ترجمة سورة الصافات

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة الصافات باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Pasha ata (engjëjt) që janë të radhitur

dhe ata që i pengojnë (njerëzit prej mëkateve)

dhe ata që e lexojnë Kur’anin, -

në të vërtetë, Zoti juaj është një,

Zot i qiejve dhe i Tokës dhe çka gjendet mes tyre dhe Zot i lindjes (i verës dhe dimërit)!

Me të vërtetë, Ne e kemi stolisur qiellin e kësaj bote me shkëlqimin e yjeve,

dhe e mbrojmë nga çdo djall kryeneç,

që mos t’i përgjojë meleqet e lartësuar; ata (djajtë) sulmohen nga të gjitha anët,

për t’i dëbuar ata: për ta ka vuajtje të përhershme,

e ai që grabitë diçka, atë e ndjekë dritë verbuese.

Pyeti ata (o Muhammed): a është më i vështirë krijimi ityre apo të gjitha gjërat e tjera që i kemi krijuar? – Ata, i kemi krijuar nga bota (balta) ngjitëse.

Ti çuditesh (nga mohimi i atyre) e ata përqeshin,

e kur t’iu drejtohen këshilla, ata nuk i pranojnë,

dhe kur e shohin një argument, ata e nxisin njëri-tjetrin për përqeshje

dhe thonë: “Kjo s’është gjë tjetër veçse një magji e vërtetë!”

(Ata thonë): “Vallë kur të vdesim dhe të bëhemi eshtra e dhé, a thua njëmend do të ngjallemi

dhe paraardhësit tonë të lashtë?”

Thuaju: “Po, e dot ë jeni edhe të poshtëruar!”

Ky do të jetë vetëm një zë dhe të gjithë do të presim (se ç’po ndodhë)

dhe do të thonë: “Mjer për ne, kjo është Dita e gjykimit!”

(Atyre ju thuhet): “Po, kjo është Dita e gjykimit, të cilën ju e keni përgënjeshtruar!”

(Engjëjve ju thuhet): “Tuboni njerëzit e këqinj e shokët e tyre dhe ato që i kanë adhuruar

pos Perëndisë, e tregoju atyre rrugëne Ferrit;

dhe i ndalni ata, ata do të pyetën:

“Çka keni që nuk e ndihmoni njëri-tjetrin (idhujtë dhe adhuruesit e tyre)?”

Por, ata atë Ditë do të janë plotësisht të dorëzuar,

e do t’i afrohen njëri-tjetrit dhe do të bëjnë pyetje mes veti;

Do të thonë: “Ju, me të vërtetë, na keni ardhur nga ana e djathtë (e me forcë)”.

Ata do të përgjigjen: “Jo, por ju nuk keni qenë besimtarë,

e ne nuk kemi pasur kurrfarë pushteti mbi ju, por ju ishit popull i tërbuar,

andaj, u realizua fjala e Zotit mbi ne. Ne, me të vërtetë, po e shijojmë dënimin,

e, ju kemi mashtruar juve, meqë edhe ne kemi qenë të mashtruar”.

Dhe ata, atë Ditë do të jenë së bashku në mundim,

sepse, Ne kështu veprojmë me të këqinjtë.

Kur u thuhej atyre: “Vetëm Allahu është Zot!” – ata madhështoheshin,

dhe thonin (Mekkasit): “Vallë, a t’i braktisim hyjnitë tona për shkak të një poeti të marrë?”

Jo, (ai nuk është poet), por ai e ka sjellë të Vërtetën dhe i ka vërtetuar pejgamberët e mëparshëm,

e, me të vërtetë, ju do ta shijoni dënimin e dhembshëm, -

dhe do ta dënoheni ju vetëm për atë që keni bërë!

E robërit e sinqertë të Perëndisë,

do të kenë furnizim të caktuar,

pemë të ndryshme, dhe do të jenë të respektuar,

në kopshtet e dhuntive,

në kolltuqe, njëri përballë tjetrit,

do të shërbehen me pije nga burimi që do të rrjedhë gjithmonë,

(me pije) të bardhë e të shijshme për ata që do ta pijnë,

me të (verën), nuk do të trullosen dhe prej saj nuk do të dehen.

Dhe pranë tyre do të jenë gratë me shikim të ulur, e sy të bukur

sikur të jenë vezë të ruajtura.

Dhe ata do t’i qasen njëri-tjetrit e do të bisedojnë,

dhe njëri prej tyre do të thotë: “Unë kam pasur një shok (mohues),

i cili thoshte: “Vallë edhe ti je nga ata që besojnë,

që kur të vdesim e të bëhemi dhé e eshtra, me të vërtetë do të japim llogari?”

(do të thotë ai): “A doni të shikoni?”

Dhe ai do të shikojë, dhe atë do ta sheh në midis të zjarrit.

Ai thotë: “Pasha Perëndinë, për pak më shkatërrove edhe mua;

po të mos ishte dhuntia e Zotit tim, edhe unë do të isha në zjarr (bashkë me ty).

