ترجمة سورة مريم

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة مريم باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Kâf, Hâ, Jâ, Ajín, Sád.

(Ky është) tregimi mbi mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij – Zekerijjas.

Kur ai e thirri (e luti) Zotin e vet me lutje të fshehtë

dhe tha: “O Zoti im, me të vërtetë, më janë dobësuar eshtrat, e koka më është zbardhur nga pleqëria. E, lutja ime Ty, nuk ka mbetë kurrë pa u pranuar.

I frikësohem të afërmve të mi – pas meje (ngase do të bëjnë keq), e bashkëshortja ime është sterile, andaj, më dhuro nga Ti – një të afërm (djalë),

që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit, dhe bënë Zoti im që të jesh i kënaqur me të!”

“O Zekerijja, Na, do të sihariqojmë ty me një djalë emri i të cilit është Jahja, të cilit, Ne më parë nuk i kemi bërë emnak”.

(Zekerijjai) tha: “O Zoti im, prej nga mua djali, kur bashkëshortja ime është sterile? Dhe, unë kam arritur pleqërinë e thellë?”

Tha: “Ashtu, ka thënë Zoti yt: “Kjo për Mua është lehtë. Unë të kam krijuar ty më parë, e ti nuk ke qenë fare”.

(Zekerijjai) tha: “O Zoti im, më jep ndonjë shenjë!” – (Perëndia) tha: “Shenjë do të jetë ajo që nuk do të mundesh të flasësh me njerëz tri netë (e tri ditë), duke qenë madje i shëndoshë”.

Dhe, ai doli nga faltorja në popullin e tij dhe u dha shenjë atyre: “Madhëronie (Perëndinë), në mëngjes dhe në mbrëmje!”

(Pasi që u lind Jahjai dhe u rrit, iu tha atij): “O Jahja, merre Librin me vendosmëri”. Dhe, Ne, ia kemi dhënë mençurinë (profetninë) duke qenë fëmijë,

dhe butësi prej Nesh dhe pastërti, dhe ishte besimtar,

dhe ishte bamirës ndaj prindërve të vet, e nuk ishte i ashpër dhe i padëgjueshëm.

Dhe, i qoftë selam (shpëtim) atij, në ditën që ka lindur, dhe në ditën që ka vdekur dhe në ditën që do të ringjallet.

Dhe përmende (o Muhammed) në Libër (Kur’an), Merjemin (historinë e saj): “kur u tërhoq nga familja në një vend, në lindje,

dhe mori një perde që të skajohet nga ata; Na dërguam tek ajo engjëllin – Xhebrailin dhe ai iu paraqit asaj në formën e mashkullit të zhvilluar mirë.

Ajo i tha: “Unë kërkoj që të më mbrojë Mëshiruesi im – prej teje, nëse i druan Perëndisë.

Ai tha: “Unë jam vetëm i dërguari i Zotit tënd, që të dhurojë ty një djalë të pastër”.

(Merjemi) tha: “Si mund të kam unë djalë, kur asnjë mashkull nuk më ka prekur, e unë nuk jam e korruptuar!”

Tha (Xhebraili): “Kjo është kështu!” – ka thënë Zoti yt: “Kjo për Mua është lehtë (të krijojë njeriun pa babë). Dhe, ta bëjmë Na atë argument për njerëzit dhe mëshirë nga Ne. Dhe, kjo është punë e kryer”.

Dhe, mbeti shtatzënë, e u tërhoq me të (barrë) në një vend të largët.

E, dhembjet e lindjes, e detyruan atë që të vijë te trungu i një hurme. Tha ajo: “Ah sikur të kisha vdekur para kësaj (ngjarje) dhe të isha harruar krejtësisht”.

Dhe thërriti (zëri) nën të: “Mos u pikëllo, se ty, të ka dhuruar Zoti yt një krijesë dinjitoze.

