ترجمة سورة الشعراء

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة الشعراء باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Tâ, Sín, Mîm.

Këto janë ajetet e Librit të qartë!

A mos vallë ti (o Muhammed) don ta shkatërrosh veten, ngase ata nuk duan të besojnë?

Sikur të donim Ne, do të zbritnim në ta – nga qielli – një mrekulli, para së cilës, ata do të përulnin kokat e tyre.

Dhe, atyre, nuk u ka ardhur kurrfarë këshille e re prej Mëshiruesit, e që të mos jenë shmangur nga ajo.

Ata, me të vërtetë, e kanë përgënjeshtruar (këtë këshillë), andaj, do t’i arrijë ata, me siguri përfundimi i asaj, me të cilën janë tallë.

Vallë, a nuk shohin ata që në Tokë, Ne kemi bërë të mbijnë sa e sa lloje çifte bimësh të mrekullueshme?

Me të vërtetë, në këtë ka argument, por shumica e tyre (njerëzve) nuk kanë besuar,

e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe mëshirues.

(Përkujtoju atyre, o Muhammed) kur Perëndia i thërriti Musait: “Shko te populli zullumqar,

populli i Faraonit; vallë, a nuk po i druajnë ata Perëndisë?”

(Musai) tha: “O Zoti im, unë kam frikë se do të më konsiderojnë gënjeshtar,

e zemra po më ngushtohet, dhe gjuha nuk po më zhvillohet, andaj, dërgoja pejgamberllëkun edhe Harunit!

Unë jam edhe përgjegjës ndaj tyre për një gabim (mbytjen e një Kopti), andaj kam frikë se do të më vrasin.

(Perëndia) tha: “Kurrsesi! (Nuk do të vrasin, por) shkoni që të dy me argumentet Tona. Me të vërtetë, Na jemi me ju dhe dëgjojmë.

Shkoni te Faraoni dhe i thoni: “Na jemi pejgamberët e Zotit të botërave,

lejoni bijtë e Israelit që të vijnë me ne!”

(Faraoni) tha: “Vallë, a nuk të kemi rritur ne – në mesin tonë si fëmijë? Dhe, ke qëndruar në mesin tonë shumë vjet të jetës tënde –

dhe, ke punuar atë veprën (e keqe) tënde, të cilën e ke punuar, e ti madje – je edhe jomirënjohës?”

(Musai) tha: “E kam punuar atë (vepër) kur nuk kam qenë i udhëzuar (para profetnisë),

e kam ikur prej jush, ngase jam frikësuar prej jush, e Zoti im më dhuroi mençurinë dhe më bëri pejgamber.

A është mirësi ajo që po më bëni vetëm mua, ndërsa Israelitët i bëre skllavë?”

Faraoni pyeti (Musain): “E ç’është Zoti i gjithë botërave?”

(Musai) u përgjegjë: “(Ai është Allahu) Zot’i qiejve dhe i Tokës, dhe çka gjendet në mes tyre, nëse besoni?”

(Faraoni) u tha atyre rredh vetes: “Vallë, a nuk po dëgjoni ju?”

(Musai) tha: “(Ai është Allahu) Zot’i juaj dhe Zot’i të parëve tuaj”.

(Faraoni) tha: “Me të vërtetë, Pejgamberi i juaj, që u është dërguar, është i çmendur”.

(Musai) tha: “(Ai është Allahu) Zot’i lindjes dhe i perëndimit, dhe asaj që gjendet në mes tyre, nëse mendoni.

(Faraoni) tha: “Nëse ti merr për zot tjetër kë, pos meje, unë, me siguri, do të të hedhë në burg!”

(Musai) tha: “Vallë, (e bën atë) edhe pasi të kam sjellë mrekulli të qartë”.

(Faraoni) tha: “E, demonstroje pra, nëse thua të vërtetën!”

E (Musai) e lëshoi shkopin e vet (në tokë), e ai u shndërrua në gjarpër të vërtetë!

E, pastaj, nxorri dorën e vet (nga xhepi), kur ajo, u bë e bardhë para shikuesve!

(Faraoni) u tha parisë së tij, që i kishte përreth: “Ky, me të vërtetë, qenka magjistar i dijshëm,

(i cili) me magjitë e veta don t’ju dëbojë nga toka juaj, e ç’rekomandoni (ju)?”