E për ne, nuk do të ketë më vdekje,

përveç vdekjes së parë, nuk do të jemi të munduar më,

kjo, me të vërtetë, është sukses i madh!

Për diçka të tillë, le të angazhohen punëtorët!

A më e mirë është kjo gjendje, apo druri zekkum.

Ne, këtë sprovë e kemi bërë për zullumqarët.

Njëmend, ky dru del nga fundi i ferrit,

fruti i tij është si koka e gjarpinjëve (djajve).

Me të vërtetë, ata do ta hanë këtë frut dhe me të do ta mbushin barkun.

Pastaj, ata do të kenë një përzierje me ujë të nxehtë (për të pirë)

e pas kësaj, me siguri, kthimi i tyre do të jetë në ferr.

Ata i kanë gjetur etërit e tyre në humbje,

prandaj, edhe ata vazhduan pas gjurmëve të tyre,

por edhe para tyre, me të vërtetë, e kanë humbur (rrugën) shumë popuj të lashtë,

Ne, me të vërtetë, u kemi dërguar atyre paralajmërues.

E, shiko se çfarë qe fundi i atyre që u paralajmëruan,

pos robërve të sinqertë të Zotit (ata nuk janë dënuar).

E Na thirri (në ndihmë) Nuhu, e Ne iu kemi përgjegjur bukur:

e kemi shpëtuar atë dhe familjen e tij prej fatkeqësisë së madhe,

duke i lënë në jetë vetëm pasardhësit e tij,

dhe u kemi lënë kujtim te brezat e tjerë;

“Përshëndetja për Nuhun qoftë në mesin e të gjithë popujve!”

Ne, me të vërtetë, kështu i shpërblejmë bamirësit.

Me të vërtetë, ai është nga robërit Tonë, besimtar.

Pastaj, i fundosëm të tjrerët (jobesimtarët).

Dhe, me të vërtetë, nga ithtarët e tij është edhe Ibrahimi,

kur Zotit të vet i erdh me zemër të pastër,

kur babait të vet dhe popullit të vet i tha: “Çka adhuroni ju?

Vallë, a dëshironi hyjni të rrejshme në vend të Allahut?

E çka mendoni ju për Zotin e gjithësisë?”

Pastaj u hodhi një shikim yjeve,

dhe tha: “Unë jam i sëmurë”.

Dhe, ata u larguan prej tij, duke e lënë pas.

Pastaj, ai u përvodh te hyjnitë e tyre dhe u tha: “A nuk po hani?

Ç’keni, përse nuk flisni?”

Ju afrua tyre tinëzisht, duke i goditur me dorë të djathtë.

Dhe ata (njerëzit) nxituan kah ai.

Ibrahimi tha: “Vallë, a i adhuroni ju ato që i keni gdhendur (putat)?

E, Perëndia u ka krijuar juve, dhe ato që i bëni ju”.

(Jobesimtarët) thanë: “Përgatitni për te një godinë (vatër) dhe hedheni atë në zjarr!”

Dhe ata dëshiruan t’i bëjnë dinakëri, por Ne i bëmë ata më të poshtëruarit.

(Ibrahimi) tha: “Unë po shkoj te Zoti im. Ai do të më udhëzojë.

O Zoti im, dhuroma një fëmijë të mirë (e të ndershëm)!”

Dhe Ne e dihariquam atë me një çun të urtë.

Dhe kur fëmija u rrit aq sa t’i ndihmojë në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të pres, çka mendon ti?” – O baba, - tha: “vepro ashtu siç je urdhëruar; njëmend do të bindesh, - nëse do Perëndia, se unë jam i durueshëm”.

Pasi e pranuan që të dy urdhërin, e rrëzoi (djalin) në krah,

Ne e thirrëm: “O Ibrahim,

ti madje e realizove ëndrrën. E, Ne, me të vërtetë, kështu i shpërblejmë bamirësit,

kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!”

Edhe Ne e zëvendësuam atë me një kurban të madh,

dhe Ne i lamë atij kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm;

“Përshëndetja e madhe qoftë mbi Ibrahimin!”

Ja, kështu, Na i shpërblejmë bamirësit,

e ai, me të vërtetë, ka qenë nga robërit Tanë besimtar,

dhe Ne e kemi sihariquar atë me Is’hakun, pejgamber prej njerëzve të mirë,

dhe Ne e bekuam atë dhe Is’hakun, por në mesin e pasardhësve të tyre ka besimtarë dhe zullumqarë të hapët për veten e vet.

Ne e kemi dhuruar Musain dhe Harunin.

Dhe i kemi shpëtuar ata, të dy dhe popujt e tyre nga mjerimi i madh,

dhe Ne i ndihmuam ata, e ata u bënë fitimtarë,

dhe u dhamë atyre Librin e qartë

dhe i udhëzuam ata dy në rrugë të drejtë

dhe Ne u lamë kujtim të mirë atyre të dyve në mesin e brezave të mëvonshme.

“Përshëndetja e madhe qoftë mbi Musain dhe Harunin!”

