ترجمة سورة القصص

Hasan Efendi Nahi - Albanian translation
ترجمة معاني سورة القصص باللغة الألبانية من كتاب Hasan Efendi Nahi - Albanian translation .


Tâ, Sín Mím.

Këto janë ajetet e Librit të qartë!

Na do të tregojmë ty disa lajme mbi Musain dhe Faraonin, ashtu siç ka qenë me të vërtetë, dhe këtë – për ata që besojnë.

Me të vërtetë, Faraoni është madhështuar në Tokë dhe banorët e tij i ka në grupacione (shtresa shoqërore); disa prej tyre i ka shtypur – ua mbyste fëmijët mashkuj, e femrat e tyre ua linte në jetë. Ai, me të vërtetë, ka qenë ngatërrestar.

Na kemi dashur t’u bëjmë mirësi atyre që kanë qenë të shtypur në Tokë, e t’i bëjmë udhëheqës ata dhe t’i bëjmë trashëgimtar (të pushtetit të Faraonit),

dhe t’ua mundësojmë atyre vendosjen në Tokë dhe t’jua tregojmë Faraoit, Hamanit dhe ushtrisë së tyre mu atë prej së cilës frikësoheshin ata.

Dhe, Na, e kemi inspiruar nënën e Musait: “Jepi gji, e kur të frikësohesh (për jetën e tij) hudhe në det (lumi Nil) dhe mos u frikëso (se do të mbytet), as mos u hidhëro; Na, me të vërtetë, do ta bëjmë Pejgamber”.

Dhe, familja e Faraonit, e përvetësoi ate, - e që një ditë – t’u bëhet armik dhe katastrofë e tyre. Me të vërtetë, Faraoni e Hamani dhe ushtria e tyre, kanë qenë mëkatarë.

Dhe gruaja e Faraonit tha: “Ky, do të jetë gëzimi im dhe i yti! Mos e mbytni, ndoshta do të na sjellë dobi, ose ta përvetësojmë për djalë”. E, ata, nuk e parandien përfundimin.

Dhe zemra e nënës së Musait mbeti e zbrazët (nga çdo gjë, pos kjtimit të djalit të saj). Dhe, gati që e zbuloi, sikur mos t’ia kishim forcuar Ne zemrën e saj, që të jetë njëra nga besimtaret (që beson, se premtimi i Perëndisë do të realizohet) –

Dhe, ajo i tha, motrës së atij: “Shko pas tij (fëmijës)!” dhe, ajo e vërejti anash (nga largësia), e ata nuk e hetonin.

E, Na ia kemi pasë ndaluar mëndeshat (gruaja që i jep gji fëmijës së huaj), Musait, e ajo (motra e Musait) tha: “A doni t’ju gjejë një familje, e cila do të kujdeset për të, duke ia dashur të mirën atij?”

Dhe, Na e kthyem atë – te nëna e vet, që të gëzohet e të mos pikëllohet, dhe që të dijë se premtimi i Perëndisë është i sigurtë, por, shumica e njerëzve nuk e dinë.

Dhe, kur ai – arriti moshën madhore dhe u zhvillua, Na i dhamë atij mençuri dhe dijeni. Kështu, Na i shpërblejmë bamirësit.

Dhe, Musai hyri në qytet, pa u hetuar nga banorët e tij – dhe në të, hasi dy njerëz që rriheshin. Njëri ishte nga grupi i tij, e tjetri nga grupi i armikut. E, i kërkoi ndihmë ai – i grupit të tij kundër atij të popullit armik. Dhe Musai i ra grusht atij dhe e mbyti (Musai) tha: “Kjo është punë e djallit! Ai, me të vërtetë, është armik – ngatërrestar i qartë!

(Musai) tha: “O Zoti im! Unë me të vërtetë, i kam bërë zullum vetvetes, andaj më fal!” – dhe Ai e fali. Me të vërtetë, Ai është falës e mëshirues.

(Musai) tha: “O Zoti im! Pasha të mirat që m’i ke dhuruar, unë nuk do të bëhem ndihmës i të këqinjëve!”

Dhe Musai – u zgjua i frikësuar në qytet, duke pritur se ç’do të nodhë kur që – ia behi ai, që dje e kishte thirrë në ndihmë, e që përsëri – e thirri në ndihmë. Musai i tha: “Ti, me të vërtetë, je ngatërrestar!”

Dhe, kur deshi të sulmojë (Musai), atë që ishte armik i të dyve, i tha ai (israeliti) se po e qëllon atë: “O Musa, a don të më mbytësh mua siç e mbyte dje njeriun? Ti dëshiron të bëhesh vetëm dhunues në tokë, e nuk dëshiron të bëhesh nga ata që mbajnë rregull”.