(Ata) u përgjegjën: “Lëre këtë dhe vëllain e tij, e dërgoni nëpër qytete që t’i tubojnë,

të gjithë magjistarët e dijshëm, (e le t’i sjellin ty)”.

Dhe, u tubuan magjistarët në kohën e ditës së caktuar,

e popullit iu tha: “A jeni tubuar

që të shkojmë pas magjistarëve, nëse ata do të jenë fitues!”

E, kur erdhën, magjistarët i thanë Faraonit: “A, me të vërtetë, do të shpërblehemi ne, nëse bëhemi fitues?”

(Faraoni) u përgjegj: “Po, - do të jeni atëherë – edhe ndër të afërmit e mi”.

Musai u tha atyre: “Hudheni atë që doni ta hudhni!”

Dhe, ata hodhën konopët e tyre dhe shkopinjtë e tyre dhe thanë: “Pasha madhërinë e Faraonit, na, me të vërtetë, do të jemi fitues!”

Pastaj, Musai hodhi shkopin e tij, e (shkopi i tij) i kapërdiu përnjëherësh, ato që i patën prodhuar ata rrejshëm.

Dhe, magjistarët ranë (në tokë) duke bërë sexhde,

dhe thanë: “Na besojmë në Zotin e Gjithësisë,

Zotin e Musait dhe të Harunit!”

(Faraoni) tha: “I besuat atij para se t’ju lejoja juve! – Me të vërtetë, ai është i madhi juaj, i cili u ka mësuar juve magjitë. E, ju do ta dini – unë, në të vërtetë, do t’ju këpusë duart dhe këmbët tuaja tërthorazi dhe do t’ju var të gjithëve!

(Magjistarët) thanë: “S’ka gjë! – na do të kthehemi te Zoti ynë.

Na shpresojmë, se Zoti ynë do të na falë mëkatet tona, meqë jemi besimtarët e parë”.

Dhe, Na ia shpallëm Musait: “Ti ecë natën me robërit e Mi (besimtarët), por do të jeni të ndjekur (prej mohuesve)”.

Dhe, Faraoni dërgoi njerëz nëpër qytete, tubues (të ushtarëve):

(duke thënë): “Me të vërtetë, këta jën një grup i vogël, të cilët

na kanë pezmatuar neve,

por, ne – të gjithë jemi të gatshëm!”

Dhe, Na, i kemi dëbuar ata (Faraonin dhe shoqërinë e tij) prej kopshtijeve dhe lumenjve,

nga thesarët dhe nga pallatet e mrekullueshme.

Ja, kështu ka qenë, dhe (këtë) Na ia dhamë trashëgim bijve të Israelit.

Dhe, ata (populli i Faraonit), në mëngjez iu afruan atyre (Israelitëve),

e kur e panë njëra-tjetrën shokët e Musait thirrën: “Me të vërtetë, na zunë ushtarët e Faraonit!”

(Musai) tha: “Kurrsesi! Me të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai – ma tregon rrugën mua”.

Dhe Ne, i shpallëm Musait: “Bjeri me shkopin tënd detit!” (Ai i ra) e (deti) u nda dhe çdo pjes ëe tij u bë si kodër e madhe;

dhe Ne – atëherë, aty - i afruam ata të tjerët –

e Musain dhe të gjithë ata që ishin me të, i shpëtuam –

dhe pastaj, të tjerët i fundosëm.

Me të vërtetë, në këtë ka argument (këshillë), por shumica e tyre, nuk janë besimtarë,

e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe Mëshirues.

Dhe, tregoju atyre lajmin për Ibrahimin,

kur i tha babës së vet dhe popullit të vet: Çka adhuroni ju?

Ata u përgjegjën: “Adhurojmë idhujt, dhe përherë u jemi të prirur atyre”.

(Ibrahimi) tha: “A ju dëgjojnë ata juve kur t’ju luteni,

ose, a mund t’ju sjellin dobi apo dëm?”

U përgjegjën: “Jo, por i kemi gjetur të parët tanë që vepronin kështu”.

(Ibrahimi) tha: “E, a po vëreni ju, se ç’po adhuroni –

ju dhe të parët tuaj të lashtë?”