Shkunde trungun e palmës, e do të pikin mbi ty hurmet e freshkëta,

e ha, e pi, dhe bëhu e gëzueshme! E, nëse vëren ndonjë njeri, ti thuaj: “Unë jam betuar në Mëshiruesin se do të agjërojë (përmbahem), e sot nuk do të flas me askë”.

Dhe, erdhi ajo (Merjemi) me të (fëmijën) te populli i vet, duke e bartë. Ata, i thanë (asaj): “O Merjeme, ke bërë diçka të turpshme!

O motra e Harunit! Babai yt nuk ka qenë njeri i keq, as nëna jote nuk ka qenë grua e korruptuar”.

Ajo e tregoi atë (Isain, me gjeste pa bërë zë). E, ata thanë: “Si t’i flasim ne fëmijës që është në djep?”

Ai (Isai) tha: “Unë jam rob i Perëndisë. Ai, më ka dhënë Librin dhe më ka bërë pejgamber.

Më ka bërë të lavdëruar kudo që të jem, dhe më ka rekomandaur që të bëj namaz dhe të jap zeqatin gjatë tërë jetës.

(Më ka bërë) bamirës ndaj nënës sime e nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm.

Dhe, le të jetë selami (shpëtimi) mbi mua në ditën që kam lindur dhe në ditën që do të vdes dhe në ditën që do të ringjallem!

Ky është Isai, i biri i Merjemës. Tregimi i tij është fjalë e vërtetë, për të cilën ata dyshojnë.

Për Perëndinë nuk është (as afër mendjes) të marrurit dikë për fëmijë. Qoftë lavdëruar Ai! Kur të vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: “Bëhu!” Dhe, ajo bëhet.

(Isai tha): “Dhe me të vërtetë, Perëndia, është Zoti im dhe Zoti juaj; andaj adhuronie vetëm Ate! Kjo është udha e vërtetë.

Ithtarët u përçanë në mes vete (në këtë). Mjer për ata që mohojnë, në të prezentuarit në Ditën e madhe!

E, çka do të dëgjojnë e do të shohin atë Ditë kur do të vijnë te Ne! Por, sot, zullumqarët janë në humbje të madhe!

(O Muhammed), paralajmëroji ata me Ditën e pikëllimit, kur merr fund dhënia e llogarive, e ata janë të pakujdesshëm dhe nuk besojnë.

Na, me të vërtetë, e trashëgojmë Tokën dhe gjithçka gjendet në të dhe ata do të kthehen te Ne.

(O Muhammed!) përmende në Libër (Kur’an) Ibrahimin! Ai ka qenë (njeri) i sinqertë, (dhe) pejgamber,

kur i ka thënë babës së tij: “O babai im, përse adhuron atë, që, as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as që mund të të sjellë ndonjë dobi?

O babai im, mua më ka ardhur një pjesë e dijenisë, që të ka munguar ty; andaj më paso mua dhe unë do të udhëzoj në rrugën e drejtë.

O babai im, mos adhuro djallin; me të vërtetë, djalli është i padëgjueshëm nda Mëshiruesit (Perëndisë).

O babai im, unë druaj se mos do të të vijë dënimi nga Mëshiruesi, e do të bëhesh shok i djallit”.

(Baba i Ibrahimit) tha: “O Ibrahim, ti vallë po shmangesh nga zotrat e mi? nëse nuk frenohesh nga kjo, unë do të të mbys ty me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë!”

(Ibrahimi) tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të falë ty. Me të vërtetë, Ai (Perëndia), është i mirë ndaj meje (pa masë).

Dhe, u lë juve dhe të gjithë ata që adhurojnë (tjerë zotra), pos Perëndisë; e, unë do të adhuroj Zotin tim. Shpresoj se nuk do të jetë i papranueshëm të adhuruarit e Zotit tim”.

E, kur i la ata që adhuronin (zotra tjerë), përpos Perëndisë, Na ia dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin, dhe që të dy i bëmë pejgamberë.

