ترجمة سورة الحاقة

الترجمة الألبانية
ترجمة معاني سورة الحاقة باللغة الألبانية من كتاب الترجمة الألبانية .
من تأليف: حسن ناهي .

E Vërteta e pashmangshme![375]
____________________
[375] Dita e Kiametit.
Ç’është e Vërteta e pashmangshme?
E kush do të ta shpjegojë ty se ç’është e Vërteta e pashmangshme?
Fiset Themud dhe Ad e mohuan Gjëmimin e tmerrshëm[376],
____________________
[376] Kiametin.
prandaj fisi Themud u shkatërrua nga një ulërimë e tmerrshme,
kurse fisi Ad u shkatërrua nga një furtunë shungulluese të rreptë,
të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura.
A sheh ndonjë gjurmë të tyre?
Faraoni, ata para tij dhe populli i qyteteve të rrënuara[377] kryen gjynahe të mëdha,
____________________
[377] Sodomës dhe Gomorës.
dhe e kundërshtuan të dërguarin e Zotit të tyre, andaj Allahu i zhbiu ata me dënim të ashpër.
Kur vërshoi uji i madh, Ne ju ngarkuam ju[378] në anije,
____________________
[378] D.m.th. Nuhun - babanë e dytë të njerëzimit dhe besimtarët që ishin me të.
për ta bërë atë një paralajmërim, që ta dëgjojë çdo vesh i vëmendshëm.
Dhe kur t’i fryhet një herë Surit,
kur toka dhe malet të ngrihen lart e të thërrmohen me një goditje shkatërrimtare,
atëherë do të ndodhë Ngjarja e pashmangshme (Kiameti).
Dhe do të çahet qielli, që atë ditë do të jetë i thyeshëm.
Engjëjt do të rrinë skajeve të tij, kurse tetë prej tyre do të mbajnë Fronin e Zotit tënd.
Atë Ditë do të mbeteni zbuluar dhe asnjë fshehtësi juaja nuk do të mbetet pa u shfaqur:
Ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e djathtë, do t’u thotë (njerëzve të tij): “Ja, lexoni librin tim!
Vërtet, unë kam qenë i bindur se do të jepja llogari.”
Kështu, ai do të ketë jetë të lumtur,
në një kopsht të lartë,
frutat e të cilit do t’i kapë lehtë.
(Njerëzve të tillë u thuhet:) “Ju bëftë mirë, hani e pini për atë, që keni bërë në ditët e kaluara!”
Por ai, të cilit do t’i jepet libri i veprave të tij nga ana e majtë, do të thotë: “Ah, sikur të mos më ishte dhënë libri im
dhe të mos e kisha ditur llogarinë time!
Ah, të kisha qenë i vdekur (e të mos isha ringjallur)!
Pasuria ime nuk më solli dobi
dhe më la fuqia ime!”
(Do të thuhet) “Kapeni dhe lidheni në pranga,
pastaj digjeni në zjarrin përvëlues,
mandej lidheni në zinxhirë prej shtatëdhjetë kutesh,
sepse ai, me të vërtetë, nuk ka besuar në Allahun e Madhërishëm
dhe nuk është kujdesur për të ushqyer të varfrit e shkretë.
Prandaj, ai sot këtu s’ka mik të afërt
e as ushqim tjetër, përveç qelbit,
të cilin e hanë vetëm gjynahqarët.
Betohem për gjithçka që ju shihni
dhe për gjithçka që nuk e shihni,
se ky (Kuran) është vërtet fjalë e (kumtuar prej) një të Dërguari të nderuar (Muhamedit a.s.)
e nuk është fjalë poeti; sa pak që besoni!
Nuk është as fjalë e ndonjë falltari; sa pak që po reflektoni!
Ai është shpallje e zbritur nga Zoti i botëve!
Sikur ai (Muhamedi), në mënyrë të rreme, të Na kishte veshur ndonjë fjalë,
Ne do ta kapnim atë për dorën e djathtë
dhe me siguri që do t’ia prisnim damarin e qafës
e askush prej jush nuk do të mund ta mbronte.
Natyrisht, Kurani është përkujtesë për ata që i frikësohen Zotit!
Ne e dimë mirë se ka prej jush që e mohojnë atë.
Ai është keqardhje për mohuesit.[379]
____________________
[379] Pra, kur të shohin se çfarë shpërblimi kanë humbur që nuk e kanë ndjekur atë.
Ai është, pa dyshim, e vërtetë e pamohueshme.
Prandaj, lartësoje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!
Icon