Me të vërtetë, ata janë armiqët e mi. E, nuk më është armik Zoti i Gjithësisë,

i cili më ka krijuar dhe më udhëheq në rrugë të drejtë,

dhe i cili më ushqen dhe furnizon me ujë,

e kur të sëmuhem, Ai më shëron,

dhe i cili do të bëjë që të vdes, e pastja do të më ringjallë,

dhe i cili, shpresoj se ma falë gabimin tim në Ditën e Kijametit!

O Zoti im, më dhuro dijeni dhe më rradhit me të mirët,

dhe bën që të përmendem për të mirë te gjeneratat e ardhshme,

dhe më bën trashëgimtar të xhennetit të dhuntive,

dhe falja mëkatet babës tim, sepse ai ka qenë njëri nga të humburit,

dhe mos më turpëro në Ditën kur do të ringjallen njerëzit,

në Ditën kur nuk do të bëjë dobi as pasuria as djemtë,

por do të bëjë (kenë) dobi (vetëm) ai që vie me zemër të pastër te Perëndia”.

Dhe, xhenneti do t’u afrohet besimtarëve,

ndërsa, xhehennemi do t’u dëftohet mohuesve,

dhe do t’ju thuhet atyre: “Ku janë ata që i adhuronit ju;

e jo Perëndinë? A mund t’u ndihmojnë aty juve, ose a mund t’i ndihmojnë edhe vetes?”

E do të hudhen në (zjarr) ata (hyjnitë e tyre), dhe mohuesit,

dhe ushtria e Iblisit, të gjithë së bashku.

Dhe, ata – në xhehennem grindeshin në mes vete e thonin:

“Pasha Perëndinë, me të vërtetë, ne kemi qenë në humbje të qartë,

kur juve (hyjnive) u kemi barazuar me Zotin e gjithësisë,

e, vetëm mëkatarët na kanë mashtruar neve,

e nuk kemi asnjë ndërmjetësues (te Perëndia)

as mik të ngushtë, -

sikur të ktheheshim përsëri (në jetë), e të bëhemi besimtarë!”

Me të vërtetë, në këtë ka argument (këshillë), por shumica e tyre, nuk janë besimtarë,

e Zoti yt, me të vërtetë është i Plotëfuqishëm dhe Mëshirues.

Populli i Nuhut, i konsideronte gënjeshtarë pejgamberët.

Kur vëllai i tyre – Nuhu u tha: “Vallë, a nuk i druani ju Perëndisë?

Me të vërtetë, unë jam pejgamber i besuar për ju,

andaj, druani Perëndisë dhe bëhuni të dëgjueshëm ndaj meje!

Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i gjithësisë,

andaj, druani Perëndisë dhe bëhuni të dëgjueshëm ndaj meje!”

Ata thanë: “Vallë, a të besojmë na ty, kur ty po të pasojnë të ulëtit?”

(Nuhu) tha: “Unë nuk di ç’kanë punuar ata,

llogaria e tyre është vetëm te Zoti im, dinie ju,

e unë nuk do t’i dëbojë besimtarët,

unë jam vetëm paralajmërues i qartë”.

Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Nuh, me siguri, do të goditesh me gurë”.

(Nuhu) tha: “O Zoti im, me të vërtetë, populli im më konsideron për gënjeshtar,

andaj, Ti – gjyko mes meje dhe atyre, dhe më shpëto mua e besimtarët që janë me mua!”

Dhe, Na, e shpëtuam atë dhe ata që ishin me të në barkën (e ngarkuar) plotë,

e pastaj, të tjerët i fundosëm.

Me të vërtetë, në këtë ka argument (këshillë), por shumica e tyre nuk janë besimtarë,

e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe Mëshirues.

Adi i konsideronte gënjeshtarë pejgamberët.

Kur vëllai i tyre – Hudi, u tha: “Vallë, a nuk i druani ju Perëndisë?

Me të vërtetë, unë jam pejgamber i besuar për ju,

andaj, druani Perëndisë dhe bëhuni të dëgjueshëm ndaj meje!

Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i gjithësisë.

A mos vallë në çdo kodrinë po ngritni ju godinë (përmendore), për t’u tallë (me kalimtarët),

dhe ngritni pallate (luksoze), thuas edo të jetoni gjithmonë,

e kur dënoni, dënoni si absolut?

Andaj, druani Perëndisë dhe bëhuni të dëgjueshëm ndaj meje!

Dhe, druani Atij, i cili u ka dhuruar juve ato që i dini:

e dhuron juve baqëti (pasuri) dhe fëmijë,

edhe kopshtije edhe burime.

