai hoqi dorë nga feja e Musait dhe u bë pagan.
Sikur të donim, do ta ngrinim atë (me shpalljet Tona), por ai u mbërthye pas jetës tokësore dhe u dha pas dëshirave të veta. Shembulli i tij është si shembulli i qenit: nëse e ndjek, ai të nxjerr gjuhën, nëse largohesh, ai përsëri të nxjerr gjuhën. Ky është shembull i njerëzve, që mohojnë shpalljet Tona. Tregojua atyre këto ngjarje, në mënyrë që ata të mendojnë.
I shëmtuar është shembulli i njerëzve që i mohojnë shpalljet Tona dhe i bëjnë keq vetvetes.
Ai të cilin Allahu e udhëzon, është në rrugë të drejtë, ndërsa ai të cilin Allahu e shpie në humbje, është vërtet i humbur.
Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.
Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij. Ata do të ndëshkohen për çfarë kanë vepruar.
Ndërmjet atyre që kemi krijuar, ka njerëz që i udhëzojnë të tjerët në rrugën e vërtetë dhe gjykojnë drejt.
Ndërsa ata që i mohojnë shpalljet Tona, dalëngadalë Ne do t’i shpiem drejt shkatërrimit, pa e kuptuar
e do t’u japim afat. Me të vërtetë, plani Ynë është i fortë.
A nuk u ka vajtur ndonjëherë në mendje atyre[112] se shoku i tyre[113] nuk ka kurrfarë marrëzie?! Ai është vetëm paralajmërues i hapët.
____________________
[112] Jobesimtarëve të Mekës.
[113] Muhamedi (a.s.).
A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që ka krijuar Allahu, duke menduar se mund t’u jetë afruar fundi?! Në çfarë Shpallje tjetër do të besojnë pas kësaj?!
Ata që Allahu i shpie në humbje, askush nuk mund t’i udhëzojë në rrugë të drejtë! Ai i lë ata të enden në mosbesimin dhe humbjen e tyre.
Ata të pyesin ty (Muhamed) rreth Orës (së Kiametit). Thuaju: “Atë e di vetëm Zoti im. Kohën kur do të ndodhë ajo, do ta tregojë vetëm Ai. Do të jetë e rëndë për qiejt dhe Tokën, do t’u vijë krejtësisht papritmas”. Ata të pyesin, a thua se ti di diçka për të. Thuaj: “Këtë e di vetëm Allahu, ndërsa shumica e njerëzve nuk e dinë (pse kjo gjë është e fshehtë).”
Thuaj: “Unë nuk mund t’i sjell vetes as dobi, as dëm, përveçse aq sa dëshiron Allahu. Sikur ta dija të padukshmen, do t’i shumoja të mirat dhe nuk do të më prekte asnjë e keqe. Unë jam vetëm paralajmërues dhe sjellës i lajmeve të mira për njerëzit që besojnë”.
Është Ai që ju krijoi nga një njeri i vetëm (Ademi), prej të cilit krijoi edhe bashkëshorten e tij (Havanë), që të gjente qetësi tek ajo. Kur njeriu bashkohet me gruan e vet, e ngarkon atë me një barrë të lehtë, që ajo e kalon pa e ndier për ca kohë. Dhe, kur ajo rëndohet, ata të dy i luten Allahut, Zotit të tyre: “Nëse na dhuron pasardhës të shëndoshë, do të të jemi vërtet mirënjohës!”
Por, pasi Ai u dhuron pasardhës të shëndoshë e të mirë, ata të dy i veshin Allahut ortakë në lidhje me atë që u kishte dhënë. Por Allahu është shumë lart nga ato që ia veshin Atij si ortakë!
A mos vallë ata i veshin Atij si ortakë idhuj që nuk mund të krijojnë asgjë, ndërkohë që vetë janë të krijuar?!
Idhuj, që nuk mund t’u japin ndonjë ndihmë atyre e as veten nuk mund ta ndihmojnë?!
Edhe nëse i thirrni në rrugën e drejtë, ata nuk do t’ju ndjekin. Prandaj njësoj është - i thirrët apo nuk i thirrët.
Në të vërtetë, ata që iu luteni ju, në vend të Allahut, janë robër si ju. Thirrini ata dhe le t’ju përgjigjen, nëse thoni të vërtetën!
A kanë ata këmbë për të ecur ose duar për të kapur? A kanë sy për të parë ose veshë për të dëgjuar? Thuaj: “Thirrni zotat tuaj të rreme dhe kurdisni kurthe kundër meje, pa më lënë kohë!
Në të vërtetë, Mbrojtësi im është Allahu, i Cili ka zbritur Librin dhe kujdeset për të mirët.
Kurse ata që i adhuroni në vend të Tij, nuk mund t’ju ndihmojnë as ju e as veten.
Edhe sikur t’i thërrasësh në rrugë të drejtë, ata nuk do të dëgjojnë! Ty të duket sikur të vështrojnë, por ata nuk shohin.
Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit!
Nëse djalli përpiqet të të shtyjë drejt së keqes, kërko strehim tek Allahu, se vërtet, Ai dëgjon dhe di gjithçka.
Ata që i frikësohen Allahut, kur u vjen ndonjë mendim i lig nga djalli, i kujtojnë (urdhrat e Tij), e atëherë e shohin rrugën e drejtë.
Ndërsa vëllezërit e vet (prej njerëzve), ata[114] i shpien edhe më tej në humbje pa pushuar.
____________________
[114] Djajtë.
Kur ti (Muhamed) nuk u lexon atyre[115] ndonjë varg nga Shpallja, ata thonë: “Ah! Sikur ta bëje ti vetë”! Thuaju: “Unë ndjek vetëm atë që më ka shpallur Zoti im. Ky (Kuran) është vetëm dëshmi ndriçuese nga Zoti juaj, udhërrëfim dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.”
____________________
[115] Jobesimtarëve të Mekës.
Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.
Përmende Zotin tënd më vete, i përulur dhe me frikë - jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje!
Në të vërtetë, ata që janë afër Zotit tënd, nuk refuzojnë ta adhurojnë Atë, por e lavdërojnë dhe përulen në sexhde para Tij.