Dhe, Na, ata i dhuruam nga mëshira Jonë dhe bëmë që ata, me të vërtetë, të lavdërohen me mirësi.

Dhe përmende (o Muhammed!) në Libër (Kur’an), Musain! Me të vërtetë, ai ishte i sinqertë dhe ishte pejgamber, lajmëtar.

Dhe, Na, e kemi thirrë atë (Musain), në anën e djathtë të Turit, dhe e kemi afruar atë në bisedë (pa ndërmjetësim),

dhe, i dhuruam atij, nga mëshira Jonë, që vëllai i tij – Haruni të jetë pejgamber.

Dhe, përmende (o Muhammed!) në Libër (Kur’an), Ismailin! Me të vërtetë, ai plotësonte premtimin e dhënë dhe ka qenë pejgamber, lajmëtar,

dhe urdhëronte popullin e vet, që të bëjë namaz dhe të japë zeqatin dhe arriti kënaqësinë te Zoti i vet.

Dhe, përmende (o Muhammed!) në Libër (Kur’an) Idrizin; ai ka qenë (njeri) shumë i sinqertë dhe lajmëtar,

dhe Ne, e kemi ngritur atë në vend të lartë.

Këta janë ata pejgamberë, të cilëve Perëndia u dhuroi dhuntitë, nga pasardhësit e Ademit, dhe të atyre që Ne i patëm ngarkuar në anije me Nuhun e nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Israelit, që Ne i patëm udhëzuar dhe i patëm zgjedhur. Kur t’ju lexohen ajetet e Perëndisë – Mëshiruesit, bien (me fytyrë për tokë), duke bërë sexhde dhe qajnë.

E, pos tyre, erdhën breznitë (e shëmtuara), të cilat braktisën namazin dhe ndoqën epshet e veta. Ata do të hasin në të keqe (në humnerën e skëterrës),

përpos atyre që pendohen, që besojnë dhe bëjnë (vepër) të mirë! Këta do të hyjnë në xhennet dhe nuk do t’u bëhet kurrfarë dëmi,

(do të hyjnë) në xhennetin e Adnit, të cilin Mëshiruesi ua ka premtuar robërve të vet, edhe pse ende nuk e kanë parë atë (xhennetin). Me të vërtetë, premtimi i Tij është i sigurtë, -

Ata, në xhennet nuk do të dëgjojnë llomotitje. Do të dëgjojnë vetëm fjalët përshëndetëse. Ata, aty do të furnizohen, në mëngjes dhe në mbrëmje.

Ky është xhenneti që ia japim në trashëgim robërve Tanë, të cilët janë ruajtur nga mohimi.

(Xhebraili tha): “Dhe, ne, zbresim (në Tokë), vetëm me urdhërin e Zotin tënd. Atij i përket ajo që është para nesh, dhe që është pas nesh, dhe ajo që është në mes këtyre dyjave. Dhe Zoti yt nuk është i harrueshëm”.

Ai është Zoti i qiejve dhe i Tokës dhe asaj që është në mes tyre, prandaj, vetëm Ate adhuroje dhe bëhu i durueshëm në vazhdimin e lutjes së Atij. A di ti për Te ndonjë emnak!?

Njeriu thotë: “Vallë, pasi të vdes, a do të kthehem përsëri në jetë?”

A nuk e kujton njeriu se Na e kemi krijuar atë qysh më parë, e që nuk ka qenë asgjë!

Pasha Zotin tënd, Na do t’i tubojmë ata dhe djajtë, pastaj do t’i sjellim ata që të gjunjëzohen rreth xhehennemit!

Pastaj, do të ndajmë prej çdo grupi atë, që ka qenë më mendjemadh ndaj Perëndisë Mëshirues.

E, Ne pastaj më së miri e dimë se kush prej tyre ka përparësi që të fërgohet në te (xhehennem).

Dhe, nuk ka asnjë prej jush e që të mos arrijë tek ai (zjarri). Kjo është dispozitë e caktuar nga Zoti yt.