Dhe një njeri, erdhi, duke nxituar prej skajit të qytetit, e tha: “O Musa, paria po konsultohen për me të mbytur ty; andaj dil, se unë për ty – jam këshillues i sinqertë”.

E, doli prej tij (Egjiptit) i frikësuar, duke pritur se ç’do të ndodhë. Tha (Musai): “O Zoti im, më shpëto prej populli zullumqarë!”

Dhe, kur u nis kah Medjeni, ai tha: “Shpresoj se Zoti im do të më tregojë rrugën e drejtë!”

E, kur arriti tek uji i Medjenit, hasi rreth tij shumë njerëz, që u jepnin ujë kafshëve. E përveç tyre, vërejti dy vasha që i pengonin kafshët e veta (të pinin ujë). Ai (Musai) tha: “Ç’është me ju?” Ato thanë: “Na, nuk u japim ujë, derisa të mos shkojnë barinjtë, e babën e kemi fort plak”.

E, Musai – u dha ujë kafshëve të atyre vashave, e pastaj u kthye te një hije (e lisit) dhe tha: “Zoti im çfarëdo dhuntie që të më japësh, unë jam nevojtar!”

Dhe, njëra nga ato dyja, erdhi pastaj, duke u turpëruar dhe tha: “Me të vërtetë, të thërret babai im që të shpërblejë ty, për atë që u ke dhënë ujë shtazëve tona. E, kur erdhi te Shuajbi dhe i tregoi çka ka përjetuar, ai (Shuajbi) tha: “Mos u frikëso, meqë ke shpëtuar prej popullit zullumqar!

O babai im, - tha njëra nga ato dyja – “merre këtë njeri në shërbim, se – me të vërtetë, i forti dhe i besueshmi, është më i mirë që ta marrësh në shërbim”.

(Shuajbi) tha: “Unë dua që të jap njërën prej këtyre dy vashave të mia, por që të më shërbesh mua tetë vjet; e nëse i plotëson dhjetë vjet (shërbim), ajo është prej të mirës (nderës) tënde, e unë nuk dëshiroj të shkaktoj vështirësi ty. Ti do të gjesh (shohësh) – në dashtë Zoti, se jam prej të mirëve”.

(Musai) tha: “Le të jetë kështu ajo, në mes meje dhe teje. Cilindo afat prej këtyre dyve ta plotësoj, nuk do të mund të më bëhet vërejtje. E, Perëndia është mbikëqyrës për atë që folëm”.

Kur Musai e plotësoi afatin e caktuar dhe u nis me familjen e vet, vërejti një zjarr në anën e (malit të) Turit. I tha familjes së vet: “Pritni! Me të vërtetë, kam vërejtur një zjarr. Shpresoj se do t’ju sjelli një lajm (për orientim të rrugës), ose një un të zjarrit, për t’u nxehur ju”.

E, kur erdhi tek ai (zjarri), u thirr nga ana e djathtë (begatshëm) e luginës – prej lisit, në visin e bekuar: “O Musa, me të vërtetë, Unë jam Perëndia, Zoti i gjithësisë!

Dhe, hudhe shkopin tënd!” Kur e hodhi atë dhe e pa se po lëvizë shpejt, sikur të ishte gjarpër, u zmbraps me të shpejtë e nuk u kthye (të shikojë pas). “O Musa! Afrohu dhe mos u friko! Me të vërtetë, ti je nga ata, që janë të mbrojtur.

Fute dorën tënde në xhepin e krahërorit – do të paraqitet e bardhë, pa të meta. Dhe, kështu, përmbaju prej frikës! Këto janë dy argumente prej Zotit tënd te Faraoni dhe paria e tij; ata, me të vërtetë janë popull i korruptuar!”

(Musai) tha: “O Zoti im, unë, me të vërtetë, e kam mbytur një njeri të tyre, prandaj frikoj se do të më mbysin.

E, vëllai im Haruni, është më i zhdërvjelltë se unë – në të folur, andaj dërgoje me mua atë, si ndihmës timin, që t’i vërtetoj fjalët e mia. Unë, me të vërtetë, frikohem se ata do të më quajnë gënjeshtar”.

(Perëndia) tha: “Na të forcojmë ty me vëllaun tënd dhe që të dyve do t’ju japim pushtet; e ata, nuk do të mund t’ju afrohen juve (me qëllim të keq); me argumentet Tona, ju dy dhe ata që do t’ju pasojnë, do të jeni fitues”.