Unë, me të vërtetë, druaj për ju dënimin e Ditës së madhe”.

Ata thanë: “Për ne, është njëlloj – na këshillove ti (neve), ose nuk na këshillove.

Këto janë vetëm doket e popujve të lashtë,

e ne nuk do të jemi të dënuar”.

Ata – e konsideruan gënjeshtar atë (Hudin), andaj Ne i shkatërruam ata. Me të vërtetë, në këtë ka argument (këshillë), por shumica e tyre nuk janë besimtarë,

e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe Mëshirues.

Dhe Themudi i konsideronte gënjeshtarë pejgamberët.

Kur vëllai i tyre – Salihu, u tha: “Vallë, a nuk i druani ju Perëndisë?

Me të vërtetë, unë jam pejgamber i besuar për ju,

andaj, druani Perëndisë dh bëhuni të dëgjueshëm ndaj meje!

Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i gjithësisë.

Vallë, a mendoni ju – se do të lëheni këtu të sigurtë,

në kopshtije dhe pranë burimeve,

në të lashta dhe palme hurmesh, me frute të shijshme?

E, ju po gdhendni shtëpitë në male me mjeshtri të shkathët,

andaj, druani Perëndisë dhe bëhuni të dëgjueshëm ndaj meje,

dhe mos dëgjoni urdhërat e atyre që e teprojnë në të keqe,

të cilët bëjnë ngatërresa në Tokë, e nuk përmirësojnë (asgjë)”.

Ata thanë: “Ti je vetëm njeri – nga të magjepsurit;

ti je vetëm njeri – ashtu si ne, andaj na sjell një mrekulli, nëse thua të vërtetën!”

(Salihu) tha: “Ja, kjo është devja (dokument), - për të ka pije (uji) në ditë të caktuara; e për ju – në ditë tjetër të caktuar,

dhe mos i bëni kurrfarë të keqe asaj, se ju godet dënimi i Ditës së madhe!

Por, ata – e therrën atë, e pastaj u penduan,

dhe i goditi dënimi ata. Me të vërtetë, në këtë ka argument (këshillë), por shumica e tyre, nuk janë besimtarë,

e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe Mëshirues.

Populli i Lutit i konsideronte gënjeshtarë pejgamberët.

Kur vëllai i tyre – Luti, u tha: “Vallë, a nuk i druani ju Perëndisë?

Me të vërtetë, unë jam pejgamber i besuar për ju,

andaj, druani Perëndisë dhe bëhuni të dëgjueshëm ndaj meje!

Për këtë, unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i gjithësisë.

Vallë, ju – pos botës tjetër, u qaseni mashkujve,

e i leçitni gratë tuaja, të cilat Zoti i juaj i ka krijuar për ju? Ju, me të vërtetë, jeni popull që kaloni çdo kufi të së keqes”.

Ata thanë: “Nëse nuk tërhiqesh nga këto, o Lut, me siguri do të jesh i dëbuar”.

(Luti) tha: “Unë, me të vërtetë, neveritem për atë që bëni ju!

O Zoti im, më shpëto (nga dënimi), mua dhe familjen time nga ajo që bëjnë ata!”

Dhe Ne – e shpëtuam atë dhe familjen e tij – të gjithë,

pos plakën (gruas së Lutit, e cila mbeti) me të tjerët,

e pastaj, të tjerët i shkatërruam

dhe në ta lëshuam shi (të tmerrshëm – gurësh), e sa shi i shëmtuar që është ai, për ata që janë paralajmëruar!

Me të vërtetë, në këtë ka argument (këshillë), por shumica e tyre nuk janë besimtarë,

e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe Mëshirues.

(Edhe) banorët e Ejketit – i konsideronin gënjeshtarë pejgamberët.

Kur Shuajbi, u tha atyre: “Vallë, a nuk i druani ju Perëndisë?

Me të vërtetë, unë jam pejgamber i besuar për ju,

andaj, druani Perëndisë dhe bëhuni të dëgjueshëm ndaj meje!

Për këtë unë nuk kërkoj nga ju kurrfarë shpërblimi, mua do të më shpërblejë vetëm Zoti i gjithësisë.