Pastaj do t’i shpëtojmë ata që kanë qenë besimtarë, e do t’i lëmë zullumqarët në të – të gjunjëzuar.

E, kur t’ju lexohen ajetet Tona të qarta, ata që nuk kanë besuar u thonë atyre që kanë besuar: “Cili grup është më i mirë për nga jeta dhe më i mirë për nga shoqëria?”

E sa e sa brezni, Ne i kemi shkatërruar para tyre, që kanë qenë më të begatshëm dhe më të pashëm!

Thuaj (o Muhammed!): “Kush është i humbur, le t’ia zgjasë (jetën) sa të dojë Mëshiruesi”. E, kur të shohin ata atë që u është premtuar atyre: ose dënimin ose Ditën e Kijametit, ata do të dinë se kush është më keq për nga pozita he më i dobët për nga shoqëria.

Perëndia ua shton udhëzimin atyre që janë në rrugën e drejtë, e veprat e mira – të qëndrueshme, janë më mirë të shpërblyera te Zoti yt dhe kanë përfundim më të mirë.

Vallë, a e ke parë atë që nuk beson në argumentet Tona dhe thotë: “Mua do të më jepet (Ditën e Kijametit) edhe pasuria edhe fëmijët”.

A, mos ai ka mësuar për atë që nuk është parë, ose ka marrë obligim te Perëndia – Mëshirues.

Kurrsesi! Na do ta shënojmë atë që flet, dhe Ne do t’ia vazhdojmë dënimin,

Na do t’ia marrim atij ate për të cilën flet (mallin dhe fëmijët), e ai ke Ne do të vijë vetëm.

Dhe, ata merrnin zotëra, përpos Perëndisë, për t’ju bërë atyre ndihmës.

Kurrsesi; do të mohojnë ata (zotërat e tyre) se mohuesit i kanë adhuruar ata dhe do t’u bëhen atyre kundërshtarë.

Vallë, a nuk ke parë ti, se Ne, kemi dërguar te mohuesit djajtë, që t’i nxisin ata në të keqe të madhe?

Andaj, mos kërko shkatërrimin e tyre të shpejtë, se, me të vërtetë, Ne ua numrojmë ditët e tyre të caktuara.

(Kujtoju atyre) kur do t’i tubojmë besimtarët te Mëshiruesi, si të ftuar,

e i shtyejmë mëkatarët në skëterrë (si grixhën e shtazëve kah burimi),

e askush – për askë, nuk do të mund të angazhohet, përveç atij që ka marrë premtim nga Mëshiruesi!

Ata thonë: “Bamirësi i Gjithmbarshëm ka marrë (për Veti) fëmijë”.

Ju, me të vërtetë, flisni diçka të shëmtuar!

Gati janë copëtuar qiejt (prej kësaj thënie), dhe Toka të shëmbet, dhe të rrëzohen malet – duke u thërrmuar,

meqë ata i përshkruajnë fëmijë Bamirësit të Gjithmbarshëm.

E, për Bamirësin e Gjithmbarshëm, është e pakuptueshme, që të ketë fëmijë.

S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë, e që të mos vijë si rob te Bamirësi i Gjithmbarshëm.

Ai, i ka përfshirë të gjithë ata dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht.

Dhe, çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kijametit, do të vijë fill i vetëm tek Ai.

Me të vërtetë, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Bamirësi i Gjithmbarshëm do t’i pajisë me dashuri (që t’i dojë Perëndia dhe që t’i duan njerëzit).

Na, me të vërtetë, e kemi bërë atë (Kur’anin) të lehtë, në gjuhën tënde, që me të, t’i sihariqosh besimtarët, dhe me të, t’i paralajmërosh njerëzit, armiqët e përbetuar.

Sa e sa brezni kemi shkatërruar Ne para tyre. Vallë, a po sheh ndonjë prej tyre, dhe a po dëgjon përshpëritjen më të vogël të tyre?
Icon