Dhe kur Musai u solli argumentet Tona të qarta, ata thanë: “Kjo është vetëm magji e trilluar, dhe ne nuk kemi dëgjuar këtë prej baballarëve tanë”.

E, Musai tha: “Zoti im e di mirë atë që i sjell udhëzimet prej tij dhe atë, që do ta ketë mbarimin e mirë; e me të vërtetë, mohuesit nuk do të shpëtojnë.

Dhe, Faraoni tha: “O parësi, unë nuk di që për ju ka tjetër zot përveç meje, e ti, o Haman (ministër i Faraonit), m’i pjek qerpiqtë dhe ma ndërto godinën e lartë që të ngritem te zoti i Musait, meqë, unë – atë e konsideroj për gënjeshtar!”

Dhe, u madhështua ai dhe ushtria e tij në tokë pa kurrfarë të drejte dhe mendonin se nuk do të kthehen te Ne.

E, Na e dënuam atë dhe ushtrinë e tij dhe i hodhëm në det, andaj shiko, si qe fundi i zullumqarëve!

E, i kemi pasë bërë udhëheqës, që thirrnin në atë që shpie në zjarr; e në Ditën e Kijametit nuk do të ndihmohen.

Dhe Na – i kemi përcjellë ata në këtë jetë, me mallkim, e në Ditën e Kijametit do të jenë të keqtrajtuar.

Na, me të vërtetë, ia kemi dhënë Musait Librin pasi i kemi shkatërruar popujt e lashtë, që të jetë dritë për njerëzit dhe udhëzim e mëshirë – për t’u këshilluar ata.

Dhe ti (o Muhammed!) nuk ke qenë në anën perëndimore (të Turit), kur Ne ia besuam Musait profetninë dhe ti nuk ishe dëshmitar (i kësaj ngjarjeje).

Por, Ne kemi krijuar shumë gjenerata e ka kaluar një kohë e gjatë. E, ti – nuk ke qëndruar në mesin e banorëve të Medjenit, që t’ju lexosh (Mekkasve) argumentet Tona, por Ne t’i kemi dërguar ty (lajmet e këtyre mrekullive).

Dhe, ti nuk ke qenë pranë Turit, kur Na e kemi thirrë (Musain), por (të kemi dërguar ty) nga mëshira e Zotit tënd për t’i paralajmëruar njerëzit, të cilëve nuk u ka ardhur kurrfarë paralajmëruesi para teje, për t’u këshilluar ata,

dhe, që të mos thonë kur t’i godas dënimi, për atë që kanë bërë: “O Zoti ynë, të na kishe dërguar pejgamber që t’i pasojmë argumentet Tuaja dhe të bëhemi besimtarë.

Pasi që u erdhi e Vërteta prej Nesh, thanë ata (arabët): “Sikur t’ju kishte dhënë (Muhammedit) diçka e ngjashme siç i është dhënë Musait!” Vallë, a nuk e mohuan ata – atë që iu kishte dhënë Musait më parë? Ata kanë thënë: “Këto janë dy magji (Teurati dhe Kur’ani), që ndihmohen reciprokisht”. Dhe, (Mekkasit) thanë: “Na, nuk besojmë në asnjërën”.

Thuaju atyre: “Sillni një libër nga Perëndia, i cili udhëzon më mirë nga këta të dy (Teurati dhe Kur’ani), unë do të pasoj atë, nëse thoni të vërtetën!”

E nëse ata nuk të përgjegjen ty, dije se ata ndjekin vetëm pasionin e vet. E, kush vallë, ka humbur më tepër se ai që ndjek pasionin e vet, pa udhëzim prej Perëndisë? Perëndia, me të vërtetë, nuk e udhëzon popullin zullumqarë.

Na, ua dërgojmë atyre fjalët njërën pas tjetrës (Kur’anin), për t’u këshilluar ata.

Atyre që Ne ua kemi dhënë Librin para tij (Kur’anit), ata i besojnë atij,

dhe, kur t’ju lexohet atyre (Kur’ani), ata thonë: Ne e besojmë atë. Me të vërtetë, ai (Kur’ani) është (i zbritur) nga Zoti ynë. Na – edhe më parë kemi qenë muslimanë”.

Atyre do t’u jepet shpërblimi i dyfishtë, meqë kanë duruar dhe që të keqen e kthejnë me të mirë – dhe ndajnë nga ajo që u kemi dhënë Ne;

e kur të dëgjojnë ndonjë marrëzi, shmangen prej saj dhe thonë: “Veprat tona janë për ne e veprat tuaja janë për ju; paqa qoftë mbi ju (lamtumirë!) Na nuk duam shoqëri me të padishmit (xhahilat)”.