Ja, me të vërtetë, kështu Ne i shpërblejmë bamirësit,

e, në të vërtetë, ata dy janë nga robërit Tanë besimtarë.

Dhe, me të vërtetë, Iljasi ka qenë (njëri) prej pejgamberëve.

(Përkujtoje) kur i tha popullit të vet: “A nuk po i frikësoheni (Perëndisë)?”

Vallë, a i luteni ju Ba’lit (lloj idhulli), ndërsa e lëni Krijuesin më të mirë,

Allahun, Zotin tuaj dhe Zotin e të parëve tuaj të lashtë!”

Ata e konsideruan gënjeshtar atë dhe për këtë shkak, me siguri, do të mbeten në dënim,

pos robërve të sinqertë të Perëndisë.

Dhe Ne i lamë atij kujtim të mirë për brezat e mëvonshëm:

“Përshëndetja e madhe qoftë për Iljasin!”

Ja, kështu Ne i shpërblejmë bamirësit,

e ai, me të vërtetë, ka qenë nga robërit Tanë besimtar.

Dhe, me të vërtetë, Luti ka qenë njëri prej pejgamberëve.

(Përkujtoje) kur Ne e shpëtuam atë dhe tërë familjen e tij,

pos plakës që ka mbetur me të tjerët (të dënurarit),

pastaj i zhdukëm të tjerët,

dhe me të vërtetë, ju kaloni pranë tyre në mëngjes

dhe natën, a nuk po mendoni?

Dhe, me të vërtetë, Junusi ka qenë njëri nga pejgamberët.

(Përkujtoje) kur ai iku deri te anija e mbushur përplot,

dhe hodhi shortin (me detarët), e ai ishte njëri prej tyre që i ra shorti (të hidhet në det),

dhe peshku e përbiu atë, e ai ishte i qortuar,

dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Zotit,

me siguri do të mbetej në barkun e tij deri në Ditën e ringjalljes (së të gjithëve),

dhe Ne e hodhëm në një vend të shkretë, e ai ishte i sëmurë,

dhe Ne bëmë që të dalë një bimë kungulli (përr t’i bërë hije),

dhe Ne e dërguam atë te njëqind mijë e më tepër njerëz,

dhe ata besuan, prandaj iu dhamë jetë të këndshme deri një kohë.

E pyeti ata (o Muhammed): “Vallë, a për Zotin tënd janë vajzat e për ta djemtë,

ose Ne i krijuam engjëjt si femra, e ata ishin dëshmitarë (për këtë)?

Ja pra, ata për shkak të gënjeshtrave të veta, thonë:

“Zoti ka lindur fëmijë” - ata në të vërtetë, janë gënjeshtarë.

Vallë, a vajzat i ka zgjedhë ai para djemve?

Çka keni, si po gjykoni!?

A nuk po mendoni?!

A po, ju keni argument të qartë?

Sillni ju Librin tuaj, nëse thoni të vërtetën!

Ata (idhujtarët), kanë bërë farefisni në mes Zotit dhe engjëjve, kurse engjëjt e dinë se ata (që flasin ashtu) do të hidhen në zjarr.

lavdi Allahut, qoftë i pastër Perëndia nga ajo që ata ia përshkruajnë Atij!

Përveç robërve të sinqertë të Zotit (që e adhurojnë Atë).

Me të vërtetë, as ju as ato që i adhuroni ju,

nuk mund ta mashtroni askë kundër (Zotit),

pos atij që do të digjet në zjarr.

Çdonjëri prej nesh (engjëjve) e ka vendin e caktuar,

ne jemi ata që qëndrojmë në radhë,

dhe ne jemi ata që i lutemi Atij (Perëndisë)!

E ata (Kurejshitë), në të vërtetë, thonin:

“Sikur të kishim ne Librin që kanë pasur popujt e mëparshëm,

ne, me siguri, do të ishim robër të sinqertë të Perëndisë.

Ata e kanë mohuar Ate (Kur’anin), e së shpejti do ta dinë!

Me të vërtetë, qysh moti është ditur premtimi ynë për robërit Tanë – pejgamberët.

Ata, me të vërtetë, do të jen të ndihmuar,

dhe, me të vërtetë, ushtria jonë do të jetë fitimtare!

Andaj shmangiu atyre deri në një kohë,

dhe vëzhgojë ata, e do të vëzhgojnë edhe ata!

Vallë, a mos ata po kërkojnë shpejtimin e dënimit Tonë!

Kur t’iu bie dënimi, në mesin e tyre, mëngjesi i atyre që janë paralajmëruar është shumë i shëmtuar,

andaj, shmangu prej tyre deri një kohë,

dhe vëzhgo, e do të vëzhgojnë edhe ata!

Qoftë lavdëruar Zoti yt, Zot i madhërisë (dhe qoftë i pastër) nga ajo që ia përshkruajnë ata!

Dhe përshëndetje e madhe qoftë mbi pejgamberët,

dhe falenderimi qoftë për Allahun – Zotin e gjithësisë!
Icon