ترجمة سورة الحجر

الترجمة الألبانية
ترجمة معاني سورة الحجر باللغة الألبانية من كتاب الترجمة الألبانية .
من تأليف: حسن ناهي .

Elif Lâm Râ. Këto janë vargjet e Librit, të Kuranit të qartë!
Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin myslimanë.
Lëri ata që të hanë e të kënaqen dhe le t’i mashtrojë shpresa; ata do ta marrin vesh!
Ne nuk kemi zhdukur asnjë vend, pa i ardhur koha e caktuar.
Asnjë popull nuk mund as ta shpejtojë, as ta ngadalësojë afatin (e shkatërrimit të vet).
Ata (idhujtarët) thonë: “O ti që të është shpallur Këshilla (Kurani), ti je vërtet i marrë!
Përse nuk na sjell engjëjt, nëse ajo që thua është e vërtetë?”
Ne i dërgojmë engjëjt vetëm me shpallje dhe dënim e atëherë (të dënuarve) nuk u jepet afat për të pritur.
Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.[160]
____________________
[160] Ky varg na tregon se Zoti është mbrojtës i Kuranit Fisnik deri në Ditën e Kiametit. Ne e shohim se si ka vazhduar dhe po vazhdon porosia e Profetit a.s., kur ka thënë: “Unë ju kam lënë juve Kuranin dhe fjalët (hadithet) e mia. Mbështetuni në to, se kurrë nuk do të humbni.” Edhe në këtë kohë, kur dijetarët e njohur myslimanë të botës, i pyesin për një çështje, ata duhet të përmendin një varg kuranor ose një hadith, në bazë të të cilëve jepet përgjigjja. Anasjelltas, nëse përgjigjen pa përmendur një varg kuranor ose hadith, fjalët e tyre nuk e kanë vlerën e duhur. Dijetarët e botës islame kanë për detyrë t’i studiojnë vargjet e Kuranit dhe hadithet, në mënyrë që të mos imitojnë dhe kopjojnë askënd, sepse imitimi dhe kopjimi urrehen në Fenë Islame (përkthyesi).
Ne u kemi çuar të dërguar edhe para teje, sekteve të mëparshme.
Por ata talleshin me çdo të dërguar që u vinte.
Ja, kështu Ne e bëjmë mohimin të futet në zemrat e gjynahqarëve.
Ata nuk e besojnë atë[161], me gjithë shembujt e popujve të kaluar.
____________________
[161] Muhamedin (a.s.).
Edhe sikur Ne të hapnim një derë të qiellit dhe të ngjiteshin nëpër të,
ata me siguri që do të thoshin: “Sytë tanë kanë qenë të shushatur, madje na kanë magjepsur”!
Ne kemi krijuar yjësi në qiell dhe e kemi zbukuruar atë për shikuesin.
Ne e ruajmë atë (qiellin) nga çdo djall i mallkuar[162],
____________________
[162] Allahu e ruan qiellin me yje, që djajtë të mos dëgjojnë lajmet që përcjellin engjëjt për çfarë do të ndodhë në Tokë.
përveç ndonjërit që dëgjon vjedhurazi e të cilin e arrin një yll i këputur me flakë të dukshme.
Dhe Tokën e kemi shtrirë e nëpër të kemi shpërndarë male të patundura. Ne kemi bërë që në tokë të rritet çdo gjë në përpjesëtim.
E aty kemi bërë mjetet e jetesës për ju dhe për ata që nuk i mbani ju.
Nuk ka asnjë send që të mos gjenden tek Ne thesaret e tij; por prej tij Ne japim me masë të caktuar.
Ne i dërgojmë erërat për pllenim dhe zbresim nga qielli ujë, prej të cilit ju japim të pini e të cilin nuk mund ta depozitoni dot.
Në të vërtetë, vetëm Ne e japim jetën dhe e sjellim vdekjen dhe vetëm Ne jemi trashëgimtarët (e gjithçkaje).
Vetëm Ne i dimë ata që kanë qenë para jush dhe vetëm Ne i dimë ata, që do të vijnë pas jush.
Sigurisht që Zoti yt do t’i tubojë ata të gjithë; Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.
Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë,
kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym.
Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej baltës së thatë të marrë nga balta e zezë pa formë.
Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim[163], ju t’i përuleni atij në sexhde”,
____________________
[163] “t’i fryj prej shpirtit Tim”: pra, prej shpirtit të krijuar nga Allahu posaçërisht për njeriun. Shpirti i njeriut është krijesë e Allahut dhe jo pjesë e Qenies së Tij Hyjnore.
Të gjithë engjëjt së bashku iu përulën atij në sexhde,
përveç Iblisit. Ai nuk pranoi t’u bashkohej atyre që bënë sexhde.
Allahu i tha: “O Iblis, ç’pate ti që s’u bashkove me ata që u përulën?”
Iblisi tha: “Unë nuk i përulem një vdekatari që Ti e ke krijuar nga balta e thatë e marrë prej baltës së zezë pa formë”.
Allahu tha: “Atëherë, dil prej Xhenetit! Ti je vërtet i mallkuar!
Le të jetë mallkimi mbi ty deri në Ditën e Kiametit”!
Iblisi tha: “Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen!”
Zoti tha: “Sigurisht që do të të jepet afat
deri në një ditë të caktuar."[164]
____________________
[164] Sipas komentuesve të Kuranit, kjo ditë mund të jetë dita kur i fryhet Surit për herë të parë, për të lajmëruar shkatërrimin e të gjithë krijesave ose një ditë tjetër të cilën e di vetëm Allahu.
Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim,
përveç robërve të Tu të sinqertë”.
(Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë.
Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.”
Pa dyshim, Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata.
Ai ka shtatë dyer e për çdo derë do të ketë një pjesë të caktuar.
Vërtet, punëmirët do të jenë në kopshtet e Xhenetit pranë burimeve.
Atyre do t’u thuhet: “Hyni atje me paqe dhe siguri”!
Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.
Aty nuk do t’i mundojë lodhja e prej aty kurrë nuk do të dëbohen.
Lajmëroji robërit e Mi (o Muhamed) se, vërtet, Unë jam Falësi i madh, Mëshirëploti,
dhe se dënimi Im është vërtet dënimi i dhembshëm!
Tregoju atyre edhe për mysafirët e Ibrahimit!
Ata shkuan tek ai dhe i thanë “Paqe!”, por ai tha: “Në të vërtetë, Ne kemi frikë nga ju.”
Ata thanë: “Mos u frikëso, se ne po të sjellim një lajm të mirë! Ti do të kesh një djalë të dijshëm”!
Ibrahimi tha: “Po ma sillni këtë lajm të mirë, edhe pse më ka goditur pleqëria?! Mbi ç’bazë po ma sillni këtë lajm?”
Ata u përgjigjën: “Ne ta japim lajmin e mirë me vërtetësi, prandaj mos u bëj shpresëhumbur!”
Ibrahimi tha: “E kush mund ta humbë shpresën nga mëshira e Zotit të vet, përveç atyre që janë të humbur”?!
Ai i pyeti: “Cili është qëllimi juaj, o të dërguar?”
(Ata) thanë: “Ne jemi dërguar te një popull keqbërës (për ta shkatërruar të gjithin),
përveç familjes së Lutit. Ne do t’i shpëtojmë të gjithë ata,
përveç gruas së tij; për atë Ne kemi caktuar si dënim që të mbetet pas me të tjerët.”
Dhe, kur të dërguarit erdhën te Luti,
ai tha: “Unë nuk ju njoh ju!”
Ata thanë: “Jo, ne të kemi sjellë atë, në të cilën ata dyshojnë,
të kemi sjellë të vërtetën, prandaj të jesh i sigurt se ajo që të themi, do të bëhet.
Nisu me familjen tënde në një kohë të natës, shko pas tyre e askush prej jush të mos shikojë prapa, por vazhdoni në drejtimin e urdhëruar!”
Dhe Ne ia shpallëm atij atë që do të ngjajë: që i gjithë populli i tij, deri në të mbramin, do të zhdukej në agim.
Banorët e qytetit erdhën tek ai gjithë gëzim.
Luti u tha: “Këta janë mysafirët e mi, andaj mos më turpëroni!
Kijeni frikë Allahun e mos më poshtëroni!”
Ata thanë: “A nuk ta kemi ndaluar ne që të presësh mysafirë?”
Ai tha: “Ja vajzat e mia! Nëse doni të bëni çka synoni (martohuni me to)”.
Betohem për jetën tënde (o Muhamed), se ata ishin vërtet të përhumbur në dehjen e tyre!
Ata i kaploi zëri i tmerrshëm (i Xhebrailit) kur lindi Dielli,[165]
____________________
[165] Banorët e Sodomës, qytetit të Lutit, pësuan një sërë dënimesh, deri në shkatërrimin e plotë. Dënimi i parë ishte britma shurdhuese e engjëllit Xhebrail, në të lindur të diellit.
dhe Ne e kthyem qytetin përmbys, duke lëshuar mbi ata shi gurësh prej dheut të pjekur.
Këto janë njëmend shenja bindëse për ata, që i kuptojnë ato.
Qyteti i rrënuar është në rrugë, ku gjendet edhe tani.
Kjo është vërtet treguese për besimtarët.
Por edhe banorët e Ejkes ishin keqbërës,
andaj i ndëshkuam dhe që të dy janë në rrugë të dukshme.
Edhe banorët e Hixhrës (fisi Themud), i quajtën të dërguarit për gënjeshtarë.
Ne u patëm dhënë shenjat Tona, por ata shmangeshin prej tyre.
Ata gdhendnin shtëpi në shkëmbinj, duke besuar se nuk do t’i gjente asgjë,
por edhe ata në agim i goditi zëri i tmerrshëm
dhe nuk patën aspak dobi nga ajo që patën ndërtuar.
Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre vetëm me urtësi. Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, andaj ti (o Muhamed) sillu me zemërgjerësi.
Vërtet, Zoti yt është Krijuesi Madhështor, i Gjithëdijshmi.
Ne të kemi shpallur shtatë vargje që përsëriten dhe Kuranin e madhërishëm.
Mos i drejto sytë e tu nga kënaqësitë, që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre dhe mos u hidhëro për ata! Me besimtarët sillu butë!
Thuaj: “Në të vërtetë, unë jam vetëm paralajmërues i qartë”.
Siç është e vërtetë se u dërguam dënim atyre që e ndanë
dhe e bënë Kuranin në pjesë (duke i besuar ca pjesë dhe duke i mohuar të tjerat),
ashtu është e vërtetë, për Zotin tënd, se Ne do t’i pyesim ata të gjithë,
për gjithçka që kanë bërë!
Ti prediko haptazi atë që të është urdhëruar dhe largohu nga idhujtarët.
Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që të tallin,
e të cilët, përveç Allahut, adhurojnë edhe zot tjetër. Do ta marrin vesh mirë ata!
Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre,
andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur!
Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!
Icon