Ti (o Muhammed), me të vërtetë, nuk mund ta udhëzosh (në formë imponuese) në rrugën e drejtë, atë që dëshiron ti, - por Perëndia e udhëzon (në të gjitha normat). Ai, i di më së miri ata që janë të udhëzuar.

Dhe ata thonë: “Nëse ne – me ty ndjekim rrugën e drejtë (islamizmin), shpejt do të jemi të dëbuar nga vendlindja”. Vallë, a nuk u kemi dhënë rast Na – atyre, që të qëndrojnë në vendin e shenjtë dhe të sigurtë, ku – sillen frytet e llojllojshme – ushqim prej Nesh; por, shumica e tyre nuk e dinë.

E, sa e sa fshatra e qytete i kemi zhdukur Ne, banorët e të cilëve kanë bërë jetë të shfrenuar! Ja, shtëpiat e tyre (të shkretëruara), të cilat, nuk janë banuar pas tyre – vetëm pak kohë, dhe Ne kemi qenë trashëgimtarë.

Dhe, Zoti yt – kurrë nuk i ka shkatërruar vendbanimet, para se t’u dërgojë pejgamber në kryeqytetin e tyre, i cili ju ka treguar argumentet Tona. Dhe, Ne – kurrë nuk i kemi shkatërruar vendbanimet, por vetëm kur banorët e tyre kanë qenë zullumqarë.

Çdo gjë që ju është dhënë juve, ajo është kënaqësi e kësaj jete dhe stoli e saj, e ajo që është te Perëndia, ajo është më e mirë dhe më e përhershme. Vallë, a nuk po mendoni ju?

Si mund të jetë i njëjtë ai, të cilit i kemi premtuar shpërblim të mirë, e ai do ta arrijë atë dhe atij që i kemi dhënë kënaqësi në jetën e kësaj bote, e i cili pastaj, në Ditën e Kijametit, do të gjendet në zjarr?

(Dhe, kujtoju o Muhammed!) Ditën, kur do t’i thirrë (Perëndia) ata dhe u thotë: “Ku janë ata që ju i konsideronit për shokë të Mi?”

Do të thonë ata, te të cilët është sendërtuar fjala (Jonë), O Zoti ynë, këta jën ata, që na i kemi zhgënjyer, - e i kemi zhgënjyer ata, ashtu siç kemi qenë edhe ne të zhgënjyer. Na heqim dorë prej tyre te Ti; ata nuk na kanë adhuruar neve”.

Dhe, do t’u thuhet atyre: “Thirrni hyjnitë tuaja! E, ata do t’i thirrin ato, por ato nuk do t’ju përgjigjen (atyre). E, do ta shohin dënimin. Sikur të kishin qenë në rrugën e drejtë, (nuk do të kishin përjetuar dënimin)!

(Dhe, kujtoju o Muhammed!) Ditën kur do t’i thirrë (Perëndia) ata dhe u thotë: “Ç’ju keni përgjegjur pejgamberëve?”

Atë ditë, atyre lajmet do t’u jenë memece (të shurdhëta); e ata nuk do të mund të pyesin njëri-tjetrin (asgjë).

E, ai që pendohet, e beson dhe punon vepra të mira, do të jetë nga të shpëtuarit.

Dhe, Zoti yt krijon ç’të dojë dhe Ai zgjedh; e, ata (adhuruesit e idhujve), nuk mund të zgjedhin. Qoftë i falenderuar Perëndia dhe larg nga ato që i përshkruhen Atij për shok!

Dhe, Zoti yt, di çka fshehin zemrat e tyre, e çka shprehin ata.

Dhe, Ai është Perëndia! S’ka zot tjetër përveç Tij! Për Te është falenderimi në këtë jetë dhe në tjetrën! Për Te është vendimi (për çdo fjalë) dhe tek Ai – do të ktheheni.

Thuaju (o Muhammed!): “Çka mendoni ju, nëse Perëndia ua bënë natën të përhershme deri në Ditën e Kijametit, cili zot – pos Perëndisë, do t’ua sillte dritën? Vallë, a nuk po dëgjoni ju?”

Thuaju (o Muhammed!): “Çka mendoni ju nëse Perëndia ua bënë ditën të përhershme deri në Ditën e Kijametit, cili zot – pos Perëndisë, do t’ua sjellë natën, në të cilën qetësoheni ju? Vallë, a nuk po shihni ju?