Plotësonie matjen dhe mos u bëni nga ata që mungojnë (në matje)

dhe peshoni me terezi të drejtë,

dhe mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre, dhe mos bëni ngatërresa në Tokë,

dhe druani Atij, që u ka krijuar juve dhe gjeneratat e mëparshme!

Ata thanë: “Ti je vetëm njeri – nga të magjepsuarit,

edhe ti je – vetëm njeri, si ne. Na ty, me të vërtetë, të konsiderojmë gënjeshtar;

andaj, lëshoje mbi ne – një copë nga qielli (si dënim) nëse thua të vërtetën!

(Shuajbi) tha: “Zoti im, di më së miri atë që punoni ju”.

Dhe, ata vazhduan ta përgënjeshtrojnë atë, e i goditi ata dënimi i resë (së tmerrshme), me të vërtetë, ky ishte dënimi i një Ditës së madhe.

Me të vërtetë, në këtë ka argument (këshillë), por shumica e tyre nuk janë besimtarë,

e Zoti yt, me të vërtetë, është i Plotëfuqishëm dhe Mëshirues.

Dhe me të vërtetë, ai (Kur’ani), është Shpallja e Zotit të gjithësisë,

atë e ka sjellë Shpirti i besueshëm (Xhebraili)

në zemrën tënde që të bëhesh nga ata që paralajmërojnë,

në gjuhën e qartë arabe.

Dhe, me të vërtetë, ai (Kur’ani) është përmend në librat e (pejgamberëve) të mëparshëm, -

vallë, a nuk ka qenë dëshmi për ta (ajo) – atë që e kanë ditur dijetarët e bijve të Israelit?

E, sikur t’ia shpallnim atë (Kur’anin) edhe ndonjë joarabi,

e t’jua lexonte ai – ata përsëri nuk do të kishin besuar.

Ja kështu, Na – ua kemi shpie (mohimin) në zemrat e mëkatarëve,

ata, nuk do të besojnë atë, përderisa të mos e shijojnë dënimin e dhembshëm,

e do t’ju vie (dënimi) atyre papritmas, e ata nuk do ta hetojnë (ardhjen e dënimit),

e do të thonë: “A do të na jepet afat?”

A mos vallë, ata – po e shpejtojnë dënimin Tonë!?

E, çka mendon ti, nëse Ne u japim atyre, që të kënaqen disa vjet,

e pastaj, t’i godet ata, ajo që u është premtuar (dënimi),

nuk do t’ju vlejë asgjë atyre, ajo, me të cilën janë kënaqur.

E, Ne – nuk e kemi shkatërruar asnjë vendbanim e që të mos ketë pasur paralajmërues –

këshillë për ta (që të kthehen në rrugën e drejtë); e Ne – nuk kemi qenë të padrejtë.

Atë (Kur’anin) nuk e kanë sjellë djajtë,

as që u përket ai – atyre, as që mundën atë,

ata (djajtë), me të vërtetë, janë të larguar nga të dëgjuarit (e Shpalljes).

Andaj, pos Perëndisë mos adhuro tjetër zot, e të bëhesh nga ata që do të dënohen!

Dhe, paralajmëroje farefisin tënd më të afërm,

dhe bënu i butë ndaj besimtarëve, që të pasojnë ty!

E, nëse nuk të dëgjojnë ty, thuaju: “Unë jam i pastër nga ato që punoni ju”.

Dhe, mbështetu në të Plotëfuqishmin dhe Mëshiruesin,

i cili të sheh kur ti rri në këmbë (në namaz)

dhe (i cili sheh) përkuljen tënde në mesin e atyre që bëjnë sexhde,

sepse, Ai – me të vërtetë, i dëgjon të gjitha dhe di të gjitha.

A doni t’ju tregoj se kujt i vjen djalli?

Ata, i vijnë çdo gënjeshtari, mëkatari,

ata përgjojnë, - e të shumtën (e rasteve) janë gënjeshtarë.

E, vjershëtarët – i pasojnë të humburit.

Vallë, a nuk sheh ti, që ata bredhin në çdo luginë (lëshohen në gjithëfare lloj bisedash)

dhe që flasin atë që nuk e punojnë,

pos atyre (vjershëtarëve) që kanë besuar, që punojnë vepra të mira, e përmendin shumë Perëndinë e që ndihmohen – pasi u është bërë padrejtësi. E, me të vërtetë, zullumqarët – do ta dinë se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes).
Icon