Dhe prej mëshirës së Tij, ua ka bërë juve natën dhe ditën, që të qetësoheni në të dhe të kërkoni nga dhuntitë e Tij, - dhe që ju të jeni mirënjohës”.

Dhe (kujtoju) Ditën kur i thërret (Perëndia) dhe u thotë: “Ku janë ata që ju i konsideronit për shokë të Mi?”

Dhe, Ne, prej çdo populli do të sjellim nga një dëshmitar e do të themi: “Paraqitni argumentet tuaja!” Ata do ta dinë se e vërteta është (vetëm) e Perëndisë, e do të humbin ato që i trillonin ata.

Me të vërtetë, Karuni ka qenë nga populli i Musait, por që ai (Karuni) i eksploatoi ata. E, Ne, i patëm dhënë atij aq thesar – saqë çelësat e tyre vështirë do të mund t’i bartin një grup njerëzish të fuqishëm. (Kujtoje ti, o Muhammed!) kur njerëzit e popullit të tij, i thanë (Karunit): “Mos u shfreno (me pasuri) Perëndia, me të vërtetë, nuk i do ata që shfrenohen!

Dhe, kërko ti jetën e botës së ardhshme me atë që të ka dhënë Perëndia, e mos harro pjesën tënde në këtë botë. Bënu mirë të tjerëve ashtu si të ka bërë ty mirë Perëndia. Mos kërko ngatërresa në Tokë! Me të vërtetë, Perëndia nuk i do ngatërrestarët”.

Ai (Karuni) tha: “Kjo më është dhënë vetëm në bazë të dijenisë sime”. E, vallë, a nuk e di ai, se Perëndia i ka zhdukur shumë brezni para tij, të cilët kanë qenë më të fuqishëm dhe që patën grumbulluar më shumë se ky. Dhe, njerëzit e këqinj, as që do të pyeten për arsyetimin e mëkatëve të tyre.

E, doli ai (Karuni) para popullit të vet me shkëlqimin (salltanatin) e tij. E, thanë ata që lakmonin jetën e kësaj bote: “Ah! sikur të na ishte dhënë edhe neve si Karunit! Ai, (me të vërtetë), ka fat të madh”.

E, njerëzit e dijshëm thonin: “Mjerë për ju! Shpërblimi i Perëndisë është më i mirë për atë që beson dhe punon vepra të mira, e do t’u jepet ky (shpërblim) vetëm të durueshmëve”.

Dhe Ne, e kemi fundosë atë (Karunin) dhe shtëpinë e tij në tokë, dhe askush nuk ka mund t’i ndihmojë atij nga dënimi i Perëndisë, e as që ka mund të mbrohet (prej dënimit të Perëndisë).

E, ata, që më parë dëshironin të jenë në pozitën e tij, thoshin: “Ububu! Po duket se Perëndia, me të vërtetë, i jep bollëk kujt të dojë prej robërve të Tij dhe ia mungon (kujt të dojë). Sikur Perëndia të mos na kishte bërë dhunti neve, me të vërtetë, do të na kishte fundosë. Ububu! (po duket se) me të vërtetë, mohuesit nuk kanë shpëtim!”

Atë shtëpinë e botës tjetër, Na do ta bëjmë për ata që nuk dëshirojnë madhështi e as ngatërresa në Tokë. E, përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqiat.

Kush bënë një të mirë, për te ka shpërblim më të mirë (se atë që ka punuar). E, ai që bën një të keqe, ai dënohet vetëm aq sa e meriton vepra e tij.

Me të vërtetë, Ai që ta ka shpallë ty Kur’anin, do të kthejë ty në vendin që të është premtuar. Thuaj: “Zoti im di më së miri kush ka ardhur me udhëzim të drejtë, e kush është në humbje të plotë.

Ti nuk ke shpresuar se do të dërgohet Libri (Kur’ani), përveç mëshirës nga Zoti yt (të është shpallë ty); andaj, kurrsesi mos iu bënë ndihmës mohuesve!

Dhe, kurrsesi – le të mos pengojnë ty (ata) prej ajeteve të Perëndisë, pasi që të janë shpallur ty! Lutju Zotit tënd eh kurrsesi mos u bënë prej idhujtarësh!

Dhe, mos adhuro – pos Perëndisë, zot tjetër! S’ka zot tjetër përveç Tij! Çdo gjë, pos Tij, është e destinuar të shkatërrohet! Për Te është gjykimi dhe tek Ai është kthimi